Lajmet

Kosova me rezolutë për dënimin e gjenocidit në Srebrenicë

Në mbështetje të rezolutës votuan 89 deputetë, ndërsa votimi u bojkotua nga deputetët e Listës serbe të cilët braktisën seancën kur filloi debati për rezolutën.

Published

on

Parlamenti i Kosovës, miratoi të mërkurën një rezolutë me të cilën dënohet gjenocidi në Srebrenicë të Bosnjës në korrik të vitit 1995.

Në mbështetje të rezolutës votuan 89 deputetë, ndërsa votimi u bojkotua nga deputetët e Listës serbe të cilët braktisën seancën kur filloi debati për rezolutën.

Në tekstin e rezolutës së miratuar “dënohet ashpër gjenocidi i regjimit serb në Srebrenicë ndaj pjesëtarëve të popullit boshnjak dhe të gjitha shkeljet e të drejtave të njeriut”.

Po ashtu rezoluta dënon “çdo tendencë për të mohuar qëllimisht dhe publikisht gjenocidin e Srebrenicës, me qëllim të denigrimit të viktimave dhe fshehjen e motiveve të krimeve të kryera”, dhe shpall 11 korrikun ditë përkujtimi për gjenocidin në Srebrenicë.

Në korrik të vitit 1995, forcat e serbëve të Bosnjës pushtuan Srebrenicën, një qytet që ishte shpallur zonë e sigurt nga Kombet e Bashkuara. Më shumë se 8 mijë burra e djem boshnjakë u ekzekutuan dhe trupat e tyre u hodhën në varreza masive në zonë. Ajo ishte ngjarja më e rëndë në Evropë pas Luftës së Dytë Botërore dhe u shpall si gjenocid nga gjykatat e Kombeve të Bashkuara.

Gjykatësit e Kombeve të Bashkuara në fillim të muajit të kaluar vendosën të martën të lënë në fuqi dënimin me burgim të përjetshëm për ish-komandantin ushtarak të serbëve të Bosnjës, Ratko Mladiç, për gjenocid, krime lufte dhe krime kundër njerëzimit. Akzuat ndaj tij përfshinin edhe masakrën e Srebrenicës.

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, tha se rezoluta dhe padia ndaj Serbisë për gjenocid që po përgatit Kosova, do të kontribuojnë që në të ardhmen të mos përsëriten ngjarje siç ndodhën në Srebrenicë.

Qeveria e Kosovës ka pohuar se ka filluar punën për përgatitjen e padisë kundër Serbisë për gjenocid, duke nxitur reagimin e Beogradit. Presidenti serb Aleksandër Vuçiç, tha se Kosova nuk mund ta bëjë një gjë të tillë, duke bërë thirrje që të heqë dorë nga kjo nismë. Zyrtarë të Beogradit thanë se paralajmërimi i Kryeministrit Kurti është goditje ndaj bisedimeve për normalizimin e marrëdhënieve ndërmjet të dyja palëve.

Shqiptarët e Kosovës e cilësojnë gjenocid fushatën e forcave serbe gjatë luftës së viteve 1998-1999, gjatë së cilës u vranë mbi 10 mijë veta, mijëra llogariteshin të zhdukur, ndërsa mbi 800 mijë shqiptarë u dëbuan. Lufta mori fund me ndërhyrjen e NATO-s.

Ekspertët e kanë cilësuar shumë të ndërlikuar procesin e ngritjes së një padie të tillë ndaj Serbisë, duke tërhequr vëmendjen se “në rast të dështimit të një padie të tillë, dëmet për Kosovën do të ishin të pariparueshme”.

Po ashtu sipas tyre, Kosova nuk mund të ushtrojë një padi të tillë, meqë nuk është anëtare e Organizatës së Kombeve të Bashkuara dhe as ratifikuese e statutit të Gjykatës Ndërkombëtare për Drejtësi.

Zëvendës ndihmës sekretari Amerikan i Shtetit, Mathew Palmer në një intervistë për RTV21, tha se “një qasje e tillë nuk do t’i kontribuojë zgjidhjes së problemeve midis dy vendeve” dhe se palët “duhet të përqendrohen më shumë në të ardhmen sesa në të kaluarën”.

“Nëse Kosova dëshiron të çojë përpara këtë çështje në Gjykatë, është e drejtë e saj sovrane, por ajo që ne duam të shohim është përkushtimi ndaj bisedimeve dhe normalizimi i marrëdhënieve me Serbinë”, tha ai, duke nënvizuar se “duhet të kenë argumente para së të ushtrojnë padinë sepse është çështje e ndërlikuar”.

