Lajmet

Kosova në përgatitje të pasaportës digjitale COVID-19

Published

on

Republika e Kosovës i njeh cerifikatat digjitale COVID-19 të shteteve të miratuara nga Komisioni Evropian, por vetë ende nuk është pjesë e sistemit digjital të këtyre cerifikatave.

Zyrtarë të Ministrisë së Shëndetësisë thanë se janë duke punuar ngushtë me përgjegjës të Komisionit Evropian, që të pranohet certifikata edhe për qytetarët e imunizuar të Kosovës.

Certifikata digjitale COVID-19 është brenda Bashkimit Evropian që nga 1 korriku 2021. Kjo certifikatë u mundëson qytetarëve të BE-së të lëvizin lirshëm në 27 shtetet e bllokut evropian, nëse janë të vaksinuar me vaksinat e autorizuara nga Agjencia Evropiane e Barnave (EMA).

Procesi i imunizimit të popullatës në Kosovë ka nisur në muajin mars dhe deri më tani, rreth 400 mijë qytetarë janë vaksinuar me dozën e dytë kundër koronavirusit. Të vaksinuarit në Kosovë pajisen me kartelë vaksinimi për COVID-19.

Krahas kësaj kartele me QR kod (që identifikon statusin rreth vaksinimit), Republika e e Kosovës ka dizajnuar edhe certifikatën digjitale për lëvizje të lirë në shtete të ndryshme, thuhet në përgjigje të Ministrisë së Shëndetësisë. Kjo është aprovuar nga Komiteti për imunizim kundër COVID-19 në Kosovë dhe është duke punuar ngushtë me akterët përkatës të Komisionit Evropian, duke ndjekur procedurat përkatëse, në mënyrë që e njëjta të pranohet, thuhet në përgjigje.

Çdo procedurë që kërkohet nga Komisioni Evropian do të plotësohet me qëllim që certifikata digjitale e Kosovës të njihet. Në përgjigje të MSH-së po ashtu thuhet se disa çështje janë jashtë ndikimit të ministrisë, por që ky institucion do të përmbushë përgjegjësitë e veta, që i takojnë sa i përket kësaj certifikate, në raport me palët e jashtme.

“Përgjegjësitë e Ministrisë se Shëndetësisë janë të dizajnojnë cerifikatën sipas kritereve të Komisionit Evropian dhe të përmbushë standardet që ky dokument duhet t’i ketë, normalisht, të kërkojë dhe avokojë sa më shumë që ka mundësi te KE-ja, që certifikata të njihet sa më parë që ka mundësi”, thuhet në përgjigjen e Ministrisë së Shëndetësisë.

Nga vendet e rajonit,Komisioni Evropian, të mërkurën ka miratuar certifikatën digjitale të vaksinimit për Shqipërinë, kurse më 20 gusht, në sistemin digjital të certifikatave, është pranuar edhe Maqedonia e Veriut.

Certifikata digjitale lëshohet pa para dhe është në formë të shtypur si dhe format digjital dhe do të ketë validitet deri në një vit. Certifikata ka një QR-kod me informacione, si emri, data e lindjes, shteti që e ka lëshuar këtë dokument, lloji i vaksinës (ose dëshmia për ndonjë imunitet) dhe kur mbajtësi i kësaj certifikate është vaksinuar.

Edona Deva, specialiste e shëndetit publik në Kosovë shprehet se angazhimet e autoriteteve kompetente duhet të jenë të pandalshme sepse certifikata digjitale është shndërruar në pasaportë për lëvizje. Ajo konsideron se Kosova mund të jetë pjesë e sistemit digjital të këtyre certifikatave, pasi në Kosovë administrohen vaksinat e miratuara nga Agjencia Evropiane e Barnave. Deva tregon se gjatë verës ka udhëtuar nga Kosova në shtetin e Kroacisë që është vend i Bashkimit Evropian, por që thotë se nuk ka pasur problem me certifikatën e vaksinimit të lëshuara nga autoritetet e Kosovës. Në Kosovë administrohen vaksinat e kompanisë Pfizer dhe AstraZeneca.

