Kulturë

Java e Kulturës së Kosovës në Portugali, shpërfaqja e identitetit kulturor

Java e Kulturës përfshin një sërë aktivitetesh.

Published

on

Ministria e Punëve të Jashtme dhe Diasporës ka informuar sot për lansimin e Javës së Kulturës jashtë vendit, e cila do të nisë me Portugalinë.

Siç është bërë e ditur në komunikatë, nisma e përbashkët e Ministrisë së Punëve të Jashtme dhe Diasporës dhe Ministrisë së Kulturës, Rinisë dhe Sportit është marrë me qëllim që të prezantohet skena artistike dhe kulturore e Kosovës te populli i vendeve të ndryshme me program kulturor dhe artistik përgjatë një jave.

Java e Kulturës, siç është potencuar, përfshin një mori aktivitetesh që synojnë festimin e identitetit të pasur kulturor dhe format e larmishme të artit vendor, duke ia ofruar publikut të huaj një përvojë unike të talentit dhe potencialit artistik nga Republika e Kosovës.

“Me fillim nga data 19 mars deri më 24 mars, aktivitete të shumta kulturore do të zhvillohen në Portugali, përkatësisht në qytetin e Lisbonës, Bragës dhe Portos, duke paraqitur një gamë të gjerë formash arti, përfshirë muzikën, filmin, artet pamore, literaturën dhe gastronominë. Objektivi i ngjarjeve është shpërfaqja e talentit artistik dhe identitetit kulturor të Kosovës, duke synuar nxitjen e lidhjeve ndërmjet artistëve nga Kosova, diaspora dhe atyre në vendet pritëse. Duke e vlerësuar artin si një nga fushat e rëndësishme për të nxitur shkëmbimin dhe mirëkuptimin kulturor midis dy vendeve, synojmë që përmes këtyre aktiviteteve dhe shkëmbimeve, të promovojmë më tej lidhjet e forta midis dy kulturave dhe të hapim rrugë për bashkëpunim të mëtejshëm”, është bërë e ditur në komunikatë.

MPJD dhe MKRS kanë ftuar të gjithë të interesuarit që t’i bashkohen festimit për trashëgiminë e pasur kulturore të Kosovës gjatë Javës së Kulturës së Kosovës jashtë vendit në Portugali.

Kulturë

Shkrimtarët nga Kosova nderohen në Takimin Ndërkombëtar “Seneka” në Bari

Published

on

Në Bari të Italisë, ditë më parë u zhvillua Takimi i nëntë ndërkombëtar “Seneka”, organizuar nga Akademia e Arteve Filozofike të Barit.

Në një program të veçantë prezantimi të pjesëmarrësve, me ftesë të Akademisë ishin të pranishëm edhe shkrimtarët kosovarë, Ibrahim Kadriu dhe Mehdi Krasniqi.

Pas vlerësimit nga komisioni ndërkombëtar, shkrimtari Ibrahim Kadriu u nderua me çmimin “Vula e Akademisë”, me titullin “Anëtar nderi i Akademisë” dhe me medaljen “Seneka” për arritjet e tij në fushën e letërsisë – çmimi më i lartë i këtij manifestimi, i cili u zhvillua në kështjellën “Norman-Shuar”.

Në këtë eveniment, nga Kosova mori pjesë edhe poeti Mehdi Krasniqi, i cili u vlerësua me çmimin “Ambasador i Kosovës”, me titullin “Anëtar nderi i Akademisë” dhe me medaljen “Seneka”. /A.Z/UBT News/

Continue Reading

Kulturë

Sonte jepet premiera e shfaqjes ‘Sytë e Ujkut’

Published

on

Shfaqja “Sytë e ujkut”, me tekst të Doruntina Bashës dhe regji të Kushtrim Koliqit, do të vijë për herë të parë para publikut më 8 tetor.

Premiera do të zhvillohet vetëm me ftesa, ndërsa reprizat e para do të mbahen më 9, 10 dhe 11 tetor, të hapura për publikun, por me rezervim paraprak të ulëseve.

Shfaqja do të interpretohet në Barabar Centre, duke filluar nga ora 20:00.

Në skenë do të ngjiten aktorët Irena Aliu, Edona Reshitaj, Armend Smajli dhe Albina Krasniqi, të cilët do të sjellin personazhet e tyre në këtë produksion të ri teatror. /A.Z/UBT News/

Continue Reading

Kulturë

Tirana vallëzon në sheshin ‘Skënderbej’, performancë nga International Dance Festival

Published

on

Festivali Ndërkombëtar i Dancit në Tiranë ka zbuluar për artdashësit vendndodhjet e aktiviteteve të tij artistike, që do të zhvillohen nga data 9 deri më 25 tetor.

Ky është edicioni i katërt, këtë vit vjen nën drejtimin e një prej emrave më të njohur shqiptarë në skenën ndërkombëtare, Angelin Preljocaj.

