Aktualitet

Irani propozon rihapjen e Ngushticës së Hormuzit: Teherani kërkon heqjen e bllokadës amerikane

Published

on

Irani ka paraqitur një propozim të ri për t’i dhënë fund bllokadës në Ngushticën strategjike të Hormuzit, por pa përfshirë në marrëveshje programin e tij bërthamor. Sipas zyrtarëve rajonalë, kushti kryesor i Teheranit është që Shtetet e Bashkuara të përfundojnë bllokadën ndaj porteve iraniane.

Ky propozim, i përcjellë përmes Pakistanit, vjen në një kohë kur Ministri i Jashtëm iranian, Abbas Araghchi, po viziton Rusinë për t’u konsultuar me Vladimir Putinin lidhur me konfliktin ndaj Izraelit dhe SHBA-së. Megjithatë, gjasat për një marrëveshje mbeten të vogla, pasi Presidenti Donald Trump insiston që çdo pakt duhet të përfshijë dhënien fund të programit atomik të Iranit.

Presidenti amerikan ka lënë të kuptohet se nuk ka nevojë për ndërmjetësues të tjerë, duke sugjeruar komunikim të drejtpërdrejtë:

“Ne i kemi të gjitha letrat në dorë. Nëse ata duan të flasin, mund të vijnë tek ne, ose mund të na telefonojnë”, ka thënë Trump për Fox News.

Nga ana tjetër, Araghchi ka fajësuar Uashingtonin për dështimin e deritanishëm të bisedimeve, duke i cilësuar kërkesat e SHBA-së si “të tepruara”.

Bllokimi i kësaj pike kyçe, ku kalon një e pesta e tregtisë globale të naftës dhe gazit, ka mbajtur çmimet e karburanteve në nivele alarmante. Ndërsa Irani ka kufizuar lëvizjen në ngushticë, SHBA po zbaton bllokadë në portet iraniane, duke lënë dhjetëra tankerë të bllokuar në Gjirin Persik.

Shtëpia e Bardhë ka anuluar dërgimin e emisarëve Steve Witkoff dhe Jared Kushner në Pakistan, për shkak të asaj që Trump e quajti “mungesë e përparimit” nga ana e Iranit. Për momentin, ngërçi diplomatik dhe ushtarak vazhdon të mbajë tregjet globale të energjisë nën tension.

 

Continue Reading

Lajmet

Nesër në UBT diskutohet për sigurinë në punë: Sfidat dhe zgjidhjet për sektorin e ndërtimit

Published

on

By

Me rastin e Ditës Botërore të Sigurisë dhe Shëndetit në Punë, UBT do të jetë nikoqir i një diskutimi që prek një prej sektorëve më dinamikë në vend: ndërtimin. Ngjarja do të mbahet nesër, më 28 prill 2026, duke filluar nga ora 14:00, në ambientet e Bibliotekës në Parkun Shkencor, Inovativ dhe Teknologjik të UBT-së, në Lipjan.

Ky panel diskutimi do të bëjë bashkë krerët e institucioneve publike, përfaqësues të Inspektoratit të Punës, si dhe ekspertë të fushës nga Oda e Arkitektëve dhe ajo e Inxhinierëve. Qëllimi kryesor është analiza e thellë e shkaqeve të aksidenteve në vendet e punës dhe propozimi i masave konkrete për rritjen e sigurisë.

Përmbajtja e diskutimit do të shtrihet në tri shtylla kryesore:

  • Analiza e incidenteve: Shqyrtimi i statistikave aktuale dhe roli i zbatimit të ligjit nga inspektorati.
  • Faktorët natyrorë: Ndikimi i gjeologjisë, rrëshqitjeve të dheut dhe ndryshimeve klimatike në sigurinë e kantiereve.
  • Perspektiva akademike: Roli i universiteteve në edukimin e brezave të rinj dhe integrimin e inovacionit për parandalimin e rreziqeve.

Ky aktivitet organizohet në kuadër të jubileut të 25-të të UBT-së, duke rikonfirmuar misionin e këtij institucioni për të shërbyer si një platformë ku shkenca, politika dhe industria bashkohen për të zgjidhur problemet jetike të shoqërisë kosovare dhe për të garantuar mbrojtjen e jetës së punëtorëve.

