Lajmet

Jeta jonë do të ndryshojë nga kjo luftë/ Nga Ben Blushi

Çfarë ndodh nëse humb Rusia?
Po nëse fiton Ukraina?

Published

on

Foto: Reuters/Një objekt i punuar nga artisti Jacques Tilly, që ngjan në presidentin rus, Vladimir Putin, shihet në protestat në Berlin. Afër tij shihet një mbishkrim me ngjyra të Ukrainës kinse po e ha Putini. Në të thuhet: Mbytu në të!

Nga Ben Blushi

Sa më shumë lexoj shtypin perëndimor, aq më shumë besoj se bota jeton në të shkuarën. Nuk lexon dot asgjë për të ardhmen. Ka qindra pyetje për sot dhe asnjë përgjigje për nesër.

Çfarë ndodh nesër?
Çfarë ndodh nëse humb Rusia?
Po nëse fiton Ukraina?
Çfarë ndodh kur lufta të përfundojë?
A do jete bota njëlloj?

A do kthehet lufta në një perpetum, pra nga një luftë, shkojmë në një tjetër dhe nga aty në një tjetër dhe prapë në një tjetër ?
Apo, pas kësaj lufte, do mbizoterojë një paqe e gjatë në të cilën, vendet e mëdha vendosin që vendet e vogla duhet të binden dhe kur nuk binden, nuk mund të rezistojnë, sepse askush nuk i mbron sic po ndodh në Ukrainë?

Pervec rendit ndërkombëtar, a do ndryshojnë dhe rendet kombëtare?

Pra nëse do ndryshojnë kufinjtë si ne Ukrainë, a do ndryshojë edhe kapitalizmi bashkë me demokracinë si rend, duke u shndërruar në diçka tjetër që nuk e kemi njohur?

Shumica prej nesh, kanë jetuar në një botë përgjithësisht të rregullt, deri sa ndodhi Ukraina. Rregull do të thotë, që kufinjtë nuk ndryshohen me dhunë dhe se popujt vendosin, çfarë sistemi do të ndjekin, kapitalist, komunist apo hibrid.

Sot kemi dy Kore dhe dy sisteme. Nëse një ditë ato bashkohen, njëri nga dy sistemet do bjerë. Deri dje, do vija bast se në çdo rast, Koreja kapitaliste do triumfonte mbi Korenë komuniste. Por sot, apo më saktë nesër, nëse Kina dhe Rusia përmbysin balancën e rendit ndërkombëtar, nuk vë më bast për Korenë e Jugut. Ky kalë nuk e ka të sigurt fitoren në hipodromin e Azise.

Njëlloj si dy Koretë, është bota sot. Mund të shkojë edhe andej edhe këndej.

Ne jemi rritur me besimin se, Perëndimi gjithmonë fiton, sepse është në anën e duhur të historisë, sepse ka demokraci, prandaj ka fuqi, ka para, ka shpikje, ka ushtritë më të përgatitura dhe armët më të forta.

Po pse Gjermania e Hitlerit a nuk ishte Perendim? A nuk kishte aty demokraci, zgjedhje, shtyp të lirë dhe prandaj shumë shpikje dhe zhvillim?
A nuk e solli zhvillimi nazizmin dhe dhunën e Gjermanisë ndaj botës?
Historia e Gjermanisë naziste ka treguar se e drejta nuk është gjithmonë në Perëndim dhe se demokracia nuk pengon dot gjithmonë dhunën dhe luftën e popujve, me popujt e tjerë.

Prandaj pyetja si mbrohet Perëndimi nga vetë Perëndimi mbetet ende një pikëpyetje. A është demokracia e Perëndimit e pakthyeshme? A na mbron ajo nga vetë Perëndimi?

Historia nuk na ndihmon të parashikojmë çfarë ndodh pas Ukrainës.Ne po shohim cfarë po ndodh në Lindje, por nuk e dimë ende se çfarë mund të ndodhë në Perëndim,aty ku jemi dhe ne. Dhe kush lexon të djeshmen natyrisht është pesimist për të ardhmen.

