Kulturë
Kosova, arti, letërsia dhe diplomacia
Published
3 months agoon
By
UBTNewsProf. dr. Lirak Karjagdiu
(Rreth romanit “Sërish në Alpbah” të Halil Bashotës, botoi ShB. LENA, Prishtinë, 2026, fq. 190)
Romani “Sërish në Alpbah” i Halil Bashotës është një vepër me frymë bashkëkohore evropiane, në të cilën përvoja personale, kujtesa historike, dashuria, identiteti dhe shqetësimet politike ndërthuren në një rrëfim të përmbajtur, refleksiv dhe emocionalisht të ngarkuar. I vendosur kryesisht në mjedisin ndërkombëtar të Alpbahut austriak, romani nuk kufizohet në paraqitjen e një historie dashurie apo në rindërtimin letrar të disa ngjarjeve të përjetuara. Ai synon të shqyrtojë njëkohësisht fatin e individit dhe të bashkësisë, marrëdhënien ndërmjet kujtesës dhe së ardhmes, si dhe vendin e Kosovës dhe të shqiptarëve në hapësirën politike, kulturore dhe shpirtërore të Evropës.
Vetë titulli, “Sërish në Alpbah”, bart një kuptim që shkon përtej rikthimit fizik në një vend të njohur. Fjala “sërish” nënkupton kthimin në kujtesë, në një përvojë që nuk është përmbyllur, në ndjenja të mbetura pezull dhe në pyetje që koha nuk ka arritur t’i shuajë. Rikthimi në Alpbah është, rrjedhimisht, edhe një rikthim te vetvetja. Ai bëhet përpjekje për ta kuptuar të kaluarën, për t’i dhënë kuptim së tashmes dhe për ta imagjinuar të ardhmen nga një këndvështrim më i pjekur.

Midis përvojës autobiografike dhe imagjinatës letrare
Kosova, arti, letërsia dhe diplomacia
15 korrik 2026| 10:41
Prof. dr. Lirak Karjagdiu
(Rreth romanit “Sërish në Alpbah” të Halil Bashotës, botoi ShB. LENA, Prishtinë, 2026, fq. 190
Romani “Sërish në Alpbah” i Halil Bashotës është një vepër me frymë bashkëkohore evropiane, në të cilën përvoja personale, kujtesa historike, dashuria, identiteti dhe shqetësimet politike ndërthuren në një rrëfim të përmbajtur, refleksiv dhe emocionalisht të ngarkuar. I vendosur kryesisht në mjedisin ndërkombëtar të Alpbahut austriak, romani nuk kufizohet në paraqitjen e një historie dashurie apo në rindërtimin letrar të disa ngjarjeve të përjetuara. Ai synon të shqyrtojë njëkohësisht fatin e individit dhe të bashkësisë, marrëdhënien ndërmjet kujtesës dhe së ardhmes, si dhe vendin e Kosovës dhe të shqiptarëve në hapësirën politike, kulturore dhe shpirtërore të Evropës.
Vetë titulli, “Sërish në Alpbah”, bart një kuptim që shkon përtej rikthimit fizik në një vend të njohur. Fjala “sërish” nënkupton kthimin në kujtesë, në një përvojë që nuk është përmbyllur, në ndjenja të mbetura pezull dhe në pyetje që koha nuk ka arritur t’i shuajë. Rikthimi në Alpbah është, rrjedhimisht, edhe një rikthim te vetvetja. Ai bëhet përpjekje për ta kuptuar të kaluarën, për t’i dhënë kuptim së tashmes dhe për ta imagjinuar të ardhmen nga një këndvështrim më i pjekur.
Midis përvojës autobiografike dhe imagjinatës letrare
Një nga veçoritë më të rëndësishme të romanit është ndërthurja e elementit autobiografik me atë fiksional. Halil Bashota ka doktoruar në Vjenë në fushën e letërsisë amerikane dhe ka marrë pjesë në takime e forume të zhvilluara në Alpbah, ku janë diskutuar çështje të politikës ndërkombëtare, të Evropës, të Ballkanit dhe të Kosovës. Kjo përvojë jetësore përbën një nga burimet themelore të botës së romanit.
Megjithatë, “Sërish në Alpbah” nuk është autobiografi në kuptimin e ngushtë të fjalës. Përvoja personale është përpunuar, riorganizuar dhe shndërruar përmes imagjinatës artistike. Autori nuk e riprodhon jetën mekanikisht, por e rikrijon atë nëpërmjet personazheve, situatave, dialogëve dhe simbolikës së hapësirës. Në këtë kuptim, romani mund të lexohet si një formë e autofiksionit, ku kufiri ndërmjet faktit dhe trillimit mbetet qëllimisht i hapur.
