Lajmet

Ish-presidenti kroat: Asnjë shqiptar nuk ka qenë në anën e armikut tonë

Mesiq shpalosi edhe kujtimet para shkatërrimit të Jugosllavisë.

Published

on

Ish-presidenti kroat Stipe Mesiq, ka rrëfyer për KosovaPress rreth miqësisë me shqiptarët, kontributin e tyre në krijimin e shtetit të pavarur të Kroacisë, si dhe për vitet e turbullta të agonisë dhe shkatërrimit të Jugosllavisë.

Njeriu që kaloi të gjitha postet e larta publike në Kroaci, por edhe në ish-Jugosllavi, ka folur për situatën e përgjithshme në Kosovë në vigjilje të 14-vjetorit të pavarësisë, negociatat me Serbinë, rolin e BE-së dhe të SHBA-së në këto negociata, si dhe zhvillimet në planin ndërkombëtar dhe situatën në Ukrainë.

Mesiq, gjatë intervistës është ndalur edhe tek ish-krerët shtetërorë të Kosovës të cilët ndodhen në Hagë, si dhe procesi i Dhomave të Specializuara të Kosovës.

Duke thënë se shqiptarët janë të mirëseardhur gjithmonë në Kroaci, Mesiq bëri të ditur se kishte ndarë edhe qelinë e burgut me ta, pas “pranverës kroate” të vitit 1971, ku ishte dënuar me një vit burgim për shkak të pjesëmarrjes në protesta.

“Shqiptarët janë gjithmonë të mirëseardhur në Kroaci. Kemi prej tyre të ardhur nga Shqipëria para 300 vitesh. Kemi në Zarë shqiptarë më shumë se 1/3-ën e popullatës, stërgjyshërit e tyre kanë lindur aty. Kemi edhe të tjerë të cilët kanë ardhur më vonë dhe ata i përkasin shtresës së pasur në Kroaci, por ajo që dua të them për shqiptarët është se asnjë shqiptar nuk ka qenë në anën e armikut tonë, asnjë, që do të thotë se të gjithë shqiptarët kanë qenë në anën e Kroacisë. Edhe në burg kam qenë me disa shqiptarë, pesë kanë qenë gjithsej, dy prej të cilëve të dënuar për nacionalizëm kroat, ndërsa tre për nacionalizëm shqiptar”, ka thënë Mesiq.

Mesiq shpalosi kujtimet para shkatërrimit të Jugosllavisë, ku njëra prej propozimeve ishte konfederata, me ç’rast siç u shpreh, do të ishte rrugëdalje edhe për Kosovën, sepse si pjesë përbërëse e federatës Kosova do të bëhej republikë e pavarur dhe me të drejta të barabarta me njësitë e tjera. Mirëpo, shtoi ai, një gjë e tillë u pamundësua nga Millosheviqi, i cili dëshironte Serbinë e madhe.

“Millosheviqi kurrë nuk ka pranuar që të shkojmë në një marrëveshje të re politike, në bazën konfederale, dhe në paqe të nënshkruajmë marrëveshjen e re për tre vite, pesë, tetë vite, qyshdo që ishim dakorduar, pa vrasje, shkatërrime. Kjo do të ishte rrugëdalje për të gjithë dhe gjithsesi edhe për Kosovën, sepse Kosova ka qenë element konstituiv i federatës, njëjtë sikur edhe Vojvodina, do të thotë gjashtë republika dhe dy krahina, mirëpo Millosheviqit i cili dëshironte Serbinë e madhe një gjë e tillë nuk i leverdiste, andaj nuk pranonte asnjë marrëveshje”, theksoi Mesiq.

Në lidhje me pikëpamjet e tij për Kosovën pas 14 vitesh të mëvetësisë së saj, Mesiq tha se këtu po punohet vazhdimisht dhe se Kosova po zhvillohet.