Një nga përfundimet e luftës në Ukrainë mund të jetë një botë e ndarë mes të mëdhenjve. Një botë me perde.Ku të mëdhenjtë merren vesh për tu bërë më të mëdhenj dhe të vegjëlit pranojnë fatin që iu është caktuar nga të parët.

Ben Blushi

Këtë lloj bote e kemi parë.

Kështu u ndanë gjithë vendet e Evropës në fund të Luftës së Dytë Botërore.
Të mëdhenjtë hodhën një perde mbi hartë. Gjermania u fut përgjysëm në perde.Austriakët dolën. Cekët u futen. Ne hymë, grekët dolën.
Ne jetuam shumë keq për 50 vjet nën perde, por bota jetoi shumë mirë.
Nuk pati pothuajse asnjë luftë. Jetëgjatësia u rrit dhe njeriu shkoi në Hënë.

Por edhe nëse rehatohesh brenda perdes që të caktojnë dhe ne jetojmë me shpresë se këtë rradhë jemi nën perden e duhur, sërish pyetjet nuk mbarojnë.

Nëse sic pritet, Rusia do jetojë në izolim dhe sanksione, pavaresisht nga rezutati i luftës, sa do na kushtojë jeta e përditshme dhe mbrojtja nga rusët dhe armët e tyre nukleare.

Ku do ti gjejmë burimet e energjisë elektrike, gazin, drurin, qymyrin, karburantet.

Po grurin, miellin,hekurin sterilzantët për bujqësinë, aluminin, platinin dhe bakrin.

Të gjitha këto lëndë të para natyrisht do duhet ti blejmë diku tjetër, por nëse do ti gjejmë në masën që na duhen, në çdo rast do ti blejmë disa herë më shtrenjtë.

Mjafton vetëm të lexosh në mënyrë ekonomike pasojat e kësaj lufte, për të kuptuar se jeta jonë do ndryshojë rrënjësisht.

Nuk e di a do jemi më të lirë në fund të luftës, por sigurisht që do jemi shumë më të varfër dhe mund të jetojmë shumë vjet në krizë ekonomike që mund të shoqërohet me luftëra të reja për tregje. Për gaz, për naftë, për ushqim.

Pushtohesh se ke gaz për të mbushur sobat.Pushtohesh se ke litium që ju duhet celularëve të botës. Pushtohesh se ke fusha për të mbjellë drithëra. Pushtohesh se ke shumë ujë. Pushtohesh se ke plazh. Pushtohesh pra për dicka, që dikujt tjetër i duhet.

Por nëse ke fat dhe nuk pushtohesh, sërish nuk mbaron këtu.

Rënia ekonomike mund të çojë në ndryshime qeverish në shumë vende apo në një tendencë për anarshi. Forca ende te panjohura politike, radikale mund të lindin për te marrë pushtetin. Nuk do jenë të majtë apo të djathtë si ata që njohim.

Mund të jenë ekstremistë,njerëz që besojnë se liberalizmi ka qenë një shkatërrim, mund të jenë prorusë putinistë, mund të jenë sovranistë trumpistë dhe natyrisht do jenë nacionalistë. Kundër të vegjëlve dhe kundër të huajve.

Ndoshta edhe kundër të pasurve. Siç po ndodh sot në Evropë me oligarkët rusë. Histeria e moralshme për tu marrë pronat është kthyer në garë mes shteteve. Shtetet kanë dalë në det të hapur dhe po ndjekin jahtet.
Por ky ushtrim nuk dihet ku çon. Gjysma e Evropës, përfshi edhe ne, e ka parë këtë gjë, 70 vjet më parë, kur njerëzve ju morrën pronat dhe pasuritë në emër të barazisë.

Kush na garanton që kjo nuk ndodh sërish?

Nëse dje sekuestroheshe se je hebre, sot zhvishesh nga pasuritë se je rus, nesër mund të të merret prona se je francez,apo se ke votuar kundër Brexit, apo se ke furnizuar me pastë dhëmbesh ushtritë e NATOs.

Ka shumë gjasa që këto të mos ndodhin më kurrë, në formën që i kemi parë, por në Evropë, kurrë mos thuaj kurrë.

Këtu nazizmi dhe komunizmi përgjojnë pas dere. Evropa fle me këto dy skelete në dollap. I pari ushqen luften, i dyti lind nga lufta.

