Bota

Kongresi e miraton projektligjin e Trumpit për shpenzime dhe taksa pas disa ditëve debate e vonesa

Published

on

Presidenti i Shteteve të Bashkuara, Donald Trump, e ka arritur të enjten një fitore të madhe politike, pasi Kongresi e miratoi projektligjin e tij të madh për taksat dhe shpenzimet.

Projektligji vuri në pah mbizotërimin e presidentit mbi Partinë Republikane, e cila ishte kapluar nga dilemat rreth përmbajtjes së tij, pasi projketligji pritet ta rrisë ndjeshëm borxhin kombëtar dhe ta shkurtojë ndihmën shëndetësore dhe sociale.

Një grup i vogël kundërshtarësh brenda partisë në fund u pajtuan për ta votuar atë, pasi kryetari i Dhomës së Përfaqësuesve, Mike Johnson, punoi gjatë gjithë natës së kaluar për t’i bindur kundërshtarët në Dhomën e Përfaqësuesve ta mbështesnin “Projektligjin e Madh dhe të Bukur”.

Projektligji kaloi në votimin përfundimtar me 218 për dhe 214 kundër.

Shtëpia e Bardhë tha se Trump do ta nënshkruajë projektligjin të shtunën, më 5 korrik, për ta kthyer atë në ligj.

Një nga projektligjet më të rëndësishme ndonjëherë. SHBA-ja është vendi më i ‘NXEHTË’ në botë, pa diskutim!!!” shkroi Trump në rrjetet sociale pasi u miratua projektligji.

Koha e votimit u shty pasi udhëheqësi i pakicës demokrate, Hakeem Jeffries, foli për afro nëntë orë për t’i vonuar procedurat.

Dëbime masive dhe ulje taksash

Projektligji voluminoz kaloi në Senat të martën dhe duhej të kthehej në Dhomën e Përfaqësuesve për t’i miratuar ndryshimet e bëra nga senatorët.

Paketa përmbush shumë nga premtimet elektorale të Trumpit: rritje të shpenzimeve ushtarake, financim për një fushatë të dëbimit të imigrantëve dhe një zotim prej 4.5 trilionë dollarësh për t’i zgjatur lehtësimet tatimore nga mandati i tij i parë.

Sot po vendosim një gur themel të rëndësishëm për Epokën e Artë të re të Amerikës”, tha Johnson.

Por, pritet që kjo t’i shtojë 3.4 trilionë dollarë të tjerë mbi deficitin në rritje të vendit gjatë një dekade, ndërkohë që shkurton ndjeshëm ndihmën ushqimore federale dhe bën shkurtimet më të mëdha në programin Medicaid – sigurimi shëndetësor për amerikanët me të ardhura të ulëta – që nga krijimi i tij në vitet ‘60.

Disa vlerësime tregojnë se deri në 17 milionë njerëz mund të humbasin mbulimin e sigurimeve shëndetësore sipas këtij projektligji. Dhjetëra spitale rurale pritet të mbyllen.

Shpenzimet shtesë për ushtrinë dhe sigurinë kufitare do të financohen pjesërisht përmes ndërprerjes së subvencioneve për energjinë e pastër dhe automjetet elektrike – një faktor që ka nxitur një përplasje të ashpër publike mes Trumpit dhe ish-mbështetësit të tij, Elon Musk./REL

Bota

Kremlini: Një takim Putin-Trump është i nevojshëm, kërkon përgatitje të mirë

Published

on

By

Një takim mes Presidentit rus Vladimir Putin dhe Presidentit amerikan Donald Trump konsiderohet i domosdoshëm nga Kremlini, por kërkon përgatitje të kujdesshme dhe tërësore, tha të enjten zëdhënësi i presidencës ruse, Dmitry Peskov.

Një takim i tillë është me të vërtetë i nevojshëm; të gjithë e kuptojnë këtë, dhe të dy presidentët kanë shprehur gatishmërinë e tyre për ta mbajtur atë. Megjithatë, ai duhet të përgatitet me kujdes dhe tërësisht,” deklaroi Peskov për gazetarët.

Komentet e tij erdhën si reagim ndaj vërejtjeve të ndihmësit presidencial rus, Yury Ushakov, pas bisedës së fundit telefonike mes dy liderëve. Sipas Ushakov, pavarësisht se një takim i drejtpërdrejtë nuk u diskutua gjatë telefonatës, ideja “është në ajër”.

Putin dhe Trump zhvilluan një bisedë telefonike një ditë më parë, e katërta në vetëm një muaj e gjysmë dhe e gjashta që nga fillimi i vitit. Biseda zgjati rreth një orë dhe fokusohej në zhvillimet në Ukrainë, Lindjen e Mesme dhe çështje të tjera ndërkombëtare.

Megjithëse asnjë takim nuk është zyrtarizuar ende, shkalla e komunikimit dhe gatishmëria e deklaruar nga të dyja palët lënë të hapur mundësinë për një takim të afërt mes dy presidentëve, në një kohë kur tensionet globale dhe lufta në Ukrainë mbeten prioritete ndërkombëtare.

