Në rubrikën Ditari, kemi përzgjedhur disa nga lajmet më të rëndësishme të kësaj dite, në periudhën 1992-1998.
18 nëntor 1992
Në Entin për Transfuzion të Gjakut u plaçkitën pajisjet
Sot rreth orës 11, në Entin për Transfuzion të Gjakut në Prishtinë një kamion me regjistrim të Beogradit demontoi dhe plaçkiti aparaturën komplete. Në këtë aparaturë janë edhe dy destilizatorë për destilimin e ujit dhe për tretje intravenoze, të vetmet në Fakultetin e Mjekësisë dhe në Kosovë. Bashkë me ekipin që demontoi aparaturën ishin edhe dr.Popara dhe një mjek tjetër me mbiemrin Stoliq.
Veprimin e tyre ata e arsyetuan me urdhërin që u është dhënë nga “instancat më të larta”.
18 nëntor 1993
Ushtria serbe kidnapoi një patrullë maqedonase
Dje, forcat serbe hynë në territorin e Maqedonisë dhe në fshatin Llojan të Kumanovës kidnapuan një patrullë maqedonase, të cilën e dërguan në territorin e Serbisë.
Mjetet e huaja të informimit dhe mjetet maqedonase njoftuan se persona të armatosur me pushkomitraloz me dy automjete të ushtrisë serbe hynë në territorin e Maqedonisë nja 350 metra dhe detyruan një patrullë maqedonase të përbërë nga dy milicë dhe një ushtar të hyjnë në automjet, e pastaj i dërguan në territorin e Serbisë.
Radioja maqedonase në emisionet e veta të mbrëmjes tha se ushtarët serbë ishin me uniforma të maskuara dhe me automjete me regjistrim të Kralevës. Ndërsa fshati Llojan, ku u bë kidnapimi është i banuar me shqiptarë.
Radioja maqedonase njoftoi mbrëmë në lajmet e orës 22 se policët dhe ushtari i kidnapuar ishin liruar.
Po kjo radio njoftoi se Ministria e Punëve të Jashtme të Maqedonisë i dërgoi një protestë të ashpër Ministrisë së Punëve të Jashtme të ashtuquajturës Jugosllavi me rastin e këtij incidenti të rëndë.
18 nëntor 1994
SHBA-të këmbëngulin për të drejta të plota politike për Kosovën
Duke iu përgjigjur një sërë pyetjesh të cilat kongresisti amerikan Eliot Engel, bashkëkryetar i Komitetit për Çështje shqiptare në Dhomën e Përfaqësuesve të Kongresit Amerikan, i pat paraqitur Stejt Departamentit amerikan kohë më parë, zyrtarët e Stejt Departamentit kanë deklaruar se “çështjet e sigurisë ende mbesin pengesë për hapjen e Zyrës Informative të SHBA-ve në Kosovë”, bën të ditur Ruder Fin nga Uashingtoni.
Siç dihet, më 5 tetor të këtij viti, në një dëshmi për Kosovën të organizuar në Kongresin Amerikan, anëtarët e Komitetit për Çështje Shqiptare i patën parashtruar Stejt Departamentit amerikan një numër pyetjesh lidhur me qëndrimin e SHBA-ve rreth Kosovës.
Robert Freizhër, Zëvendës i Ndihmësekretarit të Shtetit, i cili i përgjegj me një lëtër kongresistit Eliot në pyetjet e parshtruara, deklaroi: “Situata në Kosovë vazhdon të jetë preokupim i Qeverisë së SHBA-ve në politikën e saj në Ballkan. Mund t’ju siguroj se Stejt Departamenti dhe Administrata amerikane në bashkëpunim me Kongresin do të vazhdojnë të preokupohen me Kosovën dhe çështjet e tjera me rëndësi parësore në Ballkan. Ne këmbëngulim që popullit të Kosovës t’i sigurohen të drejta të plota njerëzore dhe politike”.
18 nëntor 1995
Në Festivalin Kombëtar të Dramës që do të mbahet në Vlorë do të shfaqen edhe tri shfaqje të teatrove kosovare
Para dy ditësh Ambasada e Republikës së Shqipërisë në Beograd konfirmoi ftesën e Ministrisë së Kulturës, Rinisë dhe të Sporteve për pjesëmarrjen në Festivalin Kombëtar të Dramës për trupën e Prizrenit me pjesën “Dredha e Djallit”, sipas tekstit të At Gjergj Fishtës dhe me regji të Nimon Muçajt.
Në Festivalin Kombëtar të Teatrit, që do të mbahet në Vlorë prej 21-28 nëntor, veç seksionit të dramës së SHKA “Agimi” të Prizrenit, nga Kosova do të paraqiten edhe Teatri “Tok Theatre” i Prizrenit me shfaqjen “7 ngjyra… lamtumirë” në regji të Orhan Kekezit dhe teatri “Dodona” i Prishtinës me shfaqjen “Dante 9” të Fadil Hysajt. Në këtë festival Drama Shqipe e Shupit do të paraqitet me shfaqjen “Kali i Trojes”, dramatizimin dhe regjinë e së cilës e ka bërë Fadil Hysaj.
18 nëntor 1996
Gazeta serbe njofton për një sulm në stacionin e policisë në Irzniq të Deçanit
Lidhur me krismat që janë dëgjuar parmbrëmë rreth orës 20,00 në stacionin e policisë serbe në Irzniq të Deçanit, njofton sot gazeta serbe “Jedinstvo”. Në njoftimin e saj thuhet se parmbrëmë rreth orës 20,15 persona të panjohur hapën zjarr nga pushkët automatike në stacionin e policisë serbe në fshatin Irzniq afër Deçanit. Sipas këtij njoftimi në stacionin e policisë në atë moment ndodheshin katër policë, të cilët përgjigjen me zjarr. Gazeta thekson se në shkëmbimin reciprok të zjarrit nuk pati të lënduar. Gazeta shkruan se ky është sulmi i tretë kundër këtij stacioni të policisë.
18 nëntor 1998
KMDLNJ: Në Deçan ka varreza masive të shqiptarëve
Këshilli për Mbrojtjen e të Drejtave dhe të Lirive të Njeriut njoftoi të martën pasdite se një qytetar i Deçanit, emri i të cilit nuk është njoftuar për shkaqe sigurie, ka deklaruar se në pjesën e vjetër të qytezës ka varreza masive të shqiptarëve të ekzekutuar nga policia, ushtria dhe paramilitarët serbë. Por, dyshohet se trupa të shqiptarëve të vrarë janë hedhur edhe nëpër puset e kësaj pjese të qytetit.
Qytetari i Deçanit u bëri apel të gjitha institucioneve të autorizuara që të bëjnë hetimin lidhur me këto varreza dhe që të marrin masa për identifikimin e të ekzekutuarve.