Lajmet

Votohet në parim Projektligji për ndryshimin e Ligjit për Specialen

Published

on

Kuvendi i Kosovës ka miratuar në parim Projektligjin për ndryshimin e Ligjit për Dhomat e Specializuara.

Nisma ligjore mori mbështetjen e plotë të deputetëve të pranishëm në sallë, me 91 vota për, asnjë kundër dhe asnjë abstenim.

Lidhja Demokratike e Kosovës hapurazi ka njoftuar se nuk e mbeshtet këtë nism.

Kurti: Ndryshimet në ligj janë të ngutshme, por LVV-ja do t’i mbështesë

Kryeministri Albin Kurti ka deklaruar se lufta e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës ishte e drejtë, duke theksuar se ajo përbënte përgjigje jo vetëm ndaj heqjes së autonomisë, por edhe ndaj gjenocidit të Serbisë në Kosovë.

Duke u ndalur te ndryshimet në Ligjin për Dhomat e Specializuara, Kurti vlerësoi se koha për analizimin e tyre ka qenë e shkurtër dhe se veprimet e ndërmarra po shihen si të ngutshme. Ai rikujtoi se veprime të tilla të nxituara janë bërë edhe në vitin 2015, duke nënvizuar se zemërimi i sotëm i qytetarëve ndaj kësaj gjykate është i drejtë dhe ka ekzistuar që nga fillimi, po nuk u mor parasysh atëherë.

Pavarësisht kritikave se përgjegjësia kryesore u takon atyre që e votuan themelimin e Speciales, kryeministri konfirmoi se Lëvizja Vetëvendosje do t’i mbështesë ndryshimet e propozuara ligjore.

 

Haradinaj: Aleanca mbështet ndryshimet në ligj, anulimi i Speciales do të ishte përgjigja e drejtë

Deputeti  i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës (AAK), Ramush Haradinaj, ka konfirmuar se subjekti i tij politik do t’i votojë ndryshimet në Ligjin për Dhomat e Specializuara. Haradinaj kërkoi që projektligji të shqyrtohet dhe të votohet sot edhe në lexim të dytë brenda seancës plenare.

Gjatë fjalës së tij, kreu i AAK-së theksoi se vendi mban përgjegjësi për vendimet e kaluara, por nëvizoje se kërkohet veprim i menjëhershëm.

“Anulimi i Dhomave të Specializuara do të ishte përgjigja e drejtë për fyerjen që na është bërë, por Aleanca do ta mbështesë nismën që është sot para Kuvendit. Rrugëtimin tonë deri këtu e kemi bërë edhe me gabime, por fajin duhet ta gjejmë te vetja, sepse vetëm ne mbajmë përgjegjësi për fatin dhe të vërtetën tonë”, deklaroi Haradinaj.

 

LDK: Nuk mund të bëhemi pjesë e kësaj nisme

Deputetja e LDK-së, Jehona Lushaku-Sadriu, tha se partia e saj nuk mund të bëhet pjesë e nismës për ndryshimin e Ligjit për Dhomat e Specializuara.

Ajo u bëri thirrje deputetëve që, gjatë votimit, të veprojnë “në interes të drejtësisë”.

“Për LDK-në, lufta e UÇK-së është e shenjtë”, tha Lushaku-Sadriu.

Ajo argumentoi se miratimi i ndryshimeve nga Kuvendi nuk garanton zbatimin e tyre dhe se nisma “mund të mos prodhojë efekt juridik”.

Jehona Lushaku-Sadriu, tha se për partinë e saj lufta e UÇK-së “ka qenë e shenjtë”, por ngriti pikëpyetje për efektin juridik të ndryshimeve të propozuara në Ligjin për Dhomat e Specializuara.

Ajo tha se miratimi i ndryshimeve nga Kuvendi nuk garanton zbatimin e tyre.

“Kjo nismë mund të mos prodhojë efekt juridik”, tha Lushaku-Sadriu, duke paralajmëruar se pasojat mund t’i mbeten shtetit të Kosovës.

