Lajmet

Komisioni hetimor mbi sulmet në Kongres: Trump nxiti tentativën për grushtshtet

Kjo është seanca e parë nga gjashtë që u planifikuan të mbahen.

Published

on

Në seancën e parë publike, komisioni hetimor që po heton sulmin ndaj Kongresit amerikan nga ana e mbështetësve të ish-presidentit amerikan, Donald Trump, pas pretendimeve të tij për vjedhjen e zgjedhjeve, u kujtoi amerikanëve atë që ndodhi më 6 janar të vitit 2021.

Komisioni hetimor bëri të ditur të enjten se Donald Trump dhe pretendimet e tij për manipulim të zgjedhjeve ishin në qendër të asaj që përbënte një “tentativë për grusht shtet” për të mbetur në pushtet.

Kjo ishte e para nga gjashtë seancat e planifikuara që synojnë të tregojnë se ish-presidenti republikan komplotoi për të mbajtur në mënyrë të paligjshme pushtetin.

Në një prezantim të gjetjeve nga një hetim njëvjeçar, komiteti i posaçëm u përpoq të bindte një vend të ndarë, për ekzistencën e një komploti të rrënjosur thellë dhe në vazhdim — të orkestruar nga ish-presidenti — për të përmbysur rezultatin e zgjedhjeve të vitit 2020 të fituara nga Joe Biden.

“Presidenti Trump bëri thirrje, mblodhi turmën dhe nxiti këtë sulm”, tha nënkryetarja republikane e panelit, Liz Cheney, në fjalën e saj të hapjes.

Ndërkohë, kryetari demokrat i komisionit, Bennie Thompson, e akuzoi Trumpin se ishte “në qendër të këtij komploti”.

“Gjashtë janari ishte kulmi i një tentative për grusht shtet — një përpjekje e paprecedent, ashtu siç e tha edhe një nga protestuesit menjëherë pas 6 janarit — për të rrëzuar Qeverinë. Dhuna nuk ishte një rastësi”, tha ai.

Personat që sulmuan Kongresin amerikan vepruan “me inkurajimin e presidentit të Shteteve të Bashkuara”, për të marshuar drejt Kongresit dhe për të bllokuar kalimin zyrtar të pushtetit nga ligjvënësit te Bideni, shtoi ai.

Prezantimi i përpiluar nga komisioni hetimor përdori dëshminë e dhënë pas dyerve të mbyllura nga disa prej këshilltarëve më të vjetër dhe më të besuar të Trump, duke përfshirë edhe ish-prokurorin e përgjithshëm, Bill Barr, dhe këshilltarin e lartë të Trumpit, njëkohësisht edhe dhëndrin e tij, Jared Kushner.

‘Gjueti shtrigash’

Komisioni hetimor synon të dëshmojë se dhuna ishte pjesë e një nxitjeje më të gjerë — dhe të vazhdueshme — nga Trumpi dhe rrethi i tij i brendshëm për t’u kapur në mënyrë të paligjshme ose për të rifituar pushtetin, duke cënuar Kushtetutën amerikane dhe më shumë se dy shekuj tranzicionesh paqësore nga një administratë në tjetrën.

Seanca e së enjtes dhe pesë seancat pasuese gjatë javëve të ardhshme do të fokusohen në rolin e Trumpit në përpjekjen e shumëanshme për ta kthyer atë në Zyrën Ovale duke u hequr të drejtën e miliona votuesve.

Trump e ka hedhur poshtë në mënyrë të përsëritur hetimin duke e quajtur një “gjueti shtrigash” të pabazë, por seancat dëgjimore ishin padyshim në mendjen e tij të enjten, teksa postoi vazhdimisht në platformën e tij të mediave sociale, duke mbrojtur kryengritjen si “lëvizjen më të madhe në historinë e vendit për ta bërë Amerikën përsëri të madhe.”

Komiteti kërkon të provojë se Trumpi hodhi bazat për kryengritjen e gjashtë janarit, përmes gënjeshtrave për mashtrime në një proces zgjedhor të përshkruar nga vetë administrata e tij si ndër më të sigurtat ndonjëherë.

