Shëndet

​Kardiokirurgjia shënon numër rekord të operimeve në zemër të hapur

Published

on

Shërbimi Klinik i Kardiokirurgjisë, gjatë vitit 2024 ka shënuar numër rekord të ndërhyrjeve në zemër të hapur. E falë rinovimeve që kanë ndodhur po në këtë njësi janë krijuar mundësitë që të rritet edhe numri i operacioneve më të komplikuara për pacientët.

Përmirësimet infrastrukturore që kanë ndodhur vitin e kaluar kanë rritur numrin e shtretërve në njësinë intensive, por edhe në gjithë klinikën, thotë drejtori i Shërbimit klinik të Kardiokirurgjisë, Shpejtim Shurdhiqi.

“Ka qenë një vit jashtëzakonisht i suksesshëm për shërbimin klinik të kardiokirurgjisë, gjatë vitit 2024 kemi arritur që të bëhet një rinovim i klinikës në tërësi e cila ka krijuar një hapësirë të mirë për të gjithë stafin, e posaçërisht për pacientët. Ajo që është me rëndësi është arritur që të rritet numri i shtretërve në intensiv, është rritur numri nga 4 në 10 shtretër, ndërsa në repart është rritur numri prej 14 në 17. Kështu që kjo hapësirë e rritur, rinovimet e pjesës së nënkulmit ka bërë që të kemi një aktivitet më të shtuar të ndërhyrjeve kirurgjike në repartin tonë.. kemi arritur që ky numër i operacioneve të rritet ndjeshëm, përderisa më herë janë realizuar 6-7 operacione brenda javës tash kemi arritur që ky numër të arrijë në 10, shto edhe rastet urgjente apo emergjente të cilat kryhen gjatë tërë javës. Kjo ka ndikuar në masë të madhe që të kemi gradualisht edhe zvogëlim të listës së pritjes, e cila mendoj se në të ardhmen, ky numër i listës së pritjes do të reduktohet edhe mëtutje”, thotë Shurdhiqi.

E numër rekord të operimeve kjo njësi ka shënuar vitin e kaluar.

“Vitin e kaluar është një numër rekord i operimeve gjatë historisë së kardiokirurgjisë, deri në fund të dhjetorit kemi arritur që të kryhen 372 intervenime kirurgjike në zemër të hapur. Kjo siç ka thash ka ndikuar që edhe lista e pritjes lehtësisht të arrihet dhe të zvogëlohet”, theksoi kardiokirurgu Shurdhiqi.

Në Kardiokirurgji duke nisur nga viti i kaluar është rritur edhe numri i operimeve të komplikuara në zemër të hapur.

Drejtori i kësaj njësie, Shpejtim Shurdhiqi thotë se planifikojnë që në periudhën dy deri tri vjeçare të realizohen më shumë ndërhyrje me metoda minimale invazive.

“Krahas numrit është rritur edhe numri i operacioneve më të komplikuara çka do të thotë se me një pacientë sot kryhet ndërrimi i dy ose tre valvulave apo tek i njëjti pacienti kryhet edhe ndonjë bajpas. Janë operacione komplekse përderisa më herët kanë qenë shumë më të rralla. Kështu që tash është një formë rutinë e kryerjes së operacioneve të kombinuara duke përfshirë edhe pjesën valvulare edhe pjesën rivaskularizimit të zemrës, po shto këtu edhe intervenimet që kanë të bëjnë me sëmundjet e aortës qofshin ato elektive apo emergjente të cilat kryhen gjatë javës apo viti… Gjatë vitit të kaluar në bashkëpunim me Spitalin e Zyrihut me ndihmën e profesorit, Xhemajli kemi arritur që të kryhen edhe tri raste me metoda minimale invazive e cila në të ardhmen neve na hup rrugën që në periudhë 2-3 vjeçare të fillohen edhe këto procedura të realizohen në kuadër të klinikës”, theksoi Shurdhiqi.

Duke qenë që kryerja e një intervenimi kirurgjik në zemër në institucionet private shëndetësore për pacientët kosovarë ka kosto të lartë e cila prek shifrat deri në 30 mijë euro, ofrimi i këtij shërbimi në QKUK bëhet pa pagesë.

“Operacionet në zemër të hapur tek ne bëhen pa pagesë, kurrfarë pagese nuk kryhet nga ana e pacientit apo familjarëve kështu që është një përparësi e madhe për arsye se çdo intervenim, se zakonisht intervenimet tona kushtojnë shumë mbi 10 mijë, 20 mijë, 30 mijë euro kështu të gjitha kryhen pa kurrfarë pagese apo financimi”, shprehet ai.

