Botë

Kallas: Është e papërshtatshme që Putini të vijë në Hungari

Published

on

Përfaqësuesja e lartë e Bashkimit Evropian (BE) për politikën e jashtme dhe sigurinë, Kaja Kallas, deklaroi se “nuk është e hijshme” që presidenti rus Vladimir Putin mund të udhëtojë në Hungari, një vend anëtar i BE-së, për t’u takuar me presidentin amerikan Donald Trump lidhur me luftën në Ukrainë.

Para takimit të ministrave të jashtëm të vendeve anëtare të BE-së në Luksemburg, Kallas u tha gazetarëve se ajo mirëpret përpjekjet e Trump për të sjellë paqe, por theksoi se është po aq e rëndësishme që presidenti ukrainas Volodymyr Zelensky të zhvillojë bisedime me Putinin, raporton Reuters.

Duke iu referuar paralajmërimit të Trump se do të takohet së shpejti me Putinin në Budapest, Kallas deklaroi se Uashingtoni “ka mjaftueshëm fuqi për të ushtruar presion ndaj Rusisë që të ulet në tryezën e negociatave” dhe se, nëse e shfrytëzon këtë, “do të ishte mirë nëse Rusia e ndalon luftën.”

Sa i përket Budapestit, jo, nuk është mirë… të shohësh në realitet që një person për të cilin Gjykata Ndërkombëtare Penale (ICC) ka lëshuar urdhër arresti të vijë në një vend evropian,” tha Kallas, duke shtuar se mbetet për t’u parë nëse takimi i paralajmëruar do të sjellë ndonjë rezultat./EO

Lajmet

Katër persona humbin jetën nga rrëzimi i një aeroplani të vogël në Kroaci

Published

on

Katër persona kanë humbur jetën si pasojë e rrëzimit të një aeroplani të vogël në perëndim të Kroacisë.

Sipas policisë kroate, aksidenti ka ndodhur në zonën Campanozh, ndërmjet rajoneve Kashtijun dhe Medulin, pranë aeroportit sportiv të Medulinit.

Mediat kroate, duke iu referuar burimeve jozyrtare, raportojnë se bëhet fjalë për një aeroplan të vogël gjerman që ishte nisur nga Austria me destinacion Medulinin.

Menjëherë pas aksidentit, në vendngjarje kanë dalë ekipet emergjente për të ndërmarrë veprimet e nevojshme dhe për të siguruar zonën.

Autoritetet kanë bërë të ditur se më shumë detaje rreth shkaqeve dhe rrethanave të aksidentit pritet të publikohen pas mbërritjes së hetuesve të Agjencisë për Hetimin e Aksidenteve në Trafikun Ajror, Detar dhe Hekurudhor (AIN).

Hetimet për zbardhjen e plotë të rastit janë duke vazhduar.

Continue Reading

Lajmet

SHBA kërkon më shumë angazhim nga aleatët e NATO-s, priten rritje të kapaciteteve ushtarake evropiane

Published

on

Shtetet e Bashkuara të Amerikës presin që aleatët evropianë të NATO-s dhe Kanadaja të rrisin me shpejtësi numrin e aeroplanëve, dronëve dhe anijeve që kontribuojnë në planet mbrojtëse të aleancës, ka deklaruar gjenerali i Forcave Ajrore Amerikane, Alexus Grynkewich, komandanti më i lartë i NATO-s dhe kreu i forcave amerikane në Evropë.

Deklarata e tij vjen pas vendimit të administratës së presidentit Donald Trump për të zvogëluar kapacitetet ushtarake amerikane në dispozicion të NATO-s në rast krizash. Trump ka kërkuar vazhdimisht që vendet evropiane të marrin më shumë përgjegjësi për mbrojtjen e kontinentit dhe të reduktojnë varësinë nga mbështetja ushtarake amerikane.

Sipas raportimeve, SHBA-ja muajin e kaluar i njoftoi aleatët për reduktimin e kontributit në kuadër të Modelit të Forcës së NATO-s, një mekanizëm që përfshin forcat e gatshme për t’u aktivizuar në raste krizash apo konfliktesh.

Megjithëse Uashingtoni nuk ka bërë publike detajet e plota të shkurtimeve, ato raportohet se përfshijnë aftësi të rëndësishme ushtarake, si furnizimi me karburant i aeroplanëve, aeroplanët luftarakë, dronët dhe asetet detare.

Pas takimit të planifikuesve ushtarakë të NATO-s, Grynkewich theksoi se aeroplanët me dhe pa pilot, si dhe anijet detare, janë fushat ku aleatët evropianë dhe Kanadaja mund të ndërhyjnë më shpejt për të mbuluar boshllëqet që do të krijohen nga reduktimi i pranisë amerikane.

