Aktualitet
Ish-shefi i AKI-së kërkonë nga gjykata hudhjen e aktakuzës
Published
5 years agoon
By
Betim GashiIsh-shefi i Agjencisë së Kosovës për Inteligjencë, Driton Gashi, drejtori i Departamentit për Shtetësi, Azil dhe Migracion në Ministrinë e Punëve të Brendshme (MPB), Valon Krasniqi si dhe drejtori i Drejtorisë për Migracion dhe të Huaj në kuadër të Policisë së Kufitare, Rrahman Sylejmani po kërkojnë nga Gjykata Themelore në Prishtinë hudhjen e aktakuzës ndaj tyre, duke kundërshtuar edhe provat që gjenden në të.
Kurse, prokuroja Habibe Salihi ka kërkuar konfirmimin e aktakuzës, me të cilën Prokuroria Speciale e Republikës së Kosovës (PSRK) e ngarkon Driton Gashin, Valon Krasniqin dhe Rrahman Sylejmanin për veprën penale të keqpërdorimit të pozitës apo autoritetit zyrtar, kurse Sylejmanin edhe për veprën penale të privimit të kundërligjshëm nga liria, raporton “Betimi për Drejtësi”.
Në seancën e shqyrtimit të dytë, të mbajtur në Departamentin Special, të akuzuarit përmes mbrojtësve të tyre, avokatëve Florent Latifaj, Ekrem Hoxha dhe Florent Sylejmani, kanë elaboruar kërkesa e tyre për hedhjen e aktakuzës si dhe kundërshtimin e provave të cilat i kishin paraqitur në gjykatë brenda afatit ligjor.
Sipas avokatit Latifaj, i mbrojturi i tij në asnjë moment nuk i kishte tejkaluar funksionet e tij apo keqpërdorur pozitën zyrtare, ashtu siç është i ngarkuar nga ana e PSRK-së.
“Kur e them këtë e them kemi parasysh sepse funksionet e drejtorit të AKI-së por edhe të agjencisë në përgjithësi edhe janë të përcaktuara me ligjin e AKI-së dhe aty taksativisht në nenin 3 parashihet se cilat veprime janë të ndalume, unë du me ju theksu se asnjërin nga ato veprimet te ndaluara të AKI-së nuk e ka bo Driton Gashi”, tha avokati Latifaj.
Avokati Latifaj ka deklaruar se në ligjin mbi të huajt është e përcaktuar qartë se në rast të revokimit apo refuzimit të leje qëndrimit për të huajt, për arsye që lidhen me sigurinë shtetërore lëshohet vendim pa arsyetim lidhur me rrethanat në të cilat është nxjerrë ky vendi, e që sipas tij zbulimi i këtyre të dhënave do të paraqes vepër penale.
“Tash nëse mendojmë, nëse drejtori i AKI-së apo kushdo në një format person përgjegjës për këtë punë vjen edhe tregon arsyet se pse një person konsiderohet i rrezikshëm apo nuk konsiderohet i rrezikshëm për sigurinë shtetërore, atëherë aty kemi të bëjmë me shkelje të ligjit mbi AKI-në dhe kemi të bëjmë me vepër penale sepse zbulimi i atyre të dhënave paraqet vepër penale, dhe është e ndaluar me ligjin mbi AKI-në”, tha ai.
Mbrojtësi i të akuzuarit Krasniqi, avokati Hoxha ka thënë se në kërkesën për hudhje të aktakuzës dhe kundërshtimin e provave ka argumentuar dhe paraqitur prova të mjaftueshme, me të cilat vërtetohet se i mbrojturi i tij nuk ka bërë asgjë përveç se ka zbatuar ligjin.
“I njëjti, në rastet se kur personat në fjalë janë vlerësuar se paraqesin rrezik për sigurinë e shtetit, i ka njoftuar vartësit e tij me përmbajtjen dhe ka kërkuar nga ta sipas procedurave ligjore që të zbatojnë ligjin, dhe zyrtarët tjerë të DSHAM-së në zbatim të ligjit në po të njëjtin gjykim kanë vlerësuar se përmbushet kushti ligjor nga nenin 6 se të njëjtëve duhet t’i revokohet leje qëndrimi dhe këtu përfundon i gjithë tregimi, nuk ka asgjë më shumë dhe asgjë më pak, i mbrojturi im ka zbatuar ligjin dhe kërkojmë që të hudhet kjo aktakuzë”, tha avokati Hoxha.