Continue Reading

Bota

Katz: Izraeli po ndërmerr hapa për të parandaluar kërcënimet iraniane

Published

on

By

Ministri izraelit i Mbrojtjes, Israel Katz tha sot se ushtria e vendit të tij synon të ndërmarrë hapa të mëtejshëm pas luftës me Iranin – për të siguruar që Republika Islamike të mos përbëjë më një kërcënim.

Katz tha se ushtria po përgatiste një plan zbatimi për këtë qëllim.

Ushtria duhet të përgatitet si në aspektin e zbulimeve ushtarake ashtu edhe në atë të operacioneve – për të siguruar epërsi ajrore mbi Teheranin dhe për të parandaluar Iranin të rindërtojë pajisjet e tij ushtarake”, tha ministri pas një takimi me zyrtarë të lartë të mbrojtjes.

Izraeli nisi një luftë disaditore kundër armikut të tij të betuar, Iranit, më 13 qershor, duke kryer sulme ajrore masive ndaj objektivave ushtarake në të gjithë vendin.

Teherani u përgjigj me sulme të ashpra me raketa ndaj Izraelit.

Sulmet izraelite u nxitën nga frika se udhëheqja iraniane po ecte përpara me prodhimin e armëve bërthamore, një akuzë që Irani e ka mohuar. /atsh

Continue Reading

Bota

15 palestinezë të vrarë në Gaza, ShBA pret përgjigje nga Hamasi për armëpushimin

Published

on

By

Të paktën 15 palestinezë humbën jetën gjatë natës në një sulm ajror izraelit në jug të Gazës, ndërsa tensionet mes Izraelit dhe Hamasit mbeten të larta, në pritje të një përgjigjeje përfundimtare për një propozim armëpushimi të ndërmjetësuar nga ShBA.

Sipas zyrtarëve lokalë të shëndetësisë në Spitalin Nasser në Khan Younis, sulmi goditi një kamp me tenda ku qëndronin palestinezë të zhvendosur nga luftimet që vijojnë prej gati dy vitesh. Sulmi ndodhi rreth orës 2 të mëngjesit, duke shkaktuar viktima në mesin e civilëve. Ushtria izraelite nuk ka dhënë ende një reagim zyrtar mbi këtë sulm.

Pamjet nga vendi i ngjarjes treguan funerale të përshkuara nga dhimbja, me të afërmit që qanin për të dashurit e tyre të vrarë. “Armëpushimi do të vijë, dhe unë e kam humbur vëllain tim? Duhet të kishte ndodhur shumë më parë,” tha mes lotësh 13-vjeçarja Mayar Al Farr, motra e Mahmoudit, një nga viktimat e sulmit.

Ndërkohë, Presidenti i ShBA-së Donald Trump deklaroi se pret që Hamasi të japë një përgjigje përfundimtare ndaj propozimit amerikan për një armëpushim brenda 24 orëve. Sipas tij, Izraeli ka rënë dakord për një marrëveshje armëpushimi 60-ditore, gjatë së cilës pritet të zhvillohen negociata për një zgjidhje përfundimtare të konfliktit.

Hamasi, nga ana tjetër, ka sinjalizuar se po shqyrton propozimin, por deri më tani nuk ka dhënë asnjë qëndrim publik nëse do ta pranojë apo refuzojë atë. Grupi militant ka insistuar më herët se do të pranojë vetëm një marrëveshje që sjell një përfundim të përhershëm të luftës.

Continue Reading

Bota

Ndryshe nga Perëndimi, Rusia bëhet vendi i parë që njeh regjimin e talibanëve

Published

on

By

Qeveria e Afganistanit deklaroi të enjten se Rusia është bërë vendi i parë që e ka njohur zyrtarisht regjimin e talibanëve, duke e quajtur vendimin “të guximshëm”.

Lajmi u bë publik pas takimit të ministrit të Jashtëm taliban, Amir Khan Muttaqi, me ambasadorin rus në Kabul, Dmitry Zhirnov.

Ky është një hap i ri në marrëdhënie pozitive, respekt të ndërsjellë dhe bashkëpunim konstruktiv“, tha Muttaqi.

Ministria e Jashtme ruse theksoi se njohja do të forcojë bashkëpunimin ekonomik dhe tregtar, përfshirë energjinë, bujqësinë dhe infrastrukturën.

Në prill, Moska hoqi talibanët nga lista e saj e organizatave terroriste dhe pranoi ambasadorin e tyre në kryeqytetin rus, raporton AFP.

Njohja është dënuar nga aktivistet afgane, të cilat thonë se ajo legjitimon një regjim që ndalon shkollimin e vajzave dhe shkel të drejtat e njeriut.

Edhe ish-deputetet afgane paralajmëruan se ky vendim rrezikon sigurinë globale.

Talibanët u rikthyen në pushtet në gusht 2021, pas tërheqjes së forcave të NATO-s. Që atëherë, shtetet perëndimore nuk i kanë njohur zyrtarisht, duke i kushtëzuar marrëdhëniet me respektimin e të drejtave të grave dhe lirive themelore.

SHBA, BE dhe aleatë të tjerë kanë ngrirë ndihmat dhe kontaktet mbeten të kufizuara, kryesisht për çështje humanitare dhe sigurie. Perëndimi kritikon ashpër ndalimin e arsimit për vajzat dhe përfshirjen e figurave të sanksionuara në qeveri./REL

Continue Reading

Të kërkuara