Lajmet

Kina po e humb tregun në Evropë dhe prezencën në Ballkan

Published

on

Nga një marrëdhënie e ngrirë për investime me Bashkimin Evropian e deri te tërheqja e Lituanisë nga formati i Kinës për përfshirje në Evropën Qendrore dhe Lindore, Pekini e ka gjetur veten në situatë jo të mirë në javët e fundit.

Marrëveshja ambicioze e Kinës për tregti dhe investime në Bashkimin Evropian është në teren të rrëshqitshëm dhe situata nuk pritet të ndryshojë shpejt.

Parlamenti Evropian ka miratuar një rezolutë më 20 maj, që ndalon zbatimin e marrëveshjes derisa Kina të heqë sanksionet e vendosura ndaj ligjvënësve dhe institucioneve evropiane.

Këto sanksione kanë qenë përgjigje ndaj mospajtimeve që lidhen me trajtimin që i bën Pekini minoritetit ujgur dhe myslimanëve tjerë në Provincën Ksinjiang, si dhe për sanksionet e vendosura ndaj Kinës nga ana e Brukselit, në muajin mars.

Vendimi për të penguar zbatimin e marrëveshjes jep shenja për qasje më të ashpër ndaj Kinës në Evropë. Gjermania do të mbajë zgjedhjet në shtator të këtij viti, të cilat mund të ndikojnë në politikë të jashtme më të ashpër ndaj Pekinit, dhe e njëjta gjë mund të ndodhë me Republikën Çeke në tetor.

Opozita në Hungari po ashtu synon të largojë nga pushteti kryeministrin Viktor Orban më 2022, gjë që mund të kthejë mbrapsht qëndrimin e Budapestit pro-Kinës.

Ndërkohë, Lituania ka çimentuar largimin e saj nga formati 17+1, të lansuar nga Kina, me qëllim të angazhimit në shtetet e Evropës Lindore dhe asaj Qendrore.

Ministri i Jashtëm i Lituanisë, Gabrielius Landsbergis ka thënë për mediumin Politico se ky format është përçarës. Ai u ka bërë thirrje vendeve tjera që t’i bashkohen Vilniusit dhe të tërhiqen.

Pse ka rëndësi kjo gjë?

Muaji i mjaltit me Kinën mund të ketë mbaruar, mirëpo kjo nuk nënkupton se divorci është mundësi në tavolinë.

Mirëpo duke gjykuar nga reagimet zyrtare të Pekinit, përmirësimi i marrëdhënieve tejet të tendosura, nuk do të ndodhë shpejt.

Pas bërjes publike të lajmit se marrëveshja nuk do të zbatohet, Kina ka fajësuar BE-në, dhe zëdhënësi i Ministrisë së Jashtme kineze, ka thënë se Brukseli duhet të fokusohet “më pak në shpërthime emocionale dhe më shumë në mendim racional”.

Kjo gjë më pas është përcjellë nga Ministri i Jashtëm kinez Wang Yi, i cili ka kritikuar bllokun evropian pse ka vendosur sanksione për shkak të të drejtave të njeriut.

Duke folur përmes video-lidhjes në Konferencën për Siguri, të mbajtur në Mynih sa i përket akuzave për gjenocid në Ksinjiang, Wang ka thënë se “miqtë tanë evropianë e dinë çfarë është gjenocidi”.

Mirëpo përtej fjalëve të ashpra, Pekini ka treguar po ashtu se strategjia e tij e madhe nuk ka devijuar rrugën plotësisht në rajon.

Kina ka organizuar një seri të takimeve të profilit të lartë me Kroacinë, Hungarinë, Poloninë, Serbinë dhe Slloveninë.

Kroacia dhe Polonia kanë ofruar përkrahje zyrtare për përfshirje të Kinës në rajon, derisa Serbia ka nënshkruar një mori marrëveshjesh me të.

