Lajmet

Kamberi e quan Serbinë shtet fashist: Prishtina e Tirana të jenë më të pranishme në Luginë

Sipas tij, është jetike prezenca e Prishtinës dhe e Tiranës zyrtare në tri komunat ku jetojnë shqiptarët.

Published

on

Përfaqësuesi i vetëm shqiptar në Parlamentin e Serbisë, Shaip Kamberi e quan mendjeshkurtër Shqiprim Arifin, kryetarin e Preshevës, për shkak të deklaratave të tij që Kosova të mos ndërhyjë në Luginë. Sipas tij, është jetike prezenca e Prishtinës dhe e Tiranës zyrtare në tri komunat ku jetojnë shqiptarët. Kamberi kërkon nga Kosova që të hartohet një program shtetëror për Luginën, ndërkaq thekson se prioritet i tij si deputet shqiptar në Serbi, është integrimi i barabartë dhe proporcional i shqiptarëve në organet shtetërore.

Në një intervistë, ai flet edhe për regjistrimin e popullsisë në Luginë, për çka thotë se janë numëruar rreth 100 mijë shqiptarë. Kryetari i Partisë për Veprim Demokratik (PVD) përmend edhe shkarkimin e Ardita Sinanit dhe pjesëmarrjen në zgjedhjet parlamentare të Serbisë me dy lista shqiptare.

Deputeti shqiptar në Parlamentin e Serbisë, Shaip Kamberi kërkon prezencë më të madhe të Prishtinës dhe Tiranës zyrtare në Luginë të Preshevës. Sipas, tij, është e domosdoshme që institucionet në vend ta kenë prioritet çështjen e shqiptarëve të Kosovës Lindore.

“Shpresoj për një prezencë sa më të madhe të Prishtinës dhe Tiranës në Luginë të Preshevës. Kjo është me rëndësi jetike për neve. Është mendjeshkurtër, shkurt pamës një politikan nga Lugina e Preshevës, i cili del dhe publikisht thotë se nuk ka çka përzihet Kosova në Luginë të Preshevës. Pa Kosovën, shqiptarët e Luginës së Preshevës nuk e kanë fare mundësinë as të ekzistencës biologjike në këtë shtet, i cili me qindra herë ka dëshmuar se është fashist ndaj nesh. Prandaj, sa më e madhe të jetë prezenca e Kosovës këtu, qoftë me projekte, sugjerime, me këshilla, apo me cilën do metodë të veprimit për të ndihmuar nevojat e Luginës së Preshevës, do të jetë pozita jonë më e volitshme”, deklaron Kamberi.

Kamberi shton se institucionet në Prishtinë duhet të hartojnë një program shtetëror për ndihmë për Luginën e Preshevës.

“Në Prishtinë të ketë një program shtetëror për ndihmë dhe për marrjen e përgjegjësive për Luginë të Preshevës dhe natyrisht një program të ngjashëm duhet ta ketë edhe Tirana, e cila sipas kushtetutës të vet e ka obligim që të kujdeset për shqiptarët jashtë kufijve të Shqipërisë. Këtë moment mendoj që shqiptarët në Luginë të Preshevës, janë pjesa më e rrezikuar e kombit, nga një shtet i cili po dëshmohet çdo ditë që është destabilizues në aspekt rajonal”, shton ai.

Sipas tij, stabiliteti i përgjithshëm arrihet vetëm përmes marrëveshjes përfundimtare mes Kosovës dhe Serbisë. Siç thotë Kamberi, kërkesa e vetme në kuadër të saj është reciprociteti në trajtimin e ndërsjellë të komuniteteve në të dyja vendet.

