Lajmet
Ish-presidenti kroat: Serbia as nuk mund ta pushtojë Kosovën me ushtrinë e saj, as t’i imponojë zgjidhje
Published
5 years agoon
By
Betim GashiNë punët e brendshme të Malit të Zi, përmes Kishës Ortodokse Serbe, “ka ndërhyrë një politikë që dukej se ishte ndalur në rajonin tonë. Por, disa po e rikthejnë atë. Po e rikthejnë përmes mesazhit të ‘botës serbe’”, thotë në një intervistë për Shërbimin e Ballkanit të Radios Evropa e Lirë Stjepan Mesiq, ish-president i Kroacisë.
Në këtë mënyrë, Mesiq komenton tensionet në Mal të Zi që ka shkaktuar shugurimi i kreut të Kishës Ortodokse Serbe në Mal të Zi, Joanikije.
Malazezët janë thellësisht të ndarë për lidhjet e vendit të tyre me Serbinë dhe Kishën Ortodokse Serbe.
Duke folur për Radion Evropa e Lirë, Mesiq thotë se, qartazi, “dikush nuk mund të çlirohet nga synimet për shtet të madh”.
Sipas tij, në Ballkan nuk mund të ketë ndryshim të kufijve, ndërsa për Kosovën thotë se është njohur në masë të madhe dhe se të tjerët që nuk e kanë pranuar, “do ta bëjnë këtë”.
A mund të shihet ajo që po ndodh në Mal të Zi si një çështje e brendshme fetare apo një çështje e politikës së jashtme, me implikime të qarta për rajonin?
Stjepan Mesiq: Ngjarjet në Mal të Zi janë çështje e tij e brendshme, por ka edhe implikime të tjera. Është e qartë se bëhet fjalë për ndërhyrje të Kishës në punët shtetërore – gjë që nuk është e mirë.
Konkretisht, bëhet fjalë për ndërhyrjen e Kishës Ortodokse Serbe, të udhëheqjes së Kishës Ortodokse në Beograd, në çështjet fetare, por edhe në punët shtetërore të Malit të Zi.
Në Mal të Zi është treguar se kjo nuk është vetëm ndërhyrje e Kishës, por, përmes Kishës, ndërhyn edhe politika – ajo politikë që dukej se ishte ndalur në rajonin tonë. Por, disa po e rikthejnë atë. Po e rikthejnë përmes mesazhit të “botës serbe”. Pra, kjo është vetëm një pjesë e asaj politike.
Në Mal të Zi, sikur te të gjithë ne, Kisha është e ndarë nga shteti, por në Mal të Zi është specifike.
Kisha Ortodokse Malazeze ka qenë autoqefale dhe këtë duhet ta dinë të gjithë. Shteti nuk duhet të ndërhyjë në punët e Kishës, as Kisha në punët e shtetit.
Në përgjithësi, si e shihni politikën aktuale të Serbisë në rajon?
Stjepan Mesiq: E shoh nga një pikë kritike, për disa arsye. Të gjithë ata që merren me politikë, e dinë se ne mund të kishim kaluar pa luftë. Është shumë e qartë se Jugosllavia e Titos kishte tre faktorë kryesorë integrues. Një ishte Tito dhe karizma e tij si fitues i luftës pas Luftës së Dytë Botërore.
Faktor i dytë ishte Partia Komuniste e Lidhjes së Komunistëve, që u prish me vullnetin e Sllobodan Millosheviqit dhe Lidhjes së Komunistëve të Serbisë. Dhe, faktor i tretë ishte Ushtria Jugosllave, e cila pushoi të jetë jugosllave, sepse sllovenët, shqiptarët, kroatët dhe boshnjakët e lanë atë.
Ajo u shndërrua në ushtri serbe dhe Sllobodan Millosheviq ishte i bindur se mund t’i arrinte qëllimet politike me atë ushtri. Qëllimi i tij politik nuk ishte as federata, as konfederata, ai ishte kundër kësaj. Millosheviq e ka mashtruar botën se lufton për Jugosllavinë. Bota ka qenë e ndjeshme ndaj Jugosllavisë për shkak të meritave të saj në dhe pas luftës.