Shërbimi i Kardiokirurgjisë po planifikon që përgjatë këtij viti të pasurohet edhe me pajisje të reja.

Shëndet

Epoka e re e mjekësisë, shpresa për kurën e tullacisë

Published

on

Shkencëtarët amerikanë kanë bërë përparime të rëndësishme drejt zhvillimit të trajtimeve të reja kundër tullacisë dhe alopecisë, duke tejkaluar opsionet aktuale që vetëm ngadalësojnë humbjen e flokëve.

Në Universitetin e Kalifornisë, Irvine (UCI), është zbuluar një molekulë e quajtur SCUBE3, e cila arrin të aktivizojë qelizat staminale të folikulave të flokëve, duke nxitur rritjen e tyre.

Testimet e para janë kryer si tek minjtë, ashtu edhe në lëkurë njerëzore të transplantuar, duke dhënë rezultate premtuese.

Një vit më vonë, studiues nga Universiteti i Kalifornisë në Los Anxhelos (UCLA) prezantuan një tjetër molekulë inovatore, të quajtur PP405.

Kjo substancë ka treguar aftësinë për të “zgjuar” folikulat e flokëve brenda vetëm një jave, përmes aplikimit topik në lëkurë njerëzore.

Sipas “News-Medical”, risia e këtyre zbulimeve qëndron në faktin se ato nuk kufizohen vetëm në ngadalësimin e rënies së flokëve, por riaktivizojnë ciklin biologjik të rritjes së tyre – një qasje krejtësisht e re në këtë fushë.

Ekspertët paralajmërojnë se trajtimet duhet të kalojnë përmes provave të gjera klinike përpara se të bëhen të disponueshme për publikun.

Nëse këto teste rezultojnë të suksesshme, mjekësia mund të jetë pranë një epoke të re në luftën kundër tullacisë. /A.Z/UBT News/

Continue Reading

Shëndet

Ja arsyet e pazakonta pse rritet rreziku për kancer të lëkurës

Published

on

Melanoma është forma më e rrezikshme e kancerit të lëkurës, që lind nga melanocitet, qelizat që prodhojnë pigmentin e lëkurës sonë.

Shumë njerëz nuk e dinë se disa faktorë që duken të padëmshëm mund të ndikojnë në shfaqjen e këtij kanceri. Disa prej tyre janë:

Vera e bardhë

Një studim i publikuar në Cancer Epidemiology, Biomarkers & Prevention tregon se konsumimi i një gote vere të bardhë në ditë e rrit me 13% rrezikun për zhvillimin e melanomës. Shkaku lidhet me enzimen acetaldehyde, e cila dëmton ADN-në. Kjo substancë gjendet në pijet alkoolike, por në sasi më të lartë tek vera. Autori i studimit, Eunyoung Cho, sugjeron që personat me faktorë të tjerë risku për melanomë të kufizojnë përdorimin. Një alternativë më e sigurt është ajo e kuqe, e pasur me antioksidues që ndihmojnë në mbrojtjen e qelizave.

HPV (Papillomavirusi i njeriut)

Sipas një hulumtimi, infeksioni me HPV është i lidhur me përhapjen e karcinomës skuamoqelizore, një tjetër lloj kanceri i lëkurës, i ndryshëm nga melanoma.

Trashëgimia gjenetike dhe flokët e kuq

Individët me flokë të kuq mbartin një gjen që e shton rrezikun për kancer të lëkurës, sidomos të lidhur me ekspozimin ndaj diellit. Ky gjen ka efekt të krahasueshëm me 20 vite qëndrimi nën rrezet e diellit. Një studim i botuar në Nature Communications tregon se edhe nëse ju vetë nuk keni flokë të kuq, por dikush në familjen tuaj i ka, rreziku juaj për dëmtime gjenetike nga dielli rritet me 42%.

Lëngjet e qitros (citrus)

Konsumimi i më shumë se një gote (rreth 1.6 herë në ditë) me lëng portokalli ose grejpfruti lidhet me rritje prej 36% të rrezikut për melanomë. Kjo lidhet me përbërësit psoralen e furocoumarin, që e bëjnë lëkurën më të ndjeshme ndaj rrezeve të diellit. /A.Z/UBT News/

Continue Reading

Shëndet

Studim: Dieta Keto redukton depresionin te studentët deri në 70%

Published

on

Një studim i Universitetit të Ohios ka treguar se dieta Keto, e ndjekur për të paktën 10 javë, mund të ulë deri në 70% simptomat e depresionit te studentët universitarë.