Një pjesë e administratës së tij akuzohet për përfshirje në disa skema potencialisht të paligjshme për të ndihmuar përpjekjet, duke përfshirë një komplot për të kapur makineritë e votimit dhe një tjetër për të emëruar “zgjedhës alternativë” të rremë nga “shtetet e lëkundura” që do të injoronin vullnetin e votuesve të tyre dhe do t’i dorëzonin fitoren Trumpit.

‘Rrëshqitje në gjakun e njerëzve’

Seanca dëgjimore e së enjtes shfaqi dëshmi të drejtpërdrejta nga dy persona që ndërvepruan më 6 janar me anëtarët e organizatës neofashiste “Proud Boys” dhe në ditët që çuan në dhunë.

Regjisori britanik i filmave dokumentarë, fitues i çmimit Emmy, Nick Quested, dëshmoi për përvojën e tij në hijen e anëtarëve të “Proud Boys” në ditët para 6 janarit dhe ndërveprimet e tij me ta në atë ditë.

Quested kujtoi se ishte i tronditur nga “zemërimi” që pa midis anëtarëve të grupit dhe e përshkroi turmën më të madhe të tubimit si transformim “nga protestues në rebelë dhe në kryengritës”.

“Isha i befasuar nga madhësia e grupit, zemërimi dhe sharjet”, tha ai.

Oficerja e policisë, Caroline Edwards, e cila ishte e pranishme kur u thye barrikada e parë, përshkroi se kishte pësuar lëndime në kokë gjatë përleshjeve me anëtarët e “Proud Boys”, udhëheqësi i të cilëve është akuzuar për komplot.

“Ajo që pashë ishte thjesht një skenë lufte. Ishte diçka që nuk e kisha parë jashtë filmave”, tha ajo.

“Nuk mund t’u besoja syve. Kishte oficerë në tokë — po i rridhte gjak, po dilnin… Pashë miq me gjak në fytyrat e tyre. Po rrëshqisja në gjakun e njerëzve.”

Dëshmia e saj mbylli seancën e parë publike që zgjati gati dy orë. Dhe, u cilësua nga zëdhënësi i Donald Trumpit, Taylor Budowich, si një “cirk” i paaftë për të tërhequr vëmendjen e publikut./REL

Vendi

UBT organizon edicionin e 15-të të Konferencës Ndërkombëtare Shkencore

Published

on

By

UBT do të organizojë edicionin e 15-të të Konferencës Ndërkombëtare Shkencore, një platformë akademike që bashkon studiues, shkencëtarë, profesionistë dhe përfaqësues të institucioneve nga fusha të ndryshme, me qëllim avancimin e kërkimit shkencor, shkëmbimin e njohurive dhe zhvillimin e bashkëpunimit ndërkombëtar.

Konferenca do të mbahet në Parkun Shkencor, Inovativ dhe Teknologjik të UBT-së, duke vazhduar traditën e kësaj platforme ndërdisiplinore, e cila u mundëson studiuesve dhe profesionistëve të prezantojnë punën e tyre shkencore, të diskutojnë zhvillimet e fundit në fushat përkatëse dhe të krijojnë mundësi të reja për bashkëpunim akademik.

Programi përfshin një gamë të gjerë fushash, ndër të cilat mjekësia dhe infermieria, shkencat farmaceutike dhe natyrore, stomatologjia, shkencat kompjuterike, inxhinieria, mekatronika, robotika, siguria e informacionit, arkitektura, planifikimi hapësinor, drejtësia, shkencat politike, gazetaria, media dhe komunikimi, menaxhmenti, ekonomia, psikologjia, arsimi, bujqësia, shkenca dhe teknologjia e ushqimit, arti, dizajni dhe muzika.

Përmes këtij programi të gjerë, konferenca synon të krijojë ura bashkëpunimi ndërmjet disiplinave të ndryshme, duke nxitur dialogun shkencor dhe duke promovuar qasje të reja për adresimin e sfidave bashkëkohore. Një rëndësi e veçantë i kushtohet gjithashtu mbështetjes së studiuesve në fillim të karrierës akademike dhe stafit të ri akademik, duke u ofruar mundësi për prezantimin e hulumtimeve dhe zhvillimin e aftësive për publikim sipas standardeve ndërkombëtare.

Gjatë edicioneve të deritanishme, konferenca ka krijuar një bazë të gjerë ndërkombëtare të pjesëmarrjes dhe prezantimeve shkencore, me pjesëmarrje të mbi 1 mijë folësve dhe prezantuesve, dhe përfaqësim nga mbi 30 shtete të botës.