Edhe avokati Sylejmani ka thënë se i mbrojturi i tij të gjitha veprimet e tij i ka bërë në kuadër të fushëveprimeve të përcaktuara me rregulloren e brendshme të Policisë së Kosovës, si dhe në kuadër të përgjegjësive dhe detyrave që ka ai.
Ai ka konsideruar se hetimet nga ana e PSRK-së janë barë në kundërshtim me ligjin, pasi që sipas tij, aktvendimi për zgjerimin e hetimeve në këtë rast ishte paraqitur katër muaj më herët se aktvendimi për fillim të hetimeve.
“Më 12 qershor 2019, PSRK-ja si vendimi e parë të saj ka nxjerr një aktvendim për zgjerim të hetimeve kundër Valon Krasniqit madje ky vendim në faqen 3 përmban një shënim se këto hetime fillojnë nga data 21 tetor 2019, gjë që është e pakuptimtë kur ka fillu ky hetim. Poashtu PSRK- ka nxjerr aktvendim për zgjerim të hetimeve, një ditë para se të dorëzohet kallëzimi penal i PK-ës. Më 6 shtator 2019, Inspektorati Policor ka dorëzu edhe një raport plotësues ndaj një personi nën dyshimin se ka kryer veprën e keqpërdorimit të detyrës zyrtare. Dhe gjithë këto veprime i kanë parapri një aktvendimi të datës 21 tetor 2019 kur PSRK-ja ka nxjerr aktvendim për fillim të hetimeve kundër të pandehurve të tjerë në mesin e të cilëve është edhe i mbrojturi im”, tha avokati Sylejmani.
Sa i përket veprës penale në dispozitivin e parë, avokati Sylejmani ka thënë se nuk mund të provohet me asnjë provë dhe se nuk qëndron fakti se i mbrojturi i tij të ketë pranuar apo marrë ndonjë rekomandim nga i akuzuari Gashi.
Ndërsa sa i përket veprës penale në dispozitivin e tretë, avokati Sylejmani ka thënë se ky dispozitiv i aktakuzës është i mangët, pasi që sipas tij PSRK-ja nuk ka përcaktuar saktësisht kohën, vendin, objektin e kryerjes së veprës penale dhe rrethanat tjera.
Gjithashtu avokati Sylejmani ka deklaruar se në provat e bashkangjitura nga ana e prokurorisë nuk rezultojnë se në veprimet e të mbrojturit të tij të jenë përmbushur elementet e veprës penale për të cilën ai ngarkohet.
Në anën tjetër, prokurorja speciale Habibe Salihi ka kërkuar që aktakuza të konfirmohet me arsyetimin se është ndërtuar konform ligjit dhe ka mbështetje në provat që gjenden në shkresat e lëndës, e se gjatë shqyrtimit gjyqësor dhe administrimit të provave do të vërtetohet fajësia e të akuzuarve.
Lidhur me pretendimet e avokatit Sylejmani, prokuroja Salihi ka thënë se në aktvendimin për zgjerim të hetimeve ka ndodhur një gabim teknik në datë dhe se sipas saj, duhet referuar vulës e cila tregon datën e saktë kur është dorëzuar në gjykatë ky aktvendim.
Prokurorja Salihi ka thënë se nuk qëndron pretendimi tjetër i avokatit Sylejmani se në dispozitivin tre të aktit akuzues nuk janë të përshkruara vendi, koha dhe mënyra e kryerjes, pasi që sipas saj, ato janë të janë të përcaktuara saktësisht në këtë dispozitiv.
Në fund të seancës, gjykatësja Violeta Namani ka thënë se për kërkesën e palëve do të marrë vendim të veçantë brenda afatit ligjor.
Sipas aktakuzës së ngritur nga Prokuroria Speciale e Republikës së Kosovës më 24 shkurt 2021, Driton Gashi akuzohet se si person zyrtar në kohën e kryerjes së veprës penale Drejtor i Përgjithshëm i Agjencisë Kosovare të Inteligjencës, tutje AKI, prej datës 23.03.2018, e gjer më 29.03.2018, në Prishtinë, me qëllim që shtetasit e Republikës së Turqisë, Cihan Ozkan, Yusuf Karabina, Kahraman Demirez, Hasan Hyseyn Demir dhe Mustafa Erden, që kishin leje qëndrim të ligjshëm dhe të drejtën e punës në Kosovë dhe Osman Karakoya që kishte bërë kërkesë për leje qëndrim në Kosovë, e të cilit procedura nuk i kishte përfunduar, ti dëbojë me forcë kundërligjshëm nga Kosova dhe dorëzoj autoriteteve turke.