Lufta e fundit në Evropë vrau 100 milion njerëz. Komunizmi robëroi më shumë se 2 miliardë.

Lufta e Dytë Botërore përhapi komunizmin dhe një mbeturinë e komunizmit sovjetik sot po shkon në luftë në Ukrainë.

A do ishte Shqipëria një vend komunist nëse nuk do ishim pushtuar nga Gjermania naziste?
Unë mendoj se jo. Me shumë gjasë, do ishim një vend i varfër, por normal, ku prona nuk merrej nga shteti dhe ku mund të votoje kundër qeverië, siç edhe kishte ndodhur këtu, para Luftës së Dytë.

Fatkeqësisht ne kemi qenë dy herë, nën perden e gabuar. Dëmin më të madh në histori, pas turqve, na e kane bërë gjermanët. Kush mund ta mendonte këtë para 100 vitesh? Por kush na garanton se Gjermania nuk kthehet aty ku ishte dhe nga nevoja për tregje dhe lëndë të para, nuk e ndan gjysmen e Evropës me Rusinë?

Gjermania po armatoset, duke shkelur traktatin e Versajes 1919, që e kufizon ushtrinë e saj deri në 100 mije njerez dhe me një numër të limituar luftanijesh dhe flote ajrore. Një javë më parë, ajo vendosi të shpenzojë 100 miliard euro për tu armatosur, një shumë e barabartë me buxhetet e të gjithë vendeve te Ballkanit të marra bashkë, përfshi edhe Greqinë.

Duket sikur të gjithë po marrin armët dhe po shkojnë në takimin e pasdites në klubin Europa.

Çfarë ndodh me Bashkimin Evropian nëse, sovranistët dhe nacionalisët fitojë në disa vende, si pasojë e krizës ekonomike,rritjes së çmimeve dhe anarshisë sociale?

Nëse, Bashkimi Evropian shpërbëhet, kush na mbron ne nga aveturierët, nga anarshistët, nga radikalët e rrugës,nga injorantët, nga pucistët, nga juntat, nga të deshpëruarit, nga barazitistët e uritur, nga kanibalët e kapitalizmit apo nga ç’rregullime patollogjike që i kemi provuar?

Askush nuk na mbrojti nga komunizmi për 50 vjet. Evropa na braktisi. Rusia na braktisi. Kina na braktisi. Amerika as u morr me ne. Na lanë nën meshirën e një njeriu që rendin e tij, e quante diktatura e proletariatit.

Po sot kush na mbron ne?
Kush i mbron popujt e vegjel?

Ne dekadat e fundit demokracia krijoi bindjen, bashke me iluzionin, se te vegjelit mund te jene te barabarte me te medhenjte duke u ulur ne tavolinat e tyre dhe duke marre dhe te drejten e vetos, sic ndodh ne Bashkimin Evropian. Nese do kerkonte te antaresohej ne BE,nje vendi me 140 milion banore si Rusia do i duhej patjeter vota e nje vendi me 1.4 milion banore, si Estonia. Ky ka qene rregulli deri para Ukraines, se pas saj nuk dihet me cfare ndodh. Rusia mund te shkoje ne takimin e klubit Europa me nje bombe nukleare ne xhep dhe Estonia, bashke me gjithe te tjeret, do ngrene duart per te votuar.

Viktima e pare e luftës në Ukrainë është besimi ynë demode, se demokracia të mbron jo vetem nga vetja, por edhe nga të tjerët.

Kjo nuk është më e vertetë.

E megjithatë demokracia, mbetet e vetmja mënyrë për të na mbrojtur nga vetja, që në rastin e Shqipërisë, është armiku ynë më i madh.

MARRE NGA FACEBOOK I AUTORIT BEN BLUSHI

Continue Reading

Vendi

United Hospital fuqizon shërbimet e kardiologjisë me Dr. Banush Gashin, specialist me 40 vjet përvojë në mjekësi

Published

on

Prishtinë – Përvoja shumëvjeçare, ekspertiza në trajtimin e sëmundjeve të zemrës dhe njohuritë e avancuara në fushën e aritmologjisë tashmë janë pjesë e ekipit të United Hospital. Institucioni shëndetësor njofton se në ekipin e tij mjekësor është bashkuar Dr. Banush Gashi, internist, kardiolog dhe aritmolog, me një karrierë 40-vjeçare në mjekësi dhe 24 vjet përvojë në Qendrën Klinike Universitare të Kosovës (QKUK).

