Lajmet

​Kosova bëhet me dhomën e sigurt për viktimat e dhunës seksuale gjatë luftës

Published

on

Në një dhomë me ngjyra që ngjan në ambient shtëpiak, tani e tutje do të dëgjohet zëri i grave e burrave që kërkojnë drejtësi. Nga kjo hapësirë, viktimat e dhunës seksuale të luftës do të dëshmojnë në gjykatë për tmerrin e përjetuar gjatë luftës së fundit në Kosovë, por pa u ballafaquar drejtpërdrejt me dhunuesin. “Dhoma e sigurt” është funksionalizuar të hënën në Prishtinë me mbështetjen e Ambasadës së Mbretërisë së Bashkuar.

Ditë historike për gratë e burrat që kërkojnë drejtësi e konsideron Feride Rushiti, e cila është drejtoreshë e Qendrës Kosovare për Rehabilitimin e të Mbijetuarve të Torturës (QKRMT).

Ajo tregon se kjo tashmë është funksionale dhe ka qenë e domosdoshme.

“Sot është një ditë historike për të mbijetuarit e dhunës seksuale, në veçanti për ata që ju kanë qasur kërkimit për drejtësi. Për faktin që më herët të mbijetuarit, qofshin gra apo vajza duhet të legjitimoheshin, duhet të hynin në një portë ku hynte edhe i akuzuari edhe viktima, edhe shumë herë edhe në prezencë të mediave për çka për shumicën e viktimave ka paraqitur edhe shqetësim edhe stigmatizim. Prandaj hapja e dhomës së sigurt, e përkrahur nga ambasada britanike, në bashkëpunim të ngushtë me Gjykatën Themelore në Prishtinë mendoj që është hap i rëndësishëm në qasjen sensitive në relacion me dhunimet seksuale që ne si organizatë e kërkojmë por e kërkojnë edhe të mbijetuarit e dhunës seksuale”, tha Rushiti.

Bashkë me viktimat e dhunës seksuale, siç tregon Rushiti për KosovaPress, do të jenë edhe përfaqësues të shërbimeve ligjore dhe psikosociale.

“25 vjet pas luftës me ardh, me dëshmu edhe me e nda rrëfimin tënd para një trupi gjykues është mjaft ritramatizues. Prandaj përmes kësaj dhome, me të cilën kemi gjetur mirëkuptim me Gjykatën Themelore edhe nga sot është funksionale, të mbijetuarit e dhunës seksuale do të kenë mundësi të hyjnë komplet pa u legjitimuar fare, e kanë një qasje shumë të lehtë nuk kanë fare nevojë që të hyjnë përmes qasjes zyrtare. Pastaj e kanë një ambient që është shtëpiak, me një televizor ku e kanë një video ku informohen për të drejtat e tyre dhe se si duket dhoma në gjykatore, për faktin që është një moment ritraumatizimi kur të hyjnë aty. Por edhe për ato gra e burra që nuk kanë fare dëshirë që të ballafaqohen me të akuzuarin, kanë mundësi që në formë elektronike nga kjo dhomë me dhënë intervistën”, tregon ajo.

Në ngjarjen e funksionalizmit të dhomës së sigurt ka marrë pjesë edhe ambasadori i Mbretërisë së Bashkuar, Jonathan Hargreaves.

Kjo hapësirë mund të shfrytëzohet edhe për viktimat tjera të dhunës, qoftë të mitura por edhe persona të rritur.

Edhe kryetarja e Gjykatës Themelore në Prishtinë, Albina Shabani Rama tha se hapja e kësaj dhome për dëshmi, ka rëndësi të madhe për avancimin e të drejtave të viktimave.

“Sot, ne zyrtarisht e hapëm dhomën e dëshmisë apo ‘safe room’ që në fakt nuk është vetëm një çështje simbolike, një hapësirë fizike që është hapur për viktimat por ka një domethënie shumë të madhe për shkak të rëndësisë që ka në avancimin e mbrojtjes së të drejtave të viktimave që përfshin ruajtjen dhe privatësinë, qasjen psikologjike që jepet në hapësirë dhe dëshminë që mund të japin edhe në rastet kur viktimat janë të mbrojtura. Është parë e domosdoshme që nevojitet me qenë një hapësirë ku ato mund të vijnë paraprakisht, të përgatiten por edhe për të dëshmuar për shkak se procedurat gjyqësore janë gjithmonë të rënda edhe për dëshmitarët e tjerë, e sidomos në këto raste që janë më të veçanta”, tha ajo.

Numri i personave të përdhunuar gjatë luftës së fundit në Kosovë nuk dihet, por raportet flasin për rreth 20.000.

Deri tani, vetëm Zoran Vukotiq është dënuar për dhunim seksual gjatë luftës së viteve 1998-1999 në Kosovë

Lajmet

Policia e Kosovës apelon për kujdes nga mesazhet mashtruese dhe dokumentet e falsifikuara

Published

on

By

Policia e Kosovës u ka bërë thirrje qytetarëve për kujdes të shtuar pasi janë diktuar mesazhe mashtruese dhe dokumente të falsifikuara, të cilat po qarkullojnë duke keqpërdorur në mënyrë të paautorizuar emrin, logot, vulat dhe nënshkrimet e institucioneve vendëse.