Personazhi i Stilit mbart disa karakteristika që mund të lidhen me përvojën intelektuale, akademike dhe ndërkombëtare të autorit. Mirëpo Stili nuk duhet identifikuar plotësisht me Halil Bashotën. Ai është një konstrukt letrar, një vetëdije narrative përmes së cilës përvoja e autorit fiton kuptime më të gjera. Në figurën e tij bashkohen intelektuali shqiptar, pjesëmarrësi në dialogun evropian, dëshmitari i historisë së afërt të Kosovës dhe njeriu që përpiqet të kuptojë jetën e vet emocionale.
Kjo distancë ndërmjet autorit dhe personazhit i jep romanit liri artistike. Përvoja individuale bëhet përfaqësuese e një brezi të tërë intelektualësh shqiptarë që kanë studiuar jashtë vendit, kanë hyrë në kontakt me kultura të ndryshme dhe janë përpjekur ta paraqesin Kosovën para botës jo vetëm përmes historisë së saj tragjike, por edhe përmes kulturës, dijes dhe argumentit.

Alpbahu si hapësirë reale dhe metaforike
Në roman, Alpbahu nuk është vetëm sfondi ku zhvillohen ngjarjet. Ai fiton peshën e një personazhi të veçantë. Është një hapësirë takimi ndërmjet njerëzve, kulturave, kujtimeve dhe ideve politike. Në të njëjtën kohë, ai është vend i dashurisë, i vetëzbulimit, i dilemave dhe i përballjes me të kaluarën.
Personazhet që mbërrijnë në Alpbah dalin përkohësisht nga mjediset e tyre të zakonshme dhe vendosen në një hapësirë ndërkombëtare ku identitetet kombëtare nuk zhduken, por vihen në dialog. Shqiptarë, austriakë, serbë, kroatë, boshnjakë, malazezë, polakë dhe pjesëmarrës nga vende të tjera takohen në salla konferencash, në hotele, në kafene dhe në biseda joformale. Në këto takime, Evropa nuk paraqitet si një nocion abstrakt institucional, por si bashkëjetesë e vështirë, por interesante dhe dramatike e kujtimeve dhe përvojave të ndryshme.
Kjo shfaqet qartë në takimin e Stilit me Majën, vajzën e re serbe, e cila përshkruhet si një njeri me “mentalitet shumë të përparuar” (fq.47), pa urrejtjen etnike që vazhdon t’i ndajë popujt e Ballkanit. Ajo e kritikon qasjen hegjemoniste të Beogradit dhe shoqërohet lirshëm me kolegët shqiptarë. Në këtë episod, marrëdhënia njerëzore bëhet një kundërpeshë ndaj paragjykimeve kolektive. Stili dhe Maja largohen nga simpoziumi për të pirë kafe, duke zgjedhur dialogun e drejtpërdrejtë në vend të fjalimeve formale.
Edhe tema e teknologjisë, e përmendur në bisedën e tyre, fiton një domethënie të veçantë. Kur Stili thotë se “ekspertët flasin për teknologjitë e reja, të cilat do të jenë të integruara në sisteme të ndryshme inteligjente” (fq. 47), romani krijon një lidhje ndërmjet së ardhmes teknologjike dhe një rajoni që ende përpiqet të çlirohet nga konfliktet e së kaluarës. Modernizimi teknik nuk mjafton nëse nuk shoqërohet me përparim moral, kulturor dhe njerëzor.
Dashuria si njohje dhe sprovë njerëzore
Në qendër të romanit ndodhet edhe marrëdhënia ndërmjet Stilit dhe Matildës. Dashuria e tyre lind në një mjedis të panjohur, larg përditshmërisë së zakonshme dhe brenda një atmosfere ku takimet duken njëkohësisht të rastësishme dhe të paracaktuara. Megjithatë, dashuria në këtë roman nuk paraqitet si një strehë romantike që i zgjidh të gjitha problemet. Ajo është një sprovë e ndërsjellë, një mënyrë për ta parë dhe kuptuar tjetrin në thellësi.
Një gjest i vogël, si ai i Matildës që ia mbështet dorën Stilit gjatë diskutimit për traumën e Kosovës, bëhet më domethënës se një deklaratë e gjatë sentimentale. Kur Stili dëgjon për një dhimbje “që e ka bartur në lëkurë” (fq.94), Matilda e vëren ndryshimin e tij dhe, “pa e kuptuar, ia mbështeti dorën lehtë, një gjest i vogël, instinktiv, që thoshte pa fjalë se ai nuk ishte vetëm në atë çast” (fq. 94).
