28 vite më parë, nga 24 maji i vitit 1993 deri më 3 qershor të të njëjtit vit, gazetarët shqiptarë të Kosovës mbajtën grevë urie në Pallatin e Shtypit për mbrojtjen e fjalës së lirë. Greva nisi pasi Serbia nxori vendimin për marrjen nën kontroll të Pallatit të Shtypit, me çka përfundimisht gazetarëve shqiptarë u pamundësohej puna. Serbia po vendoste plotësisht terrin informativ në Kosovë. Grevës i priu Adem Demaçi. Pas 11 ditësh, pa asnjë rezultat, greva u ndërpre.
Në kohën e ish-Jugosllavisë, Radio Televizioni i Prishtinës – RTP ishte Radio Televizioni i parë i Kosovës. Puna e tij filloi në vitin 1945 në Prizren për të vazhduar funksionin deri në vitin 1990 kur u mbyll me dhunë nga forcat serbe, e të cilët nuk u ndalën vetëm me këtë mbyllje pasi që në të njëjtën kohë i ndaluan gazetës Rlindja botimin e saj. Pra përveç RTP-së, për informimin e shqiptarëve në atë kohë ishte edhe gazeta Rilindja, e cila ishte edhe gazeta e vetme e përditshme në gjuhën shqipe. Botimi i saj i parë ishte në vitin 1945. Gazeta shtypej në Shtypshkronjën Shtetërore në Prizren nga numri 1 deri në 60, kurse numri 61 i gazetës shtypej në Prishtinë në Shtypshkronjën Krahinore të Frontit Popullor.
Greva e urisë nga gazetarët e Rilindjes filloi 3 vite pas ndalimit të botimit të gazetës Rilindja, atëherë kur serbët pushtuan shtëpinë e mediave dhe shtypshkronjën.
Pra më 24 maj 1993 daton fillimi i grevës së urisë. Pallati i shtypit u bë shtëpia për njëmbëdhjetë ditët e ardhshme e Adem Demaçit, të cilit iu bashkangjitën edhe Ali Podrimja, Zenun Qelaj, Bardh Hamzaj, Nehat Islami, Shaip Beqiri, Idriz Ulaj, Milazim Krasniqi, Abdullah Konushefci, Bajram Kosumi, Vezir Uka, Shkelzen Stublla, Halil Matoshi, Blerim Shala, Besim Rexhaj, Gani Gashi, Shpend Vinca, Haqif Mulliçi, Agim Zogaj, Muhamet Ahmeti, Ali Hajdini, Safet Zejnullahu dhe Basri Çapriqi.
Disa gazetarëve gjendja shëndetësore iu është përkeqësuar para përfundimit të njëmbëdhjetë ditëshit dhe detyrimisht e ndaluan grevën më herët. Njëri nga ata ka qenë edhe Halil Matoshi.
“Unë me rekomandim të mjekëve Dr. Drita Mekuli, Dr. Faik Hima dhe Dr. Gani Demolli të cilët ishin afër neve e kam lënë grevën në ditën e shtatë, ndërsa kolegët tjerë kanë vazhduar. Gjatë grevës, me gazetarët e Zërit kemi përgatitur për shtyp një numër të revistës, kurse me poetin e ndjerë Ali Podrimjën kemi organizuar orë letrare dhe gazetën e murit me poezi e fotografi nga greva”, deklaroi ai.
Shefi i misionit të KSBE-së, tashmë OSBE-së në Prishtinë, greku Beniamin Karakostanoglu, gjatë kohës së grevës ishte në negociata për një marrëveshje me palën serbe për shfrytëzimin e përbashkët të resurseve të ndërmarrjes “Rilindja”. Ajo rezultoi se nuk ishte gjë tjetër veçse tjetërsim i shtypshkronjës, duke e pagëzuar “Gračanica” dhe duke i përzënë punëtorët shqiptarë nga puna.
