Nëse dikush dëshiron të plaket shëndetshëm, zakonisht mendon për ushqim të balancuar, ecje të rregullta dhe shoqëri aktive.
Megjithatë, ekspertët nënvizojnë se ekziston edhe një zakon tjetër, po aq i rëndësishëm për shëndetin afatgjatë: ushtrimet me peshëngritje.
Për dekada, ngritja e peshave shihej si aktivitet ekskluziv për sportistët e rinj. Por, sipas Time, studimet e 20 viteve të fundit kanë treguar se përdorimi i peshave apo i peshës së trupit si rezistencë është një nga mënyrat më të fuqishme për të ruajtur shëndetin me kalimin e viteve.
Përfitimet nuk lidhen vetëm me biceps më të mëdhenj ose bark të sheshtë, por me forcimin e eshtrave, ruajtjen e metabolizmit, parandalimin e rënieve dhe uljen e rrezikut nga sëmundjet kronike.
Eshtra më të forta dhe më pak fraktura
Eshtrat duken të forta, por janë struktura dinamike që reagojnë ndaj stresit. Ato forcohen kur përdoren dhe dobësohen kur lihet inaktiviteti.
“Çdo ushtrim si squat, push-up apo ngritje peshe dërgon një sinjal trupit për të forcuar skeletin,” shpjegon fizioterapistja Kristen Lettenberger nga New Yorku. Presioni nga ushtrimet aktivizon qelizat që krijojnë ind të ri, duke rritur dendësinë me kalimin e kohës.
Dendësia e tyre arrin kulmin në të 20-at, e fillon të bjerë pas të 30-ave. Tek gratë, menopauza ose periudhat me ulje të estrogjenit e përshpejtojnë këtë proces, duke rritur rrezikun e osteoporozës dhe frakturave.
Ushtrimet me peshë janë një nga mënyrat më efektive për t’u mbrojtur nga këto ndryshime, sipas kirurgut ortoped Rahul Shah.
Muskujt, motor i metabolizmit
Përveç eshtrave, ushtrimet me peshë mbrojnë edhe masën muskulore, e cila ka rol të madh në metabolizëm. Muskujt djegin më shumë kalori edhe në pushim, ndihmojnë në kontrollin e sheqerit në gjak dhe rrisin ndjeshmërinë ndaj insulinës.
Me kalimin e moshës, njeriu humb 3–8% të masës muskulore çdo dekadë, proces i njohur si sarkopeni. Kjo ngadalëson metabolizmin, lehtëson shtimin në peshë e rrit rrezikun nga diabeti. Ruajtja e muskujve nuk është vetëm për pamjen fizike, por për shëndetin afatgjatë.
Ekuilibri dhe pavarësia
Një nga sfidat më të mëdha për të moshuarit është parandalimi i rrëzimeve, që shkaktojnë dëmtime serioze dhe humbje të vetëbesimit.
Ushtrimet, veçanërisht ato që përfshijnë këmbët dhe pjesën e mesme, ndihmojnë në ndërtimin e muskujve e përmirësimin e ekuilibrit.
Trajneri Tom Connolly, thotë se ekuilibri i mirë varet nga sa shpejt reagon truri dhe sa shpejt muskujt e trupit rikthejnë pozicionin e duhur.
Ushtrimet e forcës përmirësojnë të dyja këto aftësi, duke zvogëluar ndjeshëm rrezikun e rrëzimeve.
Parandalimi i sëmundjeve dhe shëndeti i përgjithshëm
Peshëngritja ka përfitime edhe për shëndetin metabolik e kardiovaskular. Ajo ul rrezikun nga diabeti i tipit 2, sëmundjet e zemrës, demenca dhe disa lloje të kancerit. Muskujt ndihmojnë trupin të përdorë glukozën e rrit ndjeshmërinë ndaj insulinës.
Ushtrimet përmirësojnë qarkullimin e gjakut, zvogëlojnë inflamacionin dhe ndihmojnë ruajtjen e kujtesës. Aktiviteti i rregullt mund të ulë rrezikun e vdekjes me rreth 15%.
Rregullsia mbi intensitetin
Nuk është e nevojshme të ngresh peshat më të rënda. Çelësi është rregullsia, ndërtimi gradual i forcës e krijimi i një rutine të qëndrueshme. Edhe disa seanca të shkurtra në javë mund të sjellin ndryshime të mëdha për muskujt, metabolizmin dhe shëndetin e përgjithshëm.
“Shëndeti i eshtrave duhet të fillojë të merret seriozisht më herët. Muskujt janë dhurata më e madhe që mund t’i bësh vetes ndërsa plakesh,” përfundon Lettenberger. /A.Z/UBT News/