Lajmet

Kosova lë anash energjinë e gjelbër

Published

on


Ka pak më shumë se dy muaj prej se Ahmet Sedefi ka investuar në vendosjen e një sistemi solar për prodhimin e energjisë elektrike mbi objektin e kompanisë së tij, “Sedefi Commerce” në Pejë.

“Sipas planprogramit që e kemi si kompani, ky investim sigurisht që duhet të jetë i mirë dhe me benefite për ne”, thotë Sedefi për Radion Evropa e Lirë.

Përmes këtij sistemi solar, kompania që ai ka në pronësi, pritet të prodhojë 100 kilovatë energji elektrike.

Ky kapacitet nuk është i mjaftueshëm për të mbuluar të gjithë kërkesën e kompanisë, por Sedefi shpreson se për një periudhë njëvjeçare do të vërehet efekti i këtij investimi.

“Sot për sot nuk prodhon rezultate, por pas një viti apo pesë vjetësh do të shihet rezultati. Nëse i prodhon 125 mijë kilovatë rrymë, ashtu siç e kemi në kontratë, atëherë është e favorshme. Në rastin tonë e ulë koston e çmimit të produktit”, thotë Sedefi.

Sedefi thotë se shumë biznese në Kosovë nuk e kanë mundësinë që të investojnë në prodhimin e energjisë së ripërtërishme.

Për këtë arsye ai thotë se do të duhej të ekzistonin grante dhe mundësi të mbështetjes financiare për bizneset që investojnë në këtë fushë.

Investimet në sisteme solare janë rritur viteve të fundit në Kosovë.

Megjithatë, kompanitë që punojnë në këtë fushë thonë se duhet më shumë mbështetje dhe lehtësime.

Energjia e ripërtërishme, sektor pa përkrahje

Ermal Imeri është drejtor i kompanisë kosovare, “ESCO Solar Systems”, e cila ofron konsulencë dhe realizim të projekteve të energjisë së ripërtërishme.

Imeri thotë se ky sektor përballet me procedura të shumta burokratike.

Sipas rregullave që i ka përcaktuar ZRRE-ja (Zyra e Rregullatorit të Energjisë), për të instaluar një sistem solar të lidhur në rrjet, duhet të plotësohen kushtet që i vendos distributori i energjisë, pra në këtë rast KEDS-i (Distribucioni për Furnizim me Energji Elektrike), e që këto kushte janë shumë burokratike dhe procedura shumë të vështira”, thotë Imeri.

Për të zhvilluar këtë sektor, Imeri thotë se qeveria duhet që të vendosë masa stimuluese që përfshijnë qasje më të mirë në financa për individë dhe biznese, grante si dhe ulja e taksave për kompanitë që instalojnë panele solare.

“Institucionet duhet të marrin masa stimuluese, duke filluar prej subvencionimit të një pjesë të investimeve në sisteme solare, duke filluar që ta bëjnë edhe më të thjesht Ligjin e shkarkimit në rrjet, duke i hequr kushtet e paarsyeshme që kërkohen të plotësohen për instalimin e sistemeve solare”, thotë ai.

Përkundër mungesës së këtyre mekanizmave stimulues, Imeri thotë se investimi në energji solare është mjaft i favorshëm për klientët privatë si dhe bizneset.

Abazi: Qeveria t’i kushtojë me shumë rëndësi sektorit të energjisë

Ditë më parë Qeveria e Kosovës miratoi programin qeverisës.

Në këtë dokument, qeveria zotohet se do të kujdeset për krijimin e kushteve të favorshme “për furnizim të qëndrueshëm e të përballueshëm me energji, për të gjithë qytetarët dhe ndërmarrjet e Kosovës, duke e pasur parasysh edhe ndikimin në mjedis”.

Sipas qeverisë, për të arritur këtë qëndrueshmëri, rol kryesor luan rritja e efiçiencës së energjisë dhe rritja e shumëllojshmërisë së burimeve energjetike.