Kina përshtatet me një Lukashenko të çrregullt

Kur disa lexues kanë pyetur se si incidenti me aeroplan në Bjellorusi ndikon në lidhjet mes Minskut dhe Pekinit, disa përgjigje kanë qenë kështu:

“Incidenti i fundit me aeroplan në Bjellorusi do të ndikojë më shumë në rikrijim sesa dëmtim të lidhjeve në mes të Minskut dhe Pekinit. Për aq kohë sa Minsku të plotësojë kushtet kreditore të huasë kineze dhe sanksionet perëndimore të mos pengojnë tregtinë e Bjellorusisë, atëherë projektet dhe tregtia me Kinën do të vazhdojnë të zhvillohen, pavarësisht rrugës më pak të parashikueshme”, ka thënë Peter Braga, ekspert për marrëdhëniet në mes të Bjellorusisë dhe Kinës në Universitetin College të Londrës.

Pekini ka kritikuar reagimet evropiane për incidentin në Bjellorusi, duke iu referuar rrëmbimit si “opinion dhe jo fakt”, si dhe i ka quajtur sanksionet të pabaza.

Testimi i ujërave të mbrojtjes

Serbia ka shpenzuar 19.3 milionë dollarë në gjashtë dronë ushtarakë kinezë, sipas një hulumtimi të gazetares Milla Gjurgjeviq nga Shërbimi i Ballkanit i Radios Evropa e Lirë.

Dronët e tipit CH92-A janë blerë nga Beogradi në korrik të vitit 2020 dhe janë prezantuar në një konferencë për media nga presidenti serb Aleksandar Vuçiq.

Megjithatë, çmimi i dronëve nuk është bërë i ditur. Vuçiq ka refuzuar të përgjigjet kur është pyetur për çmimin, duke thënë se ky informacion është “sekret ushtarak”.

“Kjo gjë është e zakonshme dhe nuk ka të bëjë me Kinën, mirëpo këta dronë nuk janë të shtrenjtë”, ka thënë Vuçiq atëbotë.

Mirëpo gjatë një hulumtimi të bazë së të dhënave të Zyrës së Statistikave të Serbisë është parë se 19.3 milionë dollarë janë harxhuar për blerje të pajisjeve ajrore nga Kina më 2020. Dronët kanë qenë të vetmit që janë bërë nga Kina gjatë atij viti.

Përveç çmimit të dronëve, kjo vlerë ka rëndësi pasi tregon për shtrirjen e Kinës në sektorin evropian të mbrojtjes.

Ndonëse dronët ushtarakë të Kinës janë parë në konfliktet në Lindje të Mesme dhe Afrikë Veriore, dërgimi i tyre në Serbi ka shënuar herën e parë që Kina ka eksportuar këto produkte në Evropë.

Sipas një raporti të muajit janar nga Instituti Mbretëror i Shërbimeve të Bashkuara, Kina ka synuar që të zgjerojë tregun e saj në Evropë për një kohë tashmë, mirëpo kjo gjë është penguar nga një embargo për armët që blloku evropian ka vënë më 1989, për shkak të shtypjes së protestave në Sheshin Tiananmen nga ana e Pekinit.

Ashtu si me shumë fusha të tjera të politikave – nga bashkëpunimi arsimor te teknologjitë e mbikëqyrjes – Serbia funksionon si një vitrinë në pragun e BE-së për industritë dhe iniciativat që Pekini po kërkon t’i zgjerojë.

Përforcues diplomatik për Azinë Qendrore

“Diplomacia me vaksina” e Kinës ka marrë vëmendje nga të gjitha mediat në botë, mirëpo sa po funksionojnë përpjekjet e Pekinit në Azinë Qendrore?

Ndonëse pesë vaksinat e ndryshme të Kinës kanë gjetur relativisht mbështetje në vendet në zhvillim – sidomos në Ballkan, Azinë Jugore dhe Afrikë – Azia Qendrore vazhdon të jetë rast interesant studimi.

