Lajmet

Johnson jep dorëheqje, mbetet kryeministër tash për tash

Njoftimi i Johnsonit vjen pasi më shumë se 50 zyrtarë britanikë dhanë dorëheqje.

Published

on

Boris Johnson dha dorëheqje nga posti i liderit të Partisë Konservatore dhe tha se ka emëruar një kabinet qeveritar dhe ai do të shërbejë deri sa të zgjidhet një kryeministër i ri.

“Është e qartë tani se vullneti i Partisë Konservatore është që duhet të ketë një lider të ri të partisë dhe kryeministër”, tha Johnson, teksa iu drejtua kombit nga zyra e kryeministrit.

Njoftimi i Johnsonit vjen pasi më shumë se 50 zyrtarë britanikë dhanë dorëheqje.

Tetë ministra, përfshirë edhe dy sekretarë të shtetit, kanë dhënë dorëheqje më 7 korrik, duke e lënë të izoluar dhe pa fuqi politike Johnsonin dhe duke e shtyrë atë që të njoftojë për dorëheqje e tij.

Në mesin e zyrtarëve që kanë dhënë dorëheqje janë edhe kancelari Nadhim Zahawi, i cili u emërua dy ditë më parë. Ai tha se situata “nuk është e qëndrueshme dhe vetëm do të përkeqësohet”.

Zahawi ishte emëruar pasi Rishi Sunak u dorëhoq dhe tha se nuk mund ta mbështeste më Johnsonin për shkak të një serie të skandaleve etike.

Po ashtu, sekretari për Irlandën, Brandon Lewis është në mesin e politikanëve që janë dorëhequr.

Pakënaqësitë në kabinetin e Johnsonit u shfaqën pas disa zbulimeve së fundmi lidhur me sjellje të papërshtatshme seksuale të ligjvënësit Chris Pincher, ligjvënës konservator dhe u raportua se Johnson ishte në dijeni të këtyre ndodhive.

Javën e kaluar, Pincher dha dorëheqje pasi dolën ankesa se ai kishte ngacmuar dy burra në një klub privat. Kjo nxiti një seri raportimesh për pretendime në të kaluarën ndaj Pincherit. Menjëherë pas zbulimit të këtij skandali nisën edhe dorëheqjet e para nga kabineti i Johnsonit.

Johnson i kishte mbijetuar një mocioni mosbesimi më 6 qershor të ngritur nga Partia Konservatore, edhe pse 41 për qind e ligjvënësve votuan që ai të largohej nga detyra.

Johnson erdhi në pushtet më 2019, pasi shënoi fitoren më të madhe që kishte përjetuar Partia Konservatore./REL

Lajmet

Ditari: Lajmet kryesore që shënuan datën 18 gusht 1993-1998?

Published

on

By

Në rubrikën Ditari, kemi përzgjedhur disa nga lajmet më të rëndësishme të kësaj dite, në periudhën 1993-1998.

Foto: Sipas ministrisë së Shëndetësisë, në Shqipëri u vranë ose u plagosën 10.141 veta

18 gusht 1993

UNESCO e shqetësuar për situatën në arsimin e Kosovës

Në adresë të Këshillit për Mbrojtjen e të Drejtave dhe Lirive të Njeriut në Prishtinë, këto ditë erdhi një shkresë nga drejtori i Zyrës së Normave Ndërkombëtare dhe i Punëve Juridike të UNESCO-s, z.M.Paszkowski.

Zyrtari i UNESCO-s ia bën me dije KMDLNJ-së dhe veprimtarëve të tij që merren me çështje të arsimit se pritet që në fillim të tetorit problemet e arsimit shqip në Kosovë të rishqyrtohen nga ana e këtij organi të OKB-së. Po ashtu bëhet me dije se në këtë mbledhje të UNESCO-s nuk do të marr pjesë përfaqësuesi i qeverisë së Jugosllavisë së vetëshpallur.

Komiteti ka vendosur gjithashtu që ta lus drejtorin e përgjithshëm të UNESCO-s që të obligohet zyrtarisht dhe që në bashkëpunim me organet përkatëse të Kombeve të Bashkuara të angazhohet me qëllim që të kontribuojë për zgjidhjen e problemeve të parashtruara në informatat rreth gjendjes në arsimin shqip të Kosovës të KMDLNJ-së, thuhet ndër të tjera në letrën që zoti M.Paszkowski ia dërgoi këtij këshilli.