Gjithnjë sipas aktakuzës, Driton Gashi akuzohet se keqpërdori detyrën zyrtare, duke mos i përmbush detyrat zyrtare sipas kompetencës, në atë mënyrë që Departamentit për Shtetësi, Azil dhe Migracion, më tutje DSHAM, të MPB i rekomandoi revokimin elejeve të qëndrimit për shtetasit turq Cihan Ozkan, Yusuf Karabina, Kahraman Demirez, Hasan Hyseyn Demir dhe Mustafa Erden dhe mosdhënien e lejes për Osman Karakoya, për arsye se kinse ata paraqesin rrezik për sigurinë kombëtare, fakt që nuk është provuar fare në procedurë të zbatuar në bazë të ligjit, ndërsa të akuzuarit Rrahman Sylejmani, Drejtor i Drejtorisë për Migrim dhe të Huaj në
Ministrin e Punëve të Brendshme, tutje DMH, i rekomandoj nxjerrjen e gjashtë urdhrave për dëbimin e të dëmtuarave me forcë nga Republika e Kosovës.
PSRK-ja pretendon se i akuzuari Driton Gashi, për këtë procedurë dhe për dëbimin e të dëmtuarve me forcë nga Republika e Kosovës, nuk e ka njoftuar Presidentin dhe Kryeministrin e Republikës së Kosovës, siç parashihet me Ligjin për AKI dhe as Kryeprokurorin e Shtetit siç parashihet me nenin 25 të Ligjit për AKI, dhe se ka tejkaluar po ashtu kompetencat duke përfshirë AKI, në aranzhimin e udhëtimit, transportin dhe pjesëmarrjen në operacionin e dëbimit që nuk ishin kompetenca të agjencisë që drejtonte, pastaj u angazhuan drejtpërdrejtë në aksionin e dëbimit të tyre ani pse kjo nuk ishte në kompetencën e tij.
Me këto veprime, PSRK-ja e ngarkon të akuzuarin Driton Gashi se ka kryer veprën penale Keqpërdorimi i pozitës apo autoritetit zyrtarë nga neni 422 paragrafi 1 të KPK-së.
Sipas kësaj aktakuze, Valon Krasniqi akuzohet se si person zyrtar, drejtor në DSHAM në MPB, në periudhën kohore prej 23.03.2018 dhe gjer më 29.03.2018, keqpërdori detyrën zyrtare duke mos i përmbush detyrat zyrtare sipas kompetencës, në atë mënyrë që në kundërshtim me 91 të Ligjit për të Huaj, mori vendim për revokimin e lejeve të ligjshme të qëndrimit të të dëmtuarave shtetasve Cihan Ozkan, Yusuf Karabina, Kahraman Demirez, Hasan Husein Demir dhe Mustafa Erden dhe në kundërshtim me nenin 44 të të njëjtit ligj për Osman Karakoya, që ishte në procedurë për marrjen e lejes së qëndrimit, pa u përfunduar ajo me vendim të formës së prerë,mirëpo veproi vetëm duke u bazuar në rekomandimin e të akuzuarit Driton Gashi për revokimin e lejeve të qëndrimit për shtetasit turq dhe pa vërtetuar fare nëse informacionet e AKI plotësojnë kriteret ligjore të përcaktuara me ligj për të vërtetuarse të dëmtuarit paraqesin rrezik për sigurinë kombëtare.
Gjithnjë sipas prokurorisë, po ashtu i akuzuari Valon Krasniqi, përgjegjësitë e tij ligjore për identifikimin e të dëbuarve, sigurimin e fletudhëtimeve, sigurimin e kujdesit mjekësor dhe autoritetin për zbatimin e operacionit të dëbimit me forcë të tyre ia kishte kaluar AKI-së dhe Policisë së Kosovës, në këtë mënyrë duke u shkelur të drejtat e të dëmtuarve, të drejtën e qëndrimit dhe punës së ligjshme në Kosovë të dëmtuarve iu ka shkaktuar dëm moral dhe material.