“Kjo që unë shoh sot në Kosovë, sepse vizitoj shpesh Kosovën, është një punë e vazhdueshme. E qartë, njerëzit kurrë nuk janë të kënaqur plotësisht, gjithmonë kërkojnë më shumë, më mirë, dhe kjo është normale. Mirëpo, është fakt se Kosova po zhvillohet… Duhet t’u jemi falënderues atyre të cilët mundësuan që Kosova të jetë e lirë, ata janë luftëtarët, por edhe qytetarët të cilët kuptuan se Jugosllavia më nuk ekziston si federatë dhe kanë të drejtën e pavarësisë të cilën e zgjodhën”, u shpreh Mesiq.

Sa i përket negociatave dhe ndërmjetësimit nga ana e BE-së, ish-presidenti kroat tha se Evropa duhet të angazhohet më shumë. Ai shpreson edhe në angazhimin dhe rolin amerikan, por shton se kjo do të ndodhë atëherë kur të vijë koha, për shkak të vatrave të reja të krizave të krijuara si në Ukrainë e gjetiu. Sipas tij, bisedimet mund të kenë sukses vetëm atëherë kur Kosova të negociojë si shtet sovran me kontroll të plotë në tërë territorin e saj.

“Evropa akoma nuk është përfshirë deri në fund sa i përket bisedimeve. Do të thotë kemi akoma bisedime pa ndonjë sukses dhe thjesht pa ndonjë angazhim të madh nga BE-ja. Unë mendoj se ata janë të vetëdijshëm se duhet një angazhim më i madh nga ana e tyre në mënyrë që bisedimet mes Kosovës dhe Serbisë të kenë sukses. Këto bisedime mund të kenë sukses atëherë kur Kosova të jetë në tërë territorin e saj. Kosova duhet të jetë sovrane dhe si një shtet sovran me tërë territorin e saj mund të negociojë… Unë shpresoj sigurisht në rolin amerikan, por kur të vjen koha, sepse kemi vatra krizash të reja, shikoni Ukrainën, Bosnjën, në një formë edhe Mali Zi është vatër e krizës”, vijoi Mesiq.

Në lidhje me krizën në Ukrainë, Mesiq tregon se ka pasur një marrëveshje dikur në mes të Amerikës dhe ish-presidentit të atëhershëm të Bashkimit Sovjetik, Mihajl Gorbacov, që pakti i Varshavës të shuhet, por që NATO mos t’i afrohet Rusisë. Problemi është, shtoi ai, se një marrëveshje e tillë nuk u nënshkrua asnjëherë dhe si pasojë sot ka një krizë. Ai mendon se përkundër problemeve dhe krizës së krijuar atje, luftë nuk do të ketë.

“Është e vërtetë Evropa ka problemin e Ukrainës, por parashtrohet pyetja, pse? Ka pasur një propozim amerikan ndaj kryetarit të atëhershëm të Bashkimit Sovjetik, Mihajl Gorbaçov, që Bashkimi Sovjetik të pajtohet me bashkimin e Gjermanisë lindore dhe perëndimore. Një prej kushteve të Gorbacovit ka qenë që pakti i NATO-s mos t’i afrohet Rusisë, dhe kjo do të thotë që NATO mos të pranojë ato shtete të cilat kanë qenë anëtare të paktit të Varshavës, sepse Rusia kishte pranuar edhe shuarjen e paktit të Varshavës. Mirëpo, një marrëveshje e tillë nuk është nënshkruar dhe tani kemi një situatë ku shtetet të cilat kanë qenë në paktin e Varshavës tani janë anëtare të NATO-s dhe po i afrohen kufijve të Rusisë. Unë konsideroj se kjo çështje do të zgjidhet përmes bisedimeve, nuk mund të vij te lufta nukleare. Kushdo që mendon se jemi para një lufte të madhe, unë mendoj se jo, një gjë e tillë nuk do të ndodhë”, sqaroi Mesiq.

