Lajmet

Katër policë dëshmojnë në Kongres për ngjarjet e 6 janarit në Kapitol

Dy policë të Kapitolit dhe dy policë të qytetit të Uashingtonit thanë se kishin frikë për jetën e tyre,

Published

on

Katër oficerë të policisë dëshmuan para një komisioni hetimor të Kongresit me lot, duke ofruar detaje të martën mbi sulmin e një turme të zemëruar të mbështetësve të Presidentit të atëhershëm Donald Trump në Kapitol më 6 janar, në një përpjekje të pasuksesshme për të bllokuar certifikimin e fitores së demokratit Joe Biden në zgjedhjet presidenciale të vitit të kaluar.

Dy policë të Kapitolit dhe dy policë të qytetit të Uashingtonit thanë se kishin frikë për jetën e tyre ndërsa rreth 800 protestues sulmuan forcat e zbatimit të ligjit, i tallën ata me epitete racore dhe politike, u përleshën me policinë, i spërkatën ata me substanca kimike dhe u morën mburojat dhe pajisje të tjera.

Ata dëshmuan në ditën e parë të seancave dëgjimore publike mbi dhunën vdekjeprurëse që ndodhi më shumë se gjashtë muaj më parë, sulmi më i rëndë në më shumë se dy shekuj mbi Kapitolin amerikan, që shihet si një simbol i demokracisë amerikane. Shtatë anëtarë demokratë të Dhomës së Përfaqësuesve dhe dy ligjvënës republikanë të një komisioni të posaçëm hetimor dëgjuan dëshmitë.

Gjatë seancës që zgjati tre orë e gjysmë, oficeri i Policisë së Kapitolit, Aquilino Gonell tha se “Kryengritësit më quajtën “tradhtar”, “turp (i vendit)” dhe bërtitën që unë (një veteran i ushtrisë dhe oficer policie) duhet të “ekzekutohesha”. ”

“Ajo që ne përjetuam atë ditë ishte si diçka nga një fushëbetejë mesjetare”, tha Gonell. “Ne luftuam me duar për çdo centimetër për të parandaluar pushtimin e Kapitolit nga një turmë e dhunshme që synonte të prishte procesin tonë demokratik.” Gonell tha në një moment se ai u shtyp nga vala e protestuesve.

APTOPIX Capitol Breach Investigation - police witnesses oath in Congress
APTOPIX Capitol Breach Investigation – police witnesses oath in Congress

Mendova se do të vdisja”, tha ai.

Oficeri i policisë së qytetit të Uashingtonit, Michael Fanone tha para ligjvënësve se “Më kapën dhe më rrahën ndërsa më quanin tradhëtar të vendit tim. Isha në rrezik të vjedhjes së armës dhe vrasjes më armën time”.

“Më goditën shumë herë me një armë elektrike. Jam i sigurt që po bërtisja, por nuk mendoj se mund të dëgjohej zëri im”, shtoi ai.

Në muajt pas kaosit në Kapitol, shumë republikanë, në përpjekje për të shfajësuar thirrjen e Presidentit Trump drejtuar mbështetësve të tij për të “luftuar fortë” për të përmbysur humbjen ndaj zotit Biden, kanë minimizuar dhunën në Kapitol. Një ligjvënës tha se 800 personat që hynë në Kapitol ishin si turistë, ndërsa disa republikanë votuan kundër nderimit të policëve që mbrojtën Kapitolin.

Udhëheqësit republikanë kanë pohuar se trazirat po hetohen në mënyrë adekuate nga agjencitë e zbatimit të ligjit dhe komisionet e tjera të kongresit, duke argumentuar se hetimi i fundit është thjesht një teatër politik dhe një përpjekje për të hedhur hije të keqe mbi partinë republikane në prag të zgjedhjeve të ardhshme të mesmandatit për Kongres.

Oficeri i policisë së qytetit të Uashingtonit, Daniel Hodges, i cili u përplas mes një dere dhe kornizës së saj nga protestuesit tha se një protestues i bërtiti tij duke thënë “Ju do të vdisni në gjunjë!”
Ai tha se policia nuk ishte në gjendje të përballonte valën e protestuesve. Ai tha se një protestues “vuri gishtin e tij të madh në syrin tim dhe u përpoq ta nxirrte jashtë”.

