Në një vendbanim në Slavonski Brod të Brodsko Vinogorje, ku ndodhen 14 të mbijetuarit me fat, të cilët nuk u dëmtuan nga aksidenti i tmerrshëm në mëngjes që mori dhjetë jetë, ekziston një heshtje e frikshme dhe hutuese.
Shumica e të sapoardhurve janë të shpërndarë dhe të gjithë në cepin e tyre po përpiqen t’u tregojnë të dashurve të tyre në Kosovë dhe Gjermani se si kanë arritur të shpëtojnë.
Sipas medias kroate, është e vështirë të përshkruhet tronditja që ata pësuan, e cila do tu mbette gjatë në memorie.
Një i ri nga Kosova që udhëtonte vetëm tregoi mes lotësh përvojën dhe përshkrimin e aksidentit.
“Ne që ishim në pjesën e sipërme të autobusit dolëm mirë, por ata që ishin poshtë … ishte një tmerr i vërtetë. Pothuajse të gjithë pasagjerët flinin në autobus në gjashtë të mëngjesit. Ende nuk e kam të qartë se si ndodhi një tragjedi e përmasave të tilla. Gjëja e parë që mbaj mend pas përmbysjes kur u zgjova ishte mendimi se sapo ishim rrotulluar dhe se nuk ishte një aksident i rëndë. Në atë kohë, nuk kisha ide se do të ishte kaq tragjike. Por ishte. Ne ndihmuam në nxjerrjen e trupave të pajetë. Unë arrita të telefonoj familjen time, të gjithë ishin shumë të lumtur”, tha ai.
Pasagjerët që arritën të shpëtonin nga aksidenti në Kroaci
Për t’iu dalë në ndihmë personave të aksidentuar kishin ardhur dy shtetas të Kosovës me vendbanim në Zagreb.
“Kam ardhur për të ndihmuar njerëzit nga vendi im. Sapo dëgjova se çfarë kishte ndodhur, arrita menjëherë. Kam biseduar me njerëzit që ishin në autobus. Të gjithë përshkruajnë ato skena të tmerrshme. Pjesa e poshtme e autobusit pësoi më së shumti. Për dy pasagjerët, familjet nuk e dinë ende në cilin grup janë, të plagosurit ose të vdekurit sepse nuk janë këtu. E tmerrshme është ajo pasiguri që zgjat me orë të tëra. Me ata që ndodhen në pensionin Antonio janë vazhdimisht ekipe mjekësore. Aty-këtu, dikush ankohet për dhimbje në shtyllën kurrizore ose në këmbë, por të gjithë janë kryesisht nën një tronditje të madhe”, tha Enes Mehmeti nga Zagrebi për SBplus, i cili gjithashtu është i tronditur nga dëshmitë.
Të moshuarit kryesisht janë të hutuar dhe të humbur. Do të ishte e vështirë të përballohej pa të rinj që janë mësuar të komunikojnë përmes rrjeteve sociale me të afërmit e tyre. Për fat të mirë, ata të gjithë qëndrojnë së bashku dhe janë të gatshëm të ndihmojnë njëri-tjetrin.
“Kam udhëtuar vetëm, por tani për këta njerëz ndihem sikur jemi një familje e madhe. Nuk e di se çfarë do të bëja pa këta të rinj, ata më ndihmuan në lidhjen e internetit që të mund të kontaktoja familjen time. Ajo që kemi provuar është tmerri. Imazhet do të qëndrojnë në kokën time përgjithmonë. Thjesht nuk dua që ky aksident të mbulohet me gënjeshtra, shpresoj që të gjithë do të përpiqen të zbulojnë shkakun e tij të vërtetë”, tha Xhevahire Gashi, një grua e moshuar e cila është e shokuar me tmerrin e përjetuar.
10 persona humbën jetën dhe mbi 40 të tjerë janë lënduar në aksidentin e ndodhur mëngjesin e sotëm në afërsi të Slavonski Brod të Kroacisë, ku një autobus nga Kosova doli nga rruga dhe u përmbys.
Shoferi i autobusit është arrestuar dhe sipas dëshmisë së tij dhënë policisë kroate, atë në momentin tragjik e kishte zënë gjumi. Autobusi po vinte nga Frankfurti i Gjermanisë për në Kosovë. Në autobus ishin 69 pasagjerë.
Pas kësaj ngjarjeje tragjike, presidentja Vjosa Osmani ka shpallur të hënën ditë zie në Kosovë.
NP “Termokos” SH.A. njofton konsumatorët se, për shkak të rënies nga funksioni të Bllokut 1 të Termocentralit Kosova B, furnizimi me energji termike, aktualisht, po realizohet me kapacitet të kufizuar.