Ky është një nga momentet më të ndjeshme të romanit. Historia kolektive hyn në marrëdhënien intime, ndërsa dashuria bëhet aftësi për ta njohur dhe për ta mbajtur dhimbjen e tjetrit. Heshtja dhe prekja marrin funksionin e një gjuhe më të thellë se fjala. Nëpërmjet kësaj afërsie, romani tregon se dashuria e vërtetë nuk është harrim i së kaluarës, por gatishmëri për ta përballuar atë së bashku.
Kujtesa, arti dhe përballja me të kaluarën
Një nga shtresat më të realizuara të romanit është reflektimi mbi kujtesën historike dhe rolin e artit. Biseda ndërmjet Matildës dhe Veronikës për kulturën dhe kujtesën në Evropën Qendrore shndërrohet në një nga nyjat ideore të veprës.
Matilda pohon se shoqëritë shqiptare bartin një “kujtesë të mbingarkuar” (fq.75), ku “çdo ngjarje, çdo vit, çdo përvjetor na rikthen në dhimbjen e një kohe që s’duam ta harrojmë, por që s’dimë si ta jetojmë ndryshe”. (fq. 75). Kjo fjali prek një problem thelbësor të shoqërive që kanë kaluar luftëra dhe përplasje politike: si të ruhet kujtesa pa u burgosur prej saj dhe si të dëshmohet dhimbja pa e shndërruar atë në burim të një urrejtjeje të re.
Përgjigjja që ofron romani lidhet me artin, letërsinë dhe rrëfimin e ndershëm. Matilda shprehet: “Ne flasim për paqe, por çdo kujtesë është një plagë që ende pikon. Ndonjëherë kam përshtypjen se e vetmja mënyrë për ta shëruar është duke e treguar… me art, me letërsi, me ndershmëri.” (fq.75).
Këtu mund të gjendet edhe një lloj poetike e vetë romanit. “Sërish në Alpbah” është pikërisht një përpjekje për ta treguar përvojën: për ta kthyer kujtesën personale dhe kolektive në rrëfim, jo që dhimbja të zhduket, por që ajo të bëhet e komunikueshme dhe e përballueshme.
Veronika e përforcon këtë ide kur thotë se “arti është mënyra më e ndershme për të folur për të vërtetën”, sepse “politika tenton ta mbulojë realitetin, ndërsa arti e zhvesh, pa mëshirë, por edhe me dashuri” (fq. 77). Ky formulim përmbledh tensionin kryesor ndërmjet artit dhe politikës. Politika shpesh kërkon ta kontrollojë ose ta përshtatë të vërtetën, ndërsa arti synon ta zbulojë atë në gjithë ndërlikueshmërinë e saj.
Po aq domethënëse është edhe thënia: “Arti nuk shëron dhimbjen duke e zhdukur, por duke e bërë të durueshme.” (fq. 77).
Kjo ide e largon romanin nga optimizmi i lehtë. Arti nuk premton mrekulli dhe nuk e fshin traumën. Ai krijon një formë përmes së cilës njeriu mund ta njohë, ta ndajë dhe ta përballojë dhimbjen. Prandaj konstatimi se “pa art nuk ka Evropë, nuk ka kujtesë, nuk ka njeri” nuk është vetëm një deklaratë për rëndësinë e kulturës. Është pohim se një Evropë pa kujtesë kulturore dhe pa ndjeshmëri njerëzore do të mbetej vetëm një strukturë administrative.
Kosova në hapësirën evropiane
Dimensioni politik dhe diplomatik zë një vend të rëndësishëm në roman. Diskutimet për pavarësinë e Kosovës, ndërhyrjen e NATO-s, shtetndërtimin, bashkëjetesën ndëretnike dhe integrimin evropian i japin veprës një karakter dokumentar dhe historik.
Megjithatë, këto pjesë nuk funksionojnë vetëm si rikujtim i debateve të një periudhe të caktuar. Ato tregojnë se si një vend i vogël dhe një popull me përvojë të rëndë historike përpiqen ta artikulojnë të drejtën e tyre për liri dhe shtetësi në një forum ndërkombëtar.
Në diskutimin për organizimin e një mbrëmjeje shqiptare, personazhet shprehin dëshirën që Shqipëria dhe Kosova të paraqiten si më shumë se “lajme politike”. Kryeministri Çeku e përmbledh këtë ide me fjalët: “Kultura shpesh arrin aty ku politika nuk mundet.” (fq. 88).
Ndërsa Stili propozon një panel për historinë dhe kulturën shqiptare, në mënyrë që pjesëmarrësve t’u tregohet “se sa afër Evropës jemi edhe në mënyrën si mendojmë, e jo vetëm në hartë”. Kjo është një nga idetë qendrore të romanit. Përkatësia evropiane nuk përcaktohet vetëm nga gjeografia ose nga vendimet institucionale. Ajo dëshmohet përmes kulturës, mendimit kritik, respektit ndaj tjetrit dhe aftësisë për të marrë pjesë me dinjitet në dialogun ndërkombëtar.