Duke folur për ish-udhëheqësit e Ushtrisë Çlrimtare të Kosovës që ndodhen në Hagë, Mesiq tha se nuk ka dëgjuar asnjëherë për veprat për të cilat po dyshohen Thaçi dhe të tjerët, ndërsa shprehu besimin se do të fitojë drejtësia.

“Unë të gjithë ata njerëz i njoh. I njoh nga kohët kur kanë luftuar për pavarësinë e Kosovës. Aq sa jam në dijeni, unë nuk jam i informuar për veprat penale, mirëpo ekzistojnë proceset, institucionet dhe shpresoj se do të fitojë drejtësia”, u shpreh Mesiq.

Ish-presidenti kroat qëndroi në Kosovë ku gjatë paradites së djeshme vizitoi edhe Mitrovicën e Veriut.

Continue Reading

Vendi

Pranim-dorëzimi i raporteve për vrasjen e Arlinda Zekajt përplas anëtarët e Komisionit Hetimor Parlamentar

Published

on

By

Komisioni Hetimor Parlamentar për veprimet dhe mosveprimet institucionale lidhur me vrasjen e Arlinda Zekajt ka mbajtur mbledhjen e radhës në Kuvendin e Kosovës, e cila pas diskutimeve publike ka vijuar punimet prapa dyerve të mbyllura.

Kryesuesi i komisionit, Burim Ramadani, njoftoi se Zyra e Kryeministrit i ka dorëzuar zyrtarisht raportet e kërkuara nga Ministria e Drejtësisë dhe Ministria e Punëve të Brendshme, duke hapur kështu rrugën për bashkëpunim institucional rreth përgjegjësive në këtë rast.

Mirëpo, dorëzimi i dokumenteve ka nxitur reagime të ashpra nga opozita. Anëtari i komisionit nga radhët e PDK-së, Eman Rrahmani, akuzoi ekzekutivin për pengim të hetimit dhe tentim të mbulimit të dështimeve të shtetit.

“Është situata që angazhimi edhe i Zyrës së Kryeministrit në vend që të duhet t’i ndihmojë këtij komisioni që të zbardhim gjithë dështimin e zinxhirit, po bëhet pengesë dhe manipulator i procesit… Unë e shoh se qasja e këtij grupi parlamentar, në përgjithësi, është për t’i mbuluar të metat dhe për të mos zbardhur dështimin e zinxhirit të shtetit për mbrojtjen jetën e një gruaje”, tha Rrahmani.

Nga ana e tij, kryetari Burim Ramadani është zotuar para mediave se procesi hetimor do të zhvillohet me transparencë të plotë dhe mbi bazën e fakteve zyrtare. /E.A/

Continue Reading

Vendi

LDK reagon ndaj Presidencës: Largimi i fotos së Rugovës dhe Deklaratës së Pavarësisë është i papranueshëm

Published

on

By

Lidhja Demokratike e Kosovës (LDK) e ka cilësuar si të papranueshëm vendimin e Presidentes Shiroka-Pula për largimin e fotografisë së Presidentit Ibrahim Rugova dhe të Deklaratës së Pavarësisë nga vendet e nderit në hapësirat e Presidencës.

Përmes një reagimi zyrtar, LDK-ja theksoi se Presidenca është institucion shtetëror ku duhet të nderohen themeluesit e shtetit dhe aktet mbi të cilat është ndërtuar Republika. Sipas kësaj partie, trajtimi i simboleve të tilla historike si thjesht elemente dekorative që mund të zëvendësohen me vepra arti është i gabuar dhe cënon vazhdimësinë institucionale.

