Kompania Kosovare për Distribuim të Energjisë Elektrike në Kosovë (KEDS) ka përmbyllur projektin e shtrirjes së rrjetit elektrik nëntokësor në sheshin e qytetit të Suharekës. Ky shesh tashmë ka marrë pamje krejt tjetër ku me dhjetëra shtylla elektrike janë larguar nga qendra e qytetit.
Ky projekt është realizuar në bashkëpunim me Komunën e Suharekës, ndërsa është vazhdimësi e investimeve që KEDS po realizon gjithandej vendit në shtrirjen e rrjetit nëntokësor.
Avni Alidemaj, këshilltar ekzekutiv në KEDS, tha se pos shërbimeve më kualitative, po ofrojnë siguri më të madhe për qytetarët që vizitojnë sheshin e Suharekës.
“Ka qenë një kërkesë e kryetarit të Komunës (së Suharekës) për të bartur rrjetin ajror në nëntokësor, meqë Komuna ka paraparë që të rregullojë sheshin dhe ne si KEDS iu kemi përgjigjur pozitivisht kryetarit dhe bashkërisht me Komunën kemi bërë të mundshëm bartjen e rrjetit ajror në atë nëntokësor. […] e me këtë projekt kanë përfituar diku rreth 700 konsumatorë të qytetit të Suharekës”, tha ai.
Përveç sheshit të Suharekës, Alidemaj tha se KEDS dhe Komuna kanë paraparë edhe projekte të tjera përmes të cilave do të përfitojnë banorët e këtij qyteti, e që investimet pritet të jenë mbi 1 milion euro.
Këtë investim e ka mirëpritur edhe kryetari i Komunës së Suharekës, Bali Muharremaj, i cili tha se ky projekt është ndër më të rëndësishmit për komunën që e udhëheq.
Muharremaj tha se përmes këtij projekti kanë arritur të ndryshojnë pamjen e sheshit kryesor të qytetit, derisa potencoi se tashmë ka edhe më shumë siguri për qytetarët.
Këtë investim e kanë mirëpritur edhe qytetarët e Komunës së Suharekës, të cilët shprehen se sheshi ka marrë pamje shumë më të mirë.
“Qyteti është shumë i bukur për shkak se i kanë heq telat në lartësi dhe i kanë shti nëntokë dhe është çdo send në rregull. Shumë ndjehemi më të sigurt dhe jemi më të lirshëm të vijmë ndonjë frymë nuk ka asnjë aksident. Nën tokë është gjithkund në botë”, tha Blerim Berisha, qytetar i Suharekës.
Edhe qytetarë të tjerë e kanë mirëpritur këtë investim, duke thënë se përveç sigurisë, tani sheshi ka marrë pamje më të mirë.
Kampusi Shkencor Inovativ dhe Teknologjik i UBT-së është bërë nikoqir i një ekspozite të veçantë kushtuar njërit prej mendjeve më të jashtëzakonshme në historinë njerëzore, Leonardo da Vincit.
Përmes kësaj ekspozite, studentët, stafi akademik dhe vizitorët kanë mundësi të njihen më nga afër me botën krijuese të Da Vincit, idetë e tij revolucionare dhe projektet që dëshmojnë gjenialitetin e tij në fusha të ndryshme, nga arti e anatomia, deri te inxhinieria dhe teknologjia.
E organizuar në kuadër të edicionit të XXVI të Javës së Gjuhës Italiane në Botë, me temën “Gjuhë e mirësjelljes, gjuhë gjeniale: të ideosh, të projektosh, të krijosh me italisht”, ekspozita sjell në vëmendje rëndësinë e gjuhës, kulturës dhe trashëgimisë italiane në zhvillimin e mendimit krijues dhe shkencor.
Ky aktivitet është realizuar në bashkëpunim me Ambasadën e Italisë në Prishtinë dhe përfaqëson një mundësi të rëndësishme për të nxitur kureshtjen intelektuale, kreativitetin dhe frymën inovative te gjeneratat e reja.
Përmes kësaj ekspozite, UBT sjell në kampusin e tij trashëgiminë e një figure që vazhdon të frymëzojë botën, duke dëshmuar se idetë e mëdha nuk njohin kohë dhe se arti, shkenca dhe teknologjia janë pjesë e së njëjtës gjuhë: gjuhës së inovacionit.
Kryetarja e Kuvendit të Kosovës, Albulena Haxhiu, ka marrë vendim që ta shtyjë vazhdimin e seancës së sotme plenare për ditën e nesërme, në orën 11:00, pasi deputetët u vonuan rreth gjysmë ore për t’u kthyer në sallë pas pauzës.
Duke arsyetuar vendimin, kryeparlamentarja Haxhiu theksoi se është e pamundur të zhvillohen punimet e Kuvendit kur deputetët nuk respektojnë orarin. Në momentin e ndërprerjes, në sallën plenare ndodheshin vetëm disa deputetë të PDK-së, disa të LDK-së dhe vetëm dy deputetë të Lëvizjes Vetëvendosje.
Për shkak të kësaj shtyrjeje, mbetën pa u shqyrtuar pikat e mbetura të rendit të ditës, ku përfshiheshin katër marrëveshje ndërkombëtare, interpelanca me ministrin e Shëndetësisë, Arben Vitia, mocioni lidhur me energjinë, si dhe diskutimi për Projektligjin për Gjykatën Speciale. /E.A/
Numri i viktimave nga shembja e një ndërtese trekatëshe në Brooklyn të New York-ut ka arritur në tetë, ndërsa të paktën 17 persona të tjerë kanë mbetur të plagosur.
Lajmin e ka konfirmuar kryebashkiaku i New York-ut, Zohran Mamdani, i cili përmes një deklarate bëri të ditur se në mesin e të lënduarve janë edhe tre zjarrfikës që morën pjesë në operacionin e shpëtimit.
Autoritetet amerikane kanë nisur tashmë një hetim të plotë për të zbardhur shkaqet që çuan në shembjen e papritur të këtij objekti banimi.
Fillimisht janë raportuar dy të vdekur, ndërkaq numri i tyre ka vazhduar të rritet teksa zjarrfikësit po vazhdojnë kërkimin nën rrënoja. /E.A/