Botë
Izraeli thotë se sot do të miratohet marrëveshja për armëpushim dhe pengje
Published
1 year agoon
By
UBTnewsKryeministri izraelit, Benjamin Netanyahu, tha se është arritur marrëveshja për kthimin e pengjeve që mbahen në Rripin e Gazës, pasi paraprakisht deklaroi se kishte pengesa në minutën e fundit për finalizimin e një armëpushimi që do të pauzonte luftën 15-mujore.
Netanyahu tha se ai do të mbledhë kabinetin e tij të sigurisë më vonë gjatë së premtes dhe më pas Qeveria do ta miratojë marrëveshjen e shumëpritur për lirimin e pengjeve.
Kjo deklaratë e Netanyahut duket se i hap rrugë miratimit nga Izraeli të marrëveshjes, e cila parasheh pauzimin e luftimeve në Rripin e Gazës dhe lirimin e dhjetëra pengjeve që mbahen nga luftëtarët radikalë në Gazë në këmbim të lirimit të të burgosurve palestinezë, që mbahen nga Izraeli. Marrëveshja po ashtu do të lejojë që qindra mijëra të zhvendosur palestinezë të kthehen në shtëpitë e tyre në Gazë.
Kryeministri izraelit tha se ka udhëzuar një task-forcë speciale që të përgatitet për pranimin e pengjeve që do të kthehen nga Gaza dhe familjarët e tyre janë informuar se marrëveshja është arritur.
Të enjten, Izraeli shtyu votimin për armëpushimin, duke fajësuar se Hamasi – grupi palestinez i shpallur organizatë terroriste nga Shtetet e Bashkuara dhe Bashkimi Evropian – për mospajtime në minutën e fundit, teksa tensionet në rritje brenda koalicionit qeverisës të Netanyahut shtuan shqetësimet për zbatimin e marrëveshjes.
Të mërkurën, presidenti i SHBA-së, Joe Biden, dhe ndërmjetësi, Katari, kishin njoftuar se marrëveshja ishte e përfunduar.
Zyra e Netanyahut akuzoi Hamasin se kishte refuzuar disa pjesë të marrëveshjes në përpjekje për të përfituar koncesione të mëtejme. Në një konferencë për media të enjten, zëdhënësi i Qeverisë izraelite, David Mencer, tha se Hamasi kishte bërë kërkesa të reja. Sipas tij, këto kërkesa kishin të bënin me dislokimin e forcave izraelite në Korridorin Filadelfi, që është një brez i ngushtë toke në kufi me Egjiptin që trupat izraelite e morën nën kontroll majin e vitit të kaluar.
Hamasi këto akuza i hodhi poshtë dhe Izzat al-Rishq, zyrtar i lartë i grupit, deklaroi se Hamasi është “i përkushtuar për marrëveshjen e armëpushimit, që u bë publike nga ndërmjetësit”.
Marrëveshja e armëpushimit është përballur me rezistencë të ashpër nga partnerët e koalicionit të Netanyahut, nga të cilët varet qëndrimi i tij në pushtet. Të enjten, ministri i Sigurisë Kombëtare i linjës së ashpër, Itamar Ben-Gvir, kërcënoi se do të largohej nga Qeveria, nëse Izraeli do të miratonte marrëveshjen e armëpushimit.
Marrëveshja për armëpushim do të pauzonte luftën 15-mujore, që ka trazuar Lindjen e Mesme dhe ka nxitur protesta në gjithë botën.
Lufta nisi më 7 tetor 2023, kur Hamasi sulmoi Izraelin duke vrarë afër 1.200 persona dhe duke rrëmbyer afër 250 të tjerë.
Izraeli u kundërpërgjigj me një ofensivë shkatërruese, që ka lënë të vrarë më shumë se 46.000 palestinezë në Gazë.
Çfarë dihet për marrëveshjen e armëpushimit?
Hollësitë e marrëveshjes ende nuk janë bërë të ditura zyrtarisht, por ka një pasqyrë të asaj se si do të duket ajo sipas komenteve të zyrtarëve dhe raportimeve në media bazuar në draftet e publikuara të marrëveshjes.