LDK-ja ka kërkuar rishikimin e menjëhershëm të këtij vendimi dhe rikthimin e fotografisë së Presidentit Ibrahim Rugova të vendosur nga ish-Presidentja Osmani si dhe të Deklaratës së Pavarësisë të vendosur nga ish-Presidenti Sejdiu në vendet e tyre zyrtare të nderit. /E.A/

Continue Reading

Live

Kriza në MAGA: Pas humbjes në zgjedhje, republikanët fajësojnë Trumpin

Published

on

By

Humbja e rëndë e Partisë Republikane në zgjedhjet e mesmandatit ka hapur një valë pakënaqësie dhe pyetjesh të shumta brenda lëvizjes “Make America Great Again” (MAGA), ku shumë mbështetës kanë filluar ta shohin presidentin Donald Trump më shumë si barrë se sa si aset politik.

Fitorja bindëse e demokratëve, të cilët siguruan shumicën në të dyja dhomat e Kongresit, erdhi si rrjedhojë e pakënaqësisë së votuesve me rritjen e çmimeve të karburantit, luftën në Iran dhe pretendimet për korrupsion në Washington.

Në vend të ndryshimit të kursit politik, Trump ka reaguar duke emëruar Stephen Miller, arkitektin e politikave të ashpra kundër emigracionit, në postin e shefit të stafit në Shtëpinë e Bardhë në vend të Susie Wiles. Ndërkohë, vetë Trump i hodhi poshtë përgjegjësitë duke deklaruar se po të kishte qenë ai vetë në fletëvotim, republikanët do të kishin fituar.

Debati ka përfshirë edhe pretendimet e mëparshme për manipulim zgjedhjesh, të cilat pothuajse janë shuar tërësisht mes figurave kryesore të së djathtës. Në vend të tyre, vëmendja është zhvendosur te premtimet e mbajtura, kostoja e lartë e jetesës, përfshirja në luftën me Iranin si dhe mospublikimi i plotë i dosjeve hetimore për Jeffrey Epstein.

Ndërsa figura si Steve Bannon bëjnë thirrje për një rikthim te politikat më radikale populiste dhe nacionale, aktivistë të tjerë dhe liderë fetarë shprehen se lëvizja duhet të shkëputet nga ndikimi i një njeriu të vetëm për të mbijetuar në të ardhmen./Reuters/

 

Continue Reading

Lajmet

Nagavci njofton shqyrtimin e katër marrëveshjeve ndërkombëtare dhe diskutimet me PDK-në për Ligjin për Specialen

Published

on

By

Seanca e radhës e Kuvendit të Kosovës është caktuar të mbahet të enjten duke filluar nga ora 10:00, ka bërë të ditur shefja e Grupit Parlamentar të Lëvizjes Vetëvendosje, Arbërie Nagavci.

Përveç pikave të rregullta të rendit të ditës, në këtë seancë pritet të shqyrtohen edhe katër marrëveshje të rëndësishme ndërkombëtare në fushën e drejtësisë.

Nagavci ka folur gjithashtu për kthimin e Ligjit për Gjykatën Speciale në Kuvend nga ana e Presidentes, duke konfirmuar se janë në bisedime me Partinë Demokratike të Kosovës si iniciuese e këtij projektligji për të gjetur një rrugëdalje institucionalisht të matur.

Ajo për këtë çështje theksoi se synohet shmangia e çfarëdo përplasjeje të re mes presidencës dhe parlamentit, ndërsa vuri në dukje kufizimet ligjore që ekzistojnë sa i përket amandamentimit:

“Ne jemi dëshmitarë se presidentja e ka kthyer projektligjin. Në lidhje me letrën e presidentes, ka praktika edhe për këtë çështje. Ne jemi duke diskutuar me PDK-në, si partia iniciuese, dhe e kemi bërë të qartë se nuk është mirë të krijojmë një situatë të re mes presidentes dhe Kuvendit. Sa u përket çështjeve përmbajtjesore, besoj se do të arrijmë një pajtueshmëri. Ne e kemi të qartë se tashmë ka një aktgjykim të Kushtetueses dhe ka edhe dy raste të tjera që e bëjnë të qartë se ligji nuk mund të amandamentohet”. /E.A/

Continue Reading

Të kërkuara