Dozat e vaksinave janë duke mbushur zbrazëtirat që kanë mbetur në shpërndarje të vaksinave, mirëpo besimi në to në Azinë Qendrore është i ulët.

Vaksina më e preferuar në këtë rajon është “Sputnik V” e Rusisë.

Mirëpo prodhimi dhe furnizimi me vaksinën ruse është duke rënë, çka ka lënë këtë rajon të varur nga programi COVAX i Organizatës Botërore të Shëndetësisë, që synon të shpërndajë vaksina në vendet e varfra por edhe nga një përzierje e vaksinave kineze, me qëllim të plotësimit të kërkesave.

Kjo zonë është e komplikuar për të zbatuar “diplomacinë me vaksina”, pasi Taxhikistani pretendon se nuk ka regjistruar asnjë rast me koronavirus këtë vit derisa Turkmenistani ka thënë se nuk regjistruar kurrë persona të infektuar me koronavirus, pavarësisht të dhënave për të kundërtën.

Rruga në Podgoricë

Pekini është i gatshëm që t’i ofrojë Malit të Zi një greis periudhë për borxhin (një afat i caktuar për mospagim të kredisë) prej 1 miliard dollarësh që ka ndaj Bankës Eksport-Import të Kinës, për projektin kundërthënës të ndërtimit të autostradës.

Ky projekt ka bërë që Mali i Zi të futet në një situatë të vështirë financiare.

Diskutimi ka ardhur pas një bisede telefonike në mes të presidentit malazez Millo Gjukanoviq me presidentin kinez Xi Jinping më 26 maj.

Gjukanoviq, i cili ka qenë kryeministër kur është nënshkruar projekti për autostradën më 2014, ka mirëpritur më shumë investime kineze në këtë shtet, dhe ka diskutuar bashkëpunimin më të gjerë edhe në fusha tjetër, përfshirë turizmin dhe edukimin.

Xi po ashtu ka përmendur projektin e hekurudhave dhe ka ofruar mundësinë që afati i caktuar për mospagesë të kredisë të zgjatet në Podgoricë, e cila duhet të kryejë pagesat e para në korrik të këtij viti.

Ky çmim tejet i lartë ka fituar vëmendje ndërkombëtare më herët në pranverë, pasi zëvendëskryeministri i Malit të Zi, Dritan Abazoviq ka kërkuar ndihmën e Bashkimit Evropian për t’i ndihmuar Malit të Zi që të paguajë huanë. Më vonë Brukseli ka refuzuar kërkesën.

Ky projekt ka qenë kontrovers nga ditët e para, ndonëse kishte pranuar dritën e gjelbër nga mbështetësit kinezë dhe Qeveria e Gjukanoviqit, pavarësisht dështimit në dy studime fizibiliteti.

Hekurudha është e pakompletuar dhe vlerësohet se çmimi i saj është rritur me kalimin e kohës. Kina tani ka në dorë një të katërtën e borxhit të përgjithshëm të Malit të Zi, i cili ka arritur 103 për qind të bruto prodhimit të brendshëm vitin e kaluar.

Kina nëpër kontinent

Një komunë në Budapest ka riemëruar rrugët rreth zonës së propozuar për Univeristetin Fudan në Hungari në Rrugën Dalai Lama, Rruga e Martirëve Ujgurë dhe Rruga e Hong Kongut të lirë.

Qeveria serbe ka ndarë 19.5 milionë dollarë për ndërtim të një fabrike që do të prodhojë vaksinën Sinofarm të Kinës.

Ministri i Jashtëm hungarez Peter Szijjarto ka njoftuar po ashtu gjatë një udhëtimi më 31 maj se Sinofarm do të prodhohet edhe në Hungari, në një fabrikë që aktualisht është duke u ndërtuar.

