Lajmet

Sa subjekte politike janë gjobitur gjatë vitit të kaluar?

Published

on

Gjatë vitit të kaluar, 15 subjekte politike kanë realizuar të hyra në vlerë prej mbi katër milionë euro, ndërkaq kanë shpenzuar mbi tre milionë euro. Zyra për Regjistrim, Certifikim dhe Kontrollin Financiar të Subjekteve Politike ka gjobitur 14 subjekte politike për shkak të shkeljeve. Kështu u tha në mbledhjen e sotme të Komisionit Qendror të Zgjedhjeve gjatë shqyrtimit të raportit përfundimtar “Auditimi i raporteve vjetore financiare të subjekteve politike – Pasqyrat financiare të vitit 2023”.

Me tetë vota për, anëtarët e KQZ-së kanë miratuar rregulloren zgjedhore për fushatën e zgjedhjeve, monitorimin dhe deklarimin financiar.

Drejtori i Zyrës për Regjistrim, Certifikim dhe Kontrollin Financiar të Subjekteve Politike, Besnik Buzhala tha se janë audituar 54 subjekte politike.

“Sa i përket të hyrave dhe shpenzimeve të subjekteve politike të përfaqësuara në Kuvendin e Kosovës, 15 subjekte politike kanë realizuar të hyra në vlerën katër milionë e 653 mijë e 964 euro. Ndërsa, kanë shpenzuar tre milionë e 460 mijë e 379 euro. Ndërsa, sa i përket shpenzimit të mjeteve për pesë subjektet më të mëdha politike, AAK ka shpenzuar buxhetin në masën 95,72 për qind, Lista Serbe në masën 82, 68 për qind, LDK në masën 59, 71 për qind, PDK në masën 75,41 për qind dhe Lëvizja Vetëvendosje në masën 69,18 për qind”,deklaroi ai.

Buzhala deklaroi se gjatë vitit të kaluar kanë pranuar donacione 11 subjekte politike.

“Sa i përket donacioneve në vitin 2023, nga 54 subjekte politike gjithsej 11 subjekte politike kanë pranuar donacione. Do të thotë prej datës 1 janar 2023 deri më datën 31 dhjetor 2023 në vlerën totale 154 mijë e 105 euro. Subjekti politik Aleanca Kosova e Re gjatë vitit 2023 ka pranuar shumën më të madhe të donacioneve në vlerën 49 mijë e 640 euro. Pastaj e dyta është Lidhja Demokratike e Kosovës në vlerën 39 mijë e 488 euro. Partia Socialdemokrate 23 mijë e 306 euro dhe Lëvizja Vetëvendosje 22 mijë e 366 euro”, theksoi ai.

Ndërsa, ka treguar se Zyra për Regjistrim, Certifikim dhe Kontrollin Financiar të Subjekteve Politike gjatë vitit të kaluar ka gjobitur 14 subjekte politike.

“Zyra pas pranimit të raportit të raporteve përfundimtare të auditimit ka gjobitur 14 subjekte politike. Ku nga këto shtatë subjekte politike përfaqësohen në Kuvendin e Kosovës dhe shtatë subjekte politike nuk përfaqësohen në Kuvendin e Kosovës. Sa i përket kategorive të shkeljeve, mos deklarim në shfrytëzim të zyrave ose mos ofrim të dokumentacionit janë gjobitur pesë subjekteve politike për mos dorëzim të raporteve në datën 1 mars 2024, ashtu siç përcaktohet me Ligjin për Financimin e Subjekteve Politike janë gjobitur tri subjekte politike, për pranim të dokumentacioneve në kundërshtim me Ligjin për Financim të Subjekteve Politike janë gjobitur tri subjekte politike, për shfrytëzimin e mjeteve financiare në kundërshtim me Ligjin për Financim janë gjobitur tri subjekte politike, shpenzime të pambështetura me dokumentacion janë gjobitur tri subjekte politike, mos ofrim të dokumentacionit për auditor janë gjobitur dy subjekte politike dhe një subjekt politik është gjobitur për mos publikim të raporteve financiare në ueb faqen zyrtare të subjektit politik”, përfundoi ai.

Anëtarët e Komisionit Qendror të Zgjedhjeve kanë pasur vërejtje për ligjin, i cili mundëson auditimin e subjekteve politike.

Sami Hamiti nga Lidhja Demokratike e Kosovës ka kërkuar që ky ligj të amendamentohet.

“Ligji për Financim të Subjekteve Politike duhet të amendamentohet. Kjo është elementi me të cilën zgjidhen edhe situatat edhe deri tek dy zyrtarët kryesor administrativ, deri tek buxhetet, gjobat. Duhet të rishikohen, rishikohen. Për momentin zyra e ka zbatuar saktë edhe ligjin e parë edhe ligjin e dytë…A kemi elemente që ligji duhet të ndryshohet, unë mendoj që duhet të amendamentohet sepse nuk është ligj i mirë”, deklaroi ai.

