Lajmet

Konjufca kërkon unitet politik për zbatimin e MSA-së

Published

on

Është konstituuar Komisioni i përbashkët Parlamentar për Stabilizim Asociim BE-Kosovë (KPSA), konstituimi i të cilit u tha se është shtyrë shumë. Ndërsa u potencua edhe ngadalësia e zbatimit të MSA-së.

Kryetari i Kuvendit, Glauk Konjufca, tha se tash nevojitet një shpejtësi krejtësisht e re për zbatimin e MSA-së, pasi deri më tash ky proces ka qenë mjaft i ngadalshëm.

Konjufca kërkoi unitet politik në këtë drejtim, pasi siç tha ai, kjo nuk është një garë politike, por nevojë që Kosova të bëjë hapa sa më të shpejt drejt integrimit evropian.

Kryeparlamentari Konjufca tha po ashtu se parlamenti do të mbikëqyrë gjithmonë pakot e reformave, meqë janë të një rëndësie të madhe për vendin.

“Implementimi i këtij procesi nuk është i njëanshëm, por është një ndër proceset më të rëndësishme që ne realizojmë bashkë me Bashkimin Evropian. Mund të konkludojmë që deri më tash zbatimi ka qenë mjaft i ngadalshëm dhe ka nevojë për shpejtësi”, tha ai.

Kryetarja e këtij komisioni, Mimoza Kusari – Lila bëri të ditur se në përbërje të këtij komisioni janë 13 deputetë, dhe se të gjithë janë zëvendësanëtarët.

Takimi i radhës i këtij komisioni është paraparë të mbahet në nëntor. Me marrjen e Presidencës së Sllovenisë janë paraparë 4 shtylla të prioriteteve.

Nënkryetari i këtij komisioni, Elmi Reçica tha se “Për shkak të rrethanave është pak i vonuar konstituimi i këtij komisioni, por do të jemi ata që do të shtyjmë punët përpara”.

Deputeti Besnik Tahiri tha se Kosova duhet të tregojë seriozitet në zbatimin e MSA-së.

“Ne duhet të dakordohemi se a do ta bëjmë këtë komision funksional, cili do të jetë roli ynë[…]Kërkoj me tregu seriozitet, së pari sot u vonuat në takim 16 minuta”, tha ai.

Deputeti Armend Muja tha se është shqetësuese sesa ngadalë është zhvilluar ky proces. Ai tha se ky cikël nuk duhet të vazhdojë kështu.

Deputeti i LDK-së, Armend Zemaj u interesua të dijë për arsyet e vonesës së konstituimit të këtij komisioni.

“Pse kjo vonesë e konstituimit të këtij komisioni… Po shpresoj që kryetari dhe nënkryetari të shpejtojë dinamikën e takimeve sepse çdo shtyrje do të prolongojë procesin e integrimit të Kosovës”, tha Zemaj.

Deputetja Ariana Shoshi tha se ky është dashtë të jetë takimi i 5-të i këtij komisioni.

Deputeti i AAK-së, Pal Lekaj tha se puna e parë që duhet të bëhet është që të ftohen ministrat dhe të tregojnë se ku janë me implementimin e planit të veprimit.

Vendi

Nis votimi me postë për diasporën

Published

on

By

Nga sot ka nisur votimi me postë për shtetasit e Kosovës që janë regjistruar paraprakisht për të marrë pjesë në zgjedhjet e 7 qershorit.

Sipas Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, rreth 105 mijë qytetarë pritet të votojnë përmes postës në këto zgjedhje.

Zëdhënësi i KQZ-së, Valmir Elezi, ka bërë të ditur se deri të mërkurën janë përgatitur rreth 75 mijë pako me fletëvotime, ndërsa rreth 30 mijë të tjera janë dërguar të enjten.

Çdo pako përmban fletëvotimin, zarfin e fshehtësisë, zarfin kthyes dhe udhëzuesin për procedurën e votimit. Sipas KQZ-së, secila dërgesë ka numër gjurmimi, në mënyrë që votuesit të mund të përcjellin vendndodhjen e pakos së tyre.