Kazakistani ka refuzuar që t’iu sigurojë shtetësinë tre kazakëve, të cilët kanë ikur nga rajoni Ksinjiang i Kinës dhe janë nisur ilegalisht në këtë shtet, duke u frikësuar se mund të dërgohen në kampe të internimit, ka raportuar gazetari Aigerim Toleukhanova nga Shërbimi kazak i Radios Evropa e Lirë.

Qaisha Aqan, Murager Alimuly, dhe Kaster Musakhanuly u është garantuar statusi i refugjatit në Kazakistan, mirëpo kjo nuk iu jep të drejta në këtë shtet, sikurse e drejta për të punuar. Meqë shtetësia u është refuzuar, e ardhmja e tyre mbetet e pasigurt.

Yang Jiechi, i cili drejton Komitetin Qendror të Kinës për Marrëdhënie me Jashtë, ka qenë në Moskë në periudhën 24-26 maj, për të diskutuar për sigurinë, në kohën e forcimit të lidhjeve në mes të Pekinit dhe Kremlinit, të cilat po rrisin konfrontimin me Shtetet e Bashkuara.

Beogradi dhe Pekini kanë shkruar një seri marrëveshjesh në mes të ministrive të tyre të brendshme më 27 maj, të cilat parashohin më shumë stërvitje dhe trajnim për luftim të terrorizmit dhe krimit të organizuar.

Hulumtimi shtatëmujor nga agjencia e lajmeve Associated Press ka gjetur se një mori llogarish të rreme kanë shpërndarë deklaratat e diplomatëve kinezë dhe mediave shtetërore “duke tentuar të fshehurazi të shpërndajnë propagandën te qindra miliona persona”.

Ku duhet fokusuar?

Presidenti amerikan Joe Biden ka urdhëruar agjenci shtetërore të inteligjencës që të rrisin përpjekjet për të gjetur origjinën e koronavirusit, pasi teoria se virusi mund të ketë dalë nga Instituti i Vuhanit për Virologji është kthyer sërish në lojë.

Fillimisht e konsideruar si teori konspirative dhe e politizuar nga administrata e ish-presidentit Donald Trump, Biden është duke folur hapur për këtë teori pas sigurimit të informacioneve të reja nga inteligjenca amerikane.

Shumica e ekspertëve besojnë se virusi është bartur nga kafshët te njerëzit, mirëpo sekreti i Kinës rreth virusit ka nxjerrë në pah edhe mundësi tjera.

Në një letër të shkruar për revistën shkencore Science, një grup prej 18 shkencëtarësh kanë thënë se të dyja teoritë janë të mundshme dhe duhet trajtuar me seriozitet, derisa të sigurohen të dhëna tjera.

Zyrtarët kinezë kanë hedhur poshtë idenë se virusi ka dalë nga laboratori, mirëpo me rritjen e zërit nga administrata Biden për këtë teori, lufta e fjalëve në mes të Pekinit dhe Uashingtonit pritet të rritet sërish. 

Continue Reading

Vendi

Tetë raste të dhunës në familje brenda një dite në Kosovë

Published

on

By

Brenda vetëm një dite, në Policinë e Kosovës janë raportuar gjithsej tetë raste të dhunës në familje, duke shpërfaqur një situatë shqetësuese në disa komuna të ndryshme të vendit. Incidentet e regjistruara përfshijnë sulme fizike, dhunë psikologjike, dëmtim të pronës shtëpiake si dhe raste ku ka qenë e nevojshme edhe ndërhyrja mjekësore për viktimat.

Rajoni i Prishtinës ka shënuar numrin më të madh të rasteve. Në kryeqytet është intervistuar një burrë nën dyshimin se ka ushtruar dhunë psikologjike ndaj një gruaje, ku me vendim të prokurorit palët janë liruar në procedurë të rregullt.