Me këto veprime, PSRK-ja e ngarkon të akuzuarin Valon Krasniqi se ka kryer veprën penale: Keqpërdorimi i pozitës apo autoritetit zyrtarë nga neni 422 paragrafi 1 të KPK-së të KPK-së.
PSRK-ja e ngarkon të akuzuarin Rrahman Sylejmani se si person zyrtar, Drejtor i DMH, pranë MPB, më 29.03.2018, në Prishtinë, tejkaloi kompetencat zyrtare në atë mënyrë që nxori gjashtë urdhra për dëbim me forcë të 6 (gjashtë) shtetasve të Republikës së Turqisë, të dëmtuarave Cihan Ozkan, Yusuf Karabina, Kahraman Demirez, Hasan Husein Demir dhe Mustafa Erden, që kishin leje qëndrim të ligjshëm qëndrimi dhe pune në Kosovë, dhe Osman Karakoya që ishte në procedurë për marrjen e lejes së qëndrimit dhe punës edhe pse në bazë të nenit 99 par.1 të Ligjit për të Huaj, nuk ishte fare në kompetencë të DMH që drejtonte ai, por në kompetencë të DSHAM, ndërsa urdhrat për dëbim me forcë i nxori edhe pse ishin përmbushur asnjë nga kushtet për lëshimin e urdhrit për dëbim me forcë nga neni 97 par. 1 të të njëjtit ligj dhe po ashtu pa e zbatuar procedurën e paraparë në nenin 97 paragrafi 8 i të njëjtit ligj, ndërsa, dëboi me forcë dhe depërtoj të dëmtuarin Hasan Husein Gunakan në mënyrë të kundërligjshme edhe pse atij nuk i ishte revokuar fare leja e qëndrimit dhe punës në Kosovë dhe nuk kishte as urdhër për dëbimin e tij, në këtë mënyrë shkeli rënd të drejtat e të dëmtuarve për qëndrim dhe punësim në Kosovë, me ç’rast iu shkaktoj dëm moral dhe material të dëmtuarve.
Me këto veprime, prokuroria e ngarkon të akuzuarin Rrahman Sylejmani se ka kryer veprën penale Keqpërdorimi i pozitës apo autoritetit zyrtarë nga neni 422 paragrafi 1 të KPK-së.
Po ashtu, prokuroria e akuzon Rrahman Sylejmanin edhe se si person zyrtar, në cilësinë si në piken III- të këtij dispozitivi, gjatë muajit mars 2018 në shkollat “Mehmet Akif”, në Gjakovë dhe Lipjan dhe në shtëpinë në lagjen “Marigona” në Prishtinë, me ndihmën e Policisë së Kosovës, privoj kundërligjshëm nga liria duke i dëbuar dhe depërtuar me forcë të dëmtuarit e cekur në dispozitivin III pa ekzistuar asnjë bazë ligjore të paraparë me dispozitat e nenit 29 par. 2 dhe 3 të Kushtetutës së Republikës së Kosovës dhe neni 13 paragrafi 1 i Kodit të Procedurës Penale.
Me këto veprime, PSRK e ngarkon të akuzuarin Rrahman Sylejmani se ka kryer veprën penale Privimi i kundërligjshëm i lirisë nga neni 196 par. lidhur me par. 3 të KPK-së.(Insajderi)
You may like
Lajmet
Musa Sabedini: Gazetaria hulumtuese mbetet një nga shtyllat kryesore të profesionit të gazetarit
Published
2 days agoon
March 13, 2026By
ubtnews
Me mbi 35 vite përvojë në gazetari, profesori dhe gazetari Musa Sabedini vazhdon të kontribuojë në zhvillimin e gazetarisë përmes botimeve shkencore dhe përvojës profesionale. Në një bashkëbisedim në podcast-in e mediave të UBT-së, ai foli për rrugëtimin e tij në gazetari, librat universitarë që ka botuar, sfidat e gazetarisë hulumtuese dhe ndikimin e teknologjisë në profesion.
Në këtë intervistë, Sabedini ndan përvojën e tij shumëvjeçare në gazetarinë hulumtuese, rëndësinë e etikës në profesion dhe rolin që inteligjenca artificiale dhe digjitalizimi po luajnë në transformimin e mediave.
*****
Pjesë nga intervista:
Driton Hyseni: Pas mbi 35 vite përvoje në gazetari, çfarë ju shtyu që këtë përvojë ta ktheni në libra universitarë?