Millosheviq i ka mashtruar edhe serbët. I ka mashtruar sepse ka thënë: “Ju keni jetuar në një shtet, do të jetoni akoma në një shtet”. Ai nuk ka menduar në Jugosllavi, sepse atë e ka shkatërruar me të gjitha mjetet. Ai u ka thënë atyre: “Ju duhet t’i jepni dhunti Serbisë së Madhe në territore”. Kjo ka qenë politika e tij; 65 për qind e Bosnje e Hercegovinës, ndërsa nga të tjerët çfarë të mundet.
Ai nuk e ka llogaritur Slloveninë. Në Slloveni nuk ka popullatë autoktone serbe.
Për shkak të zhdukjes së faktorëve integrues, duhej arritur një marrëveshje e re politike. Kjo është ajo që nuk kemi arritur ta bëjmë.
Si anëtar i Presidencës së Jugosllavisë dhe më vonë si kryetar i Presidencës, unë kam bërë përpjekje në çdo mënyrë që të gjej një marrëveshje të re politike. Ajo ishte konfederata. Sikur ta kishim arritur atë, do ta kishim shmangur luftën, sepse do të ishim pajtuar.
Ajo do ta shpëtonte vendin në çdo rast; të gjithë elementët përbërës, të gjitha republikat do ta vazhdonin rrugën e tyre drejt Evropës më vete.
Kështu kemi fituar “copëtimin” e Jugosllavisë në luftën e provokuar, që e donte Millosheviqi.
Aty, ai ka gjetur bashkëpunëtor presidentin e Kroacisë, Franjo Tugjman, sepse edhe ai ka menduar se mund t’i zgjerojë pak kufijtë kroatë. Pra, përpjekja për të rënë dakord për ndarjen e Bosnjës ka qenë shkaku i vërtetë i luftës.
Kemi pasur 100,000 të vdekur dhe kufiri nuk ka ndryshuar asnjë milimetër.
A vëreni ngjashmëri në proceset e sotme në Mal të Zi, Bosnje, Kosovë me ngjarjet e fillimit të viteve ’90?
Stjepan Mesiq: Duket qartë se dikush nuk mund të çlirohet nga synimet për shtet të madh.
Në vend që të luftojnë në vendin e tyre për më shumë të drejta civile, për standard më të lartë të jetesës, për më shumë punësim, për bashkëpunim më të madh midis vendeve të rajonit, ata përsëri ëndërrojnë për ndërhyrje të mëdha në kufij. Por, ndërhyrje në kufij nuk ka.
Nëse nuk kanë qenë të mundura ndryshimet e kufijve në rajonin tonë, me 100,000 viktima, me aq armë dhe ushtri, çfarë budallai duhet të jetë ai që mendon se kjo mund të ndodhë tani?
E gjithë bota, e mbi të gjitha Evropa, është kundër çdo shkeljeje të kufijve që ekzistojnë sot.
Si mund të ndikojë në rajon ajo që po ndodh në Mal të Zi? A mund të transferohet në rajon?
Stjepan Mesiq: Nuk do të përhapet në rajon, por do të ishte mirë që njerëzit në Mal të Zi të ndërgjegjësohen dhe të kuptojnë se nuk ka ndryshim të kufijve. Sepse, në fakt, kjo është një përpjekje e Serbisë që, përmes fesë, ta bëjë atë që nuk ka mundur ta bëjë me politikën shtetërore. Kjo është përpjekja e fundit e disa qarqeve, nuk i akuzoj të gjithë. Këto janë iluzione dhe kjo nuk do të ndodhë.
A kanë lidhje proceset negociuese mes Kosovës dhe Serbisë me atë që po ndodh në relacionin Podgoricë-Beograd?
