Lajmet

Kosova do të marrë vaksina edhe nga disa shtete të BE-së

Published

on

Liderët e Bashkimit Evropian, gjatë samitit të mbajtur në Bruksel, kanë paralajmëruar se deri në fund të vitit, blloku do të dhurojë së paku 100 milionë doza të vaksinave në vendet më pak të zhvilluara, ku do të përfitojë edhe Kosova dhe vendet e tjera të Ballkanit Perëndimor.

Kroacia ishte vendi i parë që bëri publike dhënien e një donacioni prej 10.000 dozave të vaksinës për Kosovën dhe një sasie tjetër dhe për Malin e Zi dhe Bosnje e Hercegovinën. Pikërisht këto tri shtete të rajonit janë duke ngecur më së shumti në procesin e vaksinimit.

Burimet nga BE-ja kanë paralajmëruar se Austria, Hungaria, Polonia dhe Sllovenia, së shpejti do të japin falas vaksina për këto shtete të rajonit. Kosova pritet që të përfitojë një numër të konsiderueshëm të vaksinave, që do të jepen donacion nga këto shtete. Nga këto donacione do të përfitojnë edhe Bosnjë e Hercegovina, Maqedonia e Veriut, Shqipëria dhe Mali i Zi.

Këto donacione të vendeve anëtare të BE-së do të jenë doza shtesë pas më shumë se 600.000 dozave që BE-ja tashmë ka ndarë për vendet e Ballkanit.

Në të njëjtën kohë, disa vende të tjera të BE-së janë duke rritur donacionet për shtete të ndryshme. Rumania ka përqendruar ndihmën e saj drejt vendeve në fqinjësinë lindore, sidomos duke dhuruar vaksina Moldavisë. Po ashtu priten donacione edhe për Gjeorgjinë dhe Ukrainën. Spanja dëshiron më shumë ndihmë për vendet e Amerikës Latine, ndërsa Franca për shtetet e Afrikës së Veriut.

Pos donacioneve, pritet që së shpejti disa vende të BE-së të kenë mundësi edhe t’i shesin vaksinat të cilat u takojnë atyre nga sasia e kontraktuar nga ana e Bashkimit Evropian.

BE-ja ka ndarë edhe 70 milionë euro për vendet e rajonit, me qëllim që t’u ndihmojë në sigurimin e vaksinave. Nga këto mjete mund të paguhen edhe vaksinat të cilat mund të shkojnë nga shtetet e BE-së. Por, shumë prej këtyre shteteve, vaksinat që do t’i dhurojnë do t’i paguajnë nga buxhetet e tyre.

Në kohën kur procesi i vaksinimit në BE po shkon mirë dhe shumë shtete tashmë i janë afruar shifrës prej 50 për qind të qytetarëve të moshës madhore të vaksinuar së paku me një dozë, BE-ja dëshiron të ndihmojë përshpejtimin e vaksinimit edhe në vendet fqinje, sidomos në ato të Ballkanit Perëndimor.

Ndonëse në rajon situata epidemiologjike duket mjaft e mirë, ditëve të fundit në BE-ja tërheqin vërejtjen se në rast se gjatë verës nuk merr hov procesi i vaksinimit, vala e re e pandemisë mund të kthehet në vjeshtë, siç kishte ndodhur edhe vitin e kaluar.

Lajmet

UBT bëhet pjesë aktive e KOSIX, duke avancuar infrastrukturën e rrjetit dhe ndërlidhjen në nivel vendor

Published

on

By

UBT ka shënuar një tjetër arritje të rëndësishme në zhvillimin e infrastrukturës së tij digjitale, duke u bërë pjesë aktive e KOSIX (Kosovo Internet Exchange), platforma kryesore për shkëmbimin e trafikut të internetit në Kosovë.

Pas një bashkëpunimi të ngushtë me ARKEP, konfigurimet e peering-ut me KOSIX janë përfunduar me sukses dhe tashmë janë plotësisht funksionale. Trafiku përmes KOSIX ka filluar të kalojë në mënyrë aktive, ndërsa shkëmbimi i rrugëve (BGP routes) me operatorët e tjerë vendorë po funksionon normalisht.

Ky implementim përfaqëson një hap të rëndësishëm për UBT, duke sjellë përfitime konkrete në performancën e rrjetit. Përmes këtij integrimi, pritet përmirësim i ndjeshëm i trafikut lokal, ulje e latencës dhe optimizim i përdorimit të burimeve të rrjetit, duke garantuar një përvojë më të shpejtë dhe më të qëndrueshme për përdoruesit.

Përfshirja në KOSIX forcon më tej pozitën e UBT-së si institucioni lider në zhvillimin e teknologjisë dhe inovacionit në vend, duke kontribuar në ndërtimin e një infrastrukture moderne dhe të qëndrueshme të komunikimit digjital në Kosovë.

UBT mbetet i përkushtuar në avancimin e vazhdueshëm të kapaciteteve të tij teknologjike, duke investuar në zgjidhje inovative që mbështesin arsimin, kërkimin shkencor dhe shërbimet digjitale për komunitetin.

Continue Reading

Lajmet

Tri raste te dhunës në familje brenda një dite

Published

on

By

Në raportin e Policisë së Kosovës në 24 orët e fundit janë regjistruar tri raste të dhunës në familje dhe sulmeve ndaj integritetit personal.