 

 18 gusht 1994

Situatë e tensionuar nga aksioni i forcave serbe në Zhabelin Plak të Gjakovës

Gjatë një aksioni të policisë serbe sot në fshatin Zhabeli Plak në komunën e Gjakovës përpak nuk u shkaktua gjakderdhje. Mirëpo në fshat mbretëron gjendje e tensionuar dhe frike nga ndonjë sulm i ri eventual i forcave serbe.

Komisioni për informim i Degës së LDK-së në Gjakovë njoftoi se sot rreth orës 4:00 të mëngjesit, një ekspeditë e policisë serbe e përbërë nga dhjetë policë keqtrajtoi për rreth 40 min. banorë të fshatit Zhabeli Plak.

Nën pretekst të kërkimit të armëve, pasi mori një pushkë në shtëpinë e Selim Maliqit, policia ndërhyri në shtëpinë e Adem Maliqit.

Me qëllim që të interesohej se çka po ndodhte në familjen e të afërmit të tij, ngat shtëpisë së Ademit shkoi, Ismeti, i cili me një shati në krah ishte nisur për të shkuar për punë në arën e tij. Policët i urdhëruan atij në gjuhën serbe të hidhte shatin në tokë, mirëpo, Ismeti nuk e bëri këtë, pasi ai nuk e di gjuhën serbe. Pas kërcënimeve të sërishme dhe shpjegimit të një fqiut të tij, ai më vonë e lëshoi shatin në tokë. Mirëpo policët filluan ta godasin Ismetin dhe pastaj u shkaktua një përleshje mes tij dhe policëve.

Në ndërkohë në vendin e ngjarjes arritën edhe disa banorë të fshatit dhe pati rrezik që përleshja me policinë të mirrte përmasa gjithnjë e më të gjera.

Policët shtinë edhe me armë zjarri dhe rrahën disa banorë të fshatit, por për fat nuk pësoi askush nga të shtënat.

Ismet Maliqi, në përleshje e sipër ia mori njërit prej policëve automatikun dhe ia hodhi më vonë para këmbëve.

Njoftohet se janë lënduar Ismet Maliqi, babai i tij Ramë Maliqi dhe banorë të tjerë.

Është arrestuar Adem Maliqi.

Komisioni për Informim i Degës së LDK-së në Gjakovë njofton se gjendja në fshatin Zhabeli Plak të Gjakovës vazhdon të jetë edhe më e tensionuar nga frika e ndonjë aksioni të ri nga ana e policisë serbe.

 

18 gusht 1995

Në Mitrovicë u instaluan rreth 200 refugjatë serbë

Dje, rreth orës 17:00 në stacionin e trenit në Mitrovicë, arritën rreth 200 refugjatë serbë nga Kroacia, njofton KI i Degës së LDK-së në Mitrovicë.

Ata pastaj, me 6 autobusë dhe disa kamionë u bartën deri tek palestra e sporteve prej ku u shpërndanë në drejtime tjera.

Tre autobusë me refugjatë u nisën në drejtim të Zubin-Potokut, 2 në drejtim të Vushtrrisë, kurse 1 në drejtim të Zveçanit.

Nga Mitrovica gjithashtu njoftohet se dje dhe pardje inspektorët komunalë serbë ua shpërndanë firmave private të kësaj komune vendimet që në afat prej dhjetë ditësh të paguajnë nga 500 dinarë, në emër të njëfarë takse komunale.

Supozohet se këto të holla do të përdoren për instalimin e refugjatëve serbë.

Ndërkaq, sot rreth orës 9:00, shtatë qytetarë që kishin dalë për të shitur rërë në tregun e këtushëm, policia i detyroi ta dërgojnë rërën në oborrin e fabrikës “Betonjerka”.

Pronarët e rërës veç që u plaçkitën edhe u provokuan nga policia pse nuk japin ndihma për refugjatët.

 

Në Kamenicë u instaluan 80 refugjatë nga Kroacia

Në Kamenicë, më 15 gusht, u instaluan 80 refugjatë serbë nga Kroacia, njofton Komisioni për Informim i Degës së LDK-së.

Refugjatët serbë u vendosën në Shtëpinë e Kulturës, në hotelin “Mineral”, në konviktin e nxënësve, në Shtëpinë e Shëndetit, si dhe në lokalet e shkollës fillore “Fan S.Noli” në Kamenicë.

Bëhet e ditur se gjatë ditës së djeshme, një refugjat serb ka ikur, çka dëshmon se ata po instalohen në Kosovë kundër dëshirës së tyre. Pjesa dërmuese e këtyre refugjatëve janë pleqë e fëmijë.