Me tetë vota për, anëtarët e KQZ-së kanë miratuar edhe rregulloren zgjedhore për fushatën e zgjedhjeve, monitorimin dhe deklarimin financiar. Në këtë mbledhje është porpozuar që të ndalohet vendosja e materialit nga subjektet politike në ndërtesa apo objekte të banimit pa pëlqimin e banorëve dhe pa kontraktim./UBTNews/

 

Lajmet

Rama akuzon LVV-në për sabotim të pastrimit: “Me votën tuaj e latë Prishtinën në bërllog”

Published

on

Kryetari i Prishtinës, Përparim Rama, ka akuzuar Lëvizjen Vetëvendosje se ka sabotuar pastrimin e kryeqytetit, pas dështimit të themelimit të kompanisë komunale “Pastrimi”.

Rama ka kritikuar asamblistët që votuan kundër themelimit të kompanisë, duke thënë se me votën e tyre “e latë qytetin në bërllog”.

Ai ka reaguar edhe ndaj sjelljes së asamblistëve gjatë seancës, duke e cilësuar vendimin si të pakuptimtë dhe duke thënë se një veprim i tillë është “të punosh kundër vetëvetes”.

Në fund, Rama ka ironizuar vendimin e asamblistëve duke shkruar: “Seriozisht, jeni për studim!”./A.K/

Continue Reading

Lajmet

Ka dështuar sërish përmbyllja e seancës konstituive të Kuvendit të Kosovës.

Published

on

Procesi sërish ka mbetur te zgjedhja e nënkryetarëve të Kuvendit.

Votimi për nënkryetar u vendos të bëhet veç e veç. Në votim, deputeti i Lëvizjes Vetëvendosje, Ardian Gola, u zgjodh nënkryetar i Kuvendit, ndërkohë, kandidatja e PDK-së, Vlora Çitaku, nuk arriti të marrë votat e nevojshme për t’u zgjedhur nënkryetare, pasi deputetët e LVV-së abstenuan.

Pas këtij procesi, deputetët e PDK-së lëshuan sallën.

Kryetarja e Kuvendit, Albulena Haxhiu ndërpreu punimet, ndërsa për seancën e radhës tha se do të votojë më vonë./A.K/

Continue Reading

Lajmet

BE-ja pritet t’i japë Ukrainës 6.1 miliardë euro shtesë për mbrojtjen

Published

on

Bashkimi Evropian pritet t’i ofrojë Ukrainës 6.1 miliardë euro ndihmë shtesë për blerjen e pajisjeve ushtarake, përfshirë sistemet amerikane të mbrojtjes ajrore “Patriot”.

Financimi është pjesë e paketës së huasë prej 90 miliardë eurosh të BE-së për Ukrainën, e cila përfshin 28.3 miliardë euro për ndihmë ushtarake dhe 16.7 miliardë euro për mbështetje buxhetore.

Për të mundësuar blerjen e sistemeve “Patriot”, të prodhuara në Shtetet e Bashkuara, BE-ja do të heqë kërkesën që pajisjet të jenë të prodhuara brenda Evropës. Përjashtimi do të vlejë edhe për disa dronë që përdorin komponentë kinezë.

Shuma prej 6.1 miliardë eurosh përbën këstin e fundit të fondit prej 28.3 miliardë eurosh të dedikuar për mbrojtjen. Deri më tani, Ukrainës i janë transferuar 8.35 miliardë euro për këtë qëllim.

Komisioneri Evropian për Mbrojtjen, Andrius Kubilius, tha se avantazhi ushtarak i Ukrainës varet nga sigurimi i shpejtë i pajisjeve kritike në sasitë dhe afatet e nevojshme.

Sipas tij, përshpejtimi i dërgesave përmes përdorimit të rezervave ekzistuese, rishikimit të prioriteteve të porosive dhe rritjes së kapaciteteve prodhuese është thelbësor.

Ndihma e re vjen në kohën kur Rusia ka intensifikuar sulmet ajrore ndaj Ukrainës, ndërsa aleatët po përpiqen të rrisin furnizimet me sisteme të mbrojtjes ajrore përpara dimrit./A.K/

Continue Reading

Lajmet

Bajrami: Puna e parë në Kuvend do të jetë kriminalizimi i shkeljes së Kushtetutës

Published

on

Deputetja e Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), Hykmete Bajrami, ka deklaruar se një nga veprimet e para të Kuvendit do të jetë jetësimi i nismës së Institutit të Kosovës për Drejtësi (IKD) për kriminalizimin e shkeljes së Kushtetutës.

Pas ndërprerjes së seancës konstituive, Bajrami ka shkruar në Facebook se “është urgjencë kombëtare të shpëtohet ky shtet”.

“Puna e parë në Kuvend do të jetë jetësimi i nismës së IKD-së për kriminalizimin e shkeljes së Kushtetutës, në mënyrë që ata që e shkelin Kushtetutën, njësoj si armiqtë e këtij shteti, të përfundojnë në burg, të japin llogari dhe të mbajnë përgjegjësi për veprimet e tyre”, ka shkruar ajo.

Bajrami ka kritikuar edhe kryetarin e Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti, të cilin e ka quajtur “mashtrues” dhe e ka akuzuar se po synon ta rrënojë shtetin.

“Ky vend nuk është ndërtuar që një mashtrues, i cili erdhi në pushtet me premtimin e bashkimit kombëtar, ta rrënojë shtetin për të cilin njerëzit kanë dhënë jetën, kanë dhënë gjymtyrët dhe mbajnë ende plagët në trup!”, ka deklaruar Bajrami./A.K/

Continue Reading

Të kërkuara