Trupi i njeriut është në gjendje të rigjenerohet në mënyrë natyrale dhe në intervale të caktuara. Lëkura rigjenerohet në 30 ditë, ndërsa rruazat e kuqe të gjakut në katër muaj.
Trupi shkarkon 50 miliardë qeliza, kjo aftësi rigjeneruese e trupit ka frymëzuar shkencëtarët në gjetjen e kurave për sëmundje të ndryshme dhe lëndime të gjymtyrëve. Superfuqia e organizmit i ka dhënë jetë Mjekësisë Rigjeneruese që synon të luftojë inflamacionin që ndodh në trup duke garantuar shëndetin.
Mjekësia Rigjeneruese bazohet tek një regjim i shëndetshëm ushqimor falë të cilit qelizat rigjenerohen më lehtë dhe inflamacioni zhduket shpejt.
Lidhja mes inflamacionit dhe rigjenerimit të qelizave
Inflamacioni shfaqet kur trupi pëson lëndim të caktuar, ai shkatërron qelizat dhe këto të fundit nuk e përfundojnë procesin e rigjenerimit. Për t’u ardhur në ndihmë qelizave, njeriu duhet të hajë ushqimet e duhura, siç janë frutat dhe perimet.
Njeriu mund ta dallojë lehtë nëse një ushqim lufton inflamacionin bazuar në ngjyrën që ka. Rregulli është që pjata e një vakti duhet të jetë e ylbertë. Ushqimet me ngjyrë portokalli si karrotat, janë të pasura me vitaminë A. Kjo vitaminë i vjen në ndihmë rigjenerimit të mushkërive e lëkurës. Ushqimet e gjelbra nga ana tjetër janë të pasura me kompleksin e vitaminave B, ndërsa ato të kuqet përmbajnë vitaminën C dhe antioksidantë.
Frutat e pyllit
Të pasura me antioksidantë e vitamina që zhdukin inflamacionin, mbështesin procesin e riparimit të qelizave. Ato përmirësojnë funksionin e mëlçisë dhe zbusin dhimbjet e kyçeve.
Produktet e detit
Janë thelbësore për shëndetin se përmbajnë acide yndyrore që luftojnë inflamacionin. Ushqimet që na ofron deti i bëjnë mirë shëndetit të trurit dhe zemrës.
Brokoli
Kjo perime është e pasur me substanca që luftojnë inflamacionin, mbështesin mëlçinë dhe gjithë procesin rigjenerues të trupit, është një perime e mirë për pastrimin e organizmit nga toksinat.
Xhenxhefili
Ky zhardhok pikant është një mik i mirë për shëndetin. Ai e lufton inflamacionin që në fillim dhe i jep krahë procesit natyral të rigjenerimit.
Arrorët dhe farat
Janë të pasur me acide yndyrore dhe proteina. Përveç mbështetjes për procesin e rigjenerimit të ndihmojnë për humbjen e kileve. Arrat, bajamet, farat e linit janë të shkëlqyera kundër inflamacionit.
Kërpudhat
Substancat e kërpudhave janë të mira për të mbrojtur qelizat e mëlçisë nga inflamacioni e pastruar organizmin në mënyrë natyrale. Kini parasysh që natyra e ka pajisur njeriun me instrumentat e duhur për të luftuar sëmundjet dhe për të jetuar shëndetshëm.