 

18 gusht 1997

Sipas ministrisë së Shëndetësisë, në Shqipëri u vranë ose u plagosën 10.141 veta

Ministria shqiptare e Shëndetësisë shpalli dje shifrat e të vrarëve e të plagosurve të cilët arritën në spitale, kështu që këto shifra, sipas ministrisë nuk janë të plota pasi nuk përfshinë rastet të cilat nuk kanë arritur në spitale. Kështu, në mënyrë të ndryshme, e më së shumti me armë zjarri, u plagosën 9081 veta, ndërsa humbën jetën 910 veta. Nga qytetet ku u shënua numri më i madh i të plagosurve, kjo ministri veçon Korçën me 960, Beratin me 864, Vlorën me 725, ndërsa numri më i madh i të plagosurve të paraqitur në spitale është ai në Spitalin Ushtarak të Tiranës ku arritën 1124 të plagosur.

Nga 960 të vrarë, më së shumti pati në Vlorë 107, Fier 100, Elbasan 81 dhe Tiranë 80.

Nga numri i përgjithshëm i të plagosurve, u shënuan 1232 raste të plagosjes së fëmijëve, ndërsa shikuar nëpër rrethe, më së shumti fëmijë u plagosën në Peshkopi 148, Korçë 144, Gjirokastër 130 dhe Tiranë 122, njofton “Bujku”.

Që nga fillimi i trazirave në Shqipëri, në fillim të këtij viti, sipas disa shënimeve zyrtare, janë vrarë ose kanë humbur jetën në fatkeqësi të ndryshme, mbi 2. 000 persona. Ndërsa , burime jozyrtare thonë se kjo shifër mund të jetë më e lartë së paku edhe për 1. 000 të vrarë!

 

18 gusht 1998

Katër shqiptarë nga komuna e Deçanit akuzohen për “terrorizëm”

Prokuroria serbe e Pejës bëri kërkesën për fillimin e hetimeve kundër 4 shqiptarëve nga komuna e Deçanit të cilët i akuzon për “terrorizëm”. Këta janë: Izet Zenuni nga fshati Gramoçel, me punë të përkohshme në Lucernë të Zvicrës, Brahim Isufi nga i njëjti fshat, me punë të përkohshme në Dyzeldorf të Gjermanisë, Jakup Zekaj, nga fshati Carrabreg i Epërm dhe Sylejman Ukëhaxhaj nga po ky fshat.

Ata akuzohen se si pjesëtarë të UÇK-së disa herë kanë qenë në Shqipëri për të sjellë armë për pjesëtarët e UÇK-së me të cilat pastaj janë sulmuar policët serbë. Ata janë kapur më 2 gusht, kur nëpër malet e Strellcit provuan të sjellin armë dhe municion nga Shqipëria.

 

Raporti i KMDLNJ-së për muajin korrik

Këshilli për Mbrojtjen e të Drejtave dhe Lirive të Njeriut (KMDLNJ) në Prishtinë publikoi sot raportin e pasojave të ofensivës së forcave serbe në Kosovë gjatë muajit korrik.

Sipas të dhënave me të cilat disponon ky këshill gjatë këtij muaji në Kosovë janë vrarë, masakruar ose ekzekutuar 201 shqiptarë, janë plagosur 152, janë keqtrajtuar në mënyra të ndryshme 1566, janë marrë peng, janë kidnapuar ose janë zhdukur 185 vetë, janë arrestuar në mënyrë arbitrare 196 vetë, ndërsa janë rrahur rëndë 275 shqiptarë, 26 prej të cilëve kanë pësuar lëndime të rënda trupore. Raporti dëshmon se dhunës së aparatit shtetëror serb i janë nënshtruar edhe fratë e fëmijët. Sipas të dhënave të deritashme, 102 gra janë vrarë, janë plagosur, janë arrestuar, janë dënuar, janë keqtrajtuar ose janë zhdukur gjatë korrikut, ndërsa 12 fëmijë janë keqtrajtuar.

Sipas burimeve të KMDLNJ-së muajin e kaluar forcat serbe kanë detyruar zhvendosjen e 350. 000 shqiptarëve nga shtëpitë e veta, shumë prej të cilëve nuk kanë as ku të kthehen pasi shtëpitë e tyre janë plaçkitur, janë rrënuar dhe janë djegur nga forcat serbe.

 

 

Continue Reading

Lajmet

Një i vdekur dhe tre të lënduar – aksident mes tri veturave në Kliqinë të Pejës

Published

on

Një person ka humbur jetën dhe tre të tjerë janë lënduar si pasojë e një aksidenti trafiku mes tri veturave në rrugën Pejë–Prishtinë, në Kliqinë të Pejës.