Pohimi se “shtetësia nuk është vetëm shpallje. Është funksionim” (fq. 96) e zhvendos diskutimin nga simbolika e pavarësisë drejt përgjegjësisë institucionale. Shteti nuk ndërtohet vetëm me deklarata, por me sundim të ligjit, institucione efikase, luftë kundër korrupsionit dhe mbrojtje të të drejtave të njeriut. Në të njëjtën frymë, paralajmërimi se “Kosova nuk duhet të bëhet projekt i ngrirë. Duhet të bëhet shtet funksional” (fq. 97) e vendos pavarësinë jo në fundin, por në fillimin e një procesi të gjatë politik, institucional, etik dhe moral.
Në këto skena, romani i afrohet herë pas here kronikës, esesë politike dhe dëshmisë historike. Dialogët bartin një dendësi të madhe idesh dhe personazhet shpesh bëhen zëdhënës të qëndrimeve të ndryshme politike. Por kjo prirje është në përputhje me natyrën e hapësirës ku zhvillohet rrëfimi: Alpbahu është forum idesh, vend ku jeta private dhe çështjet ndërkombëtare ndërthuren vazhdimisht.
Dialogu ndërkulturor dhe tejkalimi dhe kundërshtimi i urrejtjes
Romani nuk e paraqet Ballkanin vetëm si hapësirë konflikti. Përkundrazi, ai përpiqet të krijojë mundësinë e një gjuhe të re rajonale, të mbështetur në mirëkuptim, argument dhe pranimin e dhimbjes së tjetrit.
Kur Filipi thotë se “e vërteta s’del pa dhimbje” fq. 98) dhe se, nëse popujt e Ballkanit duan të jetojnë në Evropë, duhet “të mësojnë të pranojnë të vërtetat e njëri-tjetrit, edhe kur na dhembin”, romani formulon një etikë të bashkëjetesës. Pa pranimin e së vërtetës nuk mund të ketë pajtim të sinqertë. Por, ky pranim nuk kërkon që individët të heqin dorë nga kujtesa e tyre, kërkon që kujtesa të mos përdoret si armë kundër tjetrit.
Një mendim veçanërisht i goditur shprehet në fjalët e Filipit në vijim: “Ballkani nuk e ka luksin të jetojë me urrejtje të reja. Të gjitha kombet tona kanë kaluar nëpër të njëjtën derë. Ndryshon vetëm dhoma ku përfunduam.” (fq.100)
Metafora e derës dhe e dhomave është e fuqishme. Popujt e Ballkanit kanë kaluar përvoja të ngjashme të dhunës, shtypjes, copëtimit dhe krizës së identitetit, edhe pse secili ka përfunduar në rrethana të ndryshme historike. Njohja e kësaj afërsie nuk i barazon viktimat dhe përgjegjësitë, por mund të krijojë një bazë për mirëkuptim, paqe dhe solidaritet.
Stili, nga ana e tij, përpiqet ta ndërtojë argumentin për ndërhyrjen ndërkombëtare mbi raportin ndërmjet sovranitetit shtetëror dhe mbrojtjes së jetës njerëzore. Ai e bën të qartë se kundërshtimi i politikës kriminale nuk është kundërshtim i një populli. Kjo qasje e matur e dallon dialogun nga propaganda dhe e vendos forcën e argumentit mbi forcën e zemërimit.
Gjuha, dialogu dhe atmosfera psikologjike
Proza e Halil Bashotës është kryesisht e qartë, komunikuese dhe e orientuar drejt reflektimit. Rrëfimi zhvillohet përmes ndërthurjes së përshkrimit, dialogut dhe vëzhgimit psikologjik. Dialogët nuk shërbejnë vetëm për ta çuar përpara ngjarjen; ata zbulojnë botëkuptimet, kujtimet, konfliktet dhe aspiratat e personazheve.
Autori i kushton rëndësi edhe gjesteve të vogla: një shikimi, një buzëqeshjeje, mënyrës së mbajtjes së një gote, ndryshimit të fytyrës ose heshtjes që pason një deklaratë të rëndë. Pikërisht këto hollësi i japin rrëfimit ndjeshmëri dhe e pengojnë atë të shndërrohet tërësisht në debat idesh.
Në roman krijohet vazhdimisht një kontrast ndërmjet qetësisë së jashtme të Alpbahut dhe trazimit të brendshëm të personazheve. Peizazhi alpin, sallat e rregullta të konferencave dhe atmosfera elegante evropiane qëndrojnë përballë kujtimeve të luftës, humbjes, shpërnguljes dhe pasigurisë. Ky kontrast e shton tensionin emocional: historia e dhimbshme e Ballkanit diskutohet në një vend që duket i qetë dhe i mbrojtur nga tronditjet e saj.