Votimi përmes postës do të zgjasë deri më 6 qershor. KQZ u ka bërë thirrje votuesve që t’i dërgojnë me kohë fletëvotimet, për të shmangur vonesat në arritjen e tyre për numërim në Kosovë.

Për këtë proces, KQZ ka vendosur kuti postare në 22 shtete të ndryshme, përfshirë Gjermaninë, Zvicrën, SHBA-në, Turqinë, Mbretërinë e Bashkuar dhe Shqipërinë.

Continue Reading

Lajmet

Filmi “Dua” i Blerta Bashollit triumfon në Kanë me çmimin “SACD”

Published

on

By

Filmi “Dua”, me regji dhe skenar nga Blerta Basholli, ka shënuar një sukses të madh ndërkombëtar duke fituar çmimin “SACD” në kuadër të programit prestigjioz “Semaine de la Critique” në Festivalin e Filmit në Kanë.

Ky çmim ndahet nga Shoqata e Autorëve dhe Kompozitorëve Dramaturgjikë në Francë dhe vlerëson veprat me skenar origjinal, vizion autorial dhe qasje të veçantë artistike. Me këtë nderim, “Dua” renditet ndër produksionet më të spikatura të këtij edicioni në një nga festivalet më të rëndësishme të filmit në botë.

Vlerësimi për filmin e Bashollit konsiderohet një tjetër dëshmi e fuqisë krijuese dhe ngritjes së vazhdueshme të kinematografisë kosovare në arenën ndërkombëtare. Suksesi i “Dua” vjen pas rrugëtimit të suksesshëm të regjisores kosovare, e cila tashmë është bërë një nga emrat më të njohur të filmit nga Kosova në skenën botërore.

Ky çmim pritet të rrisë edhe më tej vëmendjen ndërkombëtare ndaj filmit dhe industrisë së filmit në Kosovë, duke konfirmuar potencialin e artistëve kosovarë për të konkurruar në platformat më prestigjioze globale.

Continue Reading

Rajoni

Pesë shtete të BE-së me plan për integrim gradual të Ballkanit Perëndimor

Published

on

By

Pesë shtete anëtare të Bashkimit Evropian kanë propozuar një model të ri të integrimit gradual për vendet e Ballkanit Perëndimor, me synimin që ato të afrohen më shpejt me tregun e përbashkët evropian dhe të kufizohet ndikimi rus në rajon.

Sipas një dokumenti konfidencial të siguruar nga mediumi “Euractiv”, Austria, Çekia, Italia, Sllovakia dhe Sllovenia i kanë kërkuar Komisionit Evropian të rishqyrtojë mënyrën se si vendet kandidate përfshihen në tregun unik të BE-së.

Në dokument thuhet se për të ruajtur ritmin e zgjerimit dhe për të avancuar integrimin evropian, nevojiten “stimuj të fortë dhe tërheqës” për vendet aspirante. Propozimi parasheh që qasja në tregun e përbashkët të bëhet gradualisht dhe në bazë të meritës, sektor pas sektori.

Modeli, i quajtur “integrim sistematik sektorial”, synon që vendet e Ballkanit Perëndimor – përfshirë Shqipërinë, Malin e Zi, Maqedoninë e Veriut dhe Serbinë – të përfshihen në më shumë programe të BE-së, paralelisht me harmonizimin e legjislacionit të tyre me atë evropian.

Sipas dokumentit, integrimi gradual duhet të nisë sapo një vend kandidat të arrijë nivel të lartë përafrimi me rregullat e BE-së në sektorin përkatës. Po ashtu, propozohet krijimi i mekanizmave mbrojtës për rastet kur një shtet që ka fituar qasje të veçantë në tregun evropian bën hapa prapa në reforma.

Ndër sektorët që mund të përfshihen në këtë model janë transporti, energjia, tregu i energjisë elektrike, tregu digjital, konkurrenca dhe politikat për lëndët e para. Dokumenti përmend edhe marrëveshjen për lëvizjen e të rinjve ndërmjet Mbretërisë së Bashkuar dhe BE-së si një model që mund të aplikohet për Ballkanin Perëndimor.