Rastin e ka konfirmuar për Telegrafin zëdhënësi i Policisë së Kosovës për Rajonin e Pejës, Fadil Gashi.

Sipas tij, aksidenti ka ndodhur rreth orës 05:42, ku fillimisht ishin raportuar katër persona të lënduar.

Njëri prej tyre është dërguar në Spitalin e Përgjithshëm të Pejës, ku më pas ka ndërruar jetë. Vdekjen e tij e ka konfirmuar mjeku kujdestar.

Ndërkohë, tre persona të tjerë kanë pësuar lëndime si pasojë e aksidentit.

Policia e Kosovës ka nisur hetimet për të zbardhur rrethanat dhe shkaqet e aksidentit.

Lajmin e ka transmetuar Telegrafi./A.K/

Continue Reading

Lajmet

Kanye West në Rusi, biletat kushtojnë deri në 1.600 euro

Published

on

Reperi amerikan Kanye West, i njohur edhe me emrin Ye, pritet të mbajë dy koncerte në Shën Petersburg të Rusisë gjatë muajit tetor.

Lajmi është bërë i ditur nga kanali në Telegram i Gazprom Arena, stadiumit ku parashihet të zhvillohen koncertet.

West është përballur gjatë këtij viti me anulimin e disa koncerteve dhe ndalimin e performancave në disa vende evropiane, pas një sërë deklaratash antisemitike, përfshirë lavdërimet për Adolf Hitlerin dhe përdorimin e simboleve naziste.

Në janar, reperi kishte kërkuar falje për deklaratat e tij, duke thënë se ato kishin qenë të lidhura me probleme personale dhe shëndetësore.

Nëse koncertet zhvillohen sipas planit, Kanye West do të jetë një nga emrat më të mëdhenj ndërkombëtarë të muzikës që viziton Rusinë që nga nisja e pushtimit të plotë të Ukrainës nga Moska në vitin 2022.

Dy koncertet janë planifikuar të mbahen më 10 dhe 11 tetor. Sipas agjencisë shtetërore ruse TASS, biletat më të lira, me çmim prej rreth 92 eurosh, janë shitur brenda vetëm një ore.

Ndërkaq, çmimi i biletave më të shtrenjta arrin deri në 1.600 euro./A.K/

Continue Reading

Lajmet

“Spider-Man: Brand New Day” mbetet i pari në kinema, fiton më shumë se 60 milionë euro

Published

on

Filmi “Spider-Man: Brand New Day” ka ruajtur vendin e parë në kinematë amerikane, duke arkëtuar rreth 60 milionë euro gjatë fundjavës së tretë të shfaqjes.

Filmi i Sony dhe Marvel, ku Tom Holland rikthehet në rolin e Peter Parkerit, vazhdon suksesin edhe në tregun ndërkombëtar, duke kaluar shifrën prej 1,7 miliardë eurosh të ardhura globale.

Sipas të dhënave të publikuara, “Spider-Man: Brand New Day” është bërë një nga filmat më të shpejtë që ka kaluar këtë shifër, menjëherë pas filmit “Avengers: Endgame” të vitit 2019.

Në vendin e dytë është renditur “The Odyssey”, me rreth 20 milionë euro të arkëtuara gjatë fundjavës së pestë të shfaqjes. Filmi epik i Universal, i bazuar në tregimin e lashtë grek, ka vazhduar suksesin edhe në tregjet ndërkombëtare, duke debutuar së fundmi edhe në Kinë.

Ndërkohë, dy filma të rinj kanë debutuar në listën e box-office. “The End of Oak Street”, me Anne Hathaway dhe Ewan McGregor në rolet kryesore, është renditur në vendin e tretë me rreth 18 milionë euro të ardhura.

Në vendin e katërt ka përfunduar filmi i animuar “PAW Patrol: The Dino Movie”, me rreth 17,7 milionë euro të arkëtuara në Amerikën e Veriut.

Në pjesën tjetër të listës janë dokumentari “Katseye: Wild Hearts” dhe “Six: The Musical Live”, ndërsa komedia “One Night Only” nuk ka arritur të përmirësojë rezultatet, duke shënuar një rënie të ndjeshme të të ardhurave në fundjavën e dytë.

Suksesi i filmave të mëdhenj këtë verë ka ndikuar në rritjen e përgjithshme të shitjes së biletave në kinema, duke i dhënë Hollywood-it një përfundim të fuqishëm të sezonit veror./A.K/

Continue Reading

Të kërkuara