Rasti i parë është shënuar në Prishtinë, ku është arrestuar një person i dyshuar për sulm fizik ndaj bashkëshortes së tij. Viktima ka pranuar trajtim mjekësor si pasojë e lëndimeve të marra pas një mosmarrëveshjeje. Pas intervistimit, me urdhër të prokurorit, i dyshuari është dërguar në mbajtje.

Një tjetër rast i rëndë është raportuar në Gjakovë, ku një vajzë e mitur ka denoncuar se është sulmuar seksualisht nga një person. Policia ka reaguar menjëherë duke arrestuar të dyshuarin, i cili me vendim të prokurorit tashmë gjendet nën masën e ndalimit policor.

Ndërkaq, në Leposaviq, një grua me shtetësi serbe ka njoftuar policinë se bashkëshorti i saj ka ushtruar dhunë fizike ndaj saj gjatë orëve të mbrëmjes. Palët në këtë rast janë intervistuar nga hetuesit, ndërsa me vendim të prokurorisë, i dyshuari është liruar dhe rasti do të ndiqet në procedurë të rregullt hetimore.

 

Continue Reading

Lajmet

Arrestohen dy persona në veri për shpërndarje të dokumenteve të postës së Serbisë

Published

on

By

Policia e Kosovës ka arrestuar dy persona në Mitrovicën e Veriut, nën dyshimin për keqpërdorim të autorizimeve ekonomike.

Sipas raportit zyrtar, dy të dyshuarit u kapën në flagrancë duke shpërndarë dokumente të ndryshme në emër të shërbimit postar të Serbisë, veprimtari kjo që konsiderohet e jashtëligjshme brenda territorit të Republikës së Kosovës.

Gjatë operacionit, policia ushtroi kontroll edhe në banesat e të arrestuarve, ku konfiskuan një sërë dokumentesh që shërbejnë si prova materiale për ushtrimin e aktivitetit të tyre si postierë të strukturave ilegale.

Pas përfundimit të procedurave të intervistimit, prokurori kompetent ka vendosur që të dyshuarit të lirohen, ndërsa procesi hetimor ndaj tyre do të vazhdojë në procedurë të rregullt.

Continue Reading

Lajmet

Studentët e Arkitekturës në UBT përmbyllin fazën e parë të projektit ndërkombëtar për zhvillimin rajonal të Pejës dhe Deçanit

Published

on

By

Studentët e programit master në Fakultetin e Arkitekturës dhe Planifikimit Hapësinor në UBT, së bashku me profesorët Binak Beqaj dhe Shqiprim Ahmeti, në bashkëpunim me Universitetin Teknik të Vjenës, kanë përmbyllur me sukses fazën e parë të projektit studimor për Planin e Zhvillimit Rajonal të komunave të Pejës dhe Deçanit.

Ky projekt po zhvillohet nën udhëheqjen e profesorëve Thomas Dillinger, Nina Svanda dhe Skender Kosumi, si dhe me pjesëmarrjen aktive të studentëve nga të dy institucionet, duke u fokusuar në hulumtimin e potencialeve për zhvillim të qëndrueshëm në turizëm, në Parkun Kombëtar “Bjeshkët e Nemuna”.

Gjatë kësaj faze, përveç takimeve me udhëheqësinë e komunave të Pejës dhe Deçanit, një pjesë thelbësore e aktivitetit ishte edhe puna në terren, ku studentët patën mundësinë të njihen nga afër me rajonin, përmes vizitave në zona të ndryshme, deri në pikat më të larta të Bjeshkëve të Nemuna, duke mbledhur të dhëna dhe informacione të rëndësishme për projektin.

Punimet nisën në UBT në Prishtinë, me një hapje zyrtare nga Rektori, Prof. Dr. Edmond Hajrizi. Ndërkaq, workshop-i njëjavor, ku morën pjesë edhe përfaqësues të komunave, u zhvillua në fshatin turistik Belle, i njohur për historinë dhe pozitën e tij me pamje piktoreske.

Në kuadër të këtij aktiviteti, pjesëmarrësit realizuan edhe vizita studimore në disa prej destinacioneve më të rëndësishme kulturore dhe turistike, si ansambli i kullave në Deçan, qyteti i Prizrenit, Çarshia e Gjakovës, si dhe Peja me burimin e Drinit të Bardhë, të cilat lanë përshtypje të veçanta te mysafirët nga Austria.

Prezantimet e fazës së parë të projektit u mbajtën në kampusin e UBT-së në Lipjan, ku Rektori Hajrizi ligjëroi për të arriturat e UBT-së në ndërtimin e një ekosistemi inovativ unik, duke theksuar rëndësinë e ndërlidhjes së arsimit me teknologjinë dhe tregun e punës.

Workshop-i i dytë është planifikuar të mbahet në muajin maj në Vjenë, ku studentët dhe profesorët e UBT-së, së bashku me përfaqësuesit e komunave të Pejës dhe Deçanit, do të jenë mysafirë në Universitetin Teknik të Vjenës. Gjatë kësaj faze do të vazhdojë puna në projekt, si dhe do të realizohen vizita të tjera studimore me fokus në temat e zhvillimit urban dhe rajonal.

Në përfundim të semestrit, studentët do të prezantojnë projektet e tyre finale në UBT, si dhe në komunat e Pejës dhe Deçanit. Me këtë rast, ata shprehën mirënjohje për institucionet vendore për mbështetjen dhe bashkëpunimin, si dhe për UBT-në dhe Rektorin Hajrizi për krijimin e mundësive të tilla profesionale dhe akademike për studentët dhe stafin.

Continue Reading

Të kërkuara