“Nuk mund të themi se ka një përparim serioz në çështjen e avancimit të të drejtave të shqiptarëve, sepse ne vazhdojmë të përballemi me një shtet i cili mohon në tërësi të drejtat e pakicave, pavarësisht se janë standarde të cilat ekzistojnë në legjislacionin e brendshëm. Pavarësisht se Serbia është një shtet i cili është në procesin e integrimit në Bashkim Evropian. Por, po ashtu është një shtet i cili refuzon me këmbëngulësi dhe me një urrejtje të shfaqet publikisht, të respektojë komunitetet, të respektojë diversitetet brenda territorit të vet. Në gjithë proceset që janë zhvilluar në vitin që shkoi, nuk kanë sjellë ndonjë përmirësim të dukshëm në jetën e shqiptarëve në Luginën e Preshevës”, deklaron Kamberi.

Shqiptarët e tri komunave, pas dy dekadash, kanë marrë pjesë në regjistrimin e popullsisë. Kryetari i Partisë për Veprim Demokratik, shprehet se që nga fillimi ka pasur vështirësi në këtë proces, meqë Serbia ka tentuar të manipulojë me shifrat.

“Ky proces dëshmoi se në Luginë të Preshevës janë 96 mijë shqiptarë të regjistruar. Do të shohim kur të shpallen rezultatet përfundimtare, si do të jetë ky numër edhe pse ka tendenca në Serbi që të manipulohet numri i vërtetë dhe real i shqiptarëve. Ajo çfarë është me rëndësi, është se procesit i është përgjigjur një numër masiv i qytetarëve dhe me këtë kemi dëshmuar se edhe në Preshevë, Bujanoc, epërsia është e madhe në raport me komunitetet e tjera. Ndërkohë që në Medvegjë, qëllimi ynë është të ruajmë minimumin e gjitha minimumeve, kjo është 15-shi në numrin e përgjithshëm të banorëve të kësaj komune që sjell si rezultat ruajtjen e gjuhës shqipe, si gjuhë zyrtare në statutin e komunës dhe brenda Komunës së Medvegjës”, shprehet ai.

Ai ka kritika edhe për shqiptarët, të cilët siç thotë nuk ishin të unifikuar në një listë zgjedhore për të marrë pjesë në zgjedhjet parlamentare të prillit në Serbi.

“Fakti që nuk janë më shumë kësaj radhe (deputetë), ekzistojnë disa argumente, në mesin e tyre është edhe ajo që ne dolëm në zgjedhje parlamentare me dy lista. Nuk arritëm të kemi një unifikim të plot të faktorit politik për shkak të koncepteve, për shkak të faktit se kishim një koncept politik që mbrohej kërkesa që me Serbinë të jemi më pragmatik, jo lojë rezistues, jo luftues dhe koncepti që ne kemi si koalicion i shqiptarëve të luginës e kemi mbrojtur se ne duhet të vazhdojmë me konceptin tonë të rezistencës politike në parlament, derisa ta detyrojmë këtë shtet që të ulet dhe të na trajtojë si partner i barabartë”, deklaron Kamberi.

Deputeti i vetëm shqiptar në Parlament të Serbisë shton se nga pushteti i atjeshëm është tentuar që të ketë çrregullime në këtë proces zgjedhor, për çka u detyruan pesë herë radhazi të organizojnë zgjedhje në një njësi zgjedhore.

Përgjatë mandatit të tij, Kamberi deklaron se do të vazhdojë të ngre zërin për mbrojtjen e të drejtave të shqiptarëve.

“Unë do të vazhdoj me të njëjtin koncept për të paraqitur problematikat e shumta të popullatës shqiptare që jeton këtë rajon, për një akronizëm që po ekziston në politikën e Ballkanit Perëndimor, sidomos të Serbisë në raport me Ballkanin Perëndimor dhe me Kosovën, e cila po kërkon standarde nga më të lartat që ekzistojnë dhe që nuk i njeh e drejta ndërkombëtare për serbët në Kosovë, duke na mohuar neve standardet elementare, ato që janë fundamentale, ato që janë të parapara me legjislacionin e brendshëm të Serbisë. Pra, duhet luftuar ky koncept politik, të cilën Serbia po tenton ta vendos në zbatim, duke kërkuar zbatimin e parimit të reciprocitetit në të drejta me serbët”, shton ai.