Musa Sabedini: Vetë fakti që kam një periudhë kaq të gjatë në gazetari më ka shtyrë që përvojën time profesionale ta ndaj me të tjerët. Kam dashur që përvojën e gjatë dhe profesionalizmin që e kam treguar gjatë viteve – përfshirë katër çmime të fituara në gazetari dhe shumë raste të trajtuara si gazetar hulumtues – ta përcjell edhe te gjeneratat e reja. Kam menduar se është e rëndësishme që studentët, gazetarët e rinj dhe redaktorët e mediave të kenë në dispozicion literaturë profesionale. Prandaj kam vendosur t’u dhuroj katër libra. Libri i fundit, i katërti, që trajton gazetarinë hulumtuese dhe për të cilin po flasim sot, ishte i domosdoshëm, sepse ka shumë mungesë literature në këtë fushë. Pak studiues dhe ekspertë kanë guximin ose vullnetin të merren me libra të tillë. Ky libër ka jo më pak se 718 faqe.
Driton Hyseni: Libri i fundit është mjaft voluminoz dhe përfshin literaturë të gjerë si dhe përvojën tuaj në gazetarinë hulumtuese. Çfarë e bën atë të ndryshëm nga literaturat e tjera?
Musa Sabedini: Libri përbëhet nga tre kapituj. Në kapitullin e parë trajtoj përkufizimet dhe nocionet kryesore të gazetarisë hulumtuese. Kapitulli i dytë fokusohet te digjitalizimi dhe ndikimi i tij në gazetarinë hulumtuese. Ndërsa kapitulli i tretë trajton teknikat e raportimit hulumtues. Ky kapitull i fundit është veçanërisht i rëndësishëm, sepse libri nuk është vetëm studimor, por edhe praktik. Ai përmban shumë shembuj konkretë dhe analiza të mediave dhe portaleve, jo vetëm në Kosovë, por edhe më gjerë. Në kapitullin e parë, për shembull, studentët – qoftë në bachelor, master apo doktoraturë – mund të gjejnë përkufizime dhe nocione të qarta pa pasur nevojë të kërkojnë shumë burime të tjera. Libri është i veçantë sepse përmban shumë materiale praktike dhe qindra raste konkrete. Në fakt, deri tani nuk ekziston një libër i tillë as në Ballkan. Mund të ketë dispensa të shkurtra, por një libër i këtij lloji nuk ka pasur më parë.
Driton Hyseni: Meqenëse përmendët se libri është i veçantë në rajon, a përfshin ai edhe shembuj ndërkombëtarë të mediave që fokusohen në gazetarinë hulumtuese? A ka krahasime me gazetarinë në Kosovë?
Musa Sabedini: Po, patjetër. Kjo është një nga veçantitë e librit. Kam përfshirë shembuj ndërkombëtarë dhe vendorë. Nëse kam marrë një rast nga Amerika, e kam krahasuar me një rast në Ballkan dhe më pas me Kosovën. E njëjta gjë vlen edhe për rastet nga Evropa. Kam përfshirë shembuj nga Shqipëria, Maqedonia e Veriut, Mali i Zi dhe madje edhe nga Serbia. Pra, libri është unik sepse ka materiale të bollshme dhe të kuptueshme, dhe secila pjesë e plotëson tjetrën.
Driton Hyseni: Sot po shohim që inteligjenca artificiale po hyn gjithnjë e më shumë në industrinë e mediave dhe po e transformon gazetarinë. Si e shihni këtë zhvillim?
Musa Sabedini: Digjitalizimi ka anët e veta pozitive dhe negative. Inteligjenca artificiale mund të jetë shumë e dobishme nëse përdoret në mënyrë profesionale dhe analitike, por ajo nuk mund ta zëvendësojë gazetarin. Një gazetar duhet të dijë ta orientojë temën hulumtuese vetë. Inteligjenca artificiale mund të ndihmojë në analizë dhe verifikim, por nuk mund ta krijojë vetë gazetarinë. Gazetaria hulumtuese në thelb është proces hulumtimi dhe verifikimi. Nëse gazetarët e rinj dhe studentët dinë ta përdorin teknologjinë në mënyrë profesionale, ajo mund të ndihmojë shumë në avancimin e gazetarisë hulumtuese. Por në shumë raste po keqpërdoret, sidomos në portalet online.
Driton Hyseni: Në librat tuaj shpesh e theksoni rëndësinë e etikës. A mund të ketë gazetari të mirë pa etikë personale?
