Lajmet

Jemen: OKB u kërkon palëve ndërluftuese të shmangin dhunën dhe të shpallin armëpushim

Konflikti ka krijuar një nga krizat më të këqija humanitare në botë.

Published

on

Sekretari i Përgjithshëm i OKB-së, Antonio Guterres, u bëri thirrje palëve ndërluftuese të Jemenit të hënën që të përmbahen nga çdo provokim që mund të përshkallëzojë dhunën. Masa vjen pas dështimit për të zgjatur një armëpushim mbarëkombëtar dhe për t’u angazhuar me njëri-tjetrin për të rinovuar armëpushimin.

Zëdhënësi i OKB-së, Stephane Dujarric tha se sekretari i përgjithshëm është i zhgënjyer që qeveria e njohur ndërkombëtarisht dhe rebelët Houthi nuk arritën një marrëveshje përpara afatit të 2 tetorit. Por ai theksoi: “Ne në asnjë mënyrë nuk e shohim këtë si fundin e rrugës”.

Dujarric tha se i dërguari i posaçëm i OKB-së, Hans Grundberg, është ende në negociata me qeverinë dhe rebelët Houthi dhe do të vazhdojë të eksplorojë “opsione që janë të pranueshme për të dyja palët”.

Konflikti ka krijuar një nga krizat më të këqija humanitare në botë dhe me kalimin e viteve është kthyer në një luftë rajonale ndërmjet Arabisë Saudite, e cila mbështet qeverinë, dhe Iranit, i cili mbështet rebelët Houthi.

Më shumë se 150,000 njerëz janë vrarë, përfshirë mbi 14,500 civilë./UBTNews/

Lajmet

Arrestohet në Gjakovë i dyshuari për shtatë raste të vjedhjeve

Published

on

Policia e Kosovës ka arrestuar një person të dyshuar për përfshirje në shtatë raste të veprave penale kundër pasurisë në komunën e Gjakovës.

Sipas policisë, i dyshuari me inicialet B.K. dyshohet se është i përfshirë në pesë raste të veprës penale “Vjedhje e rëndë” dhe dy raste të veprës penale “Vjedhje”.

Hetimet kanë siguruar prova që e lidhin të dyshuarin me rastet e raportuara, të cilat kryesisht kanë të bëjnë me thyerje dhe hyrje me forcë në lokale afariste në lokacione të ndryshme të qytetit të Gjakovës. Objekt i vjedhjeve kanë qenë kryesisht paratë e gatshme.

Pas arrestimit, i dyshuari është intervistuar në prani të avokatit mbrojtës dhe, sipas policisë, ka pranuar përgjegjësinë për disa nga veprat penale për të cilat dyshohet.

Me vendim të Prokurorit të Shtetit, ai është ndaluar për 48 orë.

Policia e Kosovës ka theksuar se do të vazhdojë angazhimin në parandalimin dhe luftimin e kriminalitetit, si dhe në zbardhjen e rasteve penale me qëllim garantimin e sigurisë publike.

/A.K/

Continue Reading

Lajmet

17 shtete mirëpresin marrëveshjen SHBA-Iran, bëjnë thirrje për zbatim të shpejtë

Published

on

Një grup prej 17 shtetesh ka mirëpritur memorandumin e mirëkuptimit të shpallur ndërmjet Shteteve të Bashkuara dhe Iranit, duke e cilësuar atë si një mundësi për rikthimin e stabilitetit rajonal dhe mbështetjen e ekonomisë globale.

Në një deklaratë të përbashkët, Mbretëria e Bashkuar, Franca, Gjermania dhe Italia, së bashku me 13 shtete të tjera, përgëzuan SHBA-në, Iranin dhe ndërmjetësuesit, përfshirë Pakistanin dhe Katarin, për arritjen e këtij përparimi diplomatik.

Udhëheqësit theksuan se negociatat duhet të përfundojnë sa më shpejt dhe marrëveshja të zbatohet në mënyrë gjithëpërfshirëse, duke shprehur gatishmërinë për të mbështetur procesin.

Në deklaratë u bë thirrje edhe për rihapjen urgjente të Ngushticës së Hormuzit dhe rikthimin e lirisë së plotë të lundrimit, duke e konsideruar këtë një hap të rëndësishëm për stabilitetin ekonomik dhe tregtar.

Shtetet nënshkruese ritheksuan se Irani nuk duhet të zotërojë armë bërthamore dhe shprehën gatishmërinë për të bashkëpunuar me SHBA-në, Iranin dhe Agjencinë Ndërkombëtare të Energjisë Atomike (IAEA) për garantimin e këtij objektivi.

Po ashtu, ato deklaruan se janë të gatshme të shqyrtojnë heqjen e sanksioneve përkatëse nëse Irani ndërmerr hapa të qartë dhe të verifikueshëm lidhur me programin e tij bërthamor.

Nënshkruesit u zotuan të punojnë ngushtë me partnerët ndërkombëtarë dhe rajonalë për të ruajtur vrullin diplomatik dhe për të arritur një zgjidhje afatgjatë të konfliktit.

/A.K/

Continue Reading

Lajmet

Këmbësori goditet nga vetura pranë shkollës “Ismail Qemali” në Prishtinë

Published

on

Një person ka pësuar lëndime trupore pasi është goditur nga një veturë të martën paradite në Prishtinë.

Sipas Policisë, aksidenti ka ndodhur rreth orës 11:30 në rrugën “Enver Maloku”, pranë shkollës “Ismail Qemali”.

Zëdhënësi i Policisë për rajonin e Prishtinës, Enis Pllana, ka bërë të ditur se në aksident janë përfshirë një veturë dhe një këmbësor.

“Rreth orës 11:30 kemi pranuar informatën për një aksident trafiku me lëndime në rrugën Enver Maloku në Prishtinë. Në aksident janë përfshirë një veturë dhe një këmbësor. Sipas informatave fillestare, lëndime ka pësuar një person, i cili ka pranuar tretman mjekësor”, ka deklaruar Pllana.

Policia ka nisur hetimet për të sqaruar rrethanat e aksidentit.

/A.K/

Continue Reading

Lajmet

Jashari pret Atasheun e ri të Mbrojtjes së Mbretërisë së Bashkuar në Kosovë

Published

on

Komandanti i Forcës së Sigurisë së Kosovës, Gjenerallejtënant Bashkim Jashari, ka pritur në një takim mirëseardhës Atasheun e ri të Mbrojtjes së Mbretërisë së Bashkuar në Kosovë, Nënkolonel Denise McMahon.

Gjatë takimit, Jashari e uroi McMahon për detyrën e re dhe shprehu gatishmërinë për vazhdimin e bashkëpunimit të ngushtë ndërmjet Forcës së Sigurisë së Kosovës dhe Mbretërisë së Bashkuar.

Komandanti i FSK-së prezantoi të arriturat e deritanishme të forcës dhe planet për zhvillimin e mëtejmë, me theks të veçantë në trajnimet, stërvitjet, pajisjet dhe aktivitetet e përbashkëta bilaterale.

Nga ana tjetër, Nënkolonel McMahon vlerësoi progresin e FSK-së dhe profesionalizmin e personelit të saj, duke shprehur përkushtimin për vazhdimin dhe avancimin e bashkëpunimit ndërmjet Ushtrisë së Mbretërisë së Bashkuar dhe FSK-së.

Në përfundim të takimit, të dyja palët u pajtuan për thellimin e mëtejshëm të marrëdhënieve bilaterale, me fokus në zhvillimin e kapaciteteve ushtarake të Forcës së Sigurisë së Kosovës.

/A.K/

Continue Reading

Të kërkuara