Continue Reading

Lajmet

Aktivistët shqiptarë në SHBA kërkojnë mbështetje për Bekim Sejdiun si president i Kosovës

Published

on

By

Një grup prej 28 veprimtarësh shqiptaro-amerikanë u kanë dërguar një letër të hapur liderëve të partive politike dhe deputetëve të Kuvendit të Kosovës, përmes së cilës kërkojnë mbështetjen e kandidaturës së Dr. Bekim Sejdiut për pozitën e Presidentit të Republikës.

Në letrën e tyre, nënshkruesit theksojnë se Sejdiu zotëron integritetin e duhur moral e profesional dhe përvojën e nevojshme për të unifikuar skenën politike vendore, si dhe për të fuqizuar më tej marrëdhëniet strategjike ndërmjet Kosovës dhe SHBA-së.

Aktivistët veçojnë gjithashtu kontributin e tij gjatë kohës sa shërbente si konsull në New York, ku luajti një rol kyç në urat e bashkëpunimit mes diasporës shqiptare atje dhe shtetit të Kosovës.

Vlerësohet karriera e tij e dëshmuar në shërbimin publik si dhe cilësohet si figura e duhur për ta përfaqësuar vendin me dinjitet në arenën globale në këtë periudhë kritike.

Continue Reading

Lajmet

PDK-AAK serish para Qeverisë: Kërkohet konstituimi i Kuvendit dhe fundi i bllokadës institucionale

Published

on

By

Deputetët e Partisë Demokratike të Kosovës dhe Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, të shoqëruar nga asamblistë, drejtorë komunalë dhe aktivistë nga Vitia, Gjilani e Kamenica, kanë mbajtur sërish një aksion protestues para objektit të Qeverisë për të kërkuar zhbllokimin e institucioneve dhe funksionalizimin e Kuvendit.

Gjatë aksionit, përfaqësuesit opozitarë paralajmëruan se vonesat politike po e çojnë vendin drejt një krize të thellë financiare e administrative. Valmir Sahiti nga Komuna e Vitisë ngriti shqetësimin se shumica e institucioneve po funksionojnë me ushtrues detyre, marrëveshjet ndërkombëtare janë pezulluar dhe komunat gjenden buzë falimentimit financiar, duke kërkuar nga partia fituese që t’i kthehet përgjegjësisë kushtetuese.

Në të njëjtën linjë, deputeti i PDK-së, Fadil Demaku, nënvizoi se situata aktuale jashtë kornizës kushtetuese është e papranueshme dhe i bëri thirrje mazhorancës të ndërpresë vonesat dhe arsyetimet politike.

Ndërkaq, deputetja e Aleancës, Time Kadrijaj, kritikoi mungesën e transparencës dhe llogaridhënies, duke kërkuar mbledhjen e menjëhershme të seancës për formimin e organeve të reja ose, në të kundërt, shpalljen e zgjedhjeve të reja si rrugëdalje nga bllokada.

Continue Reading

Lajmet

Përleshje në një lokal në Fushë Kosovë, arrestohen tre persona

Published

on

Tre persona janë arrestuar në Fushë Kosovë, pasi dyshohet se pas një mosmarrëveshjeje në një lokal janë përleshur fizikisht mes vete.

Rasti ka ndodhur më 31 gusht, rreth orës 21:20.

Sipas Policisë së Kosovës, në mesin e të arrestuarve është një mashkull kosovar dhe dy shtetas të Serbisë.

Si pasojë e përleshjes, të dyshuarit kanë pësuar lëndime trupore, ndërsa dyshohet se kanë dëmtuar edhe disa orendi në lokal.

Pas intervistimit, me vendim të prokurorit, të dyshuarit janë dërguar në mbajtje./A.K/

Continue Reading

Lajmet

Të shtëna me armë në Viti, policia në kërkim të të dyshuarit

Published

on

Policia e Kosovës ka nisur hetimet për një rast të përdorimit të armës së zjarrit në Viti.

Rasti është raportuar më 31 gusht, rreth orës 19:35. Një grua kosovare ka deklaruar se, derisa kishte qenë te familja e saj, kishte pasur probleme me një burrë kosovar.

Sipas dëshmisë së saj, i dyshuari është afruar pranë oborrit të shtëpisë dhe ka shtënë me armë zjarri në ajër.

Njësiti policor në vendin e ngjarjes ka gjetur dhe konfiskuar dy gëzhoja. Nuk raportohet për persona të lënduar.

I dyshuari aktualisht ndodhet në kërkim nga policia./A.K/

Continue Reading

Të kërkuara