Komisioni Qendror Zgjedhor (KQZ) vendosi të martën të asgjësojë materialet zgjedhore nga zgjedhjet për Kuvendin e Kosovës, mbajtur më 9 shkurt 2025. Në këtë përfshihen fletëvotimet, listat e votuesve dhe formularët e rezultateve të kandidatëve dhe subjekteve. Materialet që ndodhen nën hetim nga autoritetet ligjzbatuese do të mbeten të ruajtura deri në përfundim të procedurave përkatëse.

Gjatë mbledhjes, KQZ miratoi gjithashtu rekomandimin që në zgjedhjet lokale të ardhshme të përfshihen në listat e votuesve edhe ata persona që mbushin 18 vjeç në ditën e votimit.
Nga Këshilli i Operacioneve Zgjedhore, Arianit Elshani sqaroi se Ligji për Zgjedhjet e Përgjithshme kërkon asgjësimin e materialeve pas përfundimit të procesit zgjedhor, por kërkuan që nga secili material të ruhet një mostër për arkivë. Ai theksoi se materialet që janë pjesë e hetimeve nga prokuroria do të mbeten të paprekura.
Anëtari i KQZ-së, Alban Krasniqi, kërkoi që këto kërkesa të përfshihen qartësisht në vendim, për t’i siguruar transparencën dhe qartësinë në proces.
Në kuadër të përgatitjeve për zgjedhjet lokale që priten në vjeshtë, u miratua gjithashtu ndryshimi që në listën e votuesve të përfshihen edhe personat që mbushin 18 vjeç në ditën e raundit të dytë të votimit. Gjithashtu, do të hiqen nga lista ata që kanë hequr dorë nga shtetësia ose që janë raportuar si të ndarë nga jeta.
KQZ miratoi edhe plotësimin dhe ndryshimin e dy akteve nënligjore, ku njëra lidhet me fletëvotimet dhe materialet shpjeguese për votuesit.
Në këtë mbledhje, Komisioni vendosi gjithashtu të organizojë një punëtori bashkë me Komisionin e Venecias në fund të qershorit. Kreshnik Radoniqi, kryesues i KQZ-së, bëri të ditur se kostoja e punëtorisë do të jetë rreth 2,500 euro.
Gjithashtu, KQZ miratoi pagesën e rreth 130 personave që kanë punuar si staf në Qendrat e Votimit në përfaqësitë diplomatike dhe në procesin e tërheqjes së dërgesave postare gjatë zgjedhjeve parlamentare të shkurtit.