Botë

Konfirmohet përbërja e re e Komisionit Evropian – mandati nis më 1 dhjetor

Published

on

Parlamenti Evropian me shumicë votash ka konfirmuar të mërkurën përbërjen e re të Komisionit Evropian, që në pesë vjetët e ardhshëm përsëri do të drejtohet nga Ursula von der Leyen.

Për përbërjen e re të Komisionit Evropian 370 deputetë votuan për, 282 ishin kundër, ndërsa 38 abstenuan.

Para votimit në seancë plenare u zhvillua një debat, në të cilin Ursula von der Leyen paraqiti edhe një herë përbërjen e Komisionit në mandatin e saj të dytë si presidente e ekzekutivit të BE-së.

Gjatë fjalimit, Von der Leyen premtoi se Komisioni do të angazhohet për një Evropë më të fortë, më të sigurt, e cila do të rrisë investimet për mbrojtje dhe do të vazhdojë punën drejt uljes së niveleve të ndotjes së ambientit, si dhe digjitalizimin dhe rritjen e konkurrencës së ekonomisë evropiane në skenën globale.

Parlamenti Evropian e kishte caktuar votimin për këtë seancë plenare pasi mes grupimeve kryesore politike ishte arritur pajtim për konfirmimin e të 26 komisionarëve të propozuar, ndërkohë që Von der Leyen ishte konfirmuar gjatë verës.

Të gjithë komisionarët më parë kaluan përmes seancave dëgjimore në komisionet përkatëse të PE-së dhe secili prej tyre ka marrë mbështetjen për të ushtruar postin e komisionarit në fushën që i është caktuar. Për herë të parë pas 25 vjetësh asnjë kandidat për anëtar të Komisionit Evropian nuk u refuzua nga komisionet e Parlamentit Evropian.

Mospajtimet ishin tejkaluar mes tri grupeve proevropiane, Partisë Popullore Evropiane (EPP) që është grupi më i madh, Socialistëve dhe Demokratëve (S&D) që është grupi i dytë për nga madhësia dhe grupit të liberalëve, i cili ka shënuar rënie dhe është grupi i pestë për nga numri i përgjithshëm i deputetëve.

Këto tri grupe së bashku kishin shumicën e mjaftueshme për ta votuar në seancë plenare Komisionin e ri Evropian. Por, pavarësisht kësaj pati deputetë edhe nga këto grupime që votuan kundër konfirmimit të Komisionit Evropian. Ato vota pastaj u kompensuan me vota nga disa grupime të tjera politike si të gjelbrit, por edhe disa nga radhët e grupimeve të së djathtës ekstreme.

Me rajonin e Ballkanit Perëndimor në pesë vitet e ardhshme pritet që më së shumti të merret komisionarja e ardhshme për zgjerim, Marta Kos, nga Sllovenia, dhe përfaqësuesja e lartë për politikë të jashtme dhe siguri, Kaja Kallas. Që të dyja, gjatë seancave dëgjimore, kanë premtuar se do të angazhohen që në pesë vjetët e ardhshëm zgjerimi i Bashkimit Evropian të bëhet realitet.

Ursula von der Leyen në fjalimin e saj tha se vendet kandidate, si ato nga Ballkani Perëndimor, ashtu edhe Ukraina, Moldavia dhe Gjeorgjia, e kanë vendin në BE. Shefja e Komisionit Evropian përsëriti se pret nga komisionarja për zgjerim, Marta Kos, që të punojë për ta përgatitur BE-në për zgjerim dhe për t’i ndihmuar vendet kandidate që të avancojnë në procesin e integrimeve evropiane.

Von der Leyen tha se procesi i zgjerimit do të vazhdojë duke respektuar parimin e meritave individuale të vendeve kandidate në procesin e reformave.

Përbërja e re e Komisionit Evropian ka 14 anëtarë nga Partia Popullore Evropiane (EPP) që është edhe grupi më i madh politikë në Parlamentin Evropian. Ndërsa liberalët do të kenë 5 anëtarë në Komisionin Evropian, edhe pse kanë shënuar rënie të madhe në zgjedhjet e fundit evropiane duke dalë në pozitën e pestë për nga numri i deputetëve në PE.

Socialistët dhe Demokratët, që mbeten grupi i dytë për nga madhësia në Parlamentin Evropian, kësaj radhe do të kenë vetëm 4 anëtarë në Komisionin Evropian.

