Botë

Irani kryen një valë të re sulmesh ndaj Izraelit

Published

on

Irani ka kryer një valë të re sulmesh raketore ndaj Izraelit mëngjesin e së hënës, duke nxitur lëshimin e sirenave për sulme ajrore në mbarë shtetin, teksa shërbimet e emergjencës kanë raportuar për të paktën pesë të vrarë.

Në ditën e katërt të përplasjes mes Iranit dhe Izraelit, në Izrael është raportuar edhe për dhjetëra të plagosur.

Shpërthime të fuqishme, që me gjasë janë shkaktuar nga sistemet izraelite të mbrojtjes ajrore që kanë goditur raketat iraniane, u dëgjuan në Tel Aviv pak pas agimit, teksa mbi qytet u panë shtëllunga të mëdha tymi.

Gjatë fundjavës, të dy shtetet përshkallëzuan sulmet, duke rritur frikën se kjo përplasje mund të zgjerohet në një luftë rajonale edhe më të rrezikshme.

Irani ka njoftuar se ka lëshuar afër 100 raketa dhe është zotuar se do të vazhdojë sulmet hakmarrëse, pas goditjes së infrastrukturës së tij ushtarake dhe bërthamore nga Izraeli.

Që nga e premtja, si pasojë e sulmeve izraelite në Iran, janë vrarë të paktën 224 persona.

Ndërkaq, në Izrael numri i viktimave ka arritur në të paktën 18.

Ushtria izraelite bëri të ditur se, në përgjigje të sulmeve iraniane, avionët luftarakë kanë goditur dhjetë qendra komanduese në Teheran që i përkisnin Forcës Kuds, një njësi elitë e Gardës Revolucionare të Iranit që kryen operacione ushtarake dhe të inteligjencës jashtë territorit iranian.

Autoritetet në qytetin izraelit Petah Tikva thanë se raketat iraniane kanë goditur një ndërtesë banimi.

Shërbimi i emergjencës në Izrael raportoi se dy gra, dy burra dhe një person tjetër u vranë gjatë sulmeve me raketa që goditën katër lokacione në pjesën qendrore të vendit.

“E shohim qartazi që civilët tanë po shënjestrohen”, tha zëdhënësi i policisë izraelite, Dean Elsdunne, teksa qëndronte pranë ndërtesës së sulmuar në Petah Tikva.

Përveç të vrarëve, ky shërbim njoftoi se 87 persona të tjerë janë plagosur, përfshirë një grua 30-vjeçare që është në gjendje të rëndë, ndërsa ekipet e shpëtimit po vazhdojnë kërkimet për persona të mbetur nën rrënojat e ndërtesave.

Gjatë sulmeve në Izrael të dielën, ministri i Jashtëm iranian, Abbas Araghchi, deklaroi se Irani do t’i ndalë sulmet nëse edhe Izraeli ndalet.

Megjithatë, pas një dite sulmesh intensive izraelite që goditën infrastrukturën ushtarake, rafineritë e naftës dhe ndërtesa qeveritare, Garda Revolucionare e Iranit të hënën u zotua për sulme të reja, të cilat tha se do të jenë “më të fuqishme, më të ashpra, më precize dhe më shkatërruese se sulmet paraprake”.

Autoritetet shëndetësore kanë raportuar se 1.277 persona janë plagosur në Iran. Por, grupet për të drejtat e njeriut, si organizata avokuese iraniane me seli në Uashington, Grupi për të Drejtat e Aktivistëve, kanë sugjeruar se numri i vërtetë i viktimave dhe të plagosurve në Iran mund të jetë më i lartë sesa ai i raportuar nga autoritetet. Ky grup ka thënë se ka dokumentuar më shumë se 400 të vrarë.

Izraeli argumenton se sulmet e tij ndaj udhëheqësve kryesorë ushtarakë të Iranit, uzinave të pasurimit të uraniumit dhe shkencëtarëve bërthamorë janë të domosdoshme për ta ndalur Iranin nga zhvillimi i armëve bërthamore.

Irani, nga ana tjetër, ka këmbëngulur gjithmonë se programi i tij bërthamor është paqësor, ndërsa Shtetet e Bashkuara dhe vende të tjera kanë vlerësuar se Teherani nuk ka ndjekur zhvillimin e një arme bërthamore që nga viti 2003.