Në fazën e parë do të nisë një armëpushim gjashtëjavor, gjatë të cilit trupat izraelite do të tërhiqen dalëngadalë nga qendra e Gazës.
Gjatë kësaj faze, Hamasi do t’i lirojë 33 pengje – që pritet të jenë kryesisht gra, të moshuar dhe të sëmurë – në këmbim të palestinezëve të mbajtur në burgjet izraelite.
Disa pengje u liruan në nëntor 2023 në këmbim të 240 të burgosurve palestinezë. Hamas ende mban 94 pengje, por Izraeli beson se vetëm 60 prej tyre janë ende gjallë.
Palestinezët e zhvendosur si pasojë e luftës do të lejohen të kthehen në shtëpitë e tyre në fazën e parë të marrëveshjes, ndërsa ndihma humanitare do të fillojë të hyjë në enklavën e drejtuar nga Hamasi. Gati të gjithë 2.3 milionë banorët e Gazës u detyruan t’i braktisnin shtëpitë e tyre gjatë luftës.
Negociatat e mëtejshme për fazën e dytë dhe të tretë të marrëveshjes do të fillojnë në ditën e 16-të të zbatimit të marrëveshjes, dhe analistët thonë se kjo mund të jetë sfida e parë e vërtetë për jetëgjatësinë e armëpushimit.
Faza e dytë e marrëveshjes përfshin lirimin e pengjeve të mbetura dhe, më e rëndësishmja, përfundimin e luftës./REL/
Aktualitet
Lufta në Iran: Çfarë po ndodh në ditën e 32-të të sulmeve SHBA-Izrael?
Published
3 hours agoon
March 31, 2026By
UBTNews
Në një intervistë ekskluzive për Al Jazeera, Sekretari i Shtetit, Marco Rubio, tha se objektivat e luftës së SHBA-së do të arrihen brenda “javësh”. Ndërsa lufta ndaj Iranit hyri në ditën e saj të 32-të, sulmet ajrore amerikane dhe izraelite vazhdojnë në mbarë Iranin, me shpërthime të fuqishme të raportuara në Teheran dhe Isfahan.
Sekretari Rubio shtoi se komunikimi midis Teheranit dhe Uashingtonit po vazhdon, kryesisht përmes ndërmjetësve, duke saktësuar se objektivat do të arrihen në “javë, jo muaj”. Ndërkohë, Presidenti Donald Trump ka kërcënuar se do të shkatërrojë qendrën kryesore të eksportit të naftës dhe infrastrukturën energjetike të Iranit nëse nuk arrihet shpejt një marrëveshje.
Në Iran
- Taksat në Hormuz: Media shtetërore raportoi se një komision parlamentar miratoi taksat për anijet që kalojnë në Ngushticën e Hormuzit, një rrugë kyçe e naftës dhe gazit, e mbyllur efektivisht nga lufta.
- Kërcënimet e Trump: Trump kërcënoi me shkatërrimin e Ishullit Kharg (qendra e eksportit të naftës), puseve të naftës dhe centraleve elektrike.
- Bombardimet: Izraeli dhe SHBA vazhduan bombardimet, me shpërthime të fuqishme në Teheran dhe Isfahan.
- Mesazhi i Marinës: Vala e fundit e sulmeve rajonale të Iranit u nis nga marina e vendit. Sipas korrespondentëve, ky shërben si një “mesazh shumë i fortë” për SHBA-në, duke sfiduar pretendimet e Uashingtonit për asgjësimin e forcave detare iraniane.
- Vrasja e Admiralit: Garda Revolucionare (IRGC) konfirmoi vdekjen e komandantit të saj detar, Admiralit Alireza Tangsiri, i vrarë në një sulm izraelit së fundmi.
Zhvillimet Rajonale
- Bisedimet Pakistan-Kinë: Zëvendëskryeministri i Pakistanit, Ishaq Dar, viziton Pekinin të martën për bisedime me ministrin kinez Wang Yi.
