TikTok ka nënshkruar një marrëveshje të mbështetur nga Presidenti Donald Trump për të ndarë asetet e saj në Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe për të krijuar një entitet të ri të përbashkët, të kontrolluar kryesisht nga investitorë amerikanë.
Lajmi u konfirmua nga CEO i TikTok, Shou Chew, në një memo drejtuar punonjësve të enjten, e siguruar nga CNN. Edhe pse transaksioni nuk është finalizuar ende, marrëveshja e çon platformën një hap më afër sigurimit të së ardhmes së saj afatgjatë në tregun amerikan.

Ky zhvillim vjen pas një ligji të miratuar vitin e kaluar, i cili kërkonte që TikTok në ShBA të shkëputej nga kompania mëmë kineze ByteDance, ose përndryshe të përballej me ndalim. Presidenti Trump e ka shtyrë zbatimin e ligjit disa herë, duke favorizuar një marrëveshje që do ta kalonte kontrollin e aplikacionit në duar amerikane.
“Sapo kemi nënshkruar marrëveshje me investitorët për krijimin e një sipërmarrjeje të re të përbashkët TikTok në ShBA, duke u mundësuar mbi 170 milionë amerikanëve të vazhdojnë të zbulojnë një botë me mundësi të pafundme,” shkroi Chew në memo.
Sipas marrëveshjes, 50% e entitetit të ri do të jetë në pronësi të një konsorciumi investitorësh që përfshin Oracle, Silver Lake dhe MGX, një firmë investimesh e mbështetur nga Emiratet e Bashkuara Arabe. Rreth 30% do të zotërohet nga bashkëpunëtorë të investitorëve ekzistues të ByteDance, ndërsa 19.9% do të mbetet në pronësi të vetë ByteDance.
Chew theksoi se ka ende hapa për t’u përfunduar, por palët synojnë finalizimin e marrëveshjes deri më 22 janar 2026. ByteDance dhe TikTok tashmë kanë rënë dakord për kushtet kryesore të transaksionit.
Administrata Trump njoftoi në shtator se kishte arritur një marrëveshje paraprake për transferimin e kontrollit të operacioneve amerikane të TikTok te investitorë kryesisht amerikanë. Presidenti nënshkroi një urdhër ekzekutiv që e cilëson marrëveshjen si një “shitje të kualifikuar” dhe shtyu zbatimin e ndalimit për 120 ditë.
Sipas ligjit amerikan, i cili teknikisht hyri në fuqi në janar, TikTok do të ndalohej nëse ByteDance nuk shiste rreth 80% të aseteve të saj në ShBA investitorëve jo-kinezë.
Entiteti i ri amerikan do të ritrajojë algoritmin e TikTok mbi të dhënat e përdoruesve amerikanë, ndërsa Oracle do të mbikëqyrë ruajtjen e të dhënave dhe sigurinë kibernetike. Gjithashtu, ndërmarrja e re do të jetë përgjegjëse për moderimin e përmbajtjes për përdoruesit në ShBA. Megjithatë, ByteDance pritet të vazhdojë të menaxhojë tregtinë elektronike, reklamimin dhe marketingun global të platformës.
Marrëveshja do të kërkojë gjithashtu miratimin e qeverisë kineze, i cili ende nuk është konfirmuar zyrtarisht. Ndërsa Trump ka deklaruar se Presidenti kinez Xi Jinping është dakord me marrëveshjen, Pekini ka mbajtur një qëndrim të rezervuar, duke theksuar se pozicioni i Kinës për çështjen e TikTok mbetet “i qartë dhe konsistent”./CNN/UBTnews