Polici afrikano-amerikan i Kapitolit, Harry Dunn, tha se protestuesit e sulmuan atë me sharje të rënda racore pas një shkëmbimi në të cilin ai e kishte pranuar se kishte votuar për zotin Biden.

“Unë jam ende duke vuajtur nga ajo që ndodhi atë ditë”, tha oficeri Dunn. Ai kërkoi një moment heshtje për të kujtuar kolegun e tij Brian Sicknick, i cili ndihmoi në mbrojtjen e Kapitolit më 6 janar, por vdiq nga një problem shëndetësor një ditë më vonë.

Një protestues u qëllua për vdekje nga një polic i Kapitolit gjatë përleshjeve, tre protestues vdiqën dhe dy oficerë të tjerë të policisë u vetëvranë në ditët në vijim. Më shumë se 500 protestues që morën pjesë në sulmin ndaj Kapitolit janë akuzuar për një mori veprash penale. Oficeri Dunn tha se kujtimet e 6 janarit “ende nuk kanë mbaruar për mua, fizikisht dhe emocionalisht”, dhe se ai është duke bërë një terapi psikologjike.

Por ai kishte një mendim të fundit për protestuesit: “Ju të gjithë u përpoqët ta shkatërroni demokracinë atë ditë dhe dështuat.”

Republikanët e Senatit bllokuan krijimin e një komisioni të pavarur dypartiak për hetimin e ngjarjeve të 6 janarit. Në vend të tij demokratët, me mbështetjen e dy republikanëve në Dhomën e Përfaqësuesve krijuan komisionin që tani po heton sulmin ndaj Kapitolit./VOA

Continue Reading

Vendi

Qeveria prezanton projektbuxhetin për vitin 2027, parashihen 4.27 miliardë euro

Published

on

Qeveria e Kosovës ka prezantuar projektbuxhetin për vitin 2027, i cili kap vlerën e 4.27 miliardë eurove.

Kryeministri Albin Kurti bëri të ditur se projektbuxheti i vitit të ardhshëm është 200 milionë euro më i lartë se buxheti i rishikuar për vitin 2026 dhe 300 milionë euro më i lartë se buxheti fillestar i këtij viti.

Nga shuma e përgjithshme, 908 milionë euro parashihen të ndahen si financim i drejtpërdrejtë për komunat e Kosovës.

Gjatë prezantimit, Kurti tha se rritja e vazhdueshme ekonomike ka ndikuar në zgjerimin e buxhetit dhe në qëndrueshmërinë e financave publike.

Sipas tij, ekonomia e Kosovës ka shënuar rritje prej 5.4 për qind në tremujorin e parë dhe 4.1 për qind në tremujorin e dytë të këtij viti.

“Kjo na vendos te vendet me rritjen më të shpejtë në rajon dhe më gjerë. Kjo nënkupton edhe rritjen në vazhdimësi të buxhetit dhe qëndrueshmërinë e financave publike”, deklaroi Kurti.

Kryeministri bëri të ditur gjithashtu se, sipas projektbuxhetit për vitin 2027, Administrata Tatimore e Kosovës (ATK) parashihet të mbledhë të hyra në vlerë sa 60 për qind e të hyrave që pritet t’i mbledhë Dogana e Kosovës.

Kurti e cilësoi projektbuxhetin si rekord edhe për komunat, duke theksuar se rritja e financimit për pushtetin lokal vjen si rezultat i rritjes së vazhdueshme të granteve qeveritare.

Pas miratimit në Qeveri, projektligji për buxhetin e vitit 2027 pritet t’i procedohet Kuvendit të Kosovës për shqyrtim dhe votim.

/A.K/

Continue Reading

Lajmet

Vrasja e dyfishtë në Demiraj, Prokuroria kërkon paraburgim për të pandehurin B.D.

Published

on

By

Prokuroria Themelore në Gjilan, në bashkëpunim me Policinë e Kosovës, ka kërkuar caktimin e masës së paraburgimit ndaj të pandehurit me inicialet B.D., i dyshuar për kryerjen e veprës penale “Vrasje e rëndë”.