- G7 për Energjinë: Ministrat e ekonomisë dhe financave të G7-ës u shprehën të gatshëm të marrin “të gjitha masat e nevojshme” për të stabilizuar tregun e energjisë.
- Thirrja e El-Sisit: Presidenti egjiptian i kërkoi Trump-it të ndihmojë në ndaljen e luftës: “Ju lutem, na ndihmoni të ndalim luftën, ju jeni i aftë për këtë.”
- NATO: Forcat e NATO-s kapën një raketë të lëshuar nga Irani drejt Turqisë — e katërta që nga fillimi i luftës.
Në Gji
- Sulmi mbi cisternën kuvajtjane: Irani nisi një sulm “direkt dhe kriminal” mbi “Al-Salmi”, një cisternë kuvajtjane e ngarkuar plot në portin e Dubait.
- Raketat në Arabinë Saudite: Arabia Saudite njoftoi se kapi të paktën tetë raketa balistike që synonin Rijadin dhe provincën lindore të pasur me energji.
- Alarmi në Bahrein: Konflikti ka vënë shtetet fqinje në alarm të lartë; Bahreini aktivizoi sirenat duke udhëzuar banorët të drejtohen në vendet më të afërta të sigurta.
- Araghchi: Ministri i Jashtëm iranian tha se është “koha e fundit” që trupat amerikane të largohen nga bazat e tyre në shtetet e Gjirit.
Në SHBA
- Rubio i tha Al Jazeera-s se rruga ujore do të mbetet e hapur pavarësisht veprimeve të Iranit.
- Ai pohoi se objektivat po arrihen pas shkatërrimit të forcave ajrore dhe pjesës më të madhe të marinës iraniane.
- Mbi 200 ushtarë amerikanë kanë paraqitur ankesa ndaj oficerëve eprorë për përdorimin e retorikës fetare për të arsyetuar luftën.
Në Izrael
- Netanyahu: Kryeministri izraelit tha se lufta ka arritur më shumë se gjysmën e qëllimeve të saj, pa dhënë një afat se kur do të përfundojë.
- Sulmi në Universitet: Ushtria izraelite goditi Universitetin “Imam Hossein” në Teheran, duke pretenduar se përdorej për kërkime të armëve të avancuara.
- Zjarri në Haifa: Një zjarr i madh shpërtheu në rafinerinë e naftës në Haifa pas rënies së mbetjeve të një projekti të kapur në ajër.
Kriza e naftës dhe ushqimit
- Rritja e çmimeve: Nafta bruto amerikane (WTI) kaloi 100 dollarë për fuçi për herë të parë që nga viti 2022. Çmimi mesatar i benzinës kaloi 4 dollarë për gallon.
- Masat në Norvegji dhe Bangladesh: Norvegjia do të ulë përkohësisht taksat mbi karburantet, ndërsa Bangladeshi ka urdhëruar masa të rrepta kursimi të energjisë për shkak të krizës globale. /Al Jazeera/
Aktualitet
Irani sulmon cisternën e naftës në Dubai pas kërcënimeve të Trump
Published
6 hours agoon
March 31, 2026By
UBTNews
Irani sulmoi dhe përfshiu nga flakët një anije cisternë të ngarkuar plot me naftë bruto pranë Dubait herët të martën, pasi Presidenti Donald Trump paralajmëroi se Shtetet e Bashkuara do të shkatërronin centralet energjetike dhe puset e naftës të Iranit nëse ky i fundit nuk hap Ngushticën e Hormuzit.
Goditja mbi anijen “Al-Salmi”, e cila lundron nën flamurin e Kuvajtit, është sulmi i fundit ndaj anijeve tregtare me raketa ose dronë shpërthyes ajrorë dhe detarë në Gjirin Persik dhe Ngushticën e Hormuzit, që prej sulmit të SHBA-së dhe Izraelit ndaj Iranit më 28 shkurt. Konflikti njëmujor është përhapur në të gjithë Lindjen e Mesme, duke vrarë mijëra njerëz, duke ndërprerë furnizimet me energji dhe duke kërcënuar të fusë ekonominë globale në kolaps.