United Hospital vazhdon të zgjerojë kapacitetet e veta profesionale, duke sjellë për pacientët ekspertizë të specializuar në diagnostikimin dhe trajtimin e sëmundjeve kardiovaskulare.

Bashkimit të Dr. Banush Gashit me ekipin mjekësor të këtij institucioni i jepet rëndësi e veçantë, duke marrë parasysh përvojën e tij të gjatë në mjekësinë interne, kardiologji dhe veçanërisht në aritmologji – fushë e specializuar që merret me diagnostikimin dhe trajtimin e çrregullimeve të ritmit të zemrës.

Gjatë karrierës së tij profesionale, Dr. Gashi ka realizuar mbi 400 procedura në fushën e aritmologjisë dhe implantimit të pajisjeve kardiake. Përvoja e tij është plotësuar edhe përmes pjesëmarrjes në kongrese, trajnime dhe aktivitete profesionale ndërkombëtare në qendra të njohura evropiane, përfshirë Londrën, Parisin, Romën, Barcelonën dhe Vjenën.

Shërbime të avancuara për diagnostikimin dhe trajtimin e zemrës

Me angazhimin e Dr. Gashit, pacientët e United Hospital do të kenë qasje në një gamë të gjerë ekzaminimesh diagnostikuese dhe procedurash specialistike kardiologjike.

Shërbimet përfshijnë:

Diagnostikimin kardiologjik: Ekokardiografi, testin e stresit dhe monitorimin Holter 24–72 orë për vlerësimin e aktivitetit dhe ritmit të zemrës.

Trajtimin e çrregullimeve të ritmit: Implantimin e stimuluesve kardiakë (Pacemaker DDD dhe CRT), si dhe kontrollin dhe ndërrimin e baterive të pajisjeve PM/ICD.

Procedurat specialistike: Perikardiocentezën dhe kardioversionin, sipas indikacioneve mjekësore.

Këto shërbime kanë rëndësi të veçantë për diagnostikimin në kohë, përcjelljen klinike dhe trajtimin e pacientëve me sëmundje të ndryshme kardiovaskulare.

Përvoja dhe përkushtimi në shërbim të shëndetit të zemrës

Sëmundjet kardiovaskulare kërkojnë vlerësim të kujdesshëm, diagnostikim të saktë dhe trajtim të individualizuar. Për këtë arsye, prania e specialistëve me përvojë të gjatë profesionale përbën një element të rëndësishëm në ofrimin e kujdesit shëndetësor cilësor.

United Hospital, përmes zgjerimit të ekipit specialistik, synon të ofrojë shërbime bashkëkohore kardiologjike, duke vënë në dispozicion të pacientëve përvojën profesionale dhe teknologjinë diagnostikuese e terapeutike.

 

Kontakti për termine dhe informata:

UNITED HOSPITAL

046 60 70 70

M2, Prishtinë–Ferizaj, km 7, Prishtinë

United Hospital – ekspertizë profesionale dhe kujdes i specializuar për shëndetin e zemrës./rajonipress/

Continue Reading

Vendi

Hyn në fuqi Ligji për Byronë e konfiskimit të pasurisë së pajustifikueshme

Published

on

Presidentja Justina Shiroka-Pula ka dekretuar Ligjin për Byronë Shtetërore për Verifikimin dhe Konfiskimin e Pasurisë së Pajustifikueshme, i cili ishte miratuar në Kuvendin e Kosovës dy javë më parë.

Lajmin e ka bërë të ditur kryetarja e Kuvendit, Albulena Haxhiu, e cila ka njoftuar se gjatë ditës e ka pranuar nga Presidenca dekretin për shpalljen e ligjit.

Haxhiu ka thënë se me dekretimin e tij, ligji po hyn në fazën e zbatimit, duke theksuar se Kuvendi do ta përcjellë nga afër procesin e themelimit të Byrosë.