Romani përmban gjithashtu një dimension polifonik. Personazhet vijnë nga vende dhe kultura të ndryshme, ndërsa secili sjell një mënyrë të veçantë të të parit të historisë. Përdorimi i herëpashershëm i anglishtes e përforcon atmosferën ndërkombëtare dhe realizmin e forumit. Gjuhët ndërthuren ashtu siç ndërthuren edhe identitetet, por shqipja mbetet qendra emocionale dhe narrative e veprës.
Një roman për rikthimin dhe përgjegjësinë
“Sërish në Alpbah” mund të lexohet si roman i dashurisë, i kujtesës, i diplomacisë kulturore dhe i formimit intelektual. Mbi të gjitha, ai është roman i rikthimit: rikthim në një vend, në një kohë, në një marrëdhënie dhe në një përvojë historike që vazhdon të kërkojë kuptim.
Vlera e veprës qëndron në aftësinë e saj për ta lidhur historinë personale me atë kolektive. Stili dhe Matilda nuk janë të shkëputur nga bota ku jetojnë. Dashuria, frika, malli dhe shpresa e tyre ndikohen nga historia e Kosovës, nga transformimet e Evropës dhe nga dilemat e një brezi që ka jetuar ndërmjet luftës dhe paqes, izolimit dhe hapjes, kujtesës traumatike dhe dëshirës për një fillim të ri.
Romani na kujton se identiteti nuk ndërtohet vetëm nga vendi prej nga vijmë, por edhe nga mënyra se si hyjmë në marrëdhënie me të tjerët. Evropa që paraqitet në këtë vepër nuk është një hapësirë e përfunduar dhe e pajtuar me vetveten. Ajo është një projekt i papërfunduar, i cili duhet të rindërtohet vazhdimisht përmes kujtesës, kulturës, dialogut dhe përgjegjësisë.
Për mua, që e kam njohur Halil Bashotën fillimisht si student dhe më pas si koleg, botimi i këtij romani përbën një dëshmi të çmuar të formimit të tij intelektual, krijues, artistik dhe letrar. Përvoja akademike, njohja e mjedisit vjenez dhe pjesëmarrja në forumet ndërkombëtare nuk paraqiten në vepër si të dhëna të jashtme biografike, por janë shndërruar në materie letrare. Ato ushqejnë personazhet, dialogët, atmosferën dhe vizionin evropian të romanit.
Me “Sërish në Alpbah”, Halil Bashota ka krijuar një vepër që dëshmon se letërsia mund të jetë njëkohësisht intime dhe politike, autobiografike dhe fiksionale, kombëtare dhe evropiane. Romani nuk kërkon vetëm të tregojë se çfarë ka ndodhur. Ai pyet se si duhet ta kujtojmë atë që ka ndodhur, si mund të jetojmë me plagët e historisë dhe si mund ta ndërtojmë të ardhmen pa e mohuar të kaluarën.
Në këtë kuptim, rikthimi në Alpbah nuk është kthim pas. Është një ecje përpara përmes kujtesës. Është kthim te vendi ku individi e kupton më qartë veten, tjetrin dhe përgjegjësinë e tij ndaj botës. Pikërisht këtu qëndron një nga mesazhet më të qëndrueshme të romanit: e ardhmja nuk ndërtohet duke harruar, por duke e shndërruar kujtesën në mirëkuptim, kulturën në urë dhe fjalën në përgjegjësi. /Bota Sot/
You may like
Lajmet
Zake Prelvukaj hap sonte ekspozitën personale me 26 vepra artistike
Published
4 hours agoon
October 26, 2026By
UBT News
Artistja e njohur kosovare Zake Prelvukaj hap sonte ekspozitën e saj personale në Akademinë e Shkencave dhe të Arteve të Kosovës.
Ekspozita përfshin 14 piktura dhe 12 vizatime të realizuara gjatë periudhës së fundit të krijimtarisë së artistes. Ajo është kuruar nga Arta Agani, ndërsa tekstin e ekspozitës e ka shkruar Eqrem Basha.
Ekspozita do të hapet në orën 18:00 dhe do të shoqërohet me citate që ndërlidhen me konceptin e pikturave, me fokus në thënien: “E djeshmja më tregoi të ardhmen për ta jetuar të sotmen”.
Zake Prelvukaj është një nga artistet më të njohura në Kosovë dhe më gjerë, ndërsa aktualisht është akademike në Akademinë e Shkencave dhe të Arteve të Kosovës./A.K/
Lajmet
Ditari: Lajmet kryesore që shënuan datën 21 tetor 1993-1998
Published
5 days agoon
October 21, 2026By
UBTNews
Në rubrikën Ditari, kemi përzgjedhur disa nga lajmet më të rëndësishme të kësaj dite, në periudhën 1993-1998.
