Lajmet

Kore e Jugut – Arrestohet presidenti i pezulluar Yoon Suk Yeol

Published

on

Presidenti i pezulluar i Koresë së Jugut, Yoon Suk Yeol, u arrestua sot për shpalljen e ligjit të luftës më 3 dhjetor të vitit të kaluar, njoftoi agjencia zyrtare e lajmeve “Yonhap”. Arrestimi i Yoon është një ngjarje e rëndësishme dhe historike, pasi kjo është hera e parë që një president i Koresë së Jugut arrestohet gjatë ushtrimit të detyrës.

Sipas informacionit të siguruar nga Yonhap, operacioni i arrestimit është kryer në mëngjesin e sotëm, kur oficerët e policisë dhe stafi i Zyrës Kundër Korrupsionit të Koresë së Jugut shoqëruan presidentin në zyrën e prokurorit publik. Sipas burimeve, operacioni është zhvilluar në një mënyrë relativisht të qetë dhe pa incidente të rënda, ndonëse shqetësimet për sigurinë ishin evidente gjatë zhvillimit të tij.

Hetuesit që po ndjekin çështjen kanë përmendur se urdhër-arresti është ekzekutuar në orën 10:33 të mëngjesit, dhe se në dy ditët e ardhshme pritet që prokurorët të kërkojnë një urdhër arrestimi të mëtejshëm. Yoon, përmes një videomesazhi të regjistruar dhe të lëshuar pas arrestimit të tij, tha se edhe pse e konsideronte hetimin të paligjshëm, ai kishte pranuar të paraqitej për të shmangur “gjakderdhjen e shëmtuar” dhe për të ruajtur rendin e shtetit.

Një zhvillim tjetër në këtë ngjarje është se Gjykata Kushtetuese e Koresë së Jugut ka shtyrë seancën e parë për procedurën e fajësimit ndaj Yoon, për shkak se ai nuk ishte i pranishëm. Avokati i tij deklaroi se presidenti nuk mund të merrte pjesë në seancë për arsye sigurie.

Përplasjet që çuan në arrestimin e Yoon filluan më 3 dhjetor, kur ai shpalli ligjin e luftës mes një mosmarrëveshjeje të ashpër buxhetore me opozitën. Në mes të dhjetorit, Kuvendi i Koresë së Jugut e largoi Yoon nga posti i presidentit, duke e pezulluar atë deri në një njoftim të mëtejshëm, ndërsa akuzat për shpërdorim detyre dhe rebelim po shqyrtohen nga Gjykata Kushtetuese.

Yoon ka mbrojtur vendimin e tij për shpalljen e ligjit të luftës, duke deklaruar se ai e bëri këtë për të mbrojtur kombin nga “forcat anti-shtetërore”, duke përfshirë kundërshtarët e tij politikë që, sipas tij, po dëmtonin rendin dhe stabilitetin e vendit.

Pas pezullimit të tij, Choi Sang Mok, ish-ministër i Financave dhe zëvendëskryeministër, ka marrë detyrën për të udhëhequr çështjet shtetërore deri në një vendim të ardhshëm./UBTNews/

 

Lajmet

Talenti kosovar i Bayern Munich, Erblin Osmani, viziton FFK-në dhe ndjek stërvitjen e Kombëtares

Published

on

By

Futbollisti i ri dhe premtues kosovar, Erblin Osmani, i cili është pjesë e klubit gjerman Bayern Munich, ka vizituar sot Federatën e Futbollit të Kosovës (FFK).

Osmani, i cili po qëndron në Kosovë për pushimet verore, u prit në ambientet e FFK-së, ku pati rastin të njihet më nga afër me aktivitetet e federatës dhe të ndjekë seancën stërvitore të Kombëtares së Kosovës në stadiumin “Fadil Vokrri”.

Sipas FFK-së, vizita e tij përfaqëson lidhjen e fortë që talentët kosovarë, të cilët po zhvillojnë karrierën e tyre në klubet më të njohura evropiane, vazhdojnë ta ruajnë me vendlindjen.

Erblin Osmani konsiderohet një nga talentët e rinj që po ndërton karrierën e tij në futbollin evropian, ndërsa Federata e Futbollit e Kosovës e vlerësoi si pjesë të gjeneratës së re që po promovon Kosovën në arenën ndërkombëtare të futbollit.

FFK i ka uruar Osmanit suksese të mëtejshme dhe arritje të reja në karrierën e tij sportive.

 

Continue Reading

Lajmet

Irani ndërpret komunikimet me SHBA-në, paralajmëron bllokimin e Ngushticës së Hormuzit

Published

on

 Irani ka vendosur të ndërpresë shkëmbimin e mesazheve me Shtetet e Bashkuara të Amerikës përmes ndërmjetësve, mes përshkallëzimit të tensioneve në rajon dhe sulmeve të fundit në Liban sipas nje raportimi të Reuters.