Gjatë tre javëve të festivalit, publiku do të ketë mundësinë të ndjekë krijimet më të reja të mbi 13 koreografëve e kompanive ndërkombëtare.

Programi çelet me katër performanca publike në hapësira të ndryshme të qytetit dhe pesë shfaqje në skenat e Teatrit Metropol dhe Teatrit Kombëtar të Operas dhe Baletit. Më 9 tetor, festivalin e hapin dy performanca të hapura për publikun, njëra në Qendrën Komunitare “Të qëndrojmë së bashku” dhe tjetra në sheshin Skënderbej, në orët e pasdites.

Më 10 tetor, performancat zhvendosen tek Pazari i Ri, ndërsa më 11 tetor, Teatri Metropol do të presë tre shfaqje paradite. Në mbrëmje, artistët do të ngjiten në skenë me veprën “Puls” nga Jiri Kylian, Robert North dhe Edi Blloshmi, e cila do të reprizohet edhe natën pasuese.

Ky edicion do të zhvillohet në 11 skena të ndryshme, duke ofruar 15 premiera, 9 aktivitete publike falas dhe masterclass-e që e lidhin festivalin me gjithë qytetin.

Ky aktivitet realizohet me mbështetjen e Bashkimit Evropian përmes programit EU4Culture, duke sjellë në Tiranë emra të njohur të kërcimit bashkëkohor përkrah një brezi të ri koreografësh, në një dialog të pasur mes gjuhëve të ndryshme artistike. /A.Z/UBT News/

Continue Reading

Lifestyle

Ngjyra e flokëve që freskon fytyrën dhe nxjerr tiparet në pah

Published

on

Ngjyra e duhur e flokëve bën mrekulli për pamjen, ajo mund të freskojë fytyrën, të theksojë tiparet e t’ju bëjë të dukeni më të rinj.

Nga ana tjetër, një ngjyrë që nuk i përshtatet tonit të lëkurës mund t’ju lodhë pamjen ose t’ju japë një efekt më të vjetër.

Prandaj, zgjedhja e ngjyrës ideale nuk është thjesht ndjekje trendesh, por gjetja e nuancës që harmonizohet me koloritin tuaj natyral.

Si të dini cila ngjyrë ju shkon më mirë?

Një mënyrë e thjeshtë për të identifikuar tonin e lëkurës është të shikoni venat në kyçin e dorës: Nëse venat duken blu ose vjollcë → keni nën-ton të ftohtë. Nëse venat duken jeshile → nën-toni juaj është i ngrohtë. Nëse shihni një përzierje → keni ton neutral.

Për tonet e ngrohta të lëkurës, nuancat me shkëlqim të artë, bakri, çokollatë e ngrohtë, blu e artë ose ngjyrë mjalti duken më bukur.

Për tonet e ftohta, më të përshtatshme janë ngjyrat e hirit, blu e ftohtë, kafe hiri ose kafe e errët pa reflektime të kuqërremta.

Nëse nuk jeni të sigurt, shikoni se cila prej bizhuterive ju shkon më shumë. Argjendi i përshtatet tonit të ftohtë, ndërsa ari duket më bukur tek tonet e ngrohta.

Flokë blu apo kafe – çfarë të zgjidhni?

Ngjyrat blu mund të freskojnë fytyrën dhe t’i japin një pamje më të lehtë, ndërsa nuancat kafe duken elegante, sofistikuese dhe natyrale.

Flokët me nuanca të kuqërremta ose bionde të ngrohta i shkojnë mirë personave me sy të hapur dhe ton të ngrohtë lëkure.

Nuancat e errëta blu ose hiri i përshtaten personave me ton të ftohtë lëkure.

Tonet kafe janë falënderuese: kafe e artë ose çokollatë për tonet e ngrohta dhe espresso ose kafe e errët për tonet më rozë ose porcelani.

A na shkon ngjyra e flokëve që kishim si fëmijë?

Shumë shpesh po. Ngjyra natyrale në fëmijëri harmonizohet me tonin e lëkurës e ngjyrën e syve. Edhe pse flokët ndryshojnë me moshën, nuanca origjinale është pika më e mirë për të zgjedhur ngjyrën e re.

Nëse doni të dukeni natyrale dhe të freskët, rikthimi tek ngjyra e fëmijërisë mund të jetë zgjidhja ideale.

Këshilla për zgjedhjen e nuancës ideale

Zgjidhni një ngjyrë që nuk ndryshon më shumë se 2-3 nivele nga ajo natyrale, për të ruajtur harmoninë në fytyrë. Nëse doni një ndryshim, provoni teknika si balayage ose babylights, që japin dimension pa ndryshuar shumë ngjyrën.

Gjëja më e rëndësishme: ngjyra e flokëve duhet të nxjerrë në pah personalitetin dhe bukurinë tuaj natyrale, jo të ndjekë vetëm një trend. /A.Z/UBT News/

Continue Reading

Të kërkuara