Aktualitet

Jordania thotë se rrëzoi disa raketa iraniane që synonin një bazë amerikane

Published

on

Qeveria e Jordanisë tha se ka rrëzuar katër raketa balistike iraniane që synonin një bazë ushtarake amerikane në territorin e saj.

Sulmi ndodhi pasi Garda Revolucionare Islamike e Iranit (IRGC) i bëri thirrje Jordanisë që t’i mbyllë bazat amerikane në vend.

Mediat shtetërore jordaneze, duke cituar një deklaratë të Qeverisë, thanë se raketat u rrëzuan më 14 korrik, pasi hynë në hapësirën ajrore të vendit.

IRGC-ja e konfirmoi sulmin përmes një deklarate të publikuar nga agjencia iraniane e lajmeve Fars, por shtoi se ai nuk kishte për qëllim t’i dëmtonte qytetarët jordanezë.

“Ju e dini shumë mirë se jo vetëm që nuk kemi armiqësi me vendin tuaj, por edhe ju duam – ju, popullin fisnik, që e kuptoni dhimbjen dhe shtypjen e popullit palestinez më mirë se çdo komb tjetër”, thuhet në deklaratën e IRGC-së.

Autoritetet jordaneze thanë se nuk ka raportime për viktima nga rrëzimi i raketave.

Situata në rajon u përkeqësua në fundjavë, kur SHBA-ja dhe Irani rinisën një valë të re sulmesh.

Ushtria amerikane tha se goditi objektiva iraniane me synimin për të garantuar lirinë e lundrimit në Ngushticën e Hormuzit, ndërsa Irani u kundërpërgjigj me sulme ndaj disa vendeve të Gjirit dhe anijeve në këtë rrugë ujore strategjike.

Komanda Qendrore e Ushtrisë amerikane (CENTCOM) njoftoi se nga sot do të rikthejë bllokadën detare ndaj porteve iraniane.

Sipas saj, forcat amerikane do të ndalojnë dhe kontrollojnë të gjitha anijet që hyjnë ose dalin nga portet e Iranit, ndërsa do të vazhdojnë të garantojnë lundrimin e sigurt për anijet e tjera në rajon.

Ky vendim vjen një ditë pasi presidenti amerikan, Donald Trump, tha se SHBA-ja do të bëhet “engjëlli mbrojtës” i Ngushticës së Hormuzit – rrugë ujore strategjike ku Irani ka sulmuar ditëve të fundit disa anije tregtare.

Agjencia britanike për sigurinë detare, UKMTO, njoftoi se një tjetër cisternë u godit nga një raketë më 14 korrik, ndërsa po kalonte nëpër Ngushticën e Hormuzit pranë brigjeve të Omanit. /REL/

 

Continue Reading

Aktualitet

Disa të vdekur nga zjarri në një kantier ndërtimi në Bruksel

Published

on

By

Disa persona kanë humbur jetën si pasojë e një zjarri që shpërtheu të martën në një kantier ndërtimi në Bruksel, ndërsa kërkimet për gjashtë persona të tjerë të zhdukur janë ende duke vazhduar, raporton agjencia e lajmeve Reuters duke cituar autoritetet lokale.

Një zëdhënës i shërbimit lokal të inspektimit të punës deklaroi se një numër ende i papërcaktuar trupash u gjetën brenda njërit prej dy ashensorëve në projektin e madh të renovimit në sheshin qendror “Place de Brouckere”, ku zjarri shpërtheu herët në mëngjesin e së martës.

Ndërkaq, shërbimi lokal i zjarrfikësve bëri të ditur se mbi 200 punëtorë ndodheshin në kantier në momentin kur ra zjarri, si dhe konfirmoi se tre persona janë dërguar me urgjencë në spital për trajtim mjekësor. /Reuters/

Continue Reading

Lajmet

Koncerti me repertorin e Nexhmije Pagarushës rikthehet sonte në kuadër të Rame Lahaj Festival

Published

on

Koncerti kushtuar repertorit të pavdekshëm të ikonës së muzikës shqiptare, Nexhmije Pagarusha, rikthehet edhe këtë vit në kuadër të Rame Lahaj International Opera Festival, duke vazhduar traditën e nderimit të trashëgimisë së saj artistike.

Në skenën e kësaj mbrëmjeje do të ngjiten Alma Bektashi, Liridon Sadriu, Malvina Likaj dhe Samir Shehu, të cilët do të interpretojnë disa prej këngëve më të njohura shqiptare. Këtë edicion, repertori vjen me aranzhime të reja nga Shpëtim Saraçi, i shoqëruar nga Pagarusha Band.

Koncerti do të mbahet në hapësirën e jashtme të Bibliotekës Kombëtare të Kosovës në Prishtinë, me fillim nga ora 20:30, duke premtuar një mbrëmje të mbushur me emocione dhe homazh për “Bilbilin e Kosovës”./A.K/

Continue Reading

Lajmet

REL: BE-ja dënon deklaratën e ministres serbe për “spastrimin etnik” të Kosovës

Published

on

By

Bashkimi Evropian dënoi deklaratën e ministres serbe për Administratë Publike dhe Vetëqeverisje Lokale, Snezhana Paunoviq, e cila tha se, po të ishte në vend të ish-presidentit serb, Sllobodan Millosheviq, në vitin 1998, do ta kishte “spastruar etnikisht Kosovën”.