“Aeroplanët me dhe pa pilot, si dhe anijet detare janë dy fusha ku Kanadaja dhe aleatët evropianë mund të ndërmarrin hapa tani dhe në afat të shkurtër, ndërsa Shtetet e Bashkuara zvogëlojnë forcat sipas Modelit të Forcës së NATO-s në Evropë dhe i rifokusojnë ato diku tjetër”, ka deklaruar ai.

Gjenerali amerikan shtoi se ka ekzistuar një varësi e tepërt nga forcat amerikane brenda strukturës së NATO-s dhe se kjo situatë duhet të ndryshojë.

“Ka pasur një bashkëvarësi të pashëndetshme në Modelin e Forcës së NATO-s nga forcat amerikane. Presidenti Trump, Sekretari i Mbrojtjes Pete Hegseth dhe të tjerë e kanë bërë të qartë se kjo duhet të ndryshojë dhe do të ndryshojë”, u shpreh Grynkewich.

Sipas tij, zhvillimet globale dhe mundësia e konflikteve të njëkohshme në rajone të ndryshme të botës kërkojnë që aleatët të marrin një rol më të madh në garantimin e sigurisë kolektive të NATO-s.

Burimi: Reuters.

Continue Reading

Lajmet

Izraeli dhe Libani arrijnë marrëveshje për armëpushim, bisedimet vazhdojnë në qershor

Published

on

Izraeli dhe Libani kanë rënë dakord për zbatimin e një armëpushimi, ka njoftuar Departamenti Amerikan i Shtetit. Marrëveshja është e kushtëzuar me ndërprerjen e plotë të sulmeve nga grupi Hezbollah dhe respektimin e kushteve të tjera të dakorduara mes palëve.

Njoftimi vjen pasi përleshjet vazhduan edhe këtë javë. Sulmet izraelite në jug të Libanit vranë të paktën nëntë persona, ndërsa Hezbollahu lëshoi raketa drejt veriut të Izraelit, duke vënë në provë armëpushimin e pjesshëm të arritur më herët.

Sipas deklaratës amerikane, palët riafirmuan se e ardhmja e marrëdhënieve mes Izraelit dhe Libanit duhet të përcaktohet nga dy qeveritë sovrane, duke kundërshtuar çdo ndërhyrje nga aktorë shtetërorë apo joshtetërorë.

Marrëveshja u arrit pas rundit të katërt të bisedimeve të ndërmjetësuara nga SHBA-ja në Uashington dhe përfshin largimin e operativëve të Hezbollahut nga zona që shtrihet nga lumi Litani deri në kufirin me Izraelin. Gjithashtu, SHBA-ja do të ndihmojë në krijimin e zonave ku kontrolli do t’i kalojë ekskluzivisht Forcave të Armatosura të Libanit.

Palët pritet të takohen sërish më 22 qershor, me synimin për të arritur një marrëveshje gjithëpërfshirëse dhe më të qëndrueshme për sigurinë në rajon.

Continue Reading

Aktualitet

Dronët ukrainas godasin Shën Petersburgun para nisjes së forumit ekonomik ku pritet të flasë Putini

Published

on

By

Dronët ukrainas goditën objektiva energjetike dhe ushtarake në Shën Petersburg të Rusisë në orët e para të së mërkurës, vetëm pak orë para hapjes së forumit ekonomik ndërkombëtar të qytetit, ku presidenti rus, Vladimir Putin, pritet të mbajë fjalimin kryesor të premten, raporton The Guardian.

Sipas autoriteteve ruse, sulmet shënjestruan depot e naftës në distriktet Kirovsky dhe Krasnoselsky, ndërsa u raportuan shpërthime të fuqishme dhe shtëllunga të dendura tymi mbi qytet. Gjithashtu, u godit edhe baza detare e Kronstadtit, ku ndodhet Flota Baltike e Rusisë.

Presidenti ukrainas, Volodymyr Zelenskyy, tha se sulmet janë pjesë e strategjisë së Ukrainës për të goditur objektiva me rëndësi strategjike brenda territorit rus. Ai deklaroi se dronët goditën terminalin e naftës në Shën Petersburg, bazën detare të Kronstadtit dhe një fabrikë armësh në rajonin e Tambovit.

Sulmet ndodhën në prag të Forumit Ekonomik Ndërkombëtar të Shën Petersburgut, një ngjarje që shpesh cilësohet si “Davosi rus”. Organizatorët presin rreth 20 mijë pjesëmarrës nga mbi 130 vende të botës.

Ndërkohë, lufta mes Rusisë dhe Ukrainës vazhdon të përshkallëzohet. Vetëm një ditë më parë, sulmet ruse me raketa dhe dronë në Ukrainë lanë të vrarë të paktën 23 persona dhe plagosën dhjetëra të tjerë, duke nxitur Kievin të kërkojë sërish mbështetje shtesë ushtarake nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës./The Guardian/

Continue Reading

Të kërkuara