“Për secilin që ushtron funksion publik, është e qartë se çdo pasuri duhet të ketë burim të ligjshëm dhe të dokumentuar. Kuvendi do ta përcjellë nga afër ngritjen e Byrosë. Qytetarët do ta matin këtë ligj me rezultatet që do të japë”, ka shkruar Haxhiu.

Miratimi i ligjit në Kuvend ishte kundërshtuar nga deputetët e opozitës, të cilët kishin ngritur shqetësime lidhur me zbatueshmërinë e tij.

Nga 24 amendamentet e propozuara për këtë ligj, 12 ishin paraqitur nga opozita, ndërsa deputetët e partisë në pushtet kishin mbështetur vetëm njërin prej tyre.

/A.K/

Continue Reading

lajme

UBT prezanton dy punime shkencore në Konferencën Ndërkombëtare “AI Horizon” të Akademisë së Shkencave të Shqipërisë

Published

on

By

UBT po merr pjesë në Konferencën Ndërkombëtare Shkencore “AI Horizon – A New Era of Creativity and Innovation”, të organizuar nga Akademia e Shkencave e Shqipërisë, më 12–13 nëntor 2026, në Tiranë, ku UBT është një nga partnerët e kësaj ngjarjeje të rëndësishme shkencore ndërkombëtare.

Në këtë konferencë, UBT përfaqësohet nga rektori, Prof. Dr. Edmond Hajrizi, dekani i Fakultetit të Shkencave Kompjuterike, Besnik Qehaja, dhe asistenti Elton Boshnjaku, të cilët prezantuan dy punime shkencore që trajtojnë zhvillimet më të fundit në fushat e Internetit të Gjërave (IoT), Qyteteve të Mençura (Smart City), Vizionit Kompjuterik dhe Inteligjencës Artificiale.

Dy punimet shkencore të prezantuara janë: “Mobile Augmented Reality with an LLM Assistant Connected to Live Sensor Data for Remote Learning in a University Campus Digital Twin”

Punimi trajton integrimin e realitetit të shtuar mobil me një asistent të bazuar në modele të mëdha gjuhësore (LLM), të ndërlidhur me të dhëna në kohë reale nga sensorët, duke krijuar mundësi të reja për mësim interaktiv dhe në distancë përmes binjakut digjital të kampusit universitar.

“Secure Protocol Translation and Weather-Referenced Drift Detection for Commercial IoT Devices on Azure IoT Hub: A 4G Node Case Study in a University Smart City”

Ky punim fokusohet në sigurinë dhe ndërveprimin e pajisjeve komerciale IoT, përmes përkthimit të protokolleve të komunikimit dhe zbulimit të devijimeve të të dhënave në raport me kushtet atmosferike, duke u mbështetur në një rast studimor me nyje 4G në kuadër të një Smart City universitar.

Përmes këtyre dy prezantimeve, përfaqësuesit e UBT-së sollën para komunitetit shkencor ndërkombëtar rezultate kërkimore dhe qasje inovative që ndërlidhin inteligjencën artificiale, sensorët inteligjentë, realitetin e shtuar dhe infrastrukturën e qyteteve të mençura.

Pjesëmarrja e UBT-së në këtë konferencë, krahas prezantimit të rezultateve shkencore, përfaqëson edhe një mundësi të rëndësishme për zgjerimin e bashkëpunimit me institucionet akademike dhe kërkimore, shkëmbimin e përvojave dhe avancimin e projekteve inovative.

UBT vazhdon të dëshmojë përkushtimin e tij ndaj kërkimit shkencor, inovacionit dhe bashkëpunimit ndërkombëtar, duke kontribuar aktivisht në zhvillimin dhe zbatimin e teknologjive të së ardhmes.

Continue Reading

Lajmet

Ditari: Lajmet kryesore që shënuan datën 13 nëntor 1992-1998?

Published

on

By

Në rubrikën Ditari, kemi përzgjedhur disa nga lajmet më të rëndësishme të kësaj dite, në periudhën 1992-1998. 