Përmes edicionit të vitit 2026, UBT synon të vazhdojë forcimin e profilit të tij si institucion i arsimit të lartë me orientim drejt kërkimit shkencor, transferimit të dijes dhe bashkëpunimit ndërkombëtar, duke krijuar hapësirë për ide të reja, rezultate shkencore dhe partneritete që lidhin universitetet me profesionistët dhe sektorët e ndryshëm të shoqërisë.

 

Continue Reading

Lajmet

EOQ Congress 2026 në UBT: Liderët evropianë të cilësisë diskutojnë transformimin, inovacionin dhe udhëheqjen reziliente

Published

on

By

Në kuadër të Kongresit të 67-të të Organizatës Evropiane për Cilësi (EOQ Congress 2026), në UBT u mbajt sesioni plenar i Liderëve Evropianë të Cilësisë, ku ekspertë ndërkombëtarë diskutuan mbi rolin e udhëheqjes në transformimin organizativ, arritjen e ekselencës dhe ndërtimin e organizatave të qëndrueshme në një mjedis biznesi gjithnjë në ndryshim.

Sesioni, i moderuar nga Tiia Tammaru, mblodhi përfaqësues të komunitetit evropian të cilësisë, të cilët ndanë përvojat dhe perspektivat e tyre mbi mënyrat se si cilësia mund të shërbejë si nxitës i transformimit, zhvillimit të qëndrueshëm dhe rritjes së ndikimit organizativ.

Gjatë sesionit, u trajtuan këto tema:

Pierre Girault, president i AFQM-së, Francë – Fjalë përshëndetëse, të cilit iu nda edhe Certifikata nga EOQ.

Dr. Ing. Florian Weymar – “Udhëtimi i udhëheqjes: Cilësia si nxitës i transformimit”.

Dr. Patricia Carvalho – “Nga ekselenca te ndikimi: Mësime nga udhëheqja në fushën e cilësisë”.

Diskutimet vunë në pah rëndësinë e udhëheqjes efektive në përballimin e ndryshimeve teknologjike dhe sfidave të reja të biznesit, duke theksuar se cilësia nuk kufizohet vetëm në përmbushjen e standardeve, por përbën një element thelbësor të transformimit dhe zhvillimit afatgjatë të organizatave.

Në vazhdim të programit të Kongresit, u zhvillua edhe dialogu ndërmjet përfaqësuesve kombëtarë të EOQ-së dhe partnerëve ndërkombëtarë, me fokus në shkëmbimin e perspektivave dhe forcimin e bashkëpunimit global në fushën e cilësisë. Përmes këtyre diskutimeve, EOQ Congress 2026 në UBT vazhdoi të krijojë hapësirë për shkëmbimin e përvojave ndërkombëtare dhe promovimin e qasjeve bashkëkohore ndaj cilësisë, udhëheqjes dhe inovacionit.

Continue Reading

lajme

Kosova mirëpriti Kongresin më të madh evropian të cilësisë – EOQ Congress 2026

Published

on

By

Përfundoi Kongresi i 67-të i Organizatës Evropiane për Cilësi (EOQ 2026), i cili për tri ditë mblodhi në Kosovë përfaqësues të institucioneve, ekspertë ndërkombëtarë, akademikë dhe profesionistë, për të diskutuar mbi rolin e cilësisë në epokën e inteligjencës artificiale, transformimit digjital dhe zhvillimit të qëndrueshëm.

Sesioni përmbyllës i kongresit shërbeu si një moment reflektimi mbi përfundimet dhe mesazhet kryesore të këtij edicioni, duke vënë në pah rëndësinë e cilësisë si themel për inovacionin, besimin, qëndrueshmërinë dhe konkurrueshmërinë në një botë që po ndryshon me shpejtësi.

Në këtë kuadër u prezantuan përfundimet e kongresit me temën “Congress Conclusions: What Prishtina 2026 Has Taught Us”, si dhe mesazhi “Prishtina Quality Message 2026: The Future through Quality”, i cili thekson rëndësinë e angazhimit të përbashkët për ndërtimin e një të ardhmeje më cilësore dhe të qëndrueshme.