Në një situatë të tillë të territ informativ në gjuhën shqipe, dy revista, “Zëri i Rinisë”, që ishte javore, si dhe “Bujku”, që ishte gazetë profesionale bujqësore, pësuan ndryshim duke u shndërruar në gazeta të aktualitetit dhe botoheshin më shpesh se normalisht, derisa “Bujku” nga stafi i Rilindjes përfundimisht u shndërrua në gazetë të përditshme. Në anën tjetër gazetarët e RTP-së, fillimisht siguruan një hapësirë 5 minutëshe për transmetimin e lajmeve në gjuhën shqipe në “Radio Zagrebi”, ndërsa më vonë siguruan hapësira transmetimi në “Radio Tirana” dhe në programin satelitor të “Televizionit Shqiptar”.
Historia e grevës së urisë është e lidhur me historinë e vetë popullit tonë dhe sakrificën e gazetarëve, të cilët në situatë okupimi ose lufte, interesin nacional e vendosin në radhë të parë, ndërsa profesionin e tyre e vënë në shërbim të atij interesi, pra e përdorin si armë për të arritur lirinë e kombit dhe atdheut.
(Autore e tekstit është Alketa Zejnullahu, studente e vitit të parë në Media dhe Komunikim në UBT)
UBT vazhdon të forcojë bashkëpunimet ndërkombëtare dhe lidhjet institucionale me partnerë evropianë. Në kuadër të këtyre përpjekjeve, Zëvendësdekani i Departamentit të Turizmit në UBT, Prof. Alban Fejza, zhvilloi një takim në Ambasadën e Italisë në Kosovë, së bashku me Prof. Raffaella Ritucci dhe Lirdion Blakaj.
Gjatë takimit u diskutua për mundësitë e konkretizimit të bashkëpunimeve të ndërsjella me UNITO – University of Turin dhe UNITA – Universitas Montium, aleanca universitare evropiane e koordinuar nga UNITO.
Diskutimi u fokusua në mundësi konkrete për bashkëpunim akademik, mobilitet, ndërkombëtarizim dhe zhvillimin e iniciativave të përbashkëta, me synim që interesat e përbashkëta të shndërrohen në hapa konkretë.
Ky takim përbën një hap të rëndësishëm në drejtim të forcimit të lidhjeve akademike dhe institucionale ndërmjet UBT-së, partnerëve italianë dhe hapësirës evropiane të arsimit të lartë.
Profesionistët që janë aktualisht të angazhuar në tregun e punës dhe dëshirojnë të avancojnë më tej në karrierën e tyre kanë mundësi të ndjekin studimet Master në UBT me 20% bursë, përmes iniciativës së re ENGAGED SCHOLARSHIP.
Iniciativa është krijuar për të lidhur më drejtpërdrejt përvojën e profesionistëve në tregun e punës me avancimin akademik, duke u mundësuar atyre të zhvillojnë njohuri dhe kompetenca të reja në fusha që lidhen me angazhimin e tyre profesional.
Një nga programet e përfshira në këtë iniciativë është Menaxhment, Biznes dhe Ekonomi (MBE), i cili u dedikohet, ndër të tjera, profesionistëve që punojnë në institucione bankare, kompani private, institucione publike, si dhe profesionistëve të fushës së kontabilitetit.
Një program i orientuar drejt tregut dhe zhvillimit profesional
Programi Master në Menaxhment, Biznes dhe Ekonomi është i konceptuar për të ofruar njohuri të avancuara në dimensionet kryesore të menaxhmentit, biznesit dhe ekonomisë, duke kombinuar një mjedis akademik me ekspertizë ndërkombëtare. Misioni i programit është të përgatisë të diplomuar që janë të gatshëm të marrin ose të avancojnë në role udhëheqëse në biznes, profesionet e tyre, industri, shërbime publike dhe shoqëri.