Continue Reading

Lajmet

Kuvendi mblidhet në orën 17:00 për zgjedhjen e presidentit

Published

on

By

Kuvendi i Kosovës ka njoftuar zyrtarisht se sot, me fillim nga ora 17:00, do të mbahet seanca jashtëzakonshme plenare me pikën e vetme të rendit të ditës: zgjedhjen e Presidentit të Republikës së Kosovës.

Ky njoftim zyrtar vjen vetëm pak kohë pasi kryetarja e Kuvendit dhe ushtruesja e detyrës së presidentit, Albulena Haxhiu, e paralajmëroi mbajtjen e kësaj seance. E pyetur nga mediat gjatë ditës nëse do të kishte lëvizje për postin e kreut të shtetit, ajo u përgjigj shkurt: “Natyrisht që sot”.

Kjo mbledhje vjen në një moment kritik, pasi nesër (28 prill) skadon afati përfundimtar kushtetues për zgjedhjen e presidentit të ri. Deri në këto momente, partitë politike nuk kanë njoftuar për ndonjë konsensus të arritur që do të siguronte pjesëmarrjen e të paktën 80 deputetëve në procesin e votimit.

Lëvizja Vetëvendosje ka kërkuar nga opozita propozime unifikuese, por deri më tani PDK-ja e ka cilësuar ofertën si joserioze, ndërsa LDK-ja ka kërkuar garanci për kandidaturën e Vjosa Osmanit. Nëse dështon zgjedhja e presidentit në seancën e sotme, vendi sipas vendimit të Gjykatës Kushtetuese do të shkojë automatikisht në zgjedhje të parakohshme, të cilat duhet të mbahen brenda 45 ditësh.

Haxhiu paralajmëron se sot do të mbahet seanca për presidentin

Ushtruesja e detyrës së presidentit, Albulena Haxhiu, ka konfirmuar se seanca për zgjedhjen e kreut të ri të shtetit do të mbahet gjatë ditës së sotme, vetëm një ditë para skadimit të afatit kushtetues.

Pavarësisht paralajmërimit të saj, partitë politike ende nuk kanë arritur një marrëveshje për sigurimin e kuorumit prej 80 deputetësh.

Lëvizja Vetëvendosje u ka kërkuar subjekteve opozitare propozimin e figurave unifikuese, por kjo ofertë është refuzuar nga PDK-ja si joserioze, ndërsa LDK-ja ka kushtëzuar mbështetjen me votat e pushtetit për kandidaturën e Vjosa Osmanit.

Nëse dështon zgjedhja e presidentit deri më 28 prill, vendi sipas Kushtetutës shkon automatikisht në zgjedhje të parakohshme brenda 45 ditësh.

Continue Reading

Lajmet

Interesim i jashtëzakonshëm i maturantëve të gjimnazit “Gjon Buzuku” për programet e UBT-së

Published

on

By

UBT, Qendra në Prizren ka zhvilluar një aktivitet informues dhe promovues me maturantët e Gjimnazi “Gjon Buzuku” në Prizren, me qëllim ofrimin e këshillimit të drejtpërdrejtë për zgjedhjet akademike dhe profesionale.

Ky aktivitet u realizua nën udhëheqjen e drejtorit të UBT-së për këtë qendër, Vehbi Sofiu, së bashku me stafin akademik të përbërë nga profesorët Lamir Shkurti, Diellza Elshani dhe Mirjeta Arifi, të cilët prezantuan në mënyrë të detajuar ofertën akademike dhe mundësitë që ofron UBT për studentët e ardhshëm.

Pjesëmarrësit u pritën nga drejtoresha e shkollës, Gylaj Shipkovica, e cila shprehu gatishmërinë për bashkëpunim të vazhdueshëm ndërinstitucional dhe theksoi rëndësinë e orientimit të hershëm në karrierë për nxënësit maturantë. Ajo vlerësoi iniciativa të tilla si shumë të nevojshme për të ndihmuar të rinjtë në marrjen e vendimeve të duhura për të ardhmen e tyre, duke theksuar se përzgjedhja e drejtimit të studimit duhet të jetë në harmoni me aftësitë dhe ambiciet individuale.