Sipas njoftimit zyrtar, ngjarja e rëndë ka ndodhur më 1 nëntor 2026, rreth orës 9:00 të mëngjesit në fshatin Demiraj të Komunës së Gjilanit. Viktimë të këtij meksuesi kanë mbetur vajza e tij A.D., 27 vjeçe, si dhe mbesa e tij D.D., foshnje vetëm tre muajsh. I dyshuari B.D. është ndaluar menjëherë për 48 orë me urdhër të prokurorit kujdestar.

“Më 01.11.2026, në fshatin Demiraj, Komuna e Gjilanit, ka ndodhur një rast Vrasje e rëndë, ku viktimë janë A.D (27 vjeç) dhe D.D. (foshnje 3 muajsh), ku i dyshuari B.D, babai i viktimës A.D, është ndaluar për 48 orë nën dyshimin për kryerjen e veprës penale ‘Vrasje e rëndë’”, thuhet në njoftim.

Kërkesa për caktimin e masës së paraburgimit i është dorëzuar sot Departamentit për Krime të Rënda në Gjykatën Themelore në Gjilan. Organet e hetimit bëjnë me dije se në vendin e ngjarjes kanë dalë të gjitha ekipet relevante policore dhe prokurori i rastit për mbledhjen e provave.

Në komunikaturën për media, Prokuroria nëntrimon angazhimin e saj për zbardhjen e tërësishme të tragjedisë:

“Prokuroria Themelore në Gjilan, në koordinim me Policinë e Republikës së Kosovës, ka ndërmarrë dhe do të ndërmarrë të gjitha veprimet hetimore, me qëllim të ndriçimit të plotë dhe të drejtë të gjendjes faktike.” /E.A/

Continue Reading

lajme

AUV ndalon hyrjen e mbi 1 ton patatinave me përmbajtje të rrezikshme

Published

on

By

Agjencia e Ushqimit dhe Veterinarisë ka ndaluar hyrjen në Kosovë të 1,068 kilogramëve patatina “STIZA Potato Chips Paprika”, pas analizave laboratorike që konstatuan nivel të lartë të akrilamidit mbi vlerat e lejuara.

Ngarkesa me LOT 909073, e importuar nga kompania “BEST BT” nga Prizreni, është bllokuar nga Inspektorati Fitosanitar Kufitar dhe është vendosur kthimi i saj prapa, duke parandaluar hyrjen në tregun vendas.

Sipas AUV-së dhe Autoritetit Evropian për Sigurinë Ushqimore, ekspozimi afatgjatë ndaj kësaj substance kimike përbën rrezik për shëndetin publik për shkak të potencialit të saj kancerogjen. /E.A/

Continue Reading

Lajmet

REL: Nga Gjermania në Shqipëri, çfarë po i nxjerr të rinjtë në rrugë?

Published

on

By

Kostoja e jetesës, mungesa e mundësive ekonomike, problemet në arsim dhe pakënaqësitë me qeveritë kanë nxjerrë mijëra të rinj në rrugët e qyteteve evropiane.

Nga Gjermania e Franca deri në Belgjikë dhe Shqipëri, protestat kanë kërkesa të ndryshme, por pasqyrojnë shqetësime të ngjashme për kushtet e jetesës dhe perspektivën e brezit të ri.

Protestat në disa vende janë shoqëruar me përleshje me policinë, dëmtime pronash dhe arrestime.

Çfarë ndodhi në Gjermani?

Më 31 tetor, rreth 120 mijë njerëz morën pjesë në protesta në më shumë se 30 qytete gjermane, sipas organizatorëve të nismës rinore “Gen Z regelt”.

Demonstruesit kërkuan më shumë investime në arsim, strehim të përballueshëm, drejtësi sociale dhe mbrojtje të klimës.

Ata kundërshtuan, gjithashtu, mundësinë e rikthimit të shërbimit të detyrueshëm ushtarak.

Protestat ishin kryesisht paqësore gjatë ditës, por më vonë u shoqëruan me incidente të dhunshme në disa qytete, përfshirë Berlinin, Frankfurtin, Këlnin dhe Hamburgun.

Në Frankfurt, persona të maskuar hodhën gurë dhe mjete ndezëse drejt policisë, ndërsa disa dyqane u dëmtuan dhe u plaçkitën.

Policia përdori topa uji dhe sprej irritues.