Musa Sabedini: Për mua etika është thelbi i gazetarisë. Madje e quaj edhe mbretëresha e gazetarisë. Mund të jesh gazetar shumë i aftë dhe shumë i fortë në hulumtim, por nëse nuk ke etikë, gazetaria e humb vlerën e saj. Etika nuk e ndalon gazetarinë. Përkundrazi, ajo të mëson si të sillesh profesionalisht në çdo situatë, madje edhe kur interviston persona të dyshuar për krime. Gazetari duhet të arrijë te informacioni me profesionalizëm dhe jo me fyerje ose paragjykime. Gazetaria nga A deri në Zh lidhet me etikën.
Driton Hyseni: Në librin e fundit keni përfshirë 101 pyetje dhe udhëzime për gazetarinë hulumtuese. Pse mendoni se një gazetar i ri ka nevojë për udhëzime të tilla ose një udhërrëfyes praktik në fillim të karrierës?
Musa Sabedini: Arma e dytë e fuqishme e librit janë pikërisht këto 101 pyetje dhe 101 këshilla apo udhëzime. Këto janë pyetje që i kam ndërtuar vetë nga përvoja ime shumë e gjatë në gazetari. Nuk dua të them që kam “vuajtur” për ta përjetuar gazetarinë hulumtuese, sepse tashmë jam shumë i vjetër në këtë profesion, por kam dashur që gjeneratave të reja t’u lë një lloj testamenti profesional – një dokument apo udhëzues që ua bën më të lehtë realizimin e një interviste hulumtuese, një hetimi hulumtues apo një hulumtimi të gjatë, pavarësisht temës. Nëse i lexoni këto pyetje dhe këshilla, ato janë vërtet shumë të dobishme profesionalisht. I kam përgatitur me shumë dashuri dhe me shumë vullnet dhe besoj se do të ndihmojnë çdo gazetar që dëshiron të merret me gazetari hulumtuese, por edhe studiues dhe ekspertë të fushës. Gjatë mbledhjes së materialeve dhe literaturës për këtë libër kam vërejtur se te ne mungojnë jo vetëm librat, por edhe udhëzuesit e shkurtër praktikë – për shembull një agjendë me 10 apo 20 pyetje që mund ta ndihmojnë gazetarin në terren. Gazetaria hulumtuese nuk është e lehtë. Është një sfidë e madhe. Nëse një gazetar hulumtues nuk e ka përjetuar në praktikë këtë profesion, është shumë e vështirë të shkruajë një libër për të. Këtu teoria është e lidhur ngushtë me praktikën. Unë mund të flas shumë për teorinë e gazetarisë hulumtuese, por kur vjen puna te praktika, duhet shumë punë dhe përkushtim. Është një profesion shumë delikat, por edhe shumë i bukur, me sfida dhe vështirësi të ndryshme.
Driton Hyseni: Si keni arritur t’i ndërthurni të gjitha këto përvoja – nga sfidat dhe kërcënimet deri te përvoja profesionale – në një libër kaq voluminoz universitar?
Musa Sabedini: Gazetaria hulumtuese i ka edhe rreziqet e veta. Në libër e kam përmendur këtë në disa vende dhe kam dhënë edhe shembuj konkretë. Unë personalisht kam rreth 35 raste kërcënimesh me vdekje nga njerëz të ndryshëm. Të gjitha këto raste janë të evidentuara në polici dhe në databaza përkatëse. Megjithatë, asnjëherë nuk jam frikësuar dhe as sot nuk frikësohem. E vetmja frikë që mund të ketë ekzistuar ndonjëherë për mua ka qenë nëse pa dashje i kam hyrë dikujt në hak, por nuk besoj se kjo ka ndodhur, të paktën jo me vetëdijen time. Gazetaria hulumtuese nuk ka kompromis. Këtu gjithmonë ekziston një palë tjetër dhe një e vërtetë që duhet zbuluar. Kur shkruan për gazetari hulumtuese duhet të jesh jashtëzakonisht i saktë. Parimi im ka qenë gjithmonë: verifiko ose beso – por gjithmonë verifiko. Këto dy elemente janë shumë të lidhura me njëra-tjetrën. Një gazetar nuk mund të merret me hetimin e njerëzve, kompanive të mëdha, universiteteve, profesorëve, bizneseve apo institucioneve publike pa pasur fakte dhe dëshmi. Nëse nuk ke dëshmi, është shumë e rrezikshme për një gazetar. Prandaj këshilla ime është që fokusi i gazetarit duhet të jetë gjithmonë te e vërteta. Mos i paragjykoni njerëzit dhe mos i akuzoni pa nevojë. Hulumtoni, verifikoni dhe pastaj publikoni. Kur them “beso”, nënkuptoj të besosh në dokumente konkrete: një dokument zyrtar, një incizim, një video, një fotografi, një aktakuzë, një aktgjykim apo çdo material tjetër që e mbështet informacionin. Gazetari duhet të shkojë te pala tjetër i përgatitur mirë dhe me fakte në dorë, në mënyrë që të mos duket qesharak as para palës dhe as para publikut.