21 tetor 1993
Nga fshati Stançiq u shpërngulën dhjetë familje
Disa fshatra të Karadakut, komuna e Gjilanit, në zonën kufitare ndërmjet Kosovës dhe Maqedonisë, pas njohjes së këtij shteti, janë vënë në një trajtim të posaçëm ushtarak e policor. Njëri nga më të goditurit, gjthsesi, është Stançiqi, prej ku, në katër-pesë muajt e fundit, u shpërngulën dhjetë familje shqiptare në rrethinën e Kumanovës e të Shkupit, për shkak të lidhjeve farefisnore e gjeografike me këto treva. Për shkak të presionit policor e ushtarak në këtë brez kufitar, ka rrezik për shpërngulje edhe më të mëdha nga fshatrat përreth kësaj zone.
Sipas të dhënave të Këshillit për mbrojtjen e të drejtave e lirive të njeriut në Gjilan, për këto arsye, prej qershorit e deri para dy ditësh, nga Stançiqi u shpërngulën familjet e Kadri Bajramit (me 8 anëtarë), Destan Bajramit me 11 anëtarë, Shefki Dautit me 6 anëtarë, Isuf Veliut me 10, Salih Ajetit, gjithashtu me 10 anëtarë, pastaj familjet e Sejdi Osmanit, Baftiar e Naip Osmanit, Fehmi Murselit dhe familja e Rabit Latifit. Pra, një lagje e tërë shqiptarësh braktisi fshatin e lindjes dhe u vendos në Haraqinë, Qerkez, Kumanovë e gjetiu nëpër Maqedoni, pos dy familjeve të fundit, të cilat u vendosën në Zhegër, përkatësisht në Gjilan, njofton gazeta e sotme “Bujku”.
21 tetor 1994
Në komunën e Mitrovicës në nëntë muajt e fundit u bastisën 228 familje
Në komunën e Mitrovicës në nëntë muajt e fundit, policia serbe kryesisht nën pretekst të kërkimit të armëve, bastisi gjithësej 228 familje shqiptare, njofton Komisioni për Informim i Degës së LDK-së në Mitrovicë.
Policia serbe gjatë kësaj kohe ndërhyri 44 herë në institucione shkollore, në pyetje i mori 46 persona, plaçkiti 55 tregtarë dhe qytetarë shqiptarë, i konfiskoi 22 pasaporta, maltretoi në forma të ndryshme 39 persona, nën pretekst të dorëzimit të armëve dhe në forma të tjera i arrestoi dhe i mbajti deri në 3 ditë në burg 140 persona, u bë hapja e procedurave gjyqësore kundër 33 personave, u rrahën 218, u dënuan me burg 12 persona, ndërsa u dërguan me dhunë në ushtrinë serbe 13 të rinj shqiptarë.
21 tetor 1995
New York Times: A është në rend eksplodimi në Kosovë?
Gazeta autoriative amerikane “The New York Times” botoi në numrin e sotëm (21 tetor 1995) një vështrim për Kosovën të autorit Julie Mertus (Xhuli Mertës) me titull “A është në rend eksplodimi në Kosovë?”. Në artikull thuhet:
“Iniciativa paqësore amerikane në ish-Jugosllavi po sjell një lehtësim të nevojshëm në Bosnjë-Hercegovinë, por ajo gjithsesi nuk do të arrijë të vendosë paqe afatgjatë në Ballkan po qe se në negociata nuk përfshihen të gjithë liderët e grupeve më të mëdha etnike në rajon. Duke i dhënë përparësi pragmatizmit para drejtësisë, ndihmëssekretari amerikan i shtetit Hollbruk e ka lënë pasdore përbërësin kryesor në zgjidhjen e problemit të Ballkanit: shqiptarët etnikë në Kosovë.
Ndonëse shqiptarët përbëjnë më tepër se 85 për qind të popullsisë së Kosovës, e cila ishte rajon autonom në ish-Jugosllavi, ata qe një kohë të gjatë po kontrollohen nga minoriteti etnik serb.
Presidenti serb Sllobodan Millosheviq hypi në pushtet pas një fjalimi në Kosovë më 1989 me të cilin ai denonconte, siç thoshte ai, brutalitetin e shqiptarëve ndaj serbëve të Kosovës. Fjalët e tij çuan në një dhunë të tmerrshme policore kundër shqiptarëve; arrestime masive, gjykime të montuara në bazë të deklaratave të nxjerra me dhunë. Shumë shqiptarë u përzunë nga puna pasi që refuzonin të nënshkruanin deklarata të lojalitetit ndaj Jugosllavisë së re.