Sipas saj, për LDK-në, rruga për ndryshimin e një aktgjykimi të Dhomave të Specializuara është ajo gjyqësore, përmes procesit të apelit.

 

Hamza kërkon qëndrim unik të partive për Specialen

Kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës (PDK), Bedri Hamza, ka kërkuar nga të gjitha subjektet politike në Kuvend që të jenë në një linjë lidhur me procesin e ndryshimit të Ligjit për Dhomat e Specializuara, duke theksuar se kjo nismë shkon përtej interesave partiake.

Gjatë fjalës së tij në Kuvend, kreu i PDK-së ngriti shqetësime për mënyrën se si po funksionon Gjykata Speciale në Hagë.

“Kemi pritur që me i dhënë mundësinë kësaj gjykate të japë vendim mbi bazën e fakteve dhe argumenteve, dhe jo mbi bazën e thashethemeve. Kjo gjykatë nuk i ka dhënë askujt llogari”, tha Hamza, duke kërkuar që Kuvendi të përdorë mekanizmat mbikëqyrës ndaj saj.

Hamza nënvizoi se lufta e UÇK-së ishte përpjekje gjithëpopullore për çlirim dhe iu bëri thirrje deputetëve për unitet në votimin e këtij projektligji.

“Këtu sot jam me ju që të kemi qëndrim unik në votimin e këtij projektligji. Nuk është ligj i një partie politike, është ligj që shkon përtej një mandati politik. Organizimi i UÇK-së ka qenë për çlirimin e vendit. Ju lus me mirësjellje që të jemi unikë në këtë proces”, deklaroi kryetari i PDK-së.

 

Nagavci: LVV do t’i mbështesë ndryshimet në Ligjin për Specialen

Shefja e Grupit Parlamentar të Lëvizjes Vetëvendosje, Arbërie Nagavci, ka deklaruar në Kuvend se LVV-ja do t’i mbështesë ndryshimet e propozuara në Ligjin për Dhomat e Specializuara. Nagavci rikujtoi se Vetëvendosje ka qenë kundër krijimit të kësaj gjykate që nga fillimi dhe vazhdon të mbajë të njëjtin qëndrim edhe sot, duke e cilësuar reagimin e partive të tjera pas 11 vitesh si të vonuar.

Pavarësisht kësaj, ajo theksoi se çështja është dashur të zgjidhej me më shumë largpamësi që në vitin 2015, kur ligji u miratua nga shumica e atëhershme parlamentare. Nagavci nënvizoi se, nëse vetë subjektet që mbështetën themelimin e Speciales sot kërkojnë ndryshimin e saj, LVV-ja do ta japë mbështetjen e saj në votim.

Gruda: Projektligji i heq Speciales juridiksionin për krimet e luftës

Deputeti i PDK-së dhe propozuesi i projektligjit, Përparim Gruda, ka deklaruar para Kuvendit se Dhomat e Specializuara u themeluan fillimisht mbi pretendimet për trafikim organesh, por proceset gjyqësore në Hagë provuan se akuza të tilla nuk kanë ekzistuar.

Gruda sqaroi se ndryshimet e propozuara nuk e mbyllin Gjykatën Speciale, por synojnë t’i kufizojnë një pjesë të juridiksionit, veçanërisht atë që lidhet me krimet e luftës. Sipas tij, gjykata nuk duhet të merret me raste që dalin jashtë qëllimit primar mbi të cilin ajo u krijua.

Ai argumentoi se struktura aktuale e gjykatës ka tejkaluar qëllimin primar për të cilin u krijua, duke u marrë me raste që nuk lidhen me bazën mbi të cilën u miratua fillimisht ky institucion.

Nis seanca e Kuvendit, pika e parë ndryshimet për Gjykatën Speciale

Me më shumë se një orë vonesë, ka nisur seanca plenare e Kuvendit të Kosovës, ku pas verifikimit të kuorumit u konstatua prania e 101 deputetëve në sallë.