Një moment i veçantë ishte ceremonia e dorëzimit të flamurit të EOQ-së dhe prezantimi i kongresit të ardhshëm, i cili do të mbahet në Belgjikë, duke simbolizuar vazhdimësinë e bashkëpunimit ndërkombëtar dhe angazhimin e komunitetit evropian për avancimin e cilësisë.

Në fjalën e tij përmbyllëse, Prof. Dr. Paulo Sampaio, President i Organizatës Evropiane për Cilësi (EOQ), përcolli mesazhin për një komunitet të bashkuar të cilësisë dhe përgjegjësi të përbashkët në avancimin e standardeve dhe praktikave cilësore.

Ndërkaq, Prof. Dr. Edmond Hajrizi, president dhe rektor i UBT-së, president i Quality Kosova dhe nënkryetar i EOQ-së, përmbylli kongresin me mesazhin “From Prishtina to the Future through Quality”, duke theksuar rëndësinë e vazhdimit të bashkëpunimit ndërkombëtar dhe shndërrimit të ideve e diskutimeve në iniciativa konkrete për të ardhmen.

 

Organizimi i Kongresit të 67-të të EOQ-së në UBT përbën një mundësi të rëndësishme për promovimin e Kosovës si hapësirë e dialogut profesional, shkëmbimit të njohurive dhe bashkëpunimit ndërkombëtar.

Përmes këtij organizimi, UBT dhe Quality Kosova kontribuuan në avancimin e diskutimeve mbi rolin e cilësisë në zhvillimin institucional, ekonomik dhe shoqëror. Me mesazhin “Nga Prishtina drejt së ardhmes përmes cilësisë”, Kongresi EOQ 2026 përmbylli punimet duke riafirmuar rëndësinë e vizionit të përbashkët, përgjegjësisë dhe bashkëpunimit për një të ardhme më cilësore dhe të qëndrueshme.

Continue Reading

Lajmet

UBT organizon Konferencën Ndërkombëtare për Stomatologë dhe Teknikë Dentarë

Published

on

By

Më 24 dhe 25 tetor 2026, në Kampusin e UBT-së në Lipjan, do të zhvillojë punimet Konferenca Ndërkombëtare për Stomatologë dhe Teknikë Dentarë. Kjo ngjarje e rëndësishme shkencore dhe profesionale vjen si një platformë e mirëfilltë që synon të bashkojë komunitetin akademik, stomatologët, teknikët dentarë dhe profesionistët e fushës, me qëllim promovimin e inovacionit, bashkëpunimit ndërprofesional dhe edukimit të vazhdueshëm.

Përmes prezantimit të njohurive të reja shkencore, përvojave klinike dhe zhvillimeve më të fundit teknologjike, konferenca synon të adresojë sfidat dhe mundësitë bashkëkohore në stomatologji. Ngjarjeve të tilla u jepet një vlerë e veçantë edhe përmes akreditimit zyrtar nga Oda e Stomatologëve të Kosovës dhe Oda e Infermierëve të Kosovës, ku pjesëmarrësit aktivë do të shpërblehen me 20 pikë EVP, ndërsa ata pasivë me 15 pikë EVP.

Lidhur me këtë ngjarje, Dekani i Fakultetit të Stomatologjisë dhe Teknikës Dentare në UBT, Prof. Ass. Dr. Agim Prokshaj, ka theksuar:

“Si fakultet, mbetemi të përkushtuar në avancimin e cilësisë së arsimit, kërkimit shkencor dhe zhvillimit profesional, duke besuar se bashkëpunimi ndërmjet akademisë dhe praktikës klinike është thelbësor për të ardhmen e stomatologjisë. I ftoj të gjithë kolegët, profesionistët dhe studentët të bëhen pjesë e kësaj ngjarjeje, e cila do të shërbejë si një hapësirë e rëndësishme për ndërtimin e bashkëpunimeve të reja dhe avancimin e profesionit tonë. Ju mirëpresim në UBT!”

Për të gjithë të interesuarit, regjistrimi i pjesëmarrësve në kampus zhvillohet më 23 tetor prej orës 14:00 deri në 17:00, si dhe më 24 tetor nga ora 09:00 deri në 17:00, ndërsa procedurat e aplikimit dhe pagesës realizohen sipas udhëzimeve zyrtare të organizatorëve.

 

Continue Reading

Të kërkuara