“Nuk jam e njoftuar me përpjekjet e Ministrisë së Shëndetësisë në këtë aspekt, por mund të them se angazhimi nuk duhet të ndalet, për shkak se udhëtimi nuk mund të ndalet për shkak të njohjes apo mosnjohjes së një certifikate”, thekson Deva.

Integrimi në sistemin digjital të certifikatave, në aspektin teknik nuk është problem për Kosovën, thotë Driart Elshani, ekspert i çështjeve të telekomunikimeve. Ky informacion mund të ruhet në telefon apo në pajisje të tjera mobile, të cilat më pas udhëtari ua tregon punëtorëve të linjave ajrore apo zyrtarëve kufitarë.

“Certifikata digjitale në aspektin teknik, duhet të jetë e qasshme përmes telefonit mobil, në mënyrë që të skanohet QR kod nga autoritetet në kufi. Kur skanohet kodi, vërtetohet se personi ka marrë vaksinën. Kosova duhet të punojë edhe në aspektin teknik dhe kjo nuk është e vështirë të realizohet. Kosova lehtë mund të realizojë këtë proces në mënyrë që të integrohet në sistemin digjital të certifikatave, nëse nuk ka kërkesa të tjera nga BE-ja”, shprehet Elshani.

Por, për të hyrë dhe dalë një person në dhe nga Republika e Kosovës, sipas masave në fuqi, për parandalimin dhe luftimin e koronavirusit, të vendosura më 13 shtator nga Qeveria e Kosovës, duhet të posedojë një nga dëshmitë pasuese: certifikatën e vaksinimit për vaksinimin e plotë ose marrjen e një doze të vaksinës kundër COVID-19, testin RT-PCR negativ për COVID-19, jo më i vjetër se 72 orë ose dëshmi se personi ka kaluar COVID-19 (test RT-PCR pozitiv i lëshuar jo më pak se 21 ditë dhe jo më shumë se 180 ditë ose rezultat pozitiv i testit të antitrupave serologjik – IgG, i lëshuar më së shumti para 30 ditëve) ose testi i shpejtë antigjen negativ jo më i vjetër se 48 orë.

Në rast se nuk i kanë këto dëshmi, duhet të vetizolohen për shtatë ditë./evropaelire.org

Lajmet

Ditari: Lajmet kryesore që shënuan datën 10 nëntor 1992-1998?

Published

on

By

Në rubrikën Ditari, kemi përzgjedhur disa nga lajmet më të rëndësishme të kësaj dite, në periudhën 1992-1998.

10 nëntor 1992

“Rojter”: Kosova para shpërthimit

Agjencia “Rojter” pardje komentoi rrezikun serb i cili i kanoset çdo çast Kosovës. Agjencia thekson se funksionarët e administratës së Bushit frikësohen se Serbia do të shfrytëzojë periudhën kalimtare në SHBA, për të nisur një valë të re të “pastrimit etnik” dhe të dëbojë shumicën shqiptare nga Kosova. Një hap i tillë do të shkaktonte eskalimin e luftës civile në Jugosllavi që do të mund të zgjërohej jashtë kufinjve të ishfederatës jugosllave. “SHBAtë, do ta kenë shumë vështirë që në dy muajt e ardhshëm të ndërmarrin çfarëdo aksioni, kurse kryetari serb Milosheviq do të mund të bëjë hesap se tani është momenti i volitshëm për realizimin e planeve të tija”, tha një funksionar i cili dëshiron të mbetet anonim. Në Kosovë, shumicën dërmuese të popullsisë e përbëjnë shqiptarët, kurse vetëm 10 për qind të popullsisë janë serbë. Shqiptarët janë viktima të një represioni të hatashëm, dhe ata janë praktikisht të paarmatosur. Njësitë e ushtrisë serbe janë të përqëndruara në këtë territor, kurse sipas raportit të organizatës “Helsinki Uaç” në këtë moment në formim e sipër janë grupet paramilitare serbe. Ekzistojnë shumë raporte që flasin për frikësimin e shqiptarëve.