Kamberi e konsideron me rëndësi të lartë integrimin e barabartë të shqiptarëve në organet shtetërore.

“Unë këtë vit duhet të nis disa iniciativa ligjore në radhë të parë rreth përdorimit të simbolit, eliminimit të kufizimeve, kërkesave të shumta që drejtpërdrejt do të lidhin me rezultatet e regjistrimit, kthimi i gjykatës në Preshevë dhe ajo që është sipas meje më e rëndësishmja është integrimi i barabartë dhe proporcional i shqiptarëve në organet shtetërore. Kjo është kërkesa bazë që po refuzohet për 40 vite sa jemi në proces politik me Serbinë nga përfundimi i luftës së UÇPMB-së”, thekson deputeti shqiptar në Parlamentin e Serbisë.

Vitin e kaluar u shkarkua edhe bashkëpartiakja e Kamberit, Ardita Sinani, e cila ishte kryetare e Preshevës. Kryetari i PVD-së deklaron se asnjë qeverisje nga viti 2016, nuk arriti të përfundojë mandatin dhe kjo situatë po destabilizon komunën.

“Gjendja në Preshevë vërtetë është serioze, alarmante me faktin që as intervenimi i drejtpërdrejt dhe sugjerimet që erdhën nga Prishtina për të ruajtur stabilitetin në këto momente të rëndësishme në kuadër të procesit në të cilat gjendet gjithë Ballkani Perëndimor, në kuadër të një fakti në të cilën ne do të duhet të ndërtojmë një politikë unike të harmonizuar me Prishtinën dhe Tiranën për të kërkuar të drejtat e tona sipas parimeve të reciprocitetit, po ndodhin gjëra të këtilla që po e çojnë Preshevën në një kaos të përgjithshëm politik, një kaos i cili nuk po i sjellë në radhë të parë të mira qytetarëve të Preshevës, por që po dëmton konceptin tonë të ndërtimit të një politike unike për të kërkuar të drejtat tona konform parimit të reciprocitetit”, përfundon Kamberi.

Në prill të vitit të kaluar, kryeministri Albin Kurti kishte ftuar në takim përfaqësuesit e Luginës, ku kishte kundërshtuar shkarkimin e Ardita Sinanit dhe kishte thënë që nuk duhet mbështetur tentimet për acarim të shqiptarëve me njëri-tjetrin.

Vendi

PDK i përgjigjet Kurtit: Së pari vendimi i Kushtetueses

Published

on

By

Kërkesës së Kryeministrit Albin Kurti për një takim të mundshëm në ditët në vijim për çështjen e presidentit, i është përgjigjur edhe Partia Demokratike e Kosovës (PDK) me të njëjtin ton si ai i LDK-së.

Në përgjigje të kësaj thirrjeje, PDK ka konfirmuar vullnetin për dialog, mirëpo jo para një vendimi të Gjykatës Kushtetuese.

“PDK e falënderon kryeministrin Albin Kurti për ftesën për takim dhe rithekson se mbetet e hapur për komunikim dhe dialog politik sa herë që kjo i shërben stabilitetit institucional dhe interesit të vendit. Megjithatë, në rrethanat aktuale, duke pasur parasysh se Gjykata Kushtetuese ka vendosur Masë të Përkohshme që pezullon procesin e zgjedhjes së Presidentit dhe çdo veprim të mëtejshëm të Kuvendit në këtë drejtim, PDK vlerëson se është e domosdoshme të pritet vendimi përfundimtar i Gjykatës, i cili pritet deri më 31 mars dhe që do të qartësojë hapat e mëtejmë institucionalë”, thuhet në komunikatën e PDK-së.

PDK e përmbyll reagimin duke theksuar se respektimi i vendimeve të Gjykatës Kushtetuese është mënyra më e përgjegjshme për të garantuar stabilitetin e vërtetë politik dhe institucional në Kosovë.

