Kuvendi i Shqipërisë ka rrëzuar kërkesën e opozitës për një mocion me debat në lidhje me programin qeverisës për katër vitet e ardhshme. Me 73 vota kundër nga shumica, mocioni nuk kaloi, duke nxitur kështu reagime nga përfaqësues të opozitës.
Kryetari i Grupit Parlamentar të Partisë Socialiste, Taulant Balla, u shpreh se kërkesa e opozitës ishte e mangët dhe në kundërshtim me rregulloren e Kuvendit.
“Opozita nuk ka vullnet për debat real, ndaj dhe kërkesat e tyre nuk janë të plota”, tha Balla.
Debatet në seancë gjatë ditës së sotme, u përqendruan edhe rreth Kosovës, ka raportuar Euronews.
Kryetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha e quajti kryeministrin Edi Rama “shërbëtor të Vuçiçit”, ndërsa kritikoi edhe mungesën e një rezolute në Kuvend për gjenocidin serb në Kosovë. Poashtu edhe deputeti demokrat Tomor Alizoti e kritikoi mungesën e trajtimit të çështjes së Kosovës në programin qeverisës.
“Asnjë fjalë për Kosovën, asnjë qëndrim i qartë për rezolutën për gjenocidin. Kjo është një turp publik”, tha Alizoti.
Pjesë e debatit u bë edhe deputeti i PS-së, Ardit Bido, i cili tha se në Kuvend po dëgjohen deklarata që përshkruajnë liderët e UÇK-së si të akuzuar për gjenocid në Serbi – një gjë që, sipas tij, nuk e ka bërë as vetë Serbia. Berisha e mohoi këtë, duke e akuzuar Bidon për deformim të deklaratave.
Më vonë, përmes një video-mesazhi, Bido tha se nuk iu përgjigj dot Berishës në foltore për shkak të një problemi familjar, ndërsa sqaroi se deklarata për gjenocidin ishte bërë nga Tritan Shehu, jo nga Berisha.
Tutje gjatë këtij debati dhe në këtë seancë të Kuvendit, kreu i Partisë Republikane, Fatmir Mediu, deklaroi se do të marrë pjesë në protestën e së premtes në Tiranë në mbështetje të UÇK-së, duke theksuar se atje do të jetë si qytetar, jo si politikan.
Balla konfirmoi se kryeministri Edi Rama nuk do të marrë pjesë në protestë me arsyetimin se prezenca e tij do të politizonte ngjarjen./EO