Ky regjion ka paraqitur djepin e nacionalizmit serb dhe Milosheviqi me përkrahësit e tij kanë bërë me dije se Kosova do të hyn në përbërje të “Serbisë së madhe”.

George Kenney, ishfunksionar i StejtDepartamentit, mendon se në Kosovë eksplodimi është i paevitueshëm.

“Forcat militante serbe në Kosovë janë të armatosura dhe të ushtruara. Ato i urrejnë shqiptarët dhe planifikojnë “pastrim etnik”, me qëllim që të detyrojnë sa më tepër shqiptarë që të shpërngulen në Shqipëri” tha Kenney.

“Kjo është më keq se Bosnja, kjo është një masakër”, shkruan ai.

Në rast se kjo do të ndodhë, Shqipëria, Maqedonia, Bullgaria por edhe Greqia dhe Turqia do të mund të inkuadroheshin në këtë konflikt.

Kryetari i ri Bill Klinton, gjatë fushatës elektorale e kritikoi kryetarin Xhorxh Bush, për mosveprim të mjaftueshëm për të ndërprerë agresionin serb në Bosnjë. Funksionarët druajnë se Milosheviqi ndoshta nuk do të presë që Klintoni të marrë detyrën, dhe do të tentojë që para kësaj të dëbojë shqiptarët nga Kosova.

Si duket edhe Klintoni është i vetëdijshëm për këtë rrezik. Në njërën nga deklaratat e tij të rëndësishme pas fitores zgjedhore, ai u tërhoqi vërejtjen armiqve të SHBAve, që të mos mendojnë se Uashingtoni do të jetë i dobët në periudhën tranzitore.

“Gabimi më i madh që ndonjë kundërshtar i ynë mund ta bënë, do të ishte dyshimi në vendosmërinë amerikane në periudhën tranzitore”, tha Klintoni.

Ai përmend disa rajone, në të cilat do të sigurojë kontinuitetin e politikës amerikane, duke përfshirë edhe kërkesat për zgjidhje paqësore të konfliktit të Jugosllavisë.

Disa funksionarë të administratës, të cilët jozyrtarisht e kanë kritikuar Bushin për shkak se nuk ka vepruar më vendosmërisht kundër serbëve të Bosnjës, dëshirojnë që ai të dërgojë një sinjal të fuqishëm për mënjanimin e rrezikut nga agresioni serb mbi Kosovën.

Mirëpo, tani nuk kanë humbur gjasat e Bushit të ndërmarrë ndonjë aksion që nuk e ndërmori para zgjedhjeve.

 

10 nëntor 1993

Në Shtime policia serbe arrestoi katër arsimtarë

Pardje, në Shtime rreth orës 15, policia serbe hyri në punktin e Shkollës së Mesme dhe, pasi i përzuri të gjithë nxënësit, i mori dhe i dërgoi në stacion të policisë në Shtimje arsimtarët Fehmi Baftiun, Shaban Halimin, Avdi Zenunin dhe Shaban Mustafën.

Arsimtarët, pasi u keqtrajtuan disa orë në polici, u liruan.

 

10 nëntor 1994

Në tregun e Prishtinës policia serbe plaçkiti sasi të konsiderueshme malli dhe parash

Sot rreth orës 10:00, një ekspeditë e policisë civile serbe ndërhyri me shpejtësi në tregun e gjelbër në Prishtinë, me ç’rast në fillim bllokoi të gjitha hyrje-daljet e tregut, mbylli dyert dhe filloi si zakonisht me plaçkitjen e tregtarëve dhe qytetarëve shqiptarë, njofton Komisioni për Informim i Degës II të LDK-së në Prishtinë.