Stjepan Mesiq: Vështirësia e rajonit tonë është se Serbia, si shoqëri, nuk ka pasur sukses në atë që kanë kuptuar gjermanët pas Luftës së Dytë Botërore. Nuk e kanë kuptuar se kanë ndjekur ide që kanë qenë të paarritshme.
Gjermanët kanë ulur kokën. Serbia, për fat të keq, nuk e ka ulur kokën.
Ajo e akuzon Millosheviqin, jo sepse ai ka shkuar në luftë, por sepse nuk e ka fituar luftën. Tani, disa nuk mund të pajtohen me faktin se kanë shkuar në rrugë të gabuar dhe se duhet të hapin bashkëpunimin me fqinjët e tyre.
Askush në Serbi nuk guxon të thotë se Kosova është çështje teknike për Serbinë. Serbia, as nuk mund ta pushtojë Kosovën me ushtrinë e saj, as nuk mund t’i imponojë Kosovës zgjidhje të saj.
Rrëfimet se ajo është “zemra e Serbisë” ose “shpirti i saj” mund të sjellin disa kujtime, por gjërat duhet shikuar në kontekstin aktual.
Serbia ka mundur të ketë një politikë ndryshe ndaj Kosovës. Në fund, Serbia ndoshta ka mundur të pranojë bashkëpunimin federal me Kosovën, marrëdhënie konfederale. Shumë ka mundur të bëhet. Por, pas luftës, e cila i është imponuar Kosovës, këto tani janë iluzione. Nuk ka më mundësi që të ndryshohet diçka në marrëdhëniet midis Serbisë dhe Kosovës.
Kosova është e njohur në masë të madhe. Të tjerët që nuk e kanë pranuar, do ta bëjnë këtë. Kjo shkon me rrjedhën e vet. Do të ishte mirë sikur të kishte më shumë informacione në Serbi, që shoqëria të kuptojë se politika e Sllobodan Millosheviqit ka qenë e gabuar dhe tani duhet pranuar realiteti. Dhe, realitet është pavarësia e Malit të Zi, pavarësia e republikave të tjera që janë bërë të pavarura pas rënies së Jugosllavisë, por realitet është edhe ekzistenca e Kosovës.
Nëse Serbia, për arsye të brendshme, nuk mund ta njohë Kosovën, ajo mund të bëjë diçka tjetër. Mund të lejojë që në kufirin midis Serbisë dhe Kosovës të kalojë kapitali, qytetarët, kompanitë, të bëhet bashkëpunim ekonomik, njerëzit të mos kenë probleme për të kaluar kufirin, të stabilizohet… atëherë edhe zgjidhjet do të jenë më të mira.
You may like
Rajoni
Arrestohet në Zvicrë, ekstradohet në Kosovë i dyshuari për mashtrim
Published
12 hours agoon
April 1, 2026By
UBTNews
Një person i kërkuar nga autoritetet e rendit në Kosovë është ekstraduar gjatë ditës së sotme nga Zvicra drejt Kosovës, pas një operacioni të suksesshëm të Policisë së Kosovës në bashkëpunim me autoritetet zvicerane.
Lajmi është bërë i ditur përmes një komunikate zyrtare nga Policia e Kosovës, ku specifikohet se i ekstraduari është shtetasi me inicialet B.Z., i cili ishte shpallur në kërkim ndërkombëtar përmes letërrreshtimit të lëshuar nga Interpoli.
I dyshuari ishte arrestuar kohë më parë nga autoritetet zvicerane, pasi institucionet e drejtësisë në Kosovë kishin lëshuar urdhërarrest ndaj tij nën dyshimin për kryerjen e veprës penale “Mashtrim”.
Sipas Policisë, B.Z. i ishte shmangur drejtësisë për një kohë të gjatë, por koordinimi i Drejtorisë për Bashkëpunim Ndërkombëtar Policor me njësitet relevante dhe institucionet zvicerane bëri të mundur lokalizimin dhe sjelljen e tij para organeve të rendit në vendlindje.