 

Continue Reading

Rajoni

Shqipëria synon ta shpallë Iranin shtet sponsor të terrorizmit

Published

on

By

Shqipëria do të votojë për një rezolutë për ta shpallur Iranin shtet sponsor të terrorizmit, ndërsa Gardën Revolucionare dhe Hezbollahun, organizata terroriste, njoftoi të premten kryeministri i vendit, Edi Rama.

Duke folur në një konferencë për gazetarë, Rama tha se vendimi do të merret javën e ardhshme.

“Parlamenti i Shqipërisë do të ftohet ta votojë një rezolutë për ta shpallur Republikën e Khomeiniste të Iranit – unë me gojë nuk e them dot islamike, sepse ajo nuk ka asnjë lidhje me islamin sipas asaj që unë di dhe çmoj te islami – shtet sponsor të terrorizmit. Bashkë me këtë do të shpallen organizata terroriste Garda Revolucionare e Iranit dhe Hezbollahu”, theksoi Rama.

Hezbollahu është grup militant në Liban i mbështetur nga Irani. Ai konsiderohet organizatë terroriste nga Shtetet e Bashkuara dhe fuqi tjera.

Ndërsa, Bashkimi Evropian muaj më parë e shpalli terroriste Gardën Revolucionare të Iranit.

Synimi i Shqipërisë vjen pak ditë pasi Kuvendi i saj ish në shënjestër të një sulmi kibernetik, për të cilin Rama, dhe ministri i Punëve të Jashtme, Ferit Hoxha, thanë gjatë raportimit në Komisionin për Sigurinë, se erdhi nga Irani.

Kreu i Qeverisë tha se sulmet kibernetike nga Irani janë të vazhdueshme, madje, sipas tij, të përditshme, që prej vitit 2022.

Kryeministri shtoi Shqipëria ka kapacitete mbrojtëse kibernetike, dhe atë ndër më të mirat në Evropë, por tregoi se Kuvendi nuk është përfshirë ende në to.

“Problemi ynë është që nuk kemi përfshirë ende të gjithë sistemin brenda rrjetit të mbrojtjes. Nuk ka probleme me zonat kritike ku ata mund të sulmojnë. Ne sulmohemi nga Irani, çdo ditë, jo njëherë. Nuk kanë ndalur asnjëherë sulmet. Këto janë të dhëna sensitive, në sistemet e mbrojtjes kibernetike ka lexim dhe gjurmë të çdo sulmi, por s’kanë pasur sukses në pjesën e infrastrukturës kritike”, tha Rama.

Ndërsa, Hoxha tha se “fakti që arritën të cenojnë infrastrukturën teknologjike të Kuvendit do të thotë që duhet të jemi shumë të vëmendshëm”.

Ai tha se kjo çështje është ngritur në NATO dhe Shqipëria ka marrë garancinë se nuk është vetëm.

Hoxha theksoi se Shqipëria mbështet politikën e jashtme të sigurisë kolektive dhe renditet krah SHBA-së për ndalimin e programit bërthamor dhe raketave balistike nga Irani.

Marrëdhëniet midis Iranit dhe Shqipërisë janë të tensionuara dhe praktikisht të ngrira prej se Shqipëria u ofroi anëtarëve të MEK-ut strehë të sigurt, mbi një dekadë më parë.

Sulmet kibernetike iraniane prej vitit 2022, për të cilat Shqipëria beson se janë hakmarrje ndaj saj për strehimin e disidentëve iranianë, bëri që Qeveria shqiptare t’i pezullonte marrëdhëniet diplomatike me Iranin.

Përgjegjësinë për sulmin e 9 marsit e mori një grup hakerësh, i identifikuar si Homeland Justice, i cili theksoi në llogarinë e tij në Telegram se “nuk do t’i lëmë mbështetësit e terroristëve të MEK të flenë të qetë asnjë çast”.

MEK, apo Mojahedin-e-Khalq, është grup opozitar iranian që njihet edhe si Organizata Popullore Muxhahedine e Iranit dhe është strehuar në Shqipëri kamotshëm.

