Lajmet

Konjufca mban fjalim në parlamentin e Hungarisë, kritikon BE-në për vizat

Ai ka kritikuar Bashkimin Europian për mosliberalizimin e vizave për kosovarët.

Published

on

Kryeparlamentari kosovar Glauk Konjufca ka mbajtur një fjalim në parlamentin e Hungarisë të cilin e ka nisur duke folur për vështirësitë e pandemisë COVID-19.

“Kontinenti ynë po del dalëngadalë nga një krizë e madhe të cilën e shkaktoi pandemia. Edhe dy muaj bëhen dy vite prej kur u shfaq në botë virusi COVID 19. Bota ndryshoi përgjithmonë. Gati 4,5 milionë njerëz e gjetën vdekjen nga ky virus i rrezikshëm. Kurse ekonomia gjithandej pësoi goditje të rëndë. Por pikërisht nga kjo tragjedi lindi edhe një solidaritet më i madh mes shteteve e popujve. Njerëzimi po triumfon. Të gjithë po e kuptojmë më mirë se vetëm të bashkuar e dukë i ndihmuar njëri-tjetrit mund t’u bëjmë ballë të papriturave që mund të na i sjell koha”.

Ai ka kritikuar Bashkimin Europian për mosliberalizimin e vizave për kosovarët duke thënë se ky është shembull negativ i keqmenaxhimit të procesit.

Konjufca tha se pavarësisht se Kosova i ka plotësuar të gjitha kriteret disa shtete anëtare e bllokojnë liberalizimin e vizave padrejtësisht.

“Nuk dëshiroj që fjala ime të tingëllojë si lutje. Ne jemi fort të vetëdijshëm që BE-ja nuk është një stacion i jashtëm, por një transformim demokratik i brendshëm i shteteve të integruara. Prandaj jemi fort të përcaktuar e me plot vullnet për vazhdimin e reformave me intensitet më të lartë ashtu që t’i thellojmë ato. Kemi ende punë për të bërë. Ballkani Perëndimor mund ta ketë një të ardhme të sigurt vetëm nëse nuk na e humbni shpresën se anëtarësimi dhe zgjerimi varet plotësisht nga ne, e jo nga ju. Ne do t’i plotësojmë kriteret, ne do t’i bëjmë reformat, ne do t’i shndërrojmë shoqëritë tona, duke e forcuar sundimin e ligjit, duke e luftuar korrupsionin fuqishëm dhe duke e bërë shoqërinë më të barabartë por edhe ekonominë më të zhvilluar”.

“Por nëse BE-ja thotë se pavarësisht kësaj, ju duhet të na prisni sepse ne kemi nevojë për disa vite të thellohemi, kjo do të ishte dëshpëruese dhe e parikuperueshme. Ajo që ndodhi me dështimin e liberalizimit të vizave për Republikën e Kosovës është një shembull mjaft negativ i keqmenaxhimit të procesit. Populli im është i vetmi popull i izoluar në Evropë, i cili nuk mund ta gëzojë të drejtën e lëvizjes së lirë për shkak të regjimit të vizave. Edhe pse Komisioni Evropian ka vlerësuar se Kosova i ka plotësuar të gjitha kriteret e nevojshme, disa shtete anëtare e bllokojnë padrejtësisht liberalizimin e vizave për Kosovën. BE-ja duhet ta gjejë kurajon që përmes një programi të optimizimit të kritereve dhe reformave, pas Maqedonisë së Veriut dhe Shqipërisë, ta përfshinte BP përnjëherë, pra të gjitha shtetet e mbetura në të njëjtën kohë”.

Konjufca ka qenë kritikues ndaj Bashkimit Europian në përgjithësi për qasjen ndaj vendeve të Ballkanit Perëndimor, duke thënë se zhvillimi dhe demokratizimi i këtij rajoni varet krejtësisht nga anëtarësimi në BE.

“Mbi të gjitha po e cmoj këtë nismë të Presidentit Kover meqë diskutimi ynë sërish po përqendrohet në procesin e zgjerimit të BE-së. Shteteve tona të Ballkanit Perëndimor kjo ua shton edhe më tepër shpresat për një të ardhme të sigurt e të përbashkët në familjen e madhe e demokratike evropiane. Na ishte një kohë para 20 vitesh kur BE-ja e kuptonte më mirë se ne rëndësinë fundamentale të përfshirjes së Ballkanit Perëndimor. 2 dekada prapa, me keqardhje mund të konstatojmë që për herë të parë në histori të Evropës, është pikërisht Ballkani Perëndimor që po e kupton më mirë se BE-ja domosdoshmërinë e zgjerimit”.