Ekstradimi i realizuar këtë të mërkurë, më 1 prill 2026, u mbështet plotësisht në ligjet në fuqi dhe në marrëdhëniet e ngushta diplomatike e policore mes Republikës së Kosovës dhe Zvicrës.
Policia e Kosovës ka deklaruar se ky aksion është pjesë e përpjekjeve të vazhdueshme për të luftuar krimin dhe për të parandaluar aktivitetet ilegale, duke theksuar se shkëmbimi i informacioneve me organizatat ndërkombëtare do të intensifikohet për të gjurmuar dhe kapur çdo person apo grup kriminal që tenton t’i shpëtojë përgjegjësisë penale, pavarësisht nëse veprojnë brenda apo jashtë kufijve të vendit.
Lajmet
ZRRE: Do të korrigjohet çdo gabim në faturat e rrymës
Published
12 hours agoon
April 1, 2026By
UBTNews
Zyra e Rregullatorit për Energji (ZRRE), përmes një njoftimi për media, bën të ditur se është angazhuar maksimalisht në monitorimin e situatës lidhur me shqetësimet e konsumatorëve për devijimin e mundshëm të orëve tarifore.
ZRRE po grumbullon në vazhdimësi informata për të garantuar një matje të drejtë dhe të saktë, duke siguruar që faturimi të reflektojë vetëm konsumin real të energjisë elektrike.
Në këtë kuadër, ZRRE ka bërë të qartë se çdo rast i raportuar do të trajtohet me prioritet.
“ZRRE siguron konsumatorët se të gjitha rastet e raportuara për mos-përputhje të kohës tarifore do të analizohen dhe shqyrtohen me kujdes. Në rast se konstatohet se ekzistojnë gabime në funksionimin e njehsorit elektrik, do të ndërmerren masat e nevojshme, në përputhje me legjislacionin dhe rregullat në fuqi”, thuhet në njoftim.
Ky angazhim vjen si një garanci shtesë se asnjë gabim teknik nuk do të rëndojë mbi xhepat e qytetarëve, veçanërisht pasi kompanitë si KEDS dhe KESCO janë ndërmarrje të rregulluara dhe nuk mund të përfitojnë nga këto parregullsi.
Për të mbyllur çdo hapësirë dyshimi, rregullatori rikonfirmon se mbetet e përkushtuar për mbrojtjen e të drejtave të konsumatorëve dhe garantimin e një sistemi të drejtë dhe transparent dhe të besueshëm në sektorin e energjisë.
Vendi
27 vjet nga masakra në Lybeniq, Kurti: Serbia refuzon të ballafaqohet me të kaluarën
Published
13 hours agoon
April 1, 2026By
UBTNews
Në 27-vjetorin e njërës prej krimeve më makabre të forcave serbe në Kosovë, Kryeministri Albin Kurti ka bërë homazhe te varrezat e të vrarëve në fshatin Lybeniq të Pejës.
Ky përvjetor kujton mëngjesin e përgjakshëm të 1 prillit të vitit 1999, kur njësitë famëkeqe serbe “Çakejt” dhe “Mbrojtja Territoriale” rrethuan fshatin dhe shkatërruan jetët e dhjetëra familjeve.
Sipas dëshmive, forcat serbe kishin nxjerrë banorët me dhunë nga shtëpitë e tyre, duke i mbledhur në qendër të fshatit, pranë xhamisë. Pasi ndanë gratë, fëmijët dhe të moshuarit për t’i dëbuar me forcë drejt Shqipërisë, ata ekzekutuan me breshëri armësh automatike 59 burra të pafajshëm nga familjet e shumta të këtij fshati.
Kryeministri Kurti theksoi se, edhe pse kjo masakër u dokumentua që në vitin 1999 nga organizatat ndërkombëtare si Human Rights Watch, drejtësia po mungon.
Ai akuzoi drejtpërdrejt shtetin serb për zvarritje dhe mjegullim të proceseve gjyqësore, duke e quajtur Serbinë një “shtet gjenocidal” që refuzon të ballafaqohet me të kaluarën.