Policinë serbe sot e ndihmoi edhe ajo financiare. Në shënjestër të kësaj ndërhyrjeje të policisë ishin sidomos të rinjtë shqiptarë, disa nga të cilët u arrestuan dhe u dërguan në Qendrën e Sigurimit serb në Prishtinë.

Bëhet me dije se policia serbe edhe sot plaçkiti sasi të konsiderushme malli dhe parash nga tregtarët dhe qytetarët shqiptarë, të cilët u gjendën në tregun e gjelbër në Prishtinë.

 

 10 nëntor 1995

Dhuna e përditshme në Kosovë

Klinë:- Policia serbe, me pretekst të kërkimit të armëve ka disa herë që mori në polici Miftar Krasniqin, kryetar i Nëndegës së LDK-së në Ujmirë të Klinës. Njoftohet se policia ka keqtrajtuar fizikisht djalin e Miftarit, Burim Krasniqin (15).

Istog: – Më 8 nëntor, policia serbe e postkomandës në Vrellë të Istogut thirri Kadri e Tahir Gorçajn dhe Ismajl Sadikajn, që të tre nga Studenica nga të cilët kërkuan armë.

Më 9 nëntor, policia serbe bastisi disa qytetarë në Istog, nga të cilët kërkoi deviza.

Junik: – Këto ditë, policia serbe mori në pyetje, Hysen Gjotën, kryetar i Komisionit për Solidaritet të Degës së LDK-së në Junik. Ai u pyet kryesisht rreth veprimtarisë së këtij Komisioni dhe për çështje të arsimit shqip.

Shtime: – Pas qëndrimit dy ditësh në polici, mbrëmë u lirua Shefki Rashitaj dhe dy bijtë e tij, Azem e Jakup Rashitaj nga fshati Petrovë, me kusht që të paraqiten sërish në polici. Siç kemi njoftuar, ata u morën në polici, me pretekst të kërkimit të armëve.

Ndërkaq, dje sipas thirrjes së policisë, u paraqit edhe Hasan Hasani nga Petrova, i cili u mor me pretekst të dorëzimit të armëve. Ai u lirua me kusht që të paraqitet edhe sot në polici.

 

10 nëntor 1997

Terrori i bandave nga Shqipëria largon njerëzit nga shtëpitë e tyre

Anëtari i Kryesisë së LDK Naip Zeka, bashkë me kryetarin e Degës së LDK në Gjakovë Aqif Shehu dhe me anëtarë të Kryesisë e aktivistë të fshatrave Koshare, Brovinë e tjerë vizituan të shtunën fshatin Koshare të Gjakovës. Këtë fshat kufitar me Shqipërinë e kanë sulmuar disa herë bandat e armatosura të Shqipërisë, duke plaçkitur e terrorizuar banorët. Delegacioni i shprehu ngushllime familjes së Hasan Zenunit, të cilit bandat e armatosura nga Shqipëria ia vranë djalin Afrimin.

Gjatë qëndrimit në këtë fshat, z. Zeka u njoftua se për shkak të terrorit dhe pasigurisë së krijuar, deri tash janë larguar 28 familje me mbi 250 banorë. Të largaurit janë vendosur si qeraxhinjë në Gjakovë apo tek farefisi.

Shkolla fillore gjashtëvjeqare me klasë të përziera është mbyllur ndërsa edhe dy familjet të mbetura në fshat, ajo e Hasan Zenunit dhe e kushëririt të tij po largonin të shtunën plaçkat e orenditë.

Në një mbledhje të aktiveve të LDK të fshatrave Brovinë, Muriq e Koshare, ku mori pjesë edhe anëtari i Kryesisë së LDK-së, Naip Zeka u bisedua për gjendjen e krijuar në fshatrat e zonës kufitare dhe për shqetësimet e qytetarëve. Aktivistët e LDK-së kërkuan nga organet e Kosovës që të bëjnë ç’ është e mundur që Qeveria e Shqipërisë të ndalojë kalimin e bandave në tëritorin e Kosovës.