Pika e parë e rendit të ditës është shqyrtimi i Projektligjit për ndryshimin e Ligjit për Dhomat e Specializuara, nismë kjo që ka marrë vëmendjen kryesore të zhvillimeve politike sot.

Komisioni për Legjislacion miraton ndryshimet për Specialen

Komisioni për Legjislacion ka miratuar të hënën, në një mbledhje urgjente para seancës plenare, Projektligjin për ndryshimin e Ligjit për Dhomat e Specializuara të Kosovës. Dokumenti u votua njëzëri nga 9 deputetët e pranishëm, pa asnjë votë kundër dhe pa asnjë abstenim.

Gjatë arsyetimit të nismës, deputeti i Partisë Demokratike të Kosovës (PDK), Përparim Gruda, theksoi se përmes këtij ndryshimi të ligjit të zakonshëm synohet t’i hiqet një pjesë e juridiksionit Gjykatës Speciale, konkretisht ajo e krimeve të luftës, pa prekur Kushtetutën apo detyrimet ndërkombëtare.

Kryetari i Komisionit, Vigan Qorolli, konfirmoi mbështetjen e deputetëve të Lëvizjes Vetëvendosje (LVV), duke cilësuar se lufta e UÇK-së është pjesa më e lavdishme e historisë dhe se katër krerët e saj duhet të prezumohen të pafajshëm.

Ndërkaq, Besnik Tahiri nga Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës (AAK) vlerësoi se procesi gjashtëvjeçar dëshmoi se qëllimi i themelimit të kësaj gjykate është tejkaluar, duke shtuar se ligjet nuk janë të pandryshueshme dhe institucionet duhet të reflektojnë sipas nevojave të kohës. /E.A/

Continue Reading

Lajmet

Bashkë-yjet e “Friends” refuzojnë të marrin pjesë në dokumentarin për Matthew Perry

Published

on

Jennifer Aniston, Courteney Cox, Lisa Kudrow, Matt LeBlanc dhe David Schwimmer nuk do të marrin pjesë në dokumentarin e ri të Netflix për aktorin e ndjerë Matthew Perry, sipas burimeve të cituara nga “Page Six”.

Bëhet fjalë për serialin dokumentar me tri pjesë “The One About Matthew Perry”, i cili do të trajtojë jetën, karrierën dhe betejën e aktorit me varësinë, përmes rrëfimeve të familjarëve, miqve dhe bashkëpunëtorëve të tij.

Sipas burimeve, pesë aktorët e “Friends” janë kontaktuar nga ekipi i dokumentarit, por kanë vendosur të mos marrin pjesë. Në vend të tyre, dokumentari do t’u japë hapësirë njerëzve të tjerë që e kanë njohur dhe kanë qenë pranë Perry-t gjatë jetës së tij.

Një burim ka thënë se për Jennifer Aniston, e cila ishte veçanërisht e afërt me Perry-n, do të ishte e vështirë ta përjetonte përsëri humbjen në mënyrë publike dhe para kamerave.

Dokumentari, i drejtuar nga Mary Robertson, do të përfshijë edhe rrëfimin e motrës së Perry-t, Mia Perry Bowick, si dhe fotografi dhe video të papublikuara nga arkivi privat i familjes.

Matthew Perry u bë i njohur në mbarë botën për rolin e Chandler Bing në serialin “Friends”, i cili u transmetua nga viti 1994 deri më 2004. Pas përfundimit të serialit, ai mbeti i afërt me bashkë-yjet e tij.

Perry ndërroi jetë në tetor të vitit 2023, në moshën 54-vjeçare. Sipas autoriteteve, shkaku i vdekjes ishte efektet akute të ketaminës. Hetimi për vdekjen e tij çoi në arrestimin e pesë personave, përfshirë asistentin e tij dhe dy mjekë.