Por, Dardan Abazi, hulumtues i lartë në Institutin për Politika Zhvillimore (INDEP), thotë për Radion Evropa e Lirë se në këtë planprogram, qeveria ka përmendur vetëm kalimthi sektorin e energjisë.

“Hapi i parë që qeveria duhet ta bëjë është që ta tërheqë planin qeverisës nga kuvendi dhe ta rishkruajë pjesën e energjisë, ashtu siç i takon, pra që të jetë një program i mirëfilltë ku do të ketë fillimisht pozicione të qarta të qeverisë sa i takon energjisë së ripërtërishme, efiçiencës së energjisë, reduktimit të emisioneve, etj”, tha Abazi.

Programi qeverisës, sipas Abazit, duhet të përfshijë masa konkrete që ndikojnë në transformimin e sistemit energjetik të Kosovës.

Continue Reading

Lajmet

Lidershipi në epokën e Inteligjencës Artificiale: Diskutimet kyçe nga paneli i parë i Konferencës Ndërkombëtare

Published

on

By

Në panelin e parë të Konferencës së Lidershipit me temën: “Qeverisja e Inovacionit: Lidershipi në Epokën e Inteligjencës Artificiale”, e cila u zhvillua në Parkun Shkencor, Inovativ dhe Teknologjik të UBT-së, u vendos fokusi në vëmendjen e institucioneve, e cila shpesh mbetet vetëm te zbatimi teknik, duke lënë anash strategjinë dhe menaxhimin e mençur të këtyre sistemeve.

Pjesë e panelit, Prof. Dr. Blerton Abazi – Dekan i Fakultetit të Sistemeve të Informacionit në UBT, vuri në dukje se valët e shpejta të inovacionit gjatë dekadës së fundit kanë ndryshuar rrënjësisht terrenin operacional. Profesor Abazi tërhoqi vëmendjen se sistemet e vjetra nuk ishin projektuar me mendësinë e mbrojtjes kibernetike ndaj këtyre sfidave dhe kërkoi që fokusi të zhvendoset drejt lidershipit.

“Që nga viti 2013 e këtej, ne kemi pasur disa ndryshime të mëdha, si Internet of Things, Cloud Computing, Data Science, siguria kibernetike dhe së fundi inteligjenca artificiale. Ne zakonisht diskutojmë për aspektin e implementimit teknik, e shumë pak për aspektin e lidershipit dhe përdorimit sa më të mençur të këtyre sistemeve”, shprehet Abazi.

Në të njëjtën linjë, panelisti dhe profesori i UBT-së, Florin Aliu, potencoi se rrugëtimi teknologjik ka qenë jashtëzakonisht i shpejtë, duke kulmuar sot me Inteligjencën Artificiale.

Profesor Aliu ftoi për më shumë maturi, duke argumentuar se e ardhmja mbetet e panjohur sepse varet nga vendimet njerëzore, dhe se të dhënat apo teknologjia nuk e zëvendësojnë dot qeverisjen e duhur.

“E ardhmja është e panjohur sepse varet nga vendimet e qeverive dhe njerëzve. Kush mund ta parashikonte krizën financiare të viteve 2008-2009 në SHBA, edhe pse atje janë universitetet dhe kërkuesit më të mirë? Inteligjenca artificiale po përmirëson disa gjëra, por le të mos mbështetemi verbërisht tek ajo sepse ka edhe efekte anësore”, tha Aliu.

Nga këndvështrimi institucional, drejtori i Departamentit të TI-së në ATK, Prof. Agron Hamiti, nënvizoi se procesi i digjitalizimit nuk lë hapësirë për ngurrim, por kërkon një përgatitje të thellë të strukturës organizative dhe menaxhimit të të dhënave. Ai bëri të ditur se po hidhen hapat e parë konkretë për krijimin e një divizioni të dedikuar posaçërisht për inteligjencën artificiale.