Dy komisionarë vijnë nga radhët e partive të ekstremit të djathtë ndërsa një, Marosh Shefçoviq nga Sllovakia, nuk i takon asnjë grupimi pasi partia e kryeministrit sllovak është përjashtuar nga grupimi i Socialistëve dhe Demokratëve për shkak të mospajtimeve në qëndrimet ndaj Rusisë dhe bashkëpunimit me të djathtën ekstreme.

Konfirmimi i përbërjes së re të Komisionit Evropian në seancën plenare të së mërkurës ka hapur mundësinë që mandati i ri pesëvjeçarë të nisë të dielën më 1 dhjetor. Ky mandat do të zgjasë deri në vjeshtën e vitit 2029. Po atë ditë, më 1 dhjetor, do të nisë edhe mandati i presidentit të ri të Këshillit Evropian, Antonio Kosta.

Aktualitet

Evropa goditet nga temperaturat deri në 40°C, shënohen tre të vdekur në Francë

Published

on

By

Një valë e jashtëzakonshme e të nxehtit afrikan ka përfshirë pjesën më të madhe të Evropës Perëndimore, duke sjellë temperatura ekstreme që kanë kapërcyer vlerën prej 40°C. Përveç rrezikut mjedisor, kjo situatë ka shënuar edhe viktimat e para në njerëz.

Sipas autoriteteve vendase, të paktën tre persona kanë humbur jetën në Francë si pasojë e goditjeve nga nxehtësia dhe temperaturat e larta anormale për këtë periudhë. Viktimat raportohet se kanë pësuar arrest kardiak për shkak të ekspozimit të gjatë në diell dhe pamundësisë së trupit për të përballuar vapën mbytëse.

Shërbimet meteorologjike në Francë, Spanjë dhe Itali kanë lëshuar alarme të kuqe për disa rajone, duke i bërë thirrje popullatës të shmangë daljet e panevojshme gjatë orëve të mesditës.

Franca ka hapur qendra emergjente të ftohjes nëpër qytetet kryesore dhe ka kufizuar qarkullimin e disa automjeteve për shkak të rritjes së nivelit të ozonit në ajër.

në Spanjë dhe Itali Parashikohet që vala e të nxehtit të zgjasë edhe për disa ditë të tjera, duke rritur ndjeshëm rrezikun për zjarre pyjore.

Mjekët dhe autoritetet shëndetësore kanë bërë thirrje urgjente për kujdes të shtuar, veçanërisht ndaj të moshuarve, fëmijëve dhe personave me sëmundje kronike. Ata këshillojnë konsumimin e rregullt të ujit, qëndrimin në ambiente të mbrojtura me ajër të kondicionuar dhe shmangien e aktiviteteve të rënda fizike në ambiente të hapura.

Meteorologët paralajmërojnë se këto valë të nxehti ekstrem po bëhen gjithnjë e më të shpeshta dhe më intensive në Evropë, si pasojë e drejtpërdrejtë e ndryshimeve klimatike globale. /E.A/

 

Continue Reading

Lajmet

Tragjedi në Gjermani, dy shqiptare humbin jetën në një aksident të rëndë në autostradë

Published

on

By

Dy gra të reja me origjinë nga Kosova kanë humbur jetën në një aksident të rëndë trafiku që ndodhi të shtunën në autostradën A5, pranë Appenweier, në landin e Baden-Württembergut në Gjermani. Lajmi është raportuar nga mediat gjermane, të cilat kanë publikuar detaje nga ngjarja tragjike.

Sipas raportimeve, aksidenti ndodhi në drejtim të Karlsruhe, pasi fillimisht dy automjete u përplasën gjatë një manovre të ndryshimit të korsisë me shpejtësi të lartë. Si pasojë, automjetet mbetën të ndaluara në rrugë, duke detyruar drejtuesit e mjeteve që vinin pas tyre të frenonin papritur. Kjo shkaktoi një tjetër aksident zinxhiror, ku u përfshinë gjithsej pesë automjete.

Mediat gjermane raportojnë se dy gratë, të cilat po udhëtonin së bashku në një veturë, humbën jetën në vendngjarje si pasojë e plagëve të marra. Ndërkohë, një person tjetër ka pësuar lëndime të rënda dhe është dërguar për trajtim mjekësor.