Aktori kishte folur publikisht për betejën e tij me varësinë dhe për përpjekjet për t’u rehabilituar. Në vitin 2022 ai publikoi kujtimet “Friends, Lovers, and the Big Terrible Thing”, ku rrëfeu përvojën e tij personale me varësinë dhe shërimin./A.K/

Continue Reading

Lajmet

Ramë Lahaj nis turneun ndërkombëtar “PASSION & ORIGIN” në Zürich

Published

on

Tenori kosovar me famë ndërkombëtare, Ramë Lahaj, po përgatitet për koncertin që do të hapë turneun e tij ndërkombëtar “PASSION & ORIGIN”, më 10 tetor në Zürich të Zvicrës.

Në skenën e Kongresshaus Zürich, Lahaj do të performojë së bashku me ARMA Ensemble, me një program muzikor që ndërthur repertorin shqiptar me këngë italiane, chanson franceze dhe muzikë nga kinemaja.

Pas koncertit në Zürich, turneu do të vazhdojë në Düsseldorf më 30 tetor, në Vjenë më 8 nëntor dhe në Toronto më 13 dhjetor. Organizatorët kanë bërë të ditur se pritet të shtohen edhe qytete të tjera në kalendarin e turneut.

Biletat për koncertin në Zürich tashmë janë në shitje përmes platformës Ticketmaster.

Përmes këtij turneu, Ramë Lahaj synon të sjellë para publikut ndërkombëtar një program që bashkon traditën muzikore shqiptare me repertorin ndërkombëtar, duke promovuar kulturën dhe identitetin shqiptar në skenat botërore./A.K/

Continue Reading

Lajmet

Oficerët e FSK-së përfundojnë trajnimin ushtarak kanadez në Bosnje dhe Hercegovinë

Published

on

By

Pesë oficerë të Forcës së Sigurisë së Kosovës (FSK) kanë marrë pjesë në kursin “Defence Resource Management Course”, të organizuar nga Ushtria Kanadeze në Bosnje dhe Hercegovinë.

Gjatë trajnimit njëjavor, pjesëmarrësit avancuan njohuritë në menaxhimin e resurseve të mbrojtjes, prokurim, projekte dhe burime njerëzore, duke shkëmbyer praktikat më të mira ushtarake kanadeze që mund të zbatohen në FSK.

Përveç aktivitetit ushtarak, ekipi i FSK-së vizitoi edhe Shoqatën e Shqiptarëve në Bosnje dhe Hercegovinë, ku u prit nga përfaqësues të komunitetit shqiptar atje.

Pjesëmarrja në këtë program ndihmon në ngritjen e kapaciteteve profesionale të personelit ushtarak kosovar dhe fuqizon bashkëpunimin me partnerët ndërkombëtarë. /E.A/

Continue Reading

Lajmet

Baleti i Shqipërisë dhe Kosovës bashkohen në një skenë, publiku duartroket për 10 minuta

Published

on

Premiera botërore e veprës “Neighbours / from Motherland”, e cila hapi Festivalin Ndërkombëtar të Vallëzimit në Tiranë, u prit me duartrokitje për 10 minuta nga publiku.

Vepra, e krijuar nga Brigel Gjoka dhe Rauf “Rubberlegz” Yasi, bashkoi për herë të parë në të njëjtën skenë trupat e Baletit të Shqipërisë dhe Baletit të Kosovës.

E shfaqur në Teatrin Kombëtar të Operës dhe Baletit në Tiranë, kjo vepër e baletit bashkëkohor vuri në qendër rrënjët e përbashkëta dhe identitetin, duke sjellë një bashkëpunim artistik mes dy trupave shqiptare.

Salla e teatrit ishte e mbushur me artdashës, të cilët ndoqën hapjen e edicionit të pestë të Festivalit Ndërkombëtar të Vallëzimit në Tiranë (IDFT).

Ministri i Turizmit, Kulturës dhe Sportit në Shqipëri, Blendi Gonxhja, ndau pamje nga performanca dhe bëri të ditur se më 7 tetor shfaqja do të prezantohet edhe në Teatrin Kombëtar të Kosovës në Prishtinë.

Festivali vazhdon me aktivitete të tjera, duke sjellë në Tiranë artistë dhe produksione nga skena ndërkombëtare e vallëzimit bashkëkohor./ATSH/A.K/

Continue Reading

Të kërkuara