Organizatorët e protestave u distancuan nga dhuna, duke theksuar se demonstratat synonin të ishin paqësore.

Incidentet nxitën mospajtime brenda Qeverisë gjermane.

Ministri i Brendshëm, Alexander Dobrindt, fajësoi grupet e dhunshme të së majtës ekstreme dhe persona nga komunitetet migrante.

Ministrja e Arsimit, Karin Prien, tha se trazirat ngrenë pyetje për integrimin e migrantëve, duke kërkuar shqyrtimin e shkaqeve që mund t’i shtyjnë disa njerëz drejt dhunës.

Por, ministri i Mbrojtjes, Boris Pistorius, u distancua nga deklaratat e Dobrindtit, duke vënë në pikëpyetje përdorimin e termit “grupe migrante”.

Ai pyeti nëse ky përkufizim përfshin edhe shtetas gjermanë, familjet e të cilëve jetojnë në këtë vend me gjenerata, dhe tha se nuk kishte informacion të mjaftueshëm për të konfirmuar pretendimet mbi prejardhjen e autorëve të dhunës.

Prien, ndërkohë, pranoi se shumë nga kritikat e të rinjve për arsimin janë të arsyeshme, duke theksuar se mundësitë arsimore në Gjermani vazhdojnë të varen shumë nga prejardhja sociale.

Pse po protestojnë të rinjtë në Francë?

Në Francë, protestat nisën në mesin e shtatorit, në periferi të Parisit, për shkak të mungesës së mësimdhënësve dhe kushteve të dobëta në shkolla.

Pakënaqësitë u përhapën në qytete të tjera dhe u zgjeruan te kostoja e jetesës, pabarazitë sociale dhe gjendja e shërbimeve publike. Nxënësve dhe studentëve iu bashkuan edhe mësimdhënës, sindikata dhe qytetarë të tjerë.

Protestat janë shoqëruar me përleshje me policinë, dëmtime pronash dhe mijëra arrestime.

Ndërhyrjet e forcave të rendit kanë nxitur gjithashtu kritika, sidomos pas lëndimit të rëndë të disa protestuesve të mitur.

Më 31 tetor, rreth 320 mijë njerëz dolën në rrugë në mbarë Francën, sipas autoriteteve, ndërsa organizatorët raportuan rreth 500 mijë pjesëmarrës.

Në Paris, disa protestues hodhën gurë dhe mjete ndezëse drejt policisë.

Autoritetet raportuan 565 arrestime në nivel kombëtar, ndërsa prokuroria nisi hetime për tentativë vrasjeje pas sulmeve me mjete ndezëse ndaj forcave të sigurisë.

Më 2 nëntor, pas një pushimi dyjavor, nxënësit rifilluan bllokimin e shkollave, por në përmasa më të vogla.

Sipas Ministrisë së Arsimit, 41 shkolla u bllokuan ose u përballën me përpjekje për bllokim, krahasuar me qindra të tilla para pushimit.

Qeveria franceze ka propozuar katër miliardë euro për rinovimin e shkollave, kufizimin e numrit të nxënësve në klasa në 28, hapjen e 15 mijë vendeve të reja në arsimin e lartë dhe reformimin e sistemit të pranimit në universitete deri më 2028.

Por, përfaqësuesit e nxënësve dhe studentëve i konsiderojnë masat të pamjaftueshme dhe kanë paralajmëruar vazhdimin e protestave.

Çfarë po kërkojnë të rinjtë në Belgjikë?

Në Belgjikë, studentët po protestojnë kundër rritjes së kostos së arsimit, mbipopullimit të klasave dhe reformave që, sipas tyre, mund ta vështirësojnë qasjen në studimet e larta.

Një nga shqetësimet kryesore është rritja e tarifave universitare nga 835 në 1.194 euro për shumicën e studentëve në komunitetin frëngjishtfolës të vendit.

Protestat, të frymëzuara pjesërisht nga lëvizja në Francën fqinje, janë shoqëruar me përleshje me policinë, dëmtime pronash dhe arrestime.

Në fillim të tetorit, në qytetin e Liezhit u raportuan mbi 100 ndalime dhe arrestime gjatë trazirave.