Për shkak të aksidentit, autostrada A5 u mbyll për disa orë, ndërsa ekipet e emergjencës, zjarrfikësit dhe policia intervenuan në vendngjarje. Autoritetet gjermane kanë nisur hetimet për të sqaruar rrethanat e plota të aksidentit. Dëmet materiale vlerësohen të jenë mbi 100 mijë euro.

Identiteti i viktimave ende nuk është bërë publik nga autoritetet gjermane. Sipas raportimeve të mediave, ato ishin me prejardhje nga Kosova.

Continue Reading

Aktualitet

Rinisin bisedimet SHBA-Iran për zbatimin e marrëveshjes politike

Published

on

By

Pas një bllokimi të shkurtër që rrezikoi dështimin e procesit, në Burgenstok të Zvicrës kanë rinisur negociatat intensive ndërmjet Shteteve të Bashkuara dhe Iranit për zbatimin e Memorandumit të Mirëkuptimit. Takimet u shpëtuan falë ndërhyrjes urgjente diplomatike të Zvicrës, Katarit dhe Pakistanit.

Irani ka dërguar në Cyrih një delegacion të nivelit të lartë të udhëhequr nga kryeparlamentari Mohammad Bagher Ghalibaf dhe ministri i Jashtëm, Abbas Araghchi, së bashku me zyrtarë të sektorit bankar dhe të naftës, duke sinjalizuar se prioriteti i Teheranit është lehtësimi i sanksioneve ekonomike. Në Zvicër po qëndron edhe delegacioni amerikan, ku pjesë e bisedimeve është zëvendëspresidenti i SHBA-së, JD Vance.

Sipas zyrtarëve zviceranë, palët po punojnë nën presion të lartë teknik dhe politik për ta shndërruar memorandumin fillestar në një marrëveshje më të gjerë e të qëndrueshme, e cila synon çtensionimin e rajonit dhe sigurimin e rrugëve strategjike tregtare. /Reuters/ /E.A/

Continue Reading

Aktualitet

Moska e hapur për dialog me BE-në, por refuzon ultimatumat

Published

on

By

Kremlini ka njoftuar se është i hapur për të rinisur dialogun me vendet evropiane, por ka bërë të qartë se nuk do të pranojë asnjë kushtëzim apo ultimatum nga pozicioni i forcës. Kjo deklaratë e zëdhënësit Dmitry Peskov vjen pas sinjaleve se Bashkimi Evropian po tenton të hapë me kujdes kanalet e komunikimit me Moskën, të cilat u ndërprenë që nga fillimi i pushtimit të Ukrainës. Sipas Kremlinit, presidenti Vladimir Putin është i gatshëm për bisedime, por hapi i parë duhet të vijë nga vetë blloku evropian, i cili deri më tani ka ndërmarrë 20 pako sanksionesh ekonomike ndaj Rusisë.

Pasi ia la për më shumë se një vit ndërmjetësimin Donald Trumpit, zyra e Presidentit të Këshillit Evropian, Antonio Costa, ka zhvilluar javët e fundit kontakte të shkurtra diplomatike me Kremlinin. Ndërsa kancelari austriak Christian Stocker kërkoi që BE-ja të shfrytëzojë këtë moment për bisedime, nisma e Costës ka zbuluar ndarje të thella brenda bllokut. Në samitin e fundit në Bruksel, disa shtete anëtare u ankuan se nuk ishin konsultuar paraprakisht dhe kërkuan që fokusi të mbetet ekskluzivisht te presioni ushtarak dhe sanksionet ndaj Rusisë.

Nga ana tjetër, Ukraina po rrit presionin përmes sulmeve masive me dronë në thellësi të territorit rus, duke synuar të kthejë situatën në favor të saj. Autoritetet ruse konfirmuan se nga sulmet e fundit ka mbetur e vdekur një vajzë 8-vjeçare në rajonin e Moskës, ndërsa për të dytën herë brenda pak ditësh u përfshi nga flakët një rafineri e madhe nafte në juglindje të kryeqytetit. I pyetur nëse Putin i ka parë pamjet e rafinerisë duke u djegur, Peskov u kundërpërgjigj duke u kërkuar gazetarëve të shohin shkatërrimet në qytetet ukrainase dhe paralajmëroi se sulmet ruse do të vazhdojnë nëse nuk arrihet një zgjidhje diplomatike. /Reuters/ /E.A/

Continue Reading

Të kërkuara