Driton Hyseni: Përveç botimeve akademike, ju vazhdoni të kontribuoni edhe në gazetari dhe të realizoni tekste hulumtuese. Çfarë ju motivon të vazhdoni në këtë profesion?
Musa Sabedini: Të drejtën me thënë, nuk mund të jetoj pa gazetari. Edhe kur kam filluar angazhimet e mia akademike, një nga kushtet e mia ka qenë që të mos e ndal gazetarinë. Edhe pse sot nuk jam aq aktiv sa kam qenë më herët, vazhdoj të kontribuoj në këtë fushë. Kam fituar katër çmime në gazetarinë hulumtuese dhe për këtë arsye kam vendosur ta ul pak intensitetin e punës, për t’u dhënë hapësirë edhe gazetarëve të tjerë të rinj. Megjithatë, unë e njoh shumë mirë frymën e gazetarisë hulumtuese. E di saktësisht se si funksionon dhe sa përkushtim kërkon ky profesion. Gazetaria hulumtuese kërkon shumë vullnet, shumë përkushtim, ndërgjegje profesionale dhe kujdes të madh. Gazetari duhet të ketë intuitë të fortë, integritet profesional dhe ndikim publik. Duhet të jesh një figurë që kur dikush dëgjon emrin tënd, ta kuptojë se përballë ka një gazetar serioz që merret me të vërtetën. Fatkeqësisht, sot në hapësirën online kjo pjesë e gazetarisë hulumtuese shpesh nuk trajtohet me seriozitetin e duhur. Edhe pse vetë kam qenë pjesë e kësaj fushe dhe kam portal, shpesh vërehet se baza profesionale mbi të cilën duhet të ndërtohet gazetaria hulumtuese po anashkalohet.
Botë
Trump: Putini ‘mund’ të jetë duke e ndihmuar Iranin
Published
2 days agoon
March 13, 2026By
UBTNews
Presidenti i ShBA-së, Donald Trump, tha se homologu i tij rus, Vladimir Putin, mund të jetë duke e ndihmuar Iranin të mbrohet nga sulmet e vazhdueshme të SHBA-së dhe Izraelit.
Komentet e tij vijnë pasi informacionet e reja të inteligjencës treguan se Rusia i ka dhënë Iranit informacione që mund ta ndihmojnë Teheranin të godasë anijet luftarake, avionët dhe asete të tjera amerikane në rajon, transmeton Klankosova.
“Mendoj se ai mund t’i ndihmojë pak, po, mendoj”, tha Trump në një intervistë me transmetuesin amerikan Fox News, e cila ende nuk është transmetuar.
“Dhe ai ndoshta mendon se ne po e ndihmojmë Ukrainën, apo jo?”.
“Po, ne po i ndihmojmë edhe ata”, vazhdoi Trump.
“Dhe kështu ai e thotë këtë, dhe Kina do të thoshte të njëjtën gjë, e dini. Është si, hej, ata e bëjnë dhe ne e bëjmë me gjithë drejtësi”. /Fox News/
Vendi
PDK i përgjigjet Kurtit: Së pari vendimi i Kushtetueses
Published
2 days agoon
March 13, 2026By
UBTNews
Kërkesës së Kryeministrit Albin Kurti për një takim të mundshëm në ditët në vijim për çështjen e presidentit, i është përgjigjur edhe Partia Demokratike e Kosovës (PDK) me të njëjtin ton si ai i LDK-së.
Në përgjigje të kësaj thirrjeje, PDK ka konfirmuar vullnetin për dialog, mirëpo jo para një vendimi të Gjykatës Kushtetuese.