Kështu, shqiptarët kanë organizuar shoqërinë e tyre paralele dhe shkollat, spitalet, qeveritë lokale etj. Komisioni i të Drejtave të Njeriut i OKB-së thotë: “Pjesa dërrmuese e popullsisë jeton me frikë konstante”.
Millosheviqi ka kundërshtuar të bisedojë rreth Kosovës në takimet ndërkombëtare, duke e quajtur këtë çështje të brendshme. Ai ka penguar OKB-në që të njohë Ibrahim Rugovën, i zgjedhur kryetar i Kosovës në zgjedhjet e vitit 1992, të cilat nuk njihen nga autoritetet serbe. Nëse përkrahja për presidentin Millosheviq në Serbi bie pas marrëveshjes paqësore në Bosnjë dhe disfatave ushtarake në Kroaci, ai mund të përpiqet të forcojë pushtetin e vet duke provokuar një konflikt në Kosovë. Luftimet në Kosovë padyshim do të përhapeshin në Shqipëri dhe do të mund të përfshinin edhe Maqedoninë (me 23 për qind popullsi shqiptare), Greqinë dhe Bullgarinë. Në rrafshin diplomatik, kjo do të vinte Amerikën kundër Rusisë, e cila mbështet regjimin serb në Kosovë.
Për të evituar këtë skenar, Kosova duhet të jetë e pranishme në tryezën ndërkombëtare të negociatave. Kjo mund të arrihet vetëm po qe se Shtetet e Bashkuara e injorojnë qëndrimin e OKB-së, sipas të cilit Qeveria e zgjedhur e shqiptarëve të Kosovës nuk meriton karrikë në tryezën e negociatave.
Një rol negociues (i SHBA-ve) nuk është i pamundur. Shtetet e Bashkuara, të brengosura për Kosovën, kanë dërguar atje miliona dollarë në vit për shërbime shëndetësore.
Për më tepër, tashmë është bërë presedan që të bisedohet me liderë të cilët nuk udhëheqin shtete të njohura ndërkombëtarisht. Zoti Holbruk po rropatet me Radovan Karaxhiqin dhe Ratko Mlladiqin, liderë të serbëve të Bosnjës, të cilët akuzohen për krime të luftës. Prandaj, zoti Rugova nuk mund të përjashtohet nga negociatat vetëm pse ka fituar në zgjedhjet “e paligjshme”.
Çka mund të shpresojnë shqiptarët e Kosovës? Shtetet e Bashkuara do të duhej së paku të përkrahnin kërkesat e tyre për mbikëqyrje ndërkombëtarë të shkeljeve drastike të të drejtave të njeriut. Zoti Rugova, sipas të gjitha gjasave, po ashtu do të kërkojë një palë të tretë, helmetkaltërit e OKB-së ose trupat e NATO-s, për të ndihmuar normalizimin e një procesi në rajon, i cili do të zbuste praninë policore serbe dhe do të mundësonte rihapjen e shkollave lokale, spitaleve, shërbimeve qeveritare e të tjera. Duhet të jemi të sigurtë se një vend rreth tavoline për shqiptarët do ta iritonte Millosheviqin, por të përpiqesh të arrish paqe në Ballkan pa e pasë shqyrtuar çështjen e Kosovës është sikur të përpiqesh ta fikësh zjarrin duke e lënë thëngjillin të ndezur”, përfundon shkrimi i autorit Xhuli Mertës, që po shkruan një libër për Kosovën.
21 tetor 1997
Policët e stacionuar në Morinë keqtrajtojnë kalimtarët
Që nga 17 tetori, Skenderaj e sidomos rruga në drejtim të Gllogocit po vërshohet nga patrulla të policisë, të përcjella me autoblinda e armatim të ndryshëm. Viktimë e policëve janë të gjithë qytetarët që kalojnë në këtë drejtim pas orës 20.
KI i Degës së LDK-së në Skenderaj njofton se tash pesë netë me radhë policët stacionohen në afërsi të deposë së materialit ndërtimor të Nuredin e Kajtaz Deliut nga Rrezala, e cila ndodhet në fshatin Morinë. Në këtë vend policia nga orë 20 deri në orën 24 maltreton kalimtarët. Nga policët ka pësuar rëndë edhe vetë Kajtazi. Policët madje djegin dërrasa dhe material tjetër të kësaj depoje, duke dëmtuar kështu pronarët e deposë edhe materialisht.
Në këtë vend, më 17 tetor u keqtrajtuan Petrit Murtezaj, student nga Klina e Poshtme, Vezir Ymeri nga Kopriva e Mitrovicës dhe Bajram Haziraj nga Llausha. Ata po udhëtonin me veturë dhe u keqtrajtuan pa ndonjë pretekst. Në Morinë u keqtrajtuan rëndë edhe Musa, Musdtafë e Mehdi Koca nga Polaci dhe Tafil e Daut Gjinofci nga Makermali.