Zëdhënësja e Komisionit Evropian, Anitta Hipper, tha se BE-ja nuk komenton deklarata individuale, por theksoi se në Evropë nuk ka vend për retorikë që arsyeton ose promovon spastrimin etnik.

“Deklarata të tilla bien ndesh me vlerat e dinjitetit njerëzor, pajtimit, llogaridhënies dhe marrëdhënieve të mira fqinjësore, mbi të cilat është ndërtuar Bashkimi Evropian”, tha Hipper duke iu adresuar gazetarëve në Bruksel.

Sipas saj, ato bien ndesh edhe me zotimet që ka marrë Serbia në kuadër të dialogut për normalizimin e marrëdhënieve me Kosovën, të ndërmjetësuar nga BE-ja.

“Ne presim që të gjithë liderët të veprojnë me përgjegjësi, të përmbahen nga retorika nxitëse dhe të kontribuojnë në krijimin e një klime besimi dhe stabiliteti rajonal”, shtoi Hipper.

Paunoviq deklaroi të shtunën për televizionin serb Kurir se, po të ishte në vend të Millosheviqit në vitin 1998, “do ta kishte spastruar etnikisht Kosovën”.

Millosheviq ishte ish-president i Republikës Federale të Jugosllavisë dhe i akuzuar nga Tribunali i Hagës për krime lufte.

“Kjo është deklarata më e ashpër që kam bërë ndonjëherë në jetën time”, tha Paunoviq.

Ajo tha se “nuk do t’i kishte likuiduar shqiptarët ashtu siç ata po përpiqen ta pastrojnë etnikisht Kosovën, por në atë mënyrë që secili që ndihet më pak qytetar i Republikës Federale të Jugosllavisë, të largohej dhe të shkonte në shtetin e vet amë”.

Në një reagim të publikuar më 14 korrik, Paunoviq tha se nuk heq dorë nga politika e Partisë Socialiste të Serbisë – pjesë e së cilës është që nga viti 1992.

“Ne jemi partia që e udhëhoqi Serbinë në rrethana jashtëzakonisht të vështira historike, partia që bëri sakrifica të mëdha – emri i së cilës është përmendur më së shumti në Hagë”, shkroi ajo në rrjetet sociale.

Paunoviq është nënkryetare e Partisë Socialiste të Serbisë që nga viti 2024.

Gjatë luftës në Kosovë, në vitet 1998-1999, u vranë mbi 13.000 civilë, ndërsa mijëra të tjerë u zhdukën.

Mbi 1.500 persona, shumica shqiptarë, vazhdojnë të figurojnë të zhdukur.

Mijëra trupa u gjetën ndër vite në varreza masive në Serbi.

Tribunali Penal Ndërkombëtar për ish-Jugosllavinë në Hagë i cilësoi drejtuesit e atëhershëm të RFJ-së si pjesëmarrës kyç në një “ndërmarrje të përbashkët kriminale”, që synonte dëbimin me forcë të qindra mijëra civilëve shqiptarë nga Kosova, nga marsi deri në qershor të vitit 1999.

Sipas aktgjykimeve, qëllimi ishte “ndryshimi i balancës etnike për të ruajtur kontrollin serb mbi Kosovën”.

Ish-gjenerali i Ushtrisë jugosllave, Nebojsha Pavkoviq, si komandant i Armatës së Tretë, u dënua nga Tribunali i Hagës me 22 vjet burg për dëbime, zhvendosje me forcë, vrasje dhe përndjekje të civilëve shqiptarë në Kosovë, gjatë gjysmës së parë të vitit 1999.

Së bashku me të u dënuan edhe ish-shefi i Shtabit të Përgjithshëm të Ushtrisë jugosllave, Dragolub Ojdaniq, ish-komandanti i Korpusit të Prishtinës, Vlladimir Llazareviq, gjenerali i policisë Sreten Llukiq dhe ish-zëvendëskryeministri i RFJ-së, Nikolla Shainoviq.

I akuzuari kryesor, Sllobodan Millosheviq, vdiq në paraburgim para përfundimit të gjykimit, ndërsa ish-presidenti i Serbisë, Millan Milutinoviq, u shpall i pafajshëm. /REL/

Continue Reading

Lajmet

Arian Gashi në Akademinë e Drejtësisë: Zhvillimi profesional i prokurorëve mbetet prioritet strategjik i KPK-së

Published

on

By

Kryesuesi i Këshillit Prokurorial të Kosovës (KPK), Arian Gashi, ka marrë pjesë në punëtorinë e organizuar nga Akademia e Drejtësisë, e cila kishte për qëllim identifikimin e nevojave trajnuese dhe avancimin e kapaciteteve profesionale të prokurorëve dhe gjyqtarëve.

Gjatë fjalës së tij, Kryesuesi Gashi theksoi se zhvillimi profesional i vazhdueshëm është një proces thelbësor për t’u përballur me sfidat e reja në sistemin e drejtësisë, veçanërisht në luftimin e kriminalitetit, përdorimin e provave digjitale dhe përshtatjen me zhvillimet e fundit teknologjike.

Në mbyllje të adresimit të tij, ai ritheksoi se ngritja e kapaciteteve profesionale, forcimi i integritetit dhe respektimi i etikës mbeten ndër prioritetet kryesore strategjike të Këshillit Prokurorial të Kosovës për të ardhmen. /E.A/

Continue Reading

Të kërkuara