U kërkua që aktivistët dhe udhëheqësit e LDK dhe të organeve të tjera të jenë më prezente në këtë zonë dhe që të ndihmojnë në tëjkalimin e situatës.

Banorët i bënë thirrje të Ngarkuarit me Punë të Shqipërisë në Beograd z. Besnik Konqi që të vizitojë këto fshatra për t’u bindur për gjendjen e rëndë.

Përkujtojmë se përkundër bisesdave me autoritetet shqiptare gjatë katër muajve të fundit gjendja nuk ka ndryshuar. Pasiguria dhe shqetësimi ekziston edhe tek qytetarët e fshatrave të tjera të brezit kufitar.

Për shkak të gjendjes së rëndë, udhëheqja e Kosovës ka bërë disa herë apele dhe ka kërkuar nga Qeveria e Shqipërisë që të pengojë kalimin e bandave të armatosura plaçkitëse në fshatrat e rrethinës së Gjakovës.

Banorët e kësaja zone kanë theksuar se bandat e armatosura nga Shqipëria po veprojnë në bashkëpunim me forcat e instaluara serbe.

Kryetari Rugova kërkoi të premtën e kaluar nga Qevreria e Shqipërisë, nga pushteti lokal në veri të Shqipërisë dhe nga vëzhguesit e misionit të Bashkimit Evropian që të ndikojnë në ndërprerjen e këtij terrori.

Qeveria e Shqipërisë, përkundër kërkesave të përsëritura nga Kosova nuk është deklaruar ende për këtë problem jashtëzakonisht të madh.

Në këtë situatë, deklaratat e autoriteteve të Tiranës për të ashtuquajturën hapje të kufinjëve, në vend se të mirëpriten në Kosovë, po shkaktojnë shqetësime të reja.

Në këtë kuadër do përmendur faktin se qeveria e federatës së Serbisë e të Malit të Zi vendosi në një mbledhje hapjen e të gjitha pikave kufitare, përkatësisht mori vendim që të hiqet gjendja e mbylljes së kufirit me Shqipërinë që u vendos gjatë trazirave të pranverës.

 

 10 nëntor 1998

Identifikuan trupat e pajetë të tre shqiptarëve nga Rudica e Klinës

Abaz Ahmetxhekaj nga Rudica e Klinës i tha dje KI të Degës së LDK-së në Pejë se janë identifikuar trupat e pajetë të Niman Shaban Bajraktarit (51), Haki Abaz Ahmetxhekajt (23) dhe Bashkim Xhafer Mehmetajt (22), që të tre nga Rudica e Klinës, të cilët janë zhdukur më 6 korrik të këtij viti në Gorozhdec të Pejës.

I njëjti burim bën të ditur se tre shqiptarët janë masakruar nga paramilitarët serbë, ndërsa trupave të tyre të pajetë u mungojë disa gjymtyrë.

Trupat e tyre janë varrosur me urdhër të forcave serbe më 8 korrik, pa u lejuar identifikimi i tyre.

 

 

Continue Reading

Lajmet

Fakulteti i Psikologjisë organizon bashkëbisedim për parandalimin e dhunës dhe rolin e shërbimeve psikologjike

Published

on

By

Fakulteti i Psikologjisë në UBT ka organizuar një bashkëbisedim me studentët e vitit të parë lidhur me trajtimin e dhunës, parandalimin e saj dhe rolin e shërbimeve psikologjike në shoqëri.

Aktiviteti i udhëhequr nga ligjëruesja Violeta Zefi bëri bashkë Zana Hamiti Asllanin nga Qendra për Mbrojtjen e Grave dhe Fëmijëve në Prishtinë, Kadri Gashin nga Qendra për Këshillim, Shërbime Sociale dhe Hulumtime, si dhe Dekanen e Fakultetit të Psikologjisë Denis Celcima dhe ligjëruesen Elona Krasniqi.