Megjithatë, në vitet e fundit Irani ka pasuruar sasi gjithnjë e më të mëdha uraniumi në nivele pranë atyre për prodhimin e armëve, dhe besohet se ka kapacitetin për të zhvilluar disa armë bërthamore brenda pak muajsh, nëse vendos ta bëjë një gjë të tillë./REL

Lajmet

Përmbytjet në Stamboll: 14-vjeçari humb jetën nga rryma elektrike, mbi 2.500 raportime për motin e keq

Published

on

Reshjet e dendura të shiut kanë shkaktuar përmbytje të mëdha në Stamboll të Turqisë, ku një 14-vjeçar ka humbur jetën pasi dyshohet se ra në kontakt me energjinë elektrike gjatë vërshimeve.

Sipas mediave turke, i mituri me inicialet M. I. shkeli në një pellg uji në parkun Çukurbostan, në lagjen Balat të distriktit Fatih. Ai u dërgua pa ndjenja në spital, por ndërroi jetë pavarësisht përpjekjeve të mjekëve.

Moti i keq ka shkaktuar dëme të mëdha në qytetin me rreth 16 milionë banorë. Janë raportuar më shumë se 1.200 raste përmbytjesh, 15 rrëshqitje dheu dhe dhjetëra raste të personave të bllokuar nga uji i rrëmbyeshëm.

Shërbimet emergjente kanë pranuar gjithsej 2.518 raportime të lidhura me kushtet e këqija atmosferike.

Sipas të dhënave, reshjet kanë prekur 808 objekte banimi, 280 ambiente biznesi dhe 76 automjete. Shtëpi, dyqane, rrugë dhe nënkalime janë përmbytur, ndërsa shumë automjete kanë mbetur të bllokuara në ujë./A.K/

Continue Reading

Lajmet

Policia turke bastis selinë e televizionit pro-opozitar Halk TV dhe ndërpret transmetimet

Published

on

By

Policia turke ka bastisur selinë e televizionit pro-opozitar Halk TV, duke ndërprerë transmetimet e drejtpërdrejta të kanalit.

Sipas raportimeve të BBC-së, punonjësit nuk janë lejuar të futen në objektin e televizionit në Stamboll gjatë mëngjesit të së mërkurës, ndërsa në krye të kanalit është caktuar një menaxher i ri.

Detajet e operacionit dhe arrestimet
Mediat turke bëjnë me dije se në operacion janë përfshirë efektivë të departamentit të krimeve financiare, të cilët kanë kontrolluar imtësisht ndërtesën. Gjatë këtij aksioni, autoritetet policore kanë lëshuar urdhër-arreste për 17 persona.

Halk TV njihet për linjën e saj editoriale të afërt me Partinë Republikane Popullore (CHP), e cila është forca kryesore opozitare dhe një kritike e ashpër e qeverisë së presidentit Recep Tayyip Erdogan.

Ky zhvillim vjen në një periudhë tensionesh të larta politike. Në muajin maj, një gjykatë në Turqi vendosi t’i hiqte udhëheqjes aktuale të CHP-së të drejtën për të drejtuar partinë, duke shfuqizuar rezultatet e kongresit partiak dhe duke rikthyer në krye ish-kryetarin. Në atë kohë, opozita e quajti vendimin si një tentativë për të forcuar më tej kontrollin e pushtetit të Erdoganit mbi institucionet dhe opozitën.

Continue Reading

Lajmet

Sulm masiv mbi Kievin: Zelensky akuzon Rusinë për shkelje të armëpushimit

Published

on

By

Një objekt kyç i energjisë që furnizon Kievin me ngrohje dhe energji elektrike, si dhe një ndërtesë banimi, janë goditur gjatë një sulmi me raketa balistike ruse. Lajmin e ka bërë të ditur presidenti ukrainas, Volodymyr Zelensky, i cili theksoi se goditja ndodhi pa asnjë paralajmërim të hershëm nga partnerët ndërkombëtarë.