13 nëntor 1992

“The Wall Street Journal” për rrezikun e luftës në Kosovë

Gazeta autoritative amerikane “The Wall Street Journal” në një kryeartikull të saj të botuar dje thekson se “diplomatë të shumtë ndërkombëtarë dhe organizata humanitare kanë paraparë se nëse lufta arrin në Kosovë do t’ia kalojë të gjitha tmerreve të mëparshme ballkanike”. Gazeta pohon se agresorët serbë janë duke zhvilluar një fushatë të spastrimit etnik ndaj popullsisë shqiptare të Kosovës gjatë dy vjetëve të fundit. “Kjo është një spastrim etnik i heshtur”, i tha kësja gazete kryetari i Republikës së Kosovës, dr.Ibrahim Rugova duke bërë fjalë për nja 200 mijë shqiptarë që kanë qenë të detyruar të largohen nga shtëpitë e tyre në Republikën e Kosovës për shkak të kërcënimeve serbe.

 

13 nëntor 1993

Policia plaçkit dyqanet e shqiptarëve në Han të Elezit

Komisioni për Informim i Degës së LDK-së në Han të Elezit, njofton se policia financiare mbylli të vetmen furrë private në Han të Elezit, pronë e Ramadan Ymerit. Policia konfiskoi nga depoja e furrës 29 ton miell.

Të njëjtën ditë, policia financiare në dyqanin e Bedri Dacit konfiskoi ushqim për kafshë në një vlerë prej afro 12.000 markash gjermane.

 

13 nëntor 1995

Polici serb rrahu tri herë të miturin në Mitrovicë

Më 7 nëntor, rreth orës 10, në stacionin e autobusëve në Mitrovicë, një polic serb rrahu të miturin Daim H. Çubrelin (14) dhe ia plaçkiti atij 7 pako cigare, njofton Komisioni për Informim i Degës së LDK-së në Mitrovicë.

Po ky polic, më 11 nëntor, rreth orës 18, po ashtu në stacionin e autobusëve në Mitrovicë, keqtrajtoi sërish Daimin, me pretekst se nuk deshi t’ia japë një pako cigare pa para.

Më 12 nëntor, rreth orës 12, në stacionin e autobusëve në Mitrovicë polici serb, i cili kishte rrahur dy herë Daim Çubrelin e rrahu sërish dhe ia plaçkiti 70 pako cigare.

 

13 nëntor 1996

Në Universitetet e Shqipërisë edhe maturantë shqiptarë nga Mali i Zi

Edhe maturantët shqiptarë të këtij viti nga Mali i Zi do të vazhdojnë studimet e tyre në universitetet e Shqipërisë pasi po tejkalohen disa vështirësi procedurale.

Fjala është për 24 kandidatë që përcaktoi komisioni përkatës i LD në MZ. Mirëpo, në ndërkohë Ministria e Arsimit e Shqipërisë miratoi vendimin për t’iu nënshtruar provimeve klasifikuese edhe studentët shqiptarë nga viset e ish-Jugosllavisë. Sipas komisionit të përmendur, kandidatët shqiptarë nga Mali i Zi nuk u paraqitën në këto provime për shkaqe parimore dhe kohore. Por, me kontaktet midis përfaqësuesve të LD në MZ dhe atyre të Qeverisë Shqiptare kjo çështje po merr zgjidhje pozitive. Kështu, kryetari i LD në MZ, Mehmet Bardhi në takimin e tij të paradokohshëm me kryeministrin e Shqipërisë, Aleksandër Meksin, mori garancinë se studentët shqitparë nga Mali i Zi do të pranohen edhe këtë vit në universitetet e Shqipërisë. Kryetari Bardhi për çështjen e studentëve zhvilloi bisedime edhe me dr.Gjergj File, drejtor i Arsimit të Lartë. Në të mirë të realizimit pozitiv të kësaj çështjeje flet edhe vendimi më i ri i Ministrisë së Arsimit të Shqipërisë, sipas të cilit “nga kuotat e përcaktuara për vitin mësimor 1996/97 mund të përfitojnë kandidatët shqiptarë me banim jashtë kufijve”.