Të nxitur nga ngjarjet e fundit në vend, pjesëmarrësit u përqendruan te rreziku i përsëritjes së rasteve të dhunës dhe nevoja për një qasje të koordinuar institucionale.

Vëmendje e veçantë gjatë diskutimit i u kushtua edukimit, risocializimit dhe mbështetjes psikologjike për burrat dhe djemtë kryerës të dhunës, si element kyç për parandalimin e këtij fenomeni.

Continue Reading

Lajmet

Të paktën 10 të vdekur nga aksidenti masiv me rreth 50 automjete në Bullgari

Published

on

Të paktën 10 persona kanë humbur jetën dhe 27 të tjerë janë lënduar në një aksident të rëndë trafiku, ku janë përfshirë rreth 50 automjete në juglindje të Bullgarisë.

Aksidenti ndodhi të martën, në një segment të autostradës në rajonin e Jambollit, ku mjegulla e dendur dyshohet se ka vështirësuar dukshmërinë. Përplasjet ndodhën në të dyja anët e autostradës.

Lajmi është raportuar nga agjencia bullgare e lajmeve BTA, duke iu referuar guvernatorit të rajonit, Georgi Chalakov.

Në vendin e ngjarjes kanë intervenuar ekipet e policisë, zjarrfikësve dhe emergjencës mjekësore. Pamjet e publikuara nga mediat lokale tregojnë vetura dhe kamionë të grumbulluar në të dyja anët e rrugës, disa prej tyre të përmbysur, të shkatërruar rëndë ose të dalë jashtë autostradës.

Kryeinspektori Todor Mishinev nga Drejtoria Rajonale e Ministrisë së Punëve të Brendshme në Jamboll ka deklaruar për televizionin Nova se disa persona kanë mbetur të bllokuar brenda automjeteve të tyre.

“Për momentin, përparësi kanë operacionet e shpëtimit. Pasi ato të përfundojnë, do të zhvillohen veprimet procedurale dhe hetimore”, ka deklaruar ai.

Sipas BTA-së, 27 persona të lënduar janë dërguar në spitalet e rajonit për trajtim mjekësor.

Operacionet e shpëtimit dhe ndërhyrjes po vazhdojnë, ndërsa autoritetet pritet të japin më shumë detaje për rrethanat dhe shkaqet e aksidentit./A.K/

Continue Reading

Lajmet

KRU “Prishtina” paralajmëron shkyçjen e konsumatorëve me dy ose më shumë fatura të papaguara

Published

on

Kompania Rajonale e Ujësjellësit “Prishtina” ka paralajmëruar se do të nisë shkyçjen e menjëhershme nga rrjeti të konsumatorëve që kanë dy ose më shumë fatura të papaguara radhazi.

Përmes një njoftimi publik, kompania ka bërë të ditur se ekipet e saj në terren kanë filluar zbatimin e këtyre masave ndaj konsumatorëve që nuk i kanë përmbushur obligimet financiare për shërbimet e ujësjellësit dhe kanalizimit.

Përveç shkyçjes, lëndët e konsumatorëve me borxhe do të procedohen te përmbaruesit privatë, çka mund të sjellë edhe shpenzime shtesë ligjore dhe tarifa për rikyçje.

KRU “Prishtina” u ka bërë thirrje konsumatorëve që t’i shlyejnë borxhet sa më parë për të shmangur këto masa.

Pagesat mund të kryhen përmes platformës zyrtare dhe aplikacionit mobil të kompanisë, platformës eKosova, si dhe në pikat e Postës së Kosovës, bankat komerciale dhe institucionet mikrofinanciare.

Për konsumatorët që nuk kanë mundësi ta paguajnë të gjithë borxhin menjëherë, kompania ofron mundësinë e lidhjes së marrëveshjeve për riprogramimin e tij me këste mujore. Për këtë, ata duhet të paraqiten në sportelet zyrtare të kompanisë para se të zbatohet masa e shkyçjes./A.K/

Continue Reading

Të kërkuara