Autoritetet sqarojnë se dokumentet e tilla nuk përfaqësojnë njoftime zyrtare të Policisë së Kosovës, ndaj u kërkohet qytetarëve që të mos u përgjigjen kërkesave të dyshimta, të mos ndajnë të dhëna personale apo bankare dhe të mos dërgojnë informacione përmes adreshash të paverifikuara.

Aktualisht, Policia po ndërmerr të gjitha veprimet e nevojshme hetimore për trajtimin e rastit dhe identifikimin e personave përgjegjës, ndërsa rikujton se çdo informacion zyrtar duhet të merret vetëm përmes kanaleve zyrtare institucionale.

Këshillat e Policisë për qytetarët:

Udhëzime të menjëhershme: Shmangni klikimin në linqe të dyshimta, mos jepni të dhëna bankare apo personale dhe mos hapni faqe që kërkojnë pagesa përmes SMS-ve.

Veprimet në rast se pranoni mesazhe të tilla: Fshijeni mesazhin menjëherë, raportojeni te autoritetet dhe kontaktoni bankën tuaj nëse keni ndarë të dhëna financiare.

Rastet e mashtrimeve mund të raportohen në polici përmes aplikacionit “Lajmëro Policinë” ose duke telefonuar në numrin pa pagesë 192.

 

Continue Reading

Lajmet

Zbulime të reja arkeologjike në Bostan të Novobërdës

Published

on

Gërmimet arkeologjike që po zhvillohen në Bostan të Novobërdës po sjellin të dhëna të reja për këtë lokalitet të lashtë, i cili lidhet me periudhën e Mbretërisë Dardane.

Hulumtimet e zhvilluara gjatë viteve të fundit kanë konfirmuar praninë e një vendbanimi të fortifikuar, ku janë evidentuar gjurmë të një muri rrethues, një kulle dhe një porte.

Materialet arkeologjike të zbuluara dëshmojnë për rëndësinë e këtij lokaliteti gjatë periudhës klasike dhe helenistike.

Të dhënat e deritanishme e rendisin Bostanin ndër lokalitetet me rëndësi për studimin e jetës, ekonomisë dhe organizimit të vendbanimeve në Dardani gjatë periudhës së Mbretërisë Dardane./A.K/

Continue Reading

Lajmet

Biblioteka Kombëtare e Kosovës merr pjesë në takimin vjetor të ISBN-së në Madrid

Published

on

Biblioteka Kombëtare e Kosovës po merr pjesë në Takimin e Përgjithshëm Vjetor të Agjencisë Ndërkombëtare të ISBN-së, i cili po mbahet në Madrid të Spanjës.

Takimi mbledh përfaqësues të agjencive kombëtare të ISBN-së nga vende të ndryshme të botës, me qëllim të diskutimit të zhvillimeve të reja në sistemin ndërkombëtar të identifikimit të botimeve.

Në fokus të takimit është edhe forcimi i bashkëpunimit ndërmjet institucioneve përgjegjëse për sistemin ISBN dhe shkëmbimi i përvojave në këtë fushë.

Pjesëmarrja e Bibliotekës Kombëtare të Kosovës në këtë takim kontribuon në bashkëpunimin ndërkombëtar dhe në ndjekjen e zhvillimeve të reja në standardizimin dhe identifikimin e botimeve./A.K/

Continue Reading

Lajmet

Tubimet e 16 shtatorit, Franca u kërkon shtetasve të shmangin lëvizjet

Published

on

Ministria e Punëve të Jashtme e Francës u ka rekomanduar shtetasve francezë në Kosovë që të tregojnë vigjilencë më 16 shtator, pasi në të gjitha qytetet e vendit janë planifikuar tubime të mëdha me karakter politik.

Në një njoftim për sigurinë, autoritetet franceze u kanë bërë thirrje shtetasve të tyre që t’i shmangin protestat dhe lëvizjet jo të domosdoshme gjatë ditës.

“Më 16 shtator, duke filluar nga ora 10:00, në të gjitha qytetet e vendit janë planifikuar tubime të mëdha me karakter politik”, thuhet në njoftim.

Shtetasve francezë u rekomandohet të qëndrojnë larg këtyre tubimeve dhe të shmangin çdo lëvizje jo të domosdoshme në qytete dhe në të gjithë vendin deri në fund të ditës.

Një ditë më parë, edhe Ambasada e Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Prishtinë lëshoi një njoftim për sigurinë, duke paralajmëruar për protesta të mëdha që pritet të zhvillohen më 16 shtator në qendër të Prishtinës dhe në qytete të tjera të Kosovës.

Sipas Ambasadës amerikane, disa organizata kanë planifikuar demonstrata të mëdha, të cilat mund të shkaktojnë grumbullime të shumta të qytetarëve, mbyllje të rrugëve dhe pengesa serioze në qarkullimin rrugor./A.K/

Continue Reading

Të kërkuara