Cristiano Ronaldo vazhdon të shkruajë histori në futboll dhe përpara ndeshjes së çerekfinaleve të “Nations League” kundër Danimarkës, sulmuesi portugez u nderua me një rekord prestigjioz “Guinness”. Kapiteni i Portugalisë mori titullin e futbollistit me më shumë fitore në historinë e kombëtareve, një tjetër sukses në karrierën e tij të shkëlqyer.
Ronaldo e arriti këtë rekord vitin e kaluar gjatë një fitoreje 5-1 të Portugalisë ndaj Polonisë, ku ai shënoi dy gola. Ky sukses e çoi totalin e fitoreve të tij me kombëtaren në 132, duke kaluar ish-shokun e tij të skuadrës te Real Madridi, Sergio Ramos, që mbante rekordin me 131 fitore me Spanjën.
Ky është një rekord që duket i vështirë për t’u thyer në të ardhmen e afërt, pasi shumica e lojtarëve që i janë afruar kësaj shifre tashmë janë tërhequr nga futbolli. Iker Casillas mban vendin e tretë me 121 fitore, Lionel Messi është në vendin e katërt me 119 fitore, ndërsa Andrés Guardado mbyll top 5-shen me 102 fitore me Meksikën.
Ky nuk është rekord i parë për Ronaldon në “Guinness”. Ai tashmë është:
Golashënuesi më i mirë në historinë e kombëtareve, me më shumë se 120 gola.
Lojtari i parë që ka shënuar 100 gola në Ligën e Kampionëve.
Sportisti me më shumë ndjekës në Instagram, me mbi 500 milionë fansa.
Ky rekord i ri është një tjetër arritje historike për një nga lojtarët më të mëdhenj të të gjitha kohërave në futboll, duke konsoliduar edhe më shumë statusin e tij si një legjendë e futbollit botëror./UBTNews/