Studimi, i botuar në Translational Psychiatry, raportoi gjithashtu përmirësime në mirëqenien e përgjithshme dhe aftësitë njohëse.

Studiuesit, të udhëhequr nga Dr. Drew D. Decker, synuan të ofronin trajtim për studentë me çrregullim depresiv të madh, duke kombinuar dietën me vlerësime javore dhe intervista klinike.

Nga 24 studentë të përfshirë, 16 përfunduan programin 10–12 javor, dhe rezultatet ishin mbresëlënëse:

69% ulje në simptomat e vetë-raportuara të depresionit

71% ulje në vlerësimin klinik të depresionit

Askush nuk plotësonte më kriteret për depresion të moderuar ose të rëndë.

Përveç shëndetit mendor, pati edhe përfitime fizike:

15 nga 16 studentë humbën mesatarisht 5 kg

Niveli i faktorit neurotrofik të trurit (BDNF) u rrit 32%

Hormoni leptin ra 52%

Përmirësim në kujtesë, shpejtësi përpunimi dhe funksione ekzekutive

Ekspertët theksojnë se nga Keto mund të ndikojë në depresion përmes mekanizmave metabolikë të lidhur me biologjinë e sëmundjes.

Studimi kishte kufizime, ishte i vogël dhe pa grup krahasues, ndaj nuk mund të thuhet se efektet vinin vetëm nga dieta.

Autorët e shohin këtë si një hap premtues dhe alternativë për të ndihmuar studentët që vuajnë nga çrregullime të shëndetit mendor. /A.Z/UBT News/

Continue Reading

Shëndet

E vërteta e fshehur pas infarkteve tek të rinjtë

Published

on

Një studim i ri nga Klinika Mayo ka hedhur dritë mbi sulmet në zemër tek të rriturit më të rinj, veçanërisht tek gratë, duke ofruar të dhëna që mund të ndryshojnë mënyrën se si kuptohen dhe trajtohen këto ngjarje serioze shëndetësore.

Kërkimi, i botuar në Journal of the American College of Cardiology, analizoi mbi 15 vite të dhëna nga Projekti i Epidemiologjisë së Rochester dhe zbuloi disa modele të pazakonta mbi shkaqet e infarkteve tek të rinjtë.

Rezultatet treguan se ateroskleroza, bllokimi i arterieve nga pllaka – mbetet shkaku kryesor i atakeve në zemër. Dallimi ishte i theksuar mes gjinive: tek burrat nën 65 vjeç shkaktonte 75% të rasteve, ndërsa tek gratë vetëm 47%.

Kjo tregon se më shumë se gjysma e infarkteve tek gratë vijnë nga shkaqe të tjera, më pak të njohura.

Një prej tyre është diseksioni spontan i arteries koronare, një gjendje kur krijohe çarje e papritur në një arterie koronare, duke bllokuar qarkullimin e gjakut pa praninë e pllakave. SCAD është më e shpeshtë tek gratë e reja dhe shpesh ngatërrohet me infarktet tipike.

Trajtimi me stenta ose ndërhyrje tjera sjellë më shumë rrezik sesa përfitim. Studimi theksoi se SCAD është gjashtë herë më e zakonshme tek gratë krahasuar me burrat. Një tjetër shkak janë infarktet e lidhura me stresin, të provokuara nga gjendje si anemia ose infeksionet e rënda.

Këto përbënin shkakun e dytë më të zakonshëm dhe shoqëroheshin me shkallën më të lartë të vdekshmërisë pesëvjeçare – rreth 33%.

Pra, pacientët me këto forma të infarkteve shpesh kishin prognozë më të rëndë sesa ata me sëmundje klasike të arterieve koronare.

Lajmi i mirë është se infarktet “të pashpjegueshme” rezultuan të rralla më pak se 3% e rasteve, duke nënkuptuar se në shumicën e situatave mjekët mund të identifikojnë një shkak të qartë dhe të përshtatin trajtimin.

Ky studim nënvizon rëndësinë e përcaktimit të saktë të shkakut rrënjësor të një sulmi në zemër. Vetëm duke ditur arsyen e vërtetë, mjekët mund të ofrojnë trajtime efektive dhe të shmangin ndërhyrjet që në disa raste mund të jenë të rrezikshme. /A.Z/UBT News/

Continue Reading

Të kërkuara