Kompania Kosovare për Distribuim të Energjisë Elektrike në Kosovë (KEDS) ka përmbyllur projektin e shtrirjes së rrjetit elektrik nëntokësor në sheshin e qytetit të Suharekës. Ky shesh tashmë ka marrë pamje krejt tjetër ku me dhjetëra shtylla elektrike janë larguar nga qendra e qytetit.
Ky projekt është realizuar në bashkëpunim me Komunën e Suharekës, ndërsa është vazhdimësi e investimeve që KEDS po realizon gjithandej vendit në shtrirjen e rrjetit nëntokësor.
Avni Alidemaj, këshilltar ekzekutiv në KEDS, tha se pos shërbimeve më kualitative, po ofrojnë siguri më të madhe për qytetarët që vizitojnë sheshin e Suharekës.
“Ka qenë një kërkesë e kryetarit të Komunës (së Suharekës) për të bartur rrjetin ajror në nëntokësor, meqë Komuna ka paraparë që të rregullojë sheshin dhe ne si KEDS iu kemi përgjigjur pozitivisht kryetarit dhe bashkërisht me Komunën kemi bërë të mundshëm bartjen e rrjetit ajror në atë nëntokësor. […] e me këtë projekt kanë përfituar diku rreth 700 konsumatorë të qytetit të Suharekës”, tha ai.
Përveç sheshit të Suharekës, Alidemaj tha se KEDS dhe Komuna kanë paraparë edhe projekte të tjera përmes të cilave do të përfitojnë banorët e këtij qyteti, e që investimet pritet të jenë mbi 1 milion euro.
Këtë investim e ka mirëpritur edhe kryetari i Komunës së Suharekës, Bali Muharremaj, i cili tha se ky projekt është ndër më të rëndësishmit për komunën që e udhëheq.
Muharremaj tha se përmes këtij projekti kanë arritur të ndryshojnë pamjen e sheshit kryesor të qytetit, derisa potencoi se tashmë ka edhe më shumë siguri për qytetarët.
Këtë investim e kanë mirëpritur edhe qytetarët e Komunës së Suharekës, të cilët shprehen se sheshi ka marrë pamje shumë më të mirë.
“Qyteti është shumë i bukur për shkak se i kanë heq telat në lartësi dhe i kanë shti nëntokë dhe është çdo send në rregull. Shumë ndjehemi më të sigurt dhe jemi më të lirshëm të vijmë ndonjë frymë nuk ka asnjë aksident. Nën tokë është gjithkund në botë”, tha Blerim Berisha, qytetar i Suharekës.
Edhe qytetarë të tjerë e kanë mirëpritur këtë investim, duke thënë se përveç sigurisë, tani sheshi ka marrë pamje më të mirë.
Një avion luftarak i Shteteve të Bashkuara është rrëzuar mbi territorin e Iranit, kanë bërë të ditur tre burime amerikane, duke konfirmuar kështu raportimet e mediave shtetërore iraniane.
Forcat amerikane kanë nisur operacionet e kërkim-shpëtimit, sipas të njëjtave burime. Përpjekjet e mundshme për shpëtim duket se janë kapur në disa video të postuara në rrjetet sociale, të cilat janë konfirmuar nga CNN.
Agjencia shtetërore “Tasnim” njoftoi se kërkimet për ekuipazhin e zhdukur deri më tani kanë qenë “të pasukseshme”. Ndërkohë, në “Fars News”, një spiker njoftoi se po ofrohet një shpërblim për këdo që arrin të kapë “pilotin ose pilotët armiq”.
Për momentin, mbetet ende e paqartë se në cilën pjesë të Iranit është rrëzuar avioni luftarak./ CNN/
Policia e Kosovës ka arrestuar një person të dyshuar për trafikim me narkotikë gjatë një aksioni të suksesshëm të realizuar këtë të premte në Gjakovë.
Operacioni është udhëhequr nga Drejtoria për Hetimin e Trafikimit me Narkotikë, në bashkëpunim me njësitet kundër krimit të organizuar dhe krimeve të rënda, të cilët rreth orës 14:40 kanë ndaluar për kontroll një veturë me targa të huaja.
Sipas komunikatës zyrtare, automjeti drejtohej nga i dyshuari me inicialet A.B., i lindur në vitin 1978, tek i cili gjatë kontrollit në pjesën e ulëseve të pasme janë gjetur dhjetë paketime të mbushura me substancë narkotike të llojit marihuanë.
Pesha e përgjithshme e drogës së sekuestruar është 5 kilogramë e 413 gramë, ndërsa në cilësinë e provave materiale Policia ka konfiskuar edhe veturën dhe dy telefonat mobil që i përkisnin të dyshuarit.
Pas arrestimit, personi i dyshuar është shoqëruar për intervistim në stacionin policor, ku me vendim të prokurorit të shtetit i është caktuar masa e ndalimit për 48 orë.
Ky aksion vjen si pjesë e planeve taktike të Policisë së Kosovës për luftimin e trafikut të drogës dhe krimit të organizuar në vend, ndërsa hetimet për rastin po vazhdojnë nga drejtoritë përkatëse.
Gjykata Themelore në Ferizaj e ka dënuar me 24 vjet burgim të akuzuarin Valon Aliu, duke e shpallur fajtor për vrasjen e rëndë të ish-bashkëjetueses së tij, E.C., ngjarje kjo që ndodhi në prill të vitit 2024 brenda Qendrës për Punë Sociale.
Sipas aktgjykimit të shpallur nga gjyqtarja Fitore Krivanjeva-Daci, Aliu u dënua për tri vepra penale: vrasje e rëndë, armëmbajtje pa leje dhe kanosje, ku në dënimin final do t’i llogaritet edhe koha e kaluar në paraburgim nga 12 prilli 2024.
Ngjarja tragjike erdhi pas një fjalosjeje të shkurtër brenda zyrave të QPS-së, ku i akuzuari nxori armën dhe qëlloi viktimën fillimisht në kraharor, ndërsa plagosi në krah edhe vëllanë e saj.
Megjithëse viktima tentoi të largohej, Aliu e qëlloi përsëri në gjoks dhe në kokë, duke i shkaktuar vdekjen e menjëhershme në vendin e ngjarjes.
Pas vrasjes, ai kishte kanosur edhe një zyrtare të institucionit duke ia vendosur pistoletën në ballë me kërcënimin se do ta qëllonte edhe atë.
Palët e përfshira në proces kanë afat prej 30 ditësh për ankesë në Gjykatën e Apelit, ndërsa Aliu do të qëndrojë në paraburgim deri në plotfuqishmërinë e këtij vendimi.
Presidenti ukrainas, Volodymyr Zelensky, deklaroi se Ukraina mund të kontribuojë në mbrojtjen e rrugëve detare nëse ftohet, duke përmendur përvojën e fituar nga mbajtja e hapur e korridoreve të transportit në Detin e Zi nën sulme të vazhdueshme ruse, raporton AP.
“Nëse ftohemi, do të ndihmojmë”, tha Zelensky, pa dhënë detaje të mëtejshme.
“Ngushtica duhet të zhbllokohet”.
Oferta e Kievit vjen në një kohë kur ai po thellon bashkëpunimin me vendet e Gjirit si Katari, Arabia Saudite dhe Emiratet e Bashkuara Arabe duke u orientuar drejt një roli afatgjatë si partner sigurie.
Ekipet ukrainase janë tashmë të dislokuara në rajon për të këshilluar mbi mbrojtjen ajrore, mbrojtjen e infrastrukturës dhe sigurinë detare.