Agjencia iraniane e lajmeve Tasnim ka bërë të ditur se ekipi negociator i Teheranit ka ndaluar komunikimet indirekte me Uashingtonin, duke e lidhur këtë vendim me zhvillimet e fundit në Liban, teksa përpjekjet diplomatike për t’i dhënë fund konfliktit vazhdojnë.

Tasnim raporton gjithashtu se Irani dhe i ashtuquajturi “Boshti i Rezistencës”, ku përfshihen aleatët e tij në Liban, Irak dhe Jemen, kanë hartuar një plan që parasheh bllokimin e plotë të Ngushticës së Hormuzit dhe aktivizimin e fronteve të tjera strategjike, përfshirë Ngushticën Bab el-Mandeb.

Sipas raportimit, këto masa synojnë “ndëshkimin e Izraelit dhe mbështetësve të tij”, ndërsa autoritetet iraniane kanë theksuar se nuk do të ketë negociata derisa të ndalen operacionet ushtarake izraelite në Liban dhe Gaza.

Ngushtica e Hormuzit konsiderohet një nga rrugët më të rëndësishme detare për transportin global të naftës dhe gazit, ndërsa çdo bllokim i saj mund të ketë ndikim të madh në tregjet ndërkombëtare të energjisë.

Continue Reading

Lajmet

Bashkëpunim akademik ndërmjet UBT-së dhe Dicle University në kuadër të Erasmus+ Staff Mobility

Published

on

By

Në kuadër të programit Erasmus+ Staff Mobility, UBT mirëpriti gjatë javës së kaluar Assoc. Prof. Dr. Hasan Aykut Aysan dhe Assist. Prof. Dr. Yusuf Gözaçık nga Fakulteti i Edukimit Fizik dhe Sportit në Dicle University, Turqi.

Vizita u realizua në kuadër të bashkëpunimit akademik ndërinstitucional dhe përfshiu një sërë aktivitetesh profesionale dhe akademike, duke përfshirë vizita në kampusin dhe infrastrukturën universitare, organizimin e një punëtorie me studentët dhe stafin akademik, si dhe mbajtjen e një ligjërate tematike mbi shigjetarinë (archery).

Gjatë qëndrimit të tyre në UBT, profesorët prezantuan përvojat dhe ekspertizën e tyre në fushën e edukimit fizik dhe sportit, duke ofruar perspektiva bashkëkohore metodologjike dhe praktike. Aktivitetet e zhvilluara krijuan mundësi për shkëmbim të njohurive, avancim profesional dhe zgjerim të bashkëpunimit akademik ndërmjet pjesëmarrësve.

Ky mobilitet akademik kontribuoi në forcimin e marrëdhënieve ndërmjet UBT-së dhe Dicle University, duke promovuar bashkëpunimin shkencor, akademik dhe kulturor ndërmjet institucioneve dhe vendeve përkatëse.

UBT vazhdon të mbetet i përkushtuar ndaj ndërkombëtarizimit të arsimit të lartë, zgjerimit të partneriteteve strategjike dhe krijimit të mundësive të reja për zhvillim akademik dhe profesional të studentëve dhe stafit akademik.

Continue Reading

Lajmet

Pesë ish-policë serbë akuzohen për krime lufte në Kosovë

Published

on

By

Prokuroria Speciale e Republikës së Kosovës ka ngritur aktakuzë ndaj pesë personave të dyshuar për kryerjen e veprës penale “Krime lufte kundër popullsisë civile”, duke propozuar që gjykimi të zhvillohet në mungesë.

Sipas njoftimit të Prokurorisë Speciale, të akuzuarit me inicialet P.N., Z.D., I.I., S.M. dhe J.D., dyshohet se si pjesëtarë të Policisë serbe në Stacionin Policor në Fushë Kosovë, kanë kryer krime lufte gjatë konfliktit në Kosovë.

Aktakuza i ngarkon ata për ngjarjet e datës 6 maj 1999, kur sipas pretendimeve të prokurorisë, kanë ndaluar dhe marrë me forcë pesë civilë. Viktimat më pas janë transportuar nga stacioni i trenit në një lokacion të njohur si “Megja”, ku dyshohet se janë ekzekutuar me armë zjarri.

Prokuroria Speciale ka bërë të ditur se ka propozuar zhvillimin e procedurës gjyqësore në mungesë të të pandehurve, në përputhje me dispozitat ligjore në fuqi për rastet e krimeve të luftës.

Rasti pritet të trajtohet nga gjykata kompetente, e cila do të vendosë lidhur me konfirmimin e aktakuzës dhe vazhdimin e procedurave gjyqësore.

Continue Reading

Të kërkuara