“Të dashur zonja dhe zotërinj, mund të konkludojmë me një bindje të plotë që, siguria, paqja, zhvillimi dhe demokratizimi i rajonit tonë është tërësisht i varur nga garancia e anëtarësimit të shteteve tona në BE. Gjendja do të ishte tejet jostabile dhe e pakontrollueshme po të na shuhej shpresa për të qenë një ditë edhe ne anëtarë me të drejta të plota të familjes evropiane. Ky nuk është një idealizim i BE-së. Por dihet botërisht se, po u la rajoni i Ballkanit Perëndimor jashtë perspektivës evropiane, hapësira që do ta krijonin projektet tjera jomiqësore, do të ishte fatale për stabilitetin e këtij rajoni edhe ashtu mjaft të ndërlikuar. Doktrina të cilën po e dëgjojmë këtyre muajve të fundit, dhe e cila quhet “thellimi pastaj zgjerimi”, është goditje e madhe për shpresat e popujve tanë”.

“Kjo është simptomë e një frike të pajustifikuar. Të mirat që do t’i kishte Evropa e Bashkuar krahas dyshimeve eventuale për problemet që mund të dalin, janë të pakrahasueshme. Një skepticizëm e ka kapluar rajonin tonë me plot arsye meqë jemi vetë dëshmitarë të gjallë se sa më shumë që zgjerimi iu ka afruar Ballkanit Perëndimor, aq më shumë është zvogëluar shpejtësia e zgjerimit. Kanë kaluar më shumë se 8 vite prej prej kur u bashkua shteti i fundit në BE. Ndërkaq, për ironi të historisë, pikërisht kur të gjithë po prisnin që numri te shtohej, më 2016 Britania e Madhe u bë shteti i parë ne mësin e anëtarëve që vendosi ta braktisë Unionin”.

Kryeparlamentari kosovar tha se e ardhmja e Ballkanit Perëndimor varet nga anëtarësimi në Bashkimin Europian duke shtuar se zgjerimi varet krejtësisht nga ta dhe jo nga vendet e rajonit që tashmë kanë plotësuar kriteret.

Lajmet

Sindikata e KEK-ut vendos fotografitë e katër punëtorëve që humbën jetën, paralajmëron protestë

Published

on

Sindikata e Re e Korporatës Energjetike të Kosovës ka zhvilluar një aksion simbolik para zyrave të KEK-ut, ku ka vendosur fotografitë e katër punëtorëve që kanë humbur jetën në vendin e punës, duke kërkuar kushte më të sigurta dhe mbrojtje më të madhe për punëtorët.

Kryetari i Sindikatës së Re të KEK-ut, Xhelal Jashari, ka thënë se punëtorët në Kosovë nuk kanë mbrojtjen e duhur dhe ka kërkuar respektimin e Ligjit të Punës.

Jashari ka theksuar se humbja e fundit e një punëtori të KEK-ut duhet të jetë e fundit, duke kërkuar menaxhim më të mirë dhe masa më të forta të sigurisë në vendin e punës.

Ai ka bërë të ditur se nesër, nga ora 08:00, do të mbahet protestë solidarizuese në tri divizione të KEK-ut, në mbështetje të familjeve të punëtorëve që kanë humbur jetën.

Ndërkaq, nënkryetari i Sindikatës së Re të KEK-ut, Nexhat Llumnica, ka kritikuar Bashkimin e Sindikatave të Pavarura të Kosovës (BSPK) për, siç ka thënë, mungesë reagimi ndaj rasteve të vdekjeve të punëtorëve.

Llumnica ka njoftuar se aksioni simbolik do të vazhdojë edhe para zyrave të BSPK-së, ku sindikata planifikon të vendosë fotografitë e katër punëtorëve si shenjë proteste.

Protesta e paralajmëruar për nesër do të mbahet në tri divizionet e KEK-ut, duke filluar nga ora 08:00./A.K/

Foto: Driton Paçarada

Continue Reading

Lajmet

Tragjedi në Montana: disa të rritur dhe fëmijë vriten në një banesë, autori vetëvritet

Published

on

Një ngjarje tragjike ka tronditur qytetin Billings në Montana, ku disa persona, përfshirë edhe fëmijë, kanë humbur jetën pasi një person i armatosur ka hapur zjarr në një banesë.