“Digjitalizimi nuk lë vend për ngurrim. Ne kemi hartuar dokumente që gjenerohen prej strategjisë së përgjithshme, ku një prej tyre është ajo për menaxhimin e të dhënave. Kemi bërë edhe freskimin e strukturës organizative dhe parashohim krijimin e një divizioni që do të merret veçanërisht me pjesën e inteligjencës artificiale (AI)”, sipas Hamiti. /E.A/

Continue Reading

Lajmet

Operacion i përbashkët SHBA–Nigeri vret zëvendëskomandantin e ISIS në Afrikë

Published

on

Forcat amerikane dhe nigeriane kanë kryer një operacion ushtarak në verilindje të Nigerisë në muajin maj, ku është vrarë Abu-Bilal al-Minuki, i identifikuar si zëvendëskomandant i ISIS në nivel global.

Operacioni u zhvillua pas një sulmi amerikan të autorizuar nga presidenti Donald Trump, i cili deklaroi se militantët kishin synuar komunitetet e krishtera në Nigeri.

Duke folur në një konferencë të shefave të mbrojtjes afrikane në Angola, komandanti i AFRICOM-it, gjenerali Dagvin Anderson, tha se bashkëpunimi SHBA–Nigeri po shërben si model për operacionet e ardhshme të sigurisë në Afrikë.

Sipas tij, SHBA ka tërhequr shumicën e forcave pas përfundimit të operacionit, por po vazhdon bashkëpunimin në fushën e shkëmbimit të inteligjencës me Nigerinë.

Anderson shtoi se operacioni në rajonin e Liqenit Çad ka ndikuar ndjeshëm në degradimin e strukturave drejtuese të Shtetit Islamik, duke goditur komandantë lokalë dhe rrjetet e komunikimit të organizatës militante./A.K/

Continue Reading

Lajmet

Betohen 12 kadetë të rinj të Forcës së Sigurisë së Kosovës, gradohen nëntogerë

Published

on

Në Kazermën “Adem Jashari” në Prishtinë është mbajtur ceremonia solemne e diplomimit dhe betimit të 12 kadetëve të Forcës së Sigurisë së Kosovës (FSK), të cilët kanë përfunduar me sukses studimet katërvjeçare në programin ushtarak në Qendrën për Studime Universitare pranë Akademisë së Mbrojtjes së FSK-së, si dhe përgatitjen akademike në Universitetin Amerikan në Kosovë.

Në ceremoni morën pjesë ushtruesja e detyrës së Presidentes së Republikës së Kosovës, Albulena Haxhiu, Kryeministri në detyrë Albin Kurti, Ministri i Mbrojtjes Ejup Maqedonci, Komandanti i FSK-së gjenerallejtënant Bashkim Jashari, si dhe përfaqësues të institucioneve vendore dhe partnerëve ndërkombëtarë.

Ceremonia nisi me raportimin zyrtar para udhëheqësve shtetërorë dhe komandës së FSK-së, ndërsa kulmoi me betimin solemn të gjeneratës 2026. Pas betimit, kadetët u graduan me gradën nëntoger, duke u bërë udhëheqësit më të rinj të FSK-së.

Ky diplomim u vlerësua si një moment i rëndësishëm për zhvillimin profesional të FSK-së dhe forcimin e kapaciteteve të saj në përputhje me standardet moderne ushtarake./A.K/

Continue Reading

Lajmet

Mjet i pashpërthyer gjendet në Bjeshkët e Junikut, intervenon FSK dhe KFOR

Published

on

Një mjet i dyshuar i pashpërthyer është gjetur të enjten në Bjeshkët e Junikut, kanë bërë të ditur autoritetet.

Sipas raportit policor, rasti është raportuar më 2 korrik 2026, rreth orës 14:00, pasi në një zonë pyjore është hasur një mjet i dyshuar shpërthyes.

Menjëherë pas pranimit të informatës, njësitë e Policisë së Kosovës kanë dalë në vendin e ngjarjes dhe kanë siguruar perimetrin për të shmangur rrezikun për qytetarët.

Më pas, në vendin e ngjarjes kanë intervenuar njësiti për deminim i Forcës së Sigurisë së Kosovës (FSK) dhe forcat e KFOR-it, të cilët kanë bërë largimin e mjetit pa incidente./A.K/

Continue Reading

Të kërkuara