“PDK e falënderon kryeministrin Albin Kurti për ftesën për takim dhe rithekson se mbetet e hapur për komunikim dhe dialog politik sa herë që kjo i shërben stabilitetit institucional dhe interesit të vendit. Megjithatë, në rrethanat aktuale, duke pasur parasysh se Gjykata Kushtetuese ka vendosur Masë të Përkohshme që pezullon procesin e zgjedhjes së Presidentit dhe çdo veprim të mëtejshëm të Kuvendit në këtë drejtim, PDK vlerëson se është e domosdoshme të pritet vendimi përfundimtar i Gjykatës, i cili pritet deri më 31 mars dhe që do të qartësojë hapat e mëtejmë institucionalë”, thuhet në komunikatën e PDK-së.
PDK e përmbyll reagimin duke theksuar se respektimi i vendimeve të Gjykatës Kushtetuese është mënyra më e përgjegjshme për të garantuar stabilitetin e vërtetë politik dhe institucional në Kosovë.
Vendi
Abdixhiku i përgjigjet Kurtit: Takohemi “një orë pas” verdiktit të Kushtetueses
Published
2 days agoon
March 13, 2026By
UBTNews
Kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Lumir Abdixhiku, ka reaguar zyrtarisht pas ftesës së Kryeministrit Albin Kurti për një takim rreth zgjedhjes së Presidentit të ri.
Abdixhiku ka konfirmuar se do t’i përgjigjet pozitivisht ftesës, por ka vendosur një kusht të qartë: takimi mund të ndodhë vetëm pasi Gjykata Kushtetuese të japë verdiktin e saj.
Lideri i LDK-së ka theksuar se përderisa çështja e dekretit për shpërndarjen e Kuvendit është në duart e Gjykatës, politika duhet të heshtë për t’i lënë radhën drejtësisë kushtetuese.
“E kam njoftuar se do t’i përgjigjem pozitivisht kësaj ftese në ditën e parë pas verdiktit të Gjykatës Kushtetuese. Duke qenë se çështja e zgjedhjes së Presidentit është tashmë në shqyrtim, koha jonë politike ndalon përkohësisht”, ka deklaruar Abdixhiku.
Sipas tij, respektimi i pavarësisë së Gjykatës Kushtetuese dhe shmangia e proceseve politike paralele është një nder që i bëhet Republikës dhe institucioneve të saj.
“Verdikti i Gjykatës duhet pritur me respekt të plotë institucional dhe me qetësi politike. Një orë pas verdiktit, mund të takohemi sërish”, ka përfunduar kreu i LDK-së.
Kjo përgjigje vjen vetëm pak orë pasi Kryeministri Kurti njoftoi se do të nisë ftesat për opozitën me qëllim arritjen e një marrëveshjeje për Presidentin, për të evituar kështu shkuarjen në zgjedhje të reja.
DITARI: Çfarë lajmesh kemi lexuar në çdo 15 mars, nga viti 1993-1999
DITARI: Çfarë lajmesh kemi lexuar në çdo 14 mars, nga viti 1993-1999
Musa Sabedini: Gazetaria hulumtuese mbetet një nga shtyllat kryesore të profesionit të gazetarit
Trump: Putini ‘mund’ të jetë duke e ndihmuar Iranin
PDK i përgjigjet Kurtit: Së pari vendimi i Kushtetueses
Shqipëria synon ta shpallë Iranin shtet sponsor të terrorizmit
Dyfishohet mbështetja financiare për sportistet dhe trajneret femra
Kombëtarja U17 vazhdon përgatitjet për kualifikimet e Evropianit 2027
Abdixhiku i përgjigjet Kurtit: Takohemi “një orë pas” verdiktit të Kushtetueses
Të kërkuara
-
Vendi3 months agoDizajneri grafik Berin Hasi ligjëron për studentët e Dizajnit të Integruar në UBT
-
Aktualitet3 months agoProfesori i UBT-së, Hazir S. Çadraku dhe bashkëpunëtorët publikojnë artikullin “Historia e Mbrojtjes së Shpellës në Kosovë” në SpeleoMedit Magazine
-
Lajmet3 months agoProfesorët e UBT-së publikojnë studim shkencor në revistën prestigjioze ndërkombëtare të indeksuar në Scopus (Q1)
-
Lajmet3 months agoProfesori Lulzim Beqiri përfaqëson UBT-në në mobilitetin akademik në Technische Hochschule Lübeck