Ndërkaq, në Fushë-Kosovë janë regjistruar tri raste të ndara: në të prinin arrestimi i një gruaje që dyshohet se ka demoluar e thyer orenditë e shtëpisë, si dhe përleshja fizike mes një burri dhe një gruaje pas një përplasjeje verbale, ku të dy u liruan më pas.

Po në Fushë-Kosovë, një burrë është dërguar direkt në mbajtje pasi ka ushtruar dhunë fizike ndaj një gruaje, e cila është detyruar të kërkojë ndihmë mjekësore për shkak të lëndimeve të pësuara.

Raste të tjera të dhunës dhe sulmeve fizike janë raportuar edhe në qytete të tjera të Kosovës. Në Graçanicë, policia ka arrestuar një burrë që në gjendje të dehur ka sulmuar fizikisht një grua, rast ky që do të vazhdojë në procedurë të rregullt. Në Klinë po ashtu është raportuar një sulm fizik i një burri ndaj një gruaje, me të dyshuarin që është liruar me urdhër të prokurorit.

Ndërkaq, masa më të rrepta janë marrë në Ranillug dhe Gjakovë, ku dy burra janë dërguar në mbajtje: i pari për shkak se dyshohet se ka ushtruar në mënyrë të vazhdueshme dhunë psikologjike ndaj një gruaje, ndërsa i dyti në Gjakovë për ushtrim të dhunës psikike ndaj një burri tjetër në familje. /E.A/

 

Continue Reading

Aktualitet

United Hospital, modeli i ri i spitalit privat në Kosovë: Teknologji e avancuar, ekspertizë dhe pacienti në qendër

Published

on

By

Sistemi shëndetësor në Kosovë po pasurohet vazhdimisht me teknologji të reja dhe qasje bashkëkohore në trajtimin e pacientëve. Në këtë drejtim, United Hospital Prishtinë po sjell vazhdimisht risi në fushën e diagnostikimit dhe trajtimit, duke synuar ofrimin e shërbimeve moderne shëndetësore nën një çati.

I njohur si një nga spitalet e përgjithshme private më të mëdha në Kosovë, United Hospital ofron kujdes shëndetësor dhe shërbim emergjent 24 orë në ditë, 7 ditë në javë, duke u mundësuar pacientëve qasje në një gamë të gjerë shërbimesh mjekësore.

Një vizion i ri për shëndetësinë private në Kosovë

Pas një karriere të konsoliduar në botën akademike dhe me një përvojë të gjerë në arsimin universitar, Edmond Hajrizi po e shtrin vizionin dhe ekspertizën e tij edhe në një sektor tjetër me rëndësi të veçantë për shoqërinë – shëndetësinë. Si figurë e njohur në fushën akademike, Hajrizi ka zgjedhur që përvojën e tij profesionale dhe ndërkombëtare ta vërë në funksion të zhvillimit të një modeli bashkëkohor të kujdesit shëndetësor në Kosovë, përmes drejtimit të United Hospital.

Nën këtë qasje, spitali synon të ndërtojë një standard ku ekspertiza profesionale, teknologjia moderne, organizimi institucional dhe kujdesi ndaj pacientit ndërthuren në një model të orientuar drejt praktikave bashkëkohore evropiane. Investimi në pajisje të avancuara, zgjerimi i shërbimeve mjekësore dhe përfshirja e ekspertizës profesionale janë pjesë e një vizioni që synon ta ndryshojë mënyrën se si perceptohet dhe ofrohet kujdesi shëndetësor privat në Kosovë.

Për Hajrizin, përvoja e fituar në ambientet akademike dhe ndërkombëtare nuk mbetet vetëm pjesë e një karriere personale, por po shndërrohet në një qasje menaxheriale dhe zhvillimore që synon të sjellë inovacion, standarde të reja dhe shërbime më cilësore për pacientët kosovarë. Në këtë kuadër, United Hospital po pozicionohet si një projekt ambicioz në zhvillim të vazhdueshëm, ku teknologjia dhe profesionalizmi synojnë të jenë në qendër të kujdesit ndaj pacientit.

