Me rastin e shënimit të Ditës Botërore të Shëndetësisë, Drejtoria e Shëndetësisë në Komunën e Prishtinës ka prezantuar programin e ri “Kujdesi në grup për prindërim”, që ka për qëllim përkrahjen dhe fuqizimin e prindërve të rinj, me një fokus të veçantë te prindërit dhe foshnjat. Ky program është një hap i rëndësishëm në mbështetje të shëndetit të prindërve dhe fëmijëve, duke ofruar informacione dhe mbështetje për periudhën kritike të prindërimit.
Kryetari i Komunës së Prishtinës, Përparim Rama, gjatë prezantimit të programit, theksoi se ky program është pjesë e një procesi të gjerë që ka filluar dy vjet më parë me vizitat në shtëpi për prindërit e foshnjave të sapolindura dhe trajnime për gratë shtatzëna. Ai shtoi se sot është dita e parë e trajnimit për prindërit që kanë foshnje të sapolindura, ku ata po përfitojnë informacione të nevojshme për të pasur një periudhë sa më të shëndetshme, si për foshnjat ashtu edhe për prindërit.

“Për trajnimet që kemi filluar sot është dita e parë e trajnimit të prindërve që kanë foshnje të sapolindura, për t’u trajnuar me informata shtesë që u nevojiten për të pasur një periudhë sa më të shëndetshme, si në aspektin psikik, ashtu edhe fizik, si për foshnjat, ashtu edhe për prindërit”, tha Kryetari Rama.
Drejtori i Shëndetësisë në Komunën e Prishtinës, Izet Sadiku, foli gjithashtu për rëndësinë e këtij programi, duke e cilësuar si programin e tretë të këtij lloji që ka për qëllim forcimin e kapaciteteve për gratë, nënat dhe fëmijët. Ai theksoi se ky program synon të kontribuojë në uljen e numrit të vdekjeve të grave gjatë shtatzënisë dhe të fëmijëve të porsalindur, duke i ofruar atyre mbështetje dhe informacion të duhur për kujdesin shëndetësor.
“Ne dëshirojmë të forcojmë programet për nënat dhe fëmijët. Sot në botë, për fat të keq, vdesin 300 mijë gra gjatë shtatzënisë dhe dy milionë fëmijë të porsalindur. Përmes këtyre programeve dhe përkrahjes që ofron UNICEF-i dhe Ministria e Shëndetësisë, ne kemi arritur të krijojmë kapacitetet për këto tri programe”, tha Sadiku.
Shefja e Zyrës së UNICEF-it në Kosovë, Veronika Vashchenko, e vlerësoi progresin që është arritur në përmirësimin e shëndetit të fëmijëve, por theksoi se ende ka nevojë për angazhim më të madh. Ajo theksoi se shumë fëmijë ende nuk marrin vaksinat, përfshirë fëmijët nga komunitetet rome, ashkalinj dhe egjiptianë, dhe për këtë arsye programet si vizitat në shtëpi duhet të zgjerohen.
“Fëmijët janë kapitali më i madh njerëzor i Kosovës. Vetëm një në tre fëmijë ushqehen me gji në mënyrë të plotë. Shumë fëmijë ende nuk marrin vaksinat. Prandaj, programe si vizitat në shtëpi duhet të zgjerohen, dhe prindërit duhet të kenë më shumë njohuri për kujdesin ndaj fëmijëve”, tha Vashchenko, duke shtuar se UNICEF është i përkushtuar të vazhdojë punën për mirëqenien e fëmijëve në Kosovë.
Një nga prindërit që ka marrë pjesë në këtë program, Qwndresa Qarreti, e cila është bërë nënë për herë të parë, ka ndarë përvojën e saj. Ajo theksoi se ky trajnim ka qenë një ndihmë shumë e madhe për të, veçanërisht për sa i përket gjidhënies dhe ushqyerjes së foshnjës.
“Për mua ka qenë ndihmesë shumë e madhe, sidomos për gjidhënien, sepse jemi nëna të reja dhe nuk kemi shumë informata për ushqyerjen e bebës, cila është më e mira për foshnjën e porsalindur. Për këtë gjë jam shumë falënderuese“, tha Qarreti.
Ky program është një hap i rëndësishëm për mbështetje të prindërve të rinj dhe përmirësimin e kushteve të kujdesit ndaj foshnjave, duke u siguruar atyre informacionet dhe mbështetjeve të nevojshme për të kaluar periudhën e paslindjes në mënyrë sa më të shëndetshme dhe të suksesshme./UBTNews/