Çmimet e naftës bruto u rritën ndjeshëm për një kohë të shkurtër pas sulmit mbi cisternën, e cila mund të mbajë rreth 2 milionë fuçi naftë me vlerë mbi 200 milionë dollarë me çmimet aktuale.
Kuwait Petroleum Corp, pronari i anijes, deklaroi se sulmi ndodhi herët të martën, duke shkaktuar zjarre dhe dëmtime në trupin e anijes. Autoritetet në Dubai njoftuan më vonë se kishin vënë zjarrin nën kontroll pas sulmit me dron, pa pasur rrjedhje nafte dhe pa lëndime në ekuipazh.
Rritja e çmimeve të naftës dhe karburantit ka filluar të rëndojë mbi financat e familjeve amerikane dhe është kthyer në një kokëçarje politike për Trump-in dhe Partinë e tij Republikane përpara zgjedhjeve afatmesme të nëntorit, pasi ai kishte premtuar uljen e çmimeve të energjisë dhe rritjen e prodhimit të naftës dhe gazit në SHBA.
Çmimi mesatar kombëtar i shitjes me pakicë i benzinës në SHBA kaloi 4 dollarë për gallon për herë të parë në më shumë se tre vjet të hënën, sipas të dhënave nga shërbimi i gjurmimit të çmimeve GasBuddy. Shtrëngimi i furnizimeve globale ka bërë që nafta bruto e referencës “Brent” të rritet me 56% këtë muaj—rritja më e madhe e regjistruar ndonjëherë—duke arritur mbi 113 dollarë për fuçi. /Reuters/
Lajmet
Irani konfirmon vdekjen e komandantit detar të Gardës Revolucionare
Published
1 day agoon
March 30, 2026By
UBTNews
Trupat e Gardës Revolucionare Islamike të Iranit (IRGC) kanë pranuar zyrtarisht vrasjen e Alireza Tangsirit, komandantit të forcave detare të IRGC-së, katër ditë pasi Izraeli deklaroi se ai ishte objektiv i një sulmi, raporton BBC.
Në deklaratën e IRGC-së, të publikuar nga agjencia e lajmeve “Tasnim” (e afërt me këtë strukturë), thuhet se Tangsiri po “organizonte forcat dhe po forconte mburojën mbrojtëse të ishujve dhe brigjeve” dhe se vdiq “si pasojë e plagëve të rënda”. Sipas njoftimit, pavarësisht “mungesës” së komandantit ditët e fundit, forcat detare të IRGC-së kanë kryer “goditje dërrmuese dhe kanë vazhduar kontrollin vendimtar mbi Ngushticën e Hormuzit”.
Garda Revolucionare u zotua në deklaratë se “nuk do të ndalet derisa armiku të shkatërrohet plotësisht”. Tangsiri, një nga komandantët më të lartë të IRGC-së, ishte përgjegjës për mbikëqyrjen e kalimit të anijeve në Ngushticën strategjike të Hormuzit. Në llogarinë e tij në platformën X, ai kishte deklaruar së fundmi se “asnjë anije e lidhur me agresorët kundër Iranit nuk ka të drejtë të kalojë”.
Ai njihej si një komandant i drejtpërdrejtë, duke bërë vazhdimisht deklarata kundër SHBA-së dhe Izraelit. Në vitin 2019, Thesari i SHBA-së vendosi sanksione ndaj Tangsirit dhe komandantëve të tjerë të IRGC-së, pasi Irani rrëzoi një dron vëzhgues amerikan pranë ngushticës.
Sipas BBC- “Irani konfirmon vdekjen e komandantit detar të IRGC-së, Alireza Tangsiri, pas raportimeve për një sulm izraelit.”
Aktualitet
Irani akuzon SHBA-në për “lojë të dyfishtë”, ndërsa sulmet përhapen në rajon
Published
2 days agoon
March 29, 2026By
UBTNews
Situata mes Iranit, SHBA-së dhe rajonit të Gjirit është përshkallëzuar ndjeshëm në javët e fundit, ndërsa zyrtarët iranianë shprehin mosbesim të thellë ndaj Perëndimit dhe paralajmërojnë për përballje të mundshme ushtarake.