Në hartimin e programit janë marrë parasysh nevojat dhe zhvillimet e tregut të punës në nivel vendor, rajonal dhe ndërkombëtar, si dhe kërkesat për zhvillim ekonomik dhe mundësitë e reja profesionale.
Kjo e bën programin veçanërisht të përshtatshëm për profesionistët që tashmë kanë përvojë pune dhe kërkojnë ta thellojnë atë përmes një formimi akademik të avancuar, duke e lidhur dijen e fituar në universitet me sfidat dhe nevojat reale të vendit të punës.
Studime që mund të kombinohen me punën
Një prej elementeve kryesore të ENGAGED SCHOLARSHIP është përshtatja e studimeve me nevojat e profesionistëve që janë në marrëdhënie pune. Ligjëratat zhvillohen kryesisht në orët e pasdites, duke krijuar mundësi që puna dhe studimet Master të zhvillohen paralelisht.
Në këtë mënyrë, profesionistët nuk kanë nevojë të zgjedhin mes zhvillimit akademik dhe angazhimit të tyre profesional, por mund t’i ndërtojnë të dyja paralelisht, duke e shndërruar përvojën e punës në një bazë për zhvillim të mëtejshëm akademik dhe karrierë.
Përmes 20% bursës për studimet Master në Menaxhment, Biznes dhe Ekonomi, UBT synon t’u ofrojë profesionistëve një mundësi konkrete për të avancuar njohuritë, për të zhvilluar kompetenca të reja dhe për ta lidhur më fuqishëm formimin akademik me përvojën profesionale.
Rektori i UBT-së, Prof. Dr. Edmond Hajrizi, mori pjesë në aktivitetin “AI4Youth: From Learning to Building”, në kuadër të panelit “Empowering the Next Generation of AI Innovators”, të organizuar me ftesë të The Foundation House, ku u diskutua roli i inteligjencës artificiale në edukim dhe përgatitjen e të rinjve për profesionet e së ardhmes.
Duke sjellë perspektivën e arsimit të lartë dhe inovacionit, Rektori Hajrizi theksoi rëndësinë e kalimit nga mësimi i inteligjencës artificiale te përdorimi i saj për krijimin e zgjidhjeve konkrete, duke nënvizuar rolin që universitetet duhet të kenë në këtë transformim.
Në këtë kontekst, UBT është institucioni i parë në rajon që ka implementuar një ekosistem të integruar të inteligjencës artificiale në edukim dhe fusha të tjera, duke e shtrirë përdorimin e AI-së në mënyrë gjithëpërfshirëse në mësimdhënie, kërkim, inovacion dhe proceset universitare.
AI4Youth është një program që synon fuqizimin e të rinjve përmes zhvillimit të njohurive dhe aftësive në inteligjencën artificiale, teknologjinë e informacionit dhe komunikimit, si dhe zhvillimin e aplikacioneve, duke i orientuar ata nga të mësuarit drejt krijimit të zgjidhjeve konkrete.
UBT dhe Instituti Yunus Emre në Kosovë kanë nënshkruar një marrëveshje bashkëpunimi, me qëllim të promovimit dhe avancimit të mësimdhënies së gjuhës turke, si dhe organizimit të aktiviteteve të përbashkëta akademike dhe kulturore.
Marrëveshja u nënshkrua nga Rektori i UBT-së, Prof. Dr. Edmond Hajrizi, dhe Drejtori i Institutit Yunus Emre, Ramazan Yılmaz.
Në kuadër të bashkëpunimit parashihet organizimi i kurseve të gjuhës turke, punëtorive, ligjëratave të hapura dhe aktiviteteve kulturore, duke krijuar mundësi të reja për studentët, stafin akademik dhe komunitetin.
Një fokus i veçantë do t’i kushtohet Institutit të Gjuhëve të Huaja në UBT, përmes të cilit synohet zgjerimi i mundësive për mësimin dhe certifikimin e gjuhës turke.