Edmond Hajrizi vlerëson se United Hospital është duke avancuar në drejtimin e duhur, duke e mbështetur këtë zhvillim në investimin e vazhdueshëm në kapitalin profesional dhe në përfshirjen e kuadrove të përgatitura, me përvojë dhe bagazh të dëshmuar në fushat e tyre.

Sipas tij, synimi është që përvoja akademike dhe menaxheriale të ndërthuret me praktikat më të avancuara evropiane, për të krijuar një model bashkëkohor të shërbimeve shëndetësore në Kosovë.

“Unë po punoj që ta sjellim përvojën akademike dhe ta ndërthurim atë me situata, praktika dhe eksperienca nga shtetet evropiane. Jam i lumtur që po ndërtojmë një spital model, i cili në fokus ka shëndetin dhe mirëqenien e pacientit. Pacienti për ne është në qendër të vëmendjes dhe kemi filluar që edhe çmimet t’i harmonizojmë me mundësitë dhe pagën e qytetarit kosovar. Pra, pagesa nuk është dhe nuk duhet të jetë fokusi ynë; përkundrazi, në qendër janë rezultatet inkurajuese, shërbimi cilësor dhe përmirësimi i shëndetit të çdo pacienti që viziton United Hospital”, ka deklaruar Hajrizi.

Besimi i pacientëve, dëshmi e një standardi në rritje në United Hospital

Përvoja e pacientëve është një nga treguesit më të rëndësishëm të cilësisë së një institucioni shëndetësor, ndërsa United Hospital po merr vlerësime pozitive për profesionalizmin e stafit mjekësor, komunikimin korrekt me pacientët, përfshirë komunikimin në gjuhë të huaja, higjienën dhe kushtet moderne të ofruara. Në përshtypjet e pacientëve veçohet veçanërisht kombinimi i kujdesit profesional me teknologjinë bashkëkohore dhe ambientet e standardizuara, elemente që, sipas vlerësimeve të publikuara online, u japin pacientëve një përvojë të krahasueshme me standardet që ata kanë hasur në institucione shëndetësore në vende si Gjermania dhe Zvicra.

Teknologjia moderne në shërbim të pacientit

Një prej veçorive të institucionit është fokusimi në pajisje dhe teknologji bashkëkohore. Ndër pajisjet e përmendura është edhe CT me reduktim të rrezatimit deri në 40%, ndërsa në fushën e fizioterapisë përdoren pajisje BTL për dekompresim 3D të shtyllës kurrizore.

Këto teknologji synojnë të mbështesin proceset diagnostikuese dhe terapeutike, duke i dhënë stafit mjekësor mjete moderne për vlerësimin dhe trajtimin e pacientëve.

Shërbime të shumta mjekësore

United Hospital përfshin një gamë të gjerë departamentesh dhe shërbimesh, ndër to:

Kardiologji, kardiologji invazive dhe kardiokirurgji

Anesteziologji dhe mjekim intensiv

Kirurgji e përgjithshme dhe kirurgji torakale

Gjinekologji dhe obstetrikë

Pediatri dhe neonatologji

Ortopedi dhe traumatologji

Mjekësi interne

ORL dhe pulmologji

Radiologji

Kombinimi i ekipeve të specializuara, infrastrukturës spitalore dhe teknologjisë moderne synon të krijojë një qasje sa më të integruar ndaj nevojave shëndetësore të pacientëve.

Kujdes shëndetësor 24/7

Një tjetër element i rëndësishëm është shërbimi i emergjencës dhe kujdesi shëndetësor gjatë gjithë kohës. 24 orë në ditë, 7 ditë në javë, pacientët mund të kërkojnë ndihmë mjekësore në ambientet e spitalit.