Sipas BBC, lufta aktuale ka nisur më 28 shkurt, vetëm dy ditë pas raundit të tretë të bisedimeve indirekte bërthamore mes SHBA-së dhe Iranit në Gjenevë. Ky zhvillim pason një model të përsëritur: edhe verën e kaluar, sulmet ndaj Iranit nisën gjatë negociatave, duke çuar në një luftë 12-ditore mes Iranit dhe Izraelit, ku SHBA goditi tre objekte kyçe bërthamore iraniane.
Në këtë kontekst, kryetari i Parlamentit të Iranit, Mohammad Bagher Ghalibaf, ka akuzuar SHBA-në për hipokrizi, duke deklaruar se “armiku sinjalizon negociata në publik, ndërsa në fshehtësi planifikon një sulm tokësor”. Sipas BBC, ai ka shtuar se SHBA po paraqet një listë kërkesash dhe po përpiqet të arrijë përmes diplomacisë atë që nuk e arriti në luftë.
Në një mesazh të publikuar 30 ditë pas nisjes së konfliktit, Ghalibaf paralajmëroi se forcat iraniane janë “në pritje të hyrjes së ushtarëve amerikanë në terren për t’i goditur ashpër”. Ai theksoi gjithashtu se Irani nuk do të pranojë “poshtërim” dhe e konsideron çdo marrëveshje si test për besueshmërinë e SHBA-së, sidomos pas tërheqjes nga marrëveshja bërthamore e vitit 2015 gjatë presidencës së Donald Trump.
Ky qëndrim lidhet me politikën afatgjatë të Iranit që nga revolucioni i vitit 1979, e cila është karakterizuar nga kundërshtimi ndaj ndikimit politik dhe kulturor perëndimor, duke i parë SHBA-në dhe Izraelin si kundërshtarë kryesorë.
Ndërkohë, tensionet janë përhapur edhe në rajonin e Gjirit. Arabia Saudite njoftoi se ka interceptuar dhe shkatërruar 10 dronë brenda disa orëve të fundit. Sipas BBC, edhe vende të tjera si Emiratet e Bashkuara Arabe dhe Kuvajti kanë raportuar sulme gjatë natës, ndërsa infrastruktura kritike në rajon është vënë në shënjestër në 24 orët e fundit.
Zhvillimet e fundit tregojnë për një përshkallëzim të rrezikshëm të situatës, në një kohë kur kanalet diplomatike mbeten të paqarta dhe mosbesimi mes palëve vazhdon të thellohet.
Ambasada e SHBA-së mbështet “Dardanët” para finales me Turqinë në “Fadil Vokrri”
Bëhu lider i komunikimit me Programin e Gjuhës Angleze
Alumni i UBT-së udhëheq punëtorinë mbi psikologjinë klinike dhe formulimin e rasteve me studentët e nivelit master
Botërori është afër: “The Guardian” i thur lavde rrugëtimit emocional të Kosovës
Nga ‘Fadil Vokrri’ në Madrid: Një orë, dy sfida të mëdha
Lufta në Iran: Çfarë po ndodh në ditën e 32-të të sulmeve SHBA-Izrael?
Kurti pret ekipin e OKB-së: Diskutohet Plani Strategjik 2026–2030 dhe forcimi i bashkëpunimit
27 vjet nga mizoria serbe në Rahovec e Malishevë, Osmani: Pa drejtësi s’ka paqe
REL: Tarifat e reja të rrymës shtyhen për 1 maj
Të kërkuara
-
Lajmet1 month agoUBT nderon Familjen Jashari me Dekoratën Jetësore të Nderit
-
Lajmet3 months agoStudentët e UBT-së vizitojnë agjencinë Base Agency për të mësuar mbi marketingun dhe inovacionin
-
Lajmet2 months agoStudentët e UBT-së në vizitë studimore në Presidencën e Republikës së Kosovës
-
Lajmet3 months agoProfesori i UBT-së, Kujtim Thaçi publikon artikull shkencor në revistën prestigjioze Frontiers in Immunology