Kryetari i Bashkisë së Kievit, Vitali Klitschko, njoftoi se nga goditja e bllokut të banimit të martën vonë kanë humbur jetën dy persona dhe janë plagosur 21 të tjerë. Ai konfirmoi se janë goditur disa objekte energjetike në kryeqytet, ndërsa në orët e para të së mërkurës bëri të ditur se sulmet masive kanë ndërprerë rrymën në disa pjesë të Kievit. Autoritetet vendore u kanë bërë thirrje qytetarëve të qëndrojnë në strehimore pas shpalljes së alarmit të kuq.

Sulmet e reja vijnë vetëm dy ditë pasi presidenti amerikan Donald Trump deklaroi se mes Rusisë dhe Ukrainës ishte rënë dakord për një armëpushim energjetik. Lidhur me këtë, Zelensky reagoi ashpër duke u shprehur: “Ukraina mbështeti një armëpushim energjetik. Rusia po synon edhe një central tjetër elektrik dhe jetët e njerëzve tanë. Kjo është plotësisht e padrejtë: kur ata po shkatërrojnë infrastrukturën tonë energjetike, dhe Ukraina nuk po merr as paralajmërime të hershme për lansimin e raketave balistike”.

Presidenti ukrainas shtoi se është me rëndësi që bota të mos heshtë dhe që Shtetet e Bashkuara të shohin qartë se çfarë po ndodh dhe kush është përgjegjës për vazhdimin e luftës. Kjo është nata e dytë rresht që Kievi përballet me sulme të tilla, ndërsa Zelensky po përgatitet të takohet në London me kryeministrin britanik Andy Burnham për të diskutuar përshpejtimin e furnizimit me sisteme të mbrojtjes ajrore.

Pas sulmeve të së hënës mbrëma, lindi spekulimi se SHBA-ja kishte ndërprerë qasjen e Ukrainës në inteligjencën kyçe për përgjimin e kërcënimeve. Megjithatë, Trump e mohoi këtë duke deklaruar: “Ne po i ndihmojmë ata dhe po ndajmë inteligjencë. Ne duam që lufta të përfundojë.” I pyetur për sulmet ruse mbi energjetikën, Trump përmendi se edhe Ukraina kishte goditur disa objekte një ditë më parë, ndërsa shmangu të konfirmonte nëse Rusia e kishte shkelur armëpushimin, duke shtuar se të dyja palët duan që lufta të përfundojë, por “nuk dinë se si të arrijnë atje”. /E.A/

 

Continue Reading

Lajmet

Sulmohen me dronë dy anije në Detin e Zi pranë Bullgarisë, Radev kërkon ndihmën e NATO-s dhe BE-së

Published

on

By

Dy anije tregtare janë goditur nga dronë të martën në Detin e Zi, rreth 29 kilometra larg bregdetit të Bullgarisë, duke shkaktuar fundosjen e njërës prej tyre dhe nisjen e operacioneve të shpëtimit. Kryeministri i Bullgarisë, Rumen Radev, njoftoi se nga anija “Chelsea 3”, e cila lundronte nën flamurin e Maltës, janë evakuuar të gjithë 15 anëtarët e ekuipazhit, ku pesë prej tyre morën trajtim mjekësor për lëndime të lehta. Ndërkaq, nga anija e dytë e fundosur është shpëtuar një person.

Gjatë një mbledhjeje urgjente të Këshillit të Sigurisë, Radev i cilësoi sulmet si të papranueshme dhe bëri të ditur se Bullgaria po kërkon mbështetje nga NATO-ja dhe Bashkimi Evropian. Ndonëse autoritetet bullgare nuk kanë ende prova të drejtpërdrejta se kush qëndron prapa sulmit, Radev deklaroi se zhvillimet shkojnë në favor të Federatës Ruse.

Ministri i Jashtëm i Ukrainës, Andrii Sybiha, dhe Presidentja e Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen, e dënuan ashpër ngjarjen duke fajësuar Rusinë për cenimin e sigurisë detare dhe lundrimit të lirë në Detin e Zi. Ky incident vjen pas disa sulmeve të ngjashme të javës së kaluar ndaj anijeve tregtare në ujërat pranë Bullgarisë dhe Rumanisë.

 

Continue Reading

Të kërkuara