Në fund të mesazhit të tij, Kurti nënvizoi se Serbia vazhdon të mbetet një tokë e varrezave masive dhe një strehë e sigurt për kriminelët e luftës, duke kërkuar llogaridhënie për krimet që lanë plagë të hapura në Lybeniq dhe mbarë Kosovën.
Lajmet
MINT nis verifikimin e njehsorëve të rrymës pas dyshimeve për matje të gabuara
Published
13 hours agoon
April 1, 2026By
UBTNews
Komisioni i posaçëm i Ministrisë së Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Tregtisë ka nisur punën në terren për verifikimin e njehsorëve elektrikë, pas ankesave të shumta të konsumatorëve për çrregullime të kohës dhe matje të pasaktë të energjisë.
Drejtoresha e Agjencisë së Metrologjisë, Sebahate Bushrani, ka bërë të ditur se njehsorët e dyshimtë do të tërhiqen për verifikim dhe do të zëvendësohen me të tjerë deri në lëshimin e raportit zyrtar. Sipas saj, aktualisht janë rreth 70 ankesa, ndërsa raporti përfundimtar do t’u dërgohet Departamentit për Mbrojtjen e Konsumatorit dhe palëve të përfshira, raporton Koha.net.
Ky aksion vjen pas denoncimit nga Lidhja Demokratike e Kosovës, e cila përmes një hulumtimi në Prishtinë dhe Ferizaj ka pretenduar se rreth 800 njehsorë llogarisin energjinë me tarifë të shtrenjtë për shkak të mosperputhjes së orës.
Ndonëse KEDS-i i ka mohuar këto pretendime, raportimet e mëhershme kanë treguar se qytetarët në Fushë-Kosovë janë përballur me probleme të ngjashme, ku orët në njehsorë figuronin jashtë kohës reale. Verifikimi mbetet një proces i ndjeshëm, veçanërisht pas kritikave të vitit 2023 se ky proces kryhej në laboratorët e KEDS-it, veprim ky që konsiderohej shkelje e Ligjit për Metrologji.
Saktësia e njehsorëve është jetike për xhepin e qytetarëve, pasi dallimi mes tarifave është i lartë. Gjatë dimrit, tarifa e lartë (9.05 centë deri në 15.43 centë për kW) aplikohet nga ora 07:00 deri në 22:00, ndërsa tarifa e ulët (3.88 centë deri në 7.28 centë për kW) vlen gjatë natës. Çdo mospërputhje e orës bën që konsumatorët të faturohen me çmime maksimale edhe kur ata tentojnë të kursejnë duke përdorur pajisjet shtëpiake gjatë orëve të vona. /Koha.net/
Arrestohet në Zvicrë, ekstradohet në Kosovë i dyshuari për mashtrim
ZRRE: Do të korrigjohet çdo gabim në faturat e rrymës
27 vjet nga masakra në Lybeniq, Kurti: Serbia refuzon të ballafaqohet me të kaluarën
MINT nis verifikimin e njehsorëve të rrymës pas dyshimeve për matje të gabuara
Gallapeni: Nuk ia dolëm, por kjo nuk na ndalë
Dua Lipa i bashkohet filmit “Peaked”, zgjeron karrierën në Hollywood
Starmer kërkon lidhje më të ngushta me BE-në pas përplasjeve me Trump për luftën në Iran
“The Athletic” vlerëson guximin e Kosovës: “Nuk u mposhtën nga shiu, as nga presioni”
17 vite nga anëtarësimi i Shqipërisë në NATO
Të kërkuara
-
Vendi1 month agoUBT nderon Familjen Jashari me Dekoratën Jetësore të Nderit
-
Aktualitet3 months agoStudentët e UBT-së vizitojnë agjencinë Base Agency për të mësuar mbi marketingun dhe inovacionin
-
Lajmet3 months agoNumërohen 31.58% e votave me kusht
-
Lajmet nga UBT3 months agoProfesori i UBT-së, Kujtim Thaçi publikon artikull shkencor në revistën prestigjioze Frontiers in Immunology