Homeland Justice është faqe e internetit me shtrirje ruse që u shfaq para sulmeve kibernetike në portalin shtetëror e-Albania, në mes të korrikut 2022.

Sipas analizës së Microsoft, pas faqes së internetit qëndron një grup i lidhur me Qeverinë iraniane, i cili është përgjegjës për sulmin në internet./REL/

Continue Reading

Vendi

Abdixhiku i përgjigjet Kurtit: Takohemi “një orë pas” verdiktit të Kushtetueses

Published

on

By

Kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Lumir Abdixhiku, ka reaguar zyrtarisht pas ftesës së Kryeministrit Albin Kurti për një takim rreth zgjedhjes së Presidentit të ri.

Abdixhiku ka konfirmuar se do t’i përgjigjet pozitivisht ftesës, por ka vendosur një kusht të qartë: takimi mund të ndodhë vetëm pasi Gjykata Kushtetuese të japë verdiktin e saj.

Lideri i LDK-së ka theksuar se përderisa çështja e dekretit për shpërndarjen e Kuvendit është në duart e Gjykatës, politika duhet të heshtë për t’i lënë radhën drejtësisë kushtetuese.

“E kam njoftuar se do t’i përgjigjem pozitivisht kësaj ftese në ditën e parë pas verdiktit të Gjykatës Kushtetuese. Duke qenë se çështja e zgjedhjes së Presidentit është tashmë në shqyrtim, koha jonë politike ndalon përkohësisht”, ka deklaruar Abdixhiku.

Sipas tij, respektimi i pavarësisë së Gjykatës Kushtetuese dhe shmangia e proceseve politike paralele është një nder që i bëhet Republikës dhe institucioneve të saj.

“Verdikti i Gjykatës duhet pritur me respekt të plotë institucional dhe me qetësi politike. Një orë pas verdiktit, mund të takohemi sërish”, ka përfunduar kreu i LDK-së.

Kjo përgjigje vjen vetëm pak orë pasi Kryeministri Kurti njoftoi se do të nisë ftesat për opozitën me qëllim arritjen e një marrëveshjeje për Presidentin, për të evituar kështu shkuarjen në zgjedhje të reja.

 

 

Continue Reading

Lajmet

Kurti: Sot u nis ftesë partive opozitare, duhet marrëveshje për Presidentin

Published

on

By

Institucionet e Kosovës janë aktualisht në pritje të aktgjykimit nga Gjykata Kushtetuese lidhur me dekretin e Presidentes për shpërndarjen e Kuvendit. Ndërsa vendi pret këtë vendim që do të përcaktojë fatin e legjislaturës, Kryeministri Albin Kurti ka bërë thirrje për stabilitet, duke kërkuar një marrëveshje politike me partitë opozitare për zgjedhjen e kreut të ri të shtetit.

Kurti theksoi para mediave se Kosova nuk mund t’i lejojë vetes një tjetër cikël zgjedhor të dendur, duke kujtuar se gjatë vitit të kaluar vendi kaloi nëpër katër palë zgjedhje.

“Kemi një çështje tani që ndodhet në Gjykatën Kushtetuese, ndërkaq theksi duhet të vije në faktin që në vitin e kaluar kemi pasur 4 palë zgjedhje dhe unë jam i bindur që nuk kemi nevojë që ta përsërisim vitin 2025. Është e domosdoshme që të kemi marrëveshje me partitë opozitare për zgjedhjen e presidentit”, deklaroi Kurti.

Për të shmangur zgjedhjet e sërishme dhe për të siguruar funksionimin e Kuvendit pas vendimit të Gjykatës, Kryeministri njoftoi se ftesat për liderët e opozitës do të dërgohen menjëherë.

“Me krerët e partive opozitare duhet të takohemi dhe unë qysh sot do t’ju dërgoj ftesa për t’u takuar në fillim të javës së ardhshme”, shtoi ai, duke insistuar se zgjidhja duhet të gjendet përmes dialogut brenda spektrit politik.

 

Continue Reading

Të kërkuara