Gjatë bashkëbisedimit me nxënësit, profesorët e UBT-së ndanë informacione konkrete mbi programet studimore, duke u fokusuar në fushat më të kërkuara në tregun e punës, si dhe në zhvillimet më të fundit në arsim dhe teknologji. Theks i veçantë iu kushtua rëndësisë së ndërlidhjes së studimeve me praktikën profesionale, inovacionin dhe ndërkombëtarizimin, si elemente kyçe që UBT i integron në programet e veta.

Aktiviteti u karakterizua nga një bashkëbisedim interaktiv, ku nxënësit patën mundësi të parashtrojnë pyetje rreth programeve, bursave, praktikave dhe mundësive të punësimit pas përfundimit të studimeve. Interesimi i lartë i maturantëve dëshmoi nevojën për orientim të strukturuar në këtë fazë të rëndësishme të jetës së tyre.

Përmes këtij organizimi, UBT edhe një herë konfirmon përkushtimin e tij për të qenë pranë të rinjve, duke i mbështetur ata në ndërtimin e një rruge të qartë drejt zhvillimit akademik dhe profesional, në përputhje me standardet bashkëkohore të arsimit dhe kërkesat dinamike të tregut të punës.

Continue Reading

Lajmet

Kurti thirrje SHBA-së dhe BE-së: Bëni trysni mbi Beogradin për të zbardhur fatin e të zhdukurve

Published

on

By

Në shënim të 27 Prillit, Ditës së Personave të Zhdukur me Dhunë gjatë Luftës në Kosovë, Kryeministri Albin Kurti ka bërë homazhe pranë Monumentit dedikuar të pagjeturve.

I shoqëruar nga nëna Ferdonije, familjarë të tjerë, ministra dhe deputetë, Kurti rikujtoi se Kosova pret ende përgjigje për fatin e 1,565 qytetarëve të saj.

Gjatë prononcimit të tij, kryeministri vuri theksin te përgjegjësia e drejtpërdrejtë e Beogradit zyrtar, duke denoncuar fshehjen e informacioneve për varrezat masive në territorin e Serbisë.

“Janë edhe njëmbëdhjetë varreza të tjera masive, përveç atyre pesë që tashmë janë zbuluar, e për të cilat Serbia nuk jep informacion, sepse është komunikuar edhe nga vetë ata publikisht se janë 16 varreza masive gjithsej,” deklaroi Kurti.

Kryeministri solli në vëmendje historinë prekëse të Sinan Dautit, 9-vjeçarit nga Prekazi, eshtrat e të cilit u gjetën së fundmi pas më shumë se dy dekadash. Ai theksoi se institucionet e Kosovës po bëjnë përpjekje maksimale, por mungesa e juridiksionit mbi Serbinë kërkon ndërhyrje ndërkombëtare.

“Faktorët ndërkombëtarë, evropianë dhe amerikanë duhet t’i bëjnë më shumë trysni Beogradit, ashtu që të zbardhet e vërteta dhe përgjegjësitë të dalin para gjyqit. Atje ku është përgjegjësia, atje është edhe e vërteta”, shprehet Kurti.

Kurti gjithashtu u bëri thirrje organeve të drejtësisë në Kosovë që të përshpejtojnë proceset për gjykimin në mungesë të kriminelëve të luftës, duke pasur parasysh moshën e dëshmitarëve.

“Besoj që duhet të punojnë edhe më shumë e më shpejtë seç po bëhet, meqenëse dëshmitarët po mplaken… dhe në këtë mënyrë vështirësohet përndjekja dhe sjellja para drejtësisë e kriminelëve serbë të luftës,” përfundoi ai.

Në fund të homazheve, kryeministri shprehu mirënjohje të pafund për familjarët që, përkundër ankthit të përditshëm, vazhdojnë të qëndrojnë të fortë në kërkim të drejtësisë.

 

Continue Reading

Të kërkuara