Me zhvillimin e vazhdueshëm të teknologjisë dhe zgjerimin e shërbimeve, United Hospital synon të jetë pjesë e transformimit të vazhdueshëm të kujdesit shëndetësor privat në Kosovë, duke sjellë pajisje, metoda dhe shërbime të reja në funksion të pacientëve./rajonipress/

📍 Lokacioni: Magjistralja M2, Prishtinë–Ferizaj, Km 7, Prishtinë
📞 Kontakt: +383 46 607 070 / 038 60 70 70
🕐 Shërbimet: 24/7

 

Continue Reading

Vendi

Përzgjedhësi i Izraelit: Kosova ka cilësi të lartë, na pret ndeshje e vështirë

Published

on

By

Përzgjedhësi i Përfaqësueses së Izraelit, Ran Ben Shimon, ka vlerësuar lart cilësinë e Kosovës në prag të përballjes së sotme në Ligën e Kombeve, e cila zhvillohet në Debrecen të Hungarisë nga ora 20:45.

Izraeli ndodhet nën presion të madh për të marrë pikët e para në këtë edicion, pas dy humbjeve radhazi ndaj Austrisë dhe Irlandës. Në konferencën për shtyp para ndeshjes, Ben Shimon tregoi se pas analizës së gabimeve të vetes, stafi teknik ka studiuar me kujdes lojën e “Dardanëve”.

“Në ditët e para u përqendruam te vetja, se si të rikuperohemi dhe çfarë bëmë gabim. Më pas, vëmendjen e zhvendosëm te Kosova dhe avantazhet e saj,” deklaroi Ben Shimon.

Tekniku izraelit e cilësoi Kosovën si një nga përfaqësueset më cilësore të grupit.

“Ata janë një ekip me cilësi shumë të lartë, ndoshta më i miri në shtëpi së bashku me Austrinë. Ne presim një ndeshje të vështirë dhe komplekse, të cilën do të donim shumë ta fitonim.”

Ndeshja e sotme ka rëndësi të veçantë për të dyja taborët: Kosova kërkon të ngjitet në kuotën e 6 pikëve pas fitores me Irlandën dhe humbjes me Austrinë, ndërsa Izraeli synon me çdo kusht të dalë nga kriza e rezultateve. /E.A/

Continue Reading

Lajmet

Dita e ndeshjes: Dardanët kërkojnë fitoren përballë Izraelit

Published

on

By

Përfaqësuesja e Kosovës rikthehet sot në fushë për të zhvilluar ndeshjen e tretë në Grupin B3 të Ligës së Kombeve, ku do të përballet me Izraelin në terren neutral, në stadiumin “Nagyerdei” të Debrecenit në Hungari.

Kombëtarja e Kosovës e nisi këtë edicion me një fitore të rëndësishme 1-0 ndaj Republikës së Irlandës, por u mposht tri ditë më vonë nga Austria me rezultat 3-1. Me tri pikë të grumbulluara pas dy ndeshjeve, “Dardanët” renditen aktualisht në vendin e dytë në grup, pas Austrisë që kryeson me gjashtë pikë të plota.

Kundërshtari i sotëm i Kosovës, Izraeli, e ka nisur kampanjën në mënyrën më të keqe të mundshme. Pasi u mposht 3-1 nga Austria, izraelitët pësuan një tjetër humbje të thellë 3-0 ndaj Republikës së Irlandës. Me zero pikë dhe vetëm një gol të shënuar, ata ndodhen në fund të tabelës.

Për përzgjedhësin dhe futbollistët e Kosovës, sfida në Debrecen është një mundësi ideale për t’u rikthyer te rezultatet pozitive. Një fitore sot do t’i jepte ekipit moralin e nevojshëm përpara përballjes tjetër përcaktuese ndaj Austrisë, e cila zhvillohet më 4 tetor.

Ndeshja Izrael – Kosovë luhet sot, me fillim nga ora 20:45. /E.A/

Continue Reading

Të kërkuara