Kjo situatë ka ndikuar në uljen e cilësisë ngrohjes për disa objekte banesore në lagjet “Mati 1” dhe “Bregu i Diellit”.
Por, sipas paralajmërimeve nga KEK-u, Blloku 1 pritet të rikthehet në funksion gjatë ditës së nesërme, gjë që do të mundësojë furnizimin me energji termike me kapacitet maksimal, përkatësisht përmirësimin e plotë të furnizimit me ngrohje.
“Deri në stabilizimin e plotë të furnizimit me ngrohje, NP “Termokos” kërkon mirëkuptimin e gjithë konsumatorëve”, thuhet në njoftim.
Shefi i Zyrës së Bashkimit Evropian në Kosovë, Aivo Orav, është takuar të martën me ministrin në Detyrë të Administrimit të Pushtetit Lokal, Elbert Krasniqi.
Sipas njoftimit, në takim është diskutuar për rolin e qeverisjes vendore të fortë dhe të përgjegjshme në zbatimin e reformave.
“Zgjedhjet e fundit në Kosovë tregojnë se si demokracia vendore angazhon njerëzit dhe formëson politikat që pasqyrojnë nevojat e komunitetit përmes vendimmarrjes pranë tyre”, ka thënë Orav.
Studentët e vitit të parë, në kuadër të lëndës Hyrje në Kontabilitetin Financiar në Fakultetin Menaxhment, Biznes dhe Ekonomi në UBT, nën udhëheqjen e profesorit Mic Ukaj realizuan një ligjëratë praktike mbi aplikimin e softuerëve të kontabilitetit, me ligjërues mysafir Taulant Murati, kontabilist i certifikuar me përvojë shumëvjeçare në fushën e kontabilitetit, financave dhe auditimit.
Përmes softuerit Quickbooks, studentët patën mundësinë të njihen nga afër me proceset kryesore të përdorimit të softuerëve te kontabilitetit, duke filluar nga krijimi i politikave kontabël, regjistrimi i klientëve dhe furnitorëve, evidentimi i blerjeve dhe shitjeve, e deri te reflektimi i këtyre transaksioneve në pasqyrat financiare. Ligjërata u karakterizua nga një qasje shumë interaktive, me përfshirje aktive të studentëve në përdorimin praktik të softuerit.
UBT mbetet e përkushtuar në vazhdimin e misionit të saj për të ndërthurur dijen teorike me përvojën praktike, duke u ofruar studentëve mundësi konkrete për të zhvilluar kompetenca profesionale që përputhen me kërkesat e tregut të punës.
Profesori i UBT-së, Prof. Dr. Kujtim Thaçi, ka publikuar një artikull shkencor në revistën ndërkombëtare shumë prestigjioze Frontiers in Immunology, e cila renditet në Q1, me Impact Factor 5.9 dhe CiteScore 10.6, si dhe është e indeksuar në Web of Science dhe Scopus.
Artikulli është realizuar në bashkëpunim me Qendrën për Imunologji dhe Sëmundje Inflamatore të Spitalit të Massachusettsit dhe Fakultetin e Mjekësisë të Universitetit të Harvardit. Ky bashkëpunim shënon herën e parë të një bashkëpunimi shkencor ndërmjet Fakultetit të Mjekësisë të Universitetit të Harvardit dhe UBT-së, duke përfaqësuar një arritje të rëndësishme për UBT-në dhe komunitetin akademik në Kosovë.
Në këtë artikull shkencor, autorët theksojnë se funksioni i IgE-së dhe efekti i saj sinjalizues përmes receptorëve FcεR shtrihet përtej sëmundjeve klasike atopike, duke luajtur rol të rëndësishëm edhe në shumë mjedise inflamatore jo-atopike dhe në sëmundjet e ndërmjetësuara nga imuniteti. Një fokus i veçantë i studimit është ndryshimi i glikozilimit në vende specifike të molekulës së IgE-së, ndryshime që mund të ndihmojnë në karakterizimin molekular të sëmundjeve, në stratifikimin e pacientëve dhe në identifikimin e mundësive të reja terapeutike.
Ky hulumtim ka rëndësi të veçantë, pasi shumë strategji imunomoduluese dështojnë për shkak se pacientët, pavarësisht dallimeve molekulare, trajtohen si një grup homogjen. Zgjerimi i kuptimit të biologjisë së IgE-së përtej atopisë kontribuon në riformulimin e konceptit të sëmundjeve inflamatore dhe hap rrugë për ndërhyrje klinike më të targetuara dhe më efektive.