Më 9 tetor, studentët iu bashkuan një demonstrate më të gjerë në Bruksel kundër masave buxhetore të Qeverisë. Rreth 30 mijë njerëz morën pjesë në marshim, ndërsa përleshjet me policinë përfunduan me 21 persona të ndaluar ose arrestuar.

Incidentet vazhduan edhe më 17 tetor, kur policia përdori gaz lotsjellës dhe topa uji për të shpërndarë protestuesit në Bruksel.

Përtej dhunës, studentët thonë se shqetësimet e tyre nuk janë marrë seriozisht nga autoritetet.

Maya Gourdel, një nxënëse 19-vjeçare në Bruksel, i tha agjencisë Reuters se përpjekjet e mëparshme për t’u dëgjuar në mënyrë paqësore nuk kishin tërhequr vëmendje.

“U përpoqëm ta bënim në mënyrë paqësore. Askush nuk na dëgjoi”, tha ajo, duke shtuar se mediat filluan t’u kushtonin vëmendje vetëm pasi nisën incidentet.

Si u përshkallëzuan protestat në Shqipëri?

Në Shqipëri, protestat kundër Qeverisë së kryeministrit Edi Rama kanë kaluar nga kundërshtimi i një projekti turistik në një lëvizje më të gjerë, të udhëhequr nga të rinjtë, që kërkon ndryshime politike dhe ekonomike.

Demonstratat nisën në maj, fillimisht kundër një projekti turistik luksoz në bregdetin jugor, të mbështetur nga investitorë që përfshijnë Jared Kushnerin, dhëndrin e presidentit amerikan, Donald Trump. Projekti është përballur me kundërshtime dhe konteste ligjore.

Në mesin e tetorit, protestat u përshkallëzuan, ndërsa nxënës dhe studentë dolën në rrugë për të kërkuar arsim më cilësor, ulje të kostos së studimeve dhe më shumë mundësi punësimi.

Pakënaqësitë u zgjeruan edhe te korrupsioni i pretenduar dhe mungesa e besimit ndaj institucioneve.

 

Protestat u përhapën nga Tirana në qytete të tjera, përfshirë Shkodrën, Lezhën, Elbasanin dhe Korçën, ndërsa disa demonstrata u shoqëruan me përleshje të dhunshme.

Në kryeqytet, protestues hodhën gurë dhe mjete ndezëse drejt policisë, u vunë flakën ndërtesave qeveritare dhe dëmtuan banka e biznese. Policia përdori gaz lotsjellës, topa uji dhe plumba gome.

Tensionet vazhduan edhe fundjavën që shkoi, kur persona të maskuar hodhën gurë dhe bomba ndezëse drejt policisë pranë Ministrisë së Arsimit në Tiranë.

Qeveria ka paralajmëruar gjoba deri në 5.500 euro për pjesëmarrësit që ushtrojnë dhunë.

Rama ka dënuar incidentet dhe ka refuzuar të japë dorëheqje, duke theksuar se qeveritë ndryshohen përmes zgjedhjeve demokratike.

A mund të sjellin ndryshime?

Serbia është shembulli më i fundit se si një lëvizje studentore mund të shndërrohet në forcë politike.

Pas gati dy vjetësh protestash kundër korrupsionit dhe kërkesash për përgjegjësi institucionale, lista e mbështetur nga studentët fitoi zgjedhjet parlamentare të 25 tetorit, duke i dhënë fund qeverisjes 14-vjeçare të partisë së Aleksandar Vuçiqit.

Por, fitorja zgjedhore nuk garanton se kërkesat e protestuesve do të përmbushen. Lëvizja studentore në Serbi ende përballet me sfidën e formimit të qeverisë dhe zbatimit të reformave të premtuara.

Në vendet e tjera evropiane, rezultatet e mobilizimit mbeten të paqarta.

Qeveritë po përballen me presion për t’iu përgjigjur kërkesave të të rinjve, ndërsa incidentet e dhunshme kanë hapur debate për kufijtë e ndërhyrjes policore dhe mbrojtjen e së drejtës për protestë paqësore.

Nëse protestat do të sjellin ndryshime të qëndrueshme, do të varet jo vetëm nga sa gjatë do të vazhdojnë, por edhe nga aftësia e lëvizjeve për t’i shndërruar kërkesat e tyre në rezultate konkrete. /REL/

Continue Reading

Të kërkuara