Sipas Telegrafit, policia e ka cilësuar ngjarjen e së dielës mbrëma si një “konflikt familjar”. Pas të shtënave, i dyshuari dyshohet se i ka vënë zjarrin banesës dhe më pas ka kryer vetëvrasje me armë zjarri.

Sherifi i përkohshëm i Yellowstone County, Kent O’Donnell, ka konfirmuar se në banesë kanë vdekur “disa të rritur dhe disa të mitur”. Megjithatë, autoritetet ende nuk kanë bërë të ditur numrin e saktë, identitetet apo moshat e viktimave.

Policia ka arritur në rrugën White Star Circle rreth 10 minuta pasi një person kishte telefonuar 911 dhe kishte raportuar të shtëna. Zyrtarët kanë dëgjuar të shtëna nga pjesa e pasme e banesës, ndërsa pak minuta më vonë ndërtesa është përfshirë nga zjarri.

Zjarrfikësit janë përballur me vështirësi të mëdha gjatë ndërhyrjes, për shkak të qasjes së kufizuar në ujë dhe numrit të pamjaftueshëm të hidrantëve në zonë.

Shefi i zjarrfikësve të Billings, Matt Hoppel, ka thënë se zjarri është përhapur me shpejtësi dhe, për shkak të kushteve të rënda, banorët e shtëpisë nuk kanë mundur të shpëtojnë.

Hetimet vazhdojnë, ndërsa autoritetet po përpiqen të sqarojnë rrethanat e plota të tragjedisë.

Ndërkohë, një fushatë në GoFundMe pretendon se të paktën tetë persona, përfshirë dy fëmijë, kanë humbur jetën. Kjo shifër ende nuk është konfirmuar zyrtarisht nga autoritetet./A.K/

Continue Reading

Lajmet

Policia ndalon dy gara shpejtësie në Gjakovë, gjobiten pjesëmarrësit

Published

on

Sipas Policisë së Kosovës, zyrtarët policorë të Drejtorisë Rajonale në Gjakovë kanë ndërhyrë në dy raste të ndara për të ndaluar gara të shpejtësisë brenda qytetit.

Në rrugën “Martirët Qerkezi”, policia ka identifikuar dy motoçikleta duke zhvilluar garë shpejtësie, ndërsa në rrugën “Gaspër Karaqi” janë hasur dy automjete duke kryer veprime të ngjashme.

Falë intervenimit të menjëhershëm, policia ka ndaluar kundërvajtjet, ndërsa ndaj personave të përfshirë janë shqiptuar gjoba në përputhje me legjislacionin në fuqi.

Policia ka apeluar te të gjithë pjesëmarrësit në komunikacion që të shmangin garat e shpejtësisë dhe sjelljet e rrezikshme, duke theksuar se ato paraqesin rrezik të drejtpërdrejtë për jetën dhe sigurinë e qytetarëve.

Drejtoria Rajonale e Policisë në Gjakovë u ka bërë thirrje qytetarëve që të respektojnë rregullat e trafikut dhe të kontribuojnë në rritjen e sigurisë rrugore./A.K/

Continue Reading

Lajmet

Ka vdekur Eqrem Kryeziu, ish-kryetar i Prizrenit dhe ish-deputet i Kuvendit të Kosovës

Published

on

Ka ndërruar jetë Eqrem Kryeziu, ish-kryetar i Komunës së Prizrenit, ish-nënkryetar i Lidhjes Demokratike të Kosovës dhe ish-deputet i Kuvendit të Kosovës.

Lajmin për vdekjen e tij e ka konfirmuar përmes një postimi në Facebook drejtori i Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural në Komunën e Prizrenit, i cili ka shprehur dhimbjen për ndarjen nga jeta të Kryeziut.

Ai e ka vlerësuar Kryeziun si një prej figurave të rëndësishme të jetës politike dhe publike të Prizrenit dhe të LDK-së.

“Për vite me radhë, ai dha kontributin e tij në shërbim të qytetit, qytetarëve dhe vendit”, ka shkruar ai, duke theksuar se Kryeziu, përmes angazhimit të tij politik dhe institucional, ka lënë gjurmë në historinë e Prizrenit dhe të LDK-së.

Eqrem Kryeziu ka mbajtur disa poste politike dhe institucionale, ndërsa ka qenë deputet i Kuvendit të Kosovës në disa mandate.

Për vdekjen e tij janë shprehur ngushëllime për familjen, të afërmit, miqtë, bashkëpunëtorët dhe strukturat e LDK-së./A.K/

Continue Reading

Të kërkuara