 

13 nëntor 1997

Serbët e pranojnë disfatën me Kroacinë

Gazeta britanike “Indipendent” vendosjen e lidhjeve hekurudhore mes Serbisë e Kroacisë e vlerëson se serbët pranuan disfatën. Sipas kësaj gazete serbët tash sikur pranojnë se kufiri me Kroacinë është i përhershëm dhe i pandryshueshëm.

13 nëntor 1998

Uiliem Uoker: Ka shqetësime serioze për sigurinë në Kosovë

Në një intervistë dhënë sot radio BBC-së shefi i Misionit Verifikues të OSBE-së në Kosovë, Uiliem Uoker duke u përgjigjur në pyetjen se për çfarë është biseduar në takimin e tij në Prishtinë me ndërmjetësin amerikan në Kosovë, Kristofer Hill, u përgjigj:

– Në thelb ambasadori Hill ishte për vizitë për disa arsye, jo më pak për t’u takuar edhe me mua, dhe për të na njoftuar se cili është statusi aktual i procesit të tij të negociatave shqiptaro-serbe. Është e qartë se kjo ka të bëjë me atë që ne po fillojmë të bëjmë këtu si p.sh. kur mund të filllojmë periudhën nëntëmujore sa i përket mbikëqyrjes së zgjedhjeve në Kosovë. Kjo vjen pas zgjidhjes politike, prandaj ne u desht të dëgjonim nga ambasadori Hill se si po ecen procesi, tha z.Uoker.

I pyetur se çfarë përshtypje kishte ai për procesin e negociatave dhe nëse ishte më afër arritja e një marrëveshjeje politike për Kosovën, z.Uoker tha:

– Ambasadori Hill na njoftoi me të rejat më të fundit, por ju duhet ta dini se unë ndodhem në Kosovë vetëm këto 24 orët e fundit dhe kjo ishte hera e parë që bisedova me z.Hill. Pra një pjesë e madhe kishte të bënte me sfondin e ecurisë së procesit. Por, do të thosha se informimi që më dha ambasadori Hill më bëri optimist se është duke shënuar progres.

Duke u përgjigjur në pyetjen se cilat janë përshtypjet e tij për gjendjen në terren, z.Uoker u përgjigj:

– Është e qartë se ka arsye për shqetësim të konsiderueshëm ndonëse kemi shënuar progres javët e fundit, dhe siç thashë dje rruga ende është e gjatë për të bërë diçka për sa i përket respektimit të marrëveshjes dhe premtimeve të palëve të përfshira por ende ka shumë punë për t’u bërë. Ditëve të fundit çdo ditë kemi dëgjuar për incidente, prandaj edhe më tej kemi shqetësime serioze për sigurinë në Kosovë.

I pyetur lidhur me incidentet e fundti se kush është fajtor për vazhdimin e dhunës në Kosovë, ambasadori Uoker tha:

– Dy incidentet më të fundit për të cilat kam dëgjuar kanë të bëjnë me ato që këtu po quhen rrëmbime dhe duket sikur janë hakmarrje midis palëve. Njëra palë i filloi ato, ndërsa tjetra u hakmor, duke bërë pothuajse të njëjtën gjë. Nga informacionet që kam nuk jamë në gjendje tani të them se çfarë i kanë bërë palët njëra tjetrës. Por vetë fakti se këto incidente kanë ndodhur, përmbajnë shqetësim.

Në pyetjen tjetër se a do të jetë në gjendje Misioni Verifikues në Kosovë të ndikojë që incidentet e tilla të mos ndodhin në të ardhmen, shefi i misionit të OSBE-së në Kosovë tha:

– Mendoj se kryesuesi i radhës i OSBE-së, ministri i jashtëm polak, Bronislav Geremek, tashmë ka thënë publikisht se ai beson se vetëm njoftimi për krijimin e Misionit Verifikues ka zbutur deri diku tensionet e këtushme. Sigurisht jo të gjithë tensionin por deri diku edhe fakti se ne kemi filluar të mbërrijmë dhe të tregojmë praninë tonë, do të ndihmojnë në këtë situatë. Se a do të ndikojë që njerëzit të ndihen rehat të gjithë që të kthehen në shtëpitë e tyre apo t’i kthehen jetës normale, kjo ende duhet të shihet, – tha ambasadori Uiliem Uoker.

 

Continue Reading

Të kërkuara