Po në Morinë, siç njofton KI i Degës së LDK-së në Gllogoc, më 17 tetor, pas orës 22, u keqtrajtua fizikisht edhe Adem M. Kiqina (40) nga Baica e kësaj komune, punëtor në Ferronikel. Sipas deklaratës së tij, këtu është keqtrajtuar edhe një punëtor tjetër.
21 tetor 1998
Vdiq edhe një anëtare e familjes Deliu nga Obria e Epërme
Mbrëmë, në shok dhomën e spitalit të Prishtinës vdiq Bedrie Deliu (25) nga Obria e Epërme e Skënderajt, nënë e katër fëmijëve.
Burime nga spitali bëjnë të ditur se ajo ishte sjellë në spital me lëndime të rënda në kokë, si pasojë e torturës fizike.
Bedria është anëtare e familjes Deliu, 25 pjesëtarë të së cilës u vranë e u masakruan gjatë një aksioni të forcave serbe në fund të muajit të kaluar.
Foto: New York Times
Lajmet
Galeria Kombëtare e Kosovës hap thirrjen për Programin Vjetor 2027
Published
6 days agoon
October 20, 2026By
UBT News
Galeria Kombëtare e Kosovës (GKK) ka hapur thirrjen për propozime për Programin Vjetor 2027, duke ftuar artistë, kuratorë, hulumtues dhe profesionistë të tjerë të arteve pamore të aplikojnë me projektet e tyre.
Thirrja përfshin propozime për ekspozita ndërdisiplinare në fusha si piktura, skulptura, grafika, instalacioni, fotografia, videoja dhe performanca. Gjithashtu, pranohen projekte edukativo-arsimore, hulumtuese, botuese dhe multimediale.
Projektet mund të realizohen brenda ose jashtë hapësirave të Galerisë, në bashkëpunim me stafin e saj. Për aplikim janë të ftuara edhe kolektivet, organizatat dhe komunitetet kulturore, ndërsa kontratat do të lidhen me individë.
Programi do të zhvillohet në dy hapësirat e Galerisë Kombëtare të Kosovës: GKK Qendrore dhe GKK QAFA.
Afati i fundit për aplikim është 30 dhjetor 2026. Informacionet e hollësishme për thirrjen dhe mënyrën e aplikimit mund të gjenden përmes kanaleve zyrtare të Galerisë Kombëtare të Kosovës./A.K/
Lajmet
Restaurohet Mulliri i Cermjanit në Gjakovë, rikthehet një pjesë e trashëgimisë kulturore
Published
6 days agoon
October 20, 2026By
UBT News
Mulliri i Cermjanit në Gjakovë është restauruar, duke rikthyer në jetë një pjesë të trashëgimisë kulturore që dëshmon traditën dhe mënyrën e jetesës së brezave të kaluar.
Përmes këtij restaurimi synohet ruajtja e vlerave historike dhe kulturore, si dhe përcjellja e tyre te brezat e ardhshëm.
Puna për mbrojtjen dhe promovimin e trashëgimisë kulturore vazhdon, me qëllim që monumentet dhe traditat që përbëjnë identitetin tonë të ruhen edhe në të ardhmen./A.K/
Reagimi i Prokurorisë: Si u trajtuan rastet dhe paralajmërimet e Arlinda Zekajt para se të vritej
Sot seancë e jashtëzakonshme për vrasjen e Arlinda Zekajt në Pejë
Policia shpall në kërkim Albert Sylajn, kërkohet ndihma e qytetarëve
Trump ashpërson deklaratat ndaj Norvegjisë pas mosfitimit të Çmimit Nobel për Paqe
LVV kërkon seancë të jashtëzakonshme dhe komision hetimor parlamentar
Kryeprokurori i Shtetit kërkon raport të detajuar dhe hetime për përgjegjësi institucionale
Zhegrova provokohet nga tifozët e Lecces, reagon me gjest ndaj tyre
Gjashtë raste të dhunës në familje brenda 24 orëve në Kosovë
Sonte mësohet fituesi i “Topit të Artë” 2026
Të kërkuara
-
Lajmet3 months agoInfantino kërkon falje për gabimet, por ruan mbështetjen e drejtuesve të FIFA-s
-
Sport3 months agoUellsi tërheq mbështetjen për Infantinon, kërkon ndryshim në krye të FIFA-s
-
Aktualitet3 months agoRusia sulmon Ukrainën me raketa balistike dhe dronë: Të paktën 14 të vrarë në Kjiv
-
Lajmet3 months ago“Spider-Man: Brand New Day” thyen rekorde, i afrohet miliardit në vetëm pak ditë