Megjithatë, propozimi nuk përfshin disa ide të ngritura nga Shqipëria. Ministri i Jashtëm shqiptar, Ferit Hoxha, kishte sugjeruar javën e kaluar që vendet kandidate të fitojnë status vëzhguesi në institucionet e BE-së gjatë procesit të mbylljes së kapitujve negociues.

Ndërkohë, analistë të çështjeve evropiane vlerësojnë se dokumenti nuk sjell risi të mëdha krahasuar me idetë e mëhershme për integrim gradual. Studiuesi i Këshillit Gjerman për Marrëdhënie me Jashtë, Milan Niq, ka deklaruar se propozimi duket si një version më i avancuar i koncepteve ekzistuese për integrim të pjesshëm.

Autorët e dokumentit i kanë bërë thirrje komisioneres për Zgjerim, Marta Kos, që të hartojë ide të reja për këtë qasje, duke argumentuar se ajo do ta forconte tregun unik evropian dhe do t’i afronte më shumë vendet kandidate me BE-në.

Kosova mbetet vendi më pak i avancuar në procesin e integrimit evropian në rajon. Edhe pse aplikoi për anëtarësim në BE në fund të vitit 2022, aplikimi i saj ende nuk ka marrë statusin e vendit kandidat dhe nuk përmendet në diskutimet aktuale për zgjerimin.

Në anën tjetër, Mali i Zi dhe Shqipëria konsiderohen më të avancuara në negociatat me BE-në, pasi kanë hapur të gjithë kapitujt negociues. Maqedonia e Veriut ka nisur zyrtarisht negociatat, ndërsa Serbia vazhdon procesin prej vitesh, megjithëse ai është ngadalësuar për shkak të kritikave lidhur me sundimin e ligjit dhe raportet me Rusinë.

Continue Reading

Lajmet

Rikthehen “Akordet e Kosovës”, RTK sjell edhe festivalin për fëmijë

Published

on

Radiotelevizioni i Kosovës dhe Ministria e Kulturës dhe Turizmit kanë nënshkruar marrëveshje të re bashkëpunimi për rikthimin dhe zhvillimin e festivalit tradicional “Akordet e Kosovës”, një prej ngjarjeve më të rëndësishme të muzikës shqipe në vend.

Marrëveshja u firmos nga ushtruesja e detyrës së Drejtoreshës së Përgjithshme të RTK-së, Zana Spahiu dhe ministrja Saranda Bogujevci, në prani të kryetarit të Bordit të RTK-së, Dardan Beqiri, ushtruesit të detyrës së drejtorit të Televizionit, Rilind Gërvalla dhe këshilltarit të lartë të ministrisë, Muhedin Nushi.

Sipas marrëveshjes, nën ombrellën e “Akordeve të Kosovës” do të organizohet Festivali i Këngës në RTK, ndërsa risi kryesore do të jetë rikthimi i festivalit për fëmijë, i cili për herë të parë do të organizohet nga RTK. Institucionet vlerësuan se ky bashkëpunim do të ndikojë në fuqizimin e skenës muzikore vendore, promovimin e talenteve të reja dhe rritjen e prezencës së Kosovës në skenën ndërkombëtare të muzikës.

RTK ka bërë të ditur se synon pjesëmarrjen në “Eurovision Song Contest” dhe “Junior Eurovision Song Contest”, të organizuara nga Unioni Evropian i Transmetuesve (EBU), duke e konsideruar festivalin si një platformë të rëndësishme për promovimin e artistëve kosovarë. Marrëveshja paraqet vazhdimësi të bashkëpunimit trevjeçar mes RTK-së dhe Ministrisë së Kulturës, ndërsa detajet për datat, formatin dhe aplikimet pritet të publikohen në ditët në vijim.

“Akordet e Kosovës”, i themeluar më 1963 nga Radiotelevizioni i Prishtinës, konsiderohet ndër festivalet më të rëndësishme të muzikës shqipe, duke kontribuar në afirmimin e shumë këngëtarëve dhe kompozitorëve ndër vite.

Në tri edicionet e fundit të Festivalit të Këngës në RTK, fitues kanë qenë La Fazani me këngën “Oj Kosovë”, Endrit Krasniqi me “Flas me gjethen” dhe Arsi Bako me këngën “Rreze zjarri”.

Continue Reading

Të kërkuara