Aktualitet

Irani kërcënon Evropën: “Çdo ndërhyrje do të jetë akt lufte” 

Published

on

Tensionet mes Iranit dhe vendeve evropiane kanë hyrë në një fazë alarmante, pasi Teherani ka paralajmëruar se çdo përfshirje e Evropës në konflikt do të konsiderohet “akt lufte” dhe mund të pasohet me sulme hakmarrëse ndaj qyteteve evropiane.

Zëdhënësi i Ministrisë së Jashtme iraniane, Esmail Baghaei, deklaroi se çdo veprim i ashtuquajtur “mbrojtës” kundër kapaciteteve raketore të Iranit do të përbënte bashkëpunim të drejtpërdrejtë me armiqtë e vendit. “A duan ta privojnë Iranin nga aftësia dhe kapaciteti për t’u kundërpërgjigjur ndaj agresorëve?” – pyeti ai gjatë një konference për shtyp me agjencitë shtetërore të lajmeve.

Baghaei shtoi se do të ishte “turp” nëse vendet evropiane mbajnë anën e agresorëve, duke theksuar se sipas tij ato tashmë kanë bërë mjaft kundër Iranit.

Paralajmërimi vjen në një kohë kur Gjermania, Franca dhe Mbretëria e Bashkuar po përpiqen të forcojnë mbrojtjen, nga frika se përshkallëzimi i konfliktit mund të shtrihet përtej Lindjes së Mesme dhe të paraqesë kërcënim të drejtpërdrejtë për sigurinë e kontinentit.

Situata u tensionua edhe më shumë pasi dronë sulmues të prodhuar nga Irani shënjestruan të hënën bazën ajrore britanike RAF Akrotiri në Qipro, një shtet anëtar i Bashkimit Evropian, duke rritur shqetësimet për një zgjerim të konfliktit drejt territorit evropian. /Euronews/

 

Continue Reading

lajme

SHBA ngre akuza ndaj tre operativëve të mbështetur nga Irani për komplote terroriste në Evropë

Published

on

By

Departamenti i Drejtësisë i SHBA-së (DOJ) ka ngritur akuza penale ndaj tre operativëve të mbështetur nga Irani, të cilët akuzohen për përfshirje në një seri komplotesh terroriste në SHBA dhe Evropë, përfshirë një sulm të dështuar ndaj një baze ushtarake në Mbretërinë e Bashkuar, raporton BBC.

Sipas aktakuzës së bërë publike nga autoritetet amerikane, agjentët iranianë orkestruan një plan sulmi në bazën ushtarake ajrore “RAF Fairford” në Gloucestershire të Mbretërisë së Bashkuar, ku janë të vendosura forcat e armatosura amerikane. Të akuzuarit janë shtetasi iranian Mohsen Mohajeri, shtetasi irakian Mohammad Ali al-Hassani dhe shtetasi me dy shtetësi (iraniane-irakiane) Mohammad Baqer Saad Dawood al-Saadi. Unë prej tyre akuzohet se ka komunikuar me kontaktet e tij në Mbretërinë e Bashkuar nga një burg në Nju Jork, ku po pret gjykimin për akuza të mëparshme, ndërsa dy të tjerët kanë vepruar nga Irani.

Në deklaratën e Departamentit të Drejtësisë thuhet se triot i ngarkohet përgjegjësia për planifikimin e sulmeve në Evropë nën emrin e një grupi fiktiv me pseudonimin “Harakat Ashab al-Yamin al-Islamiya” (HAYI). Nga 18 sulmet terroriste në Evropë për të cilat ky grup mori përgjegjësinë gjatë pranverës së këtij viti, shtatë prej tyre ndodhën në Britani, përfshirë zjarrvënie, përdorim eksplozivi dhe sulmin me thikë ndaj dy burrave çifutë në Londër.

Drejtori i FBI-së, Kash Patel, deklaroi se kjo aktakuzë dëshmon vendosmërinë e Iranit për të kryer sulme terroriste në Evropë dhe SHBA, duke shtuar se të akuzuarit ishin të përfshirë në afërsi të 20 përpjekjeve për sulme në mbështetje të Trupave të Gardës Revolucionare Islamike të Iranit (IRGC) dhe milicisë irakiane Kataib Hezbollah.

Sa i përket ngjarjes në bazën ajrore britanike, hetimet tregojnë se në gusht dhe shtator al-Hassani kishte paguar bashkëpunëtorë në Britani për të kryer vëzhgime dhe për të siguruar logjistikën, përfshirë blerjen e furgonave, fuçive me lëndë djegëse dhe lëndëve kimike për shpërthim. Më 27 shtator, tre furgona të dyshimtë u pikasën nga një fermer lokal afër bazës “RAF Fairford”, gjë që çoi në ndërhyrjen e policisë dhe arrestimin e shtatë personave në Britani.

Teherani zyrtar i ka mohuar kategorikisht akuzat për përfshirje në incidentin e bazës ushtarake britanike. /BBC/

 

Continue Reading

Aktualitet

Kuvendi i Kosovës mblidhet nesër në seancë të jashtëzakonshme për Raportin e Progresit

Published

on

By

Kuvendi i Kosovës do të mbajë nesër një seancë të jashtëzakonshme, e cila është caktuar të nisë në orën 13:00.

Në qendër të këtij takimi të jashtëzakonshëm të deputetëve do të jetë debati parlamentar lidhur me Raportin e Progresit të Komisionit Evropian, dokument ky që i është dorëzuar zyrtarisht institucioneve të Kosovës para pak ditësh.

Përfaqësuesit e popullit pritet të diskutojnë gjetjet kryesore, të arriturat dhe sfidat e evidentuara nga Bashkimi Evropian sa i përket përmbushjes së reformave dhe standardeve evropiane në vend. /E.A/

Continue Reading

Live

Shkon në 12 numri i të vdekurve nga aksidenti në Bullgari

Published

on

By

Të paktën 12 persona kanë humbur jetën dhe 46 të tjerë janë lënduar si pasojë e dy aksidenteve të rënda zinxhirore të ndodhura mëngjesin e sotëm në autostradën që lidh kryeqytetin e Bullgarisë, Sofjen, me qytetin bregdetar të Burgasit.

Ministrja e Shëndetësisë, Katya Ivkova, bëri me dije se 10 persona ndërruan jetë në vendin e ngjarjes, ndërsa dy të tjerë nuk u mbijetuan plagëve gjatë transportimit për në spital.

Përplasja e fuqishme, e cila ndodhi rreth orës 07:00, përfshiu 86 automjete dhe kamionë të rëndë në të dyja drejtimet e autostradës, duke detyruar autoritetet të bllokojnë tërësisht qarkullimin. Sipas vlerësimeve të para të policisë, shkak për tragjedinë dyshohet të jenë bërë mjegulla e dendur, lagështia në rrugë dhe shpejtësia e papërshtatshme.

Tragjedia ka tronditur udhëheqjen shtetërore në Sofje. Kryeministri Rumen Radev ndërpreu takimin me presidenten e Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen, për të inspektuar vendin e ngjarjes, ndërsa presidentja Iliana Yotova u kthye me urgjencë nga Forumi i Paqes në Paris. /E.A/

Continue Reading

Lajmet

Ditari: Lajmet kryesore që shënuan datën 10 nëntor 1992-1998?

Published

on

By

Në rubrikën Ditari, kemi përzgjedhur disa nga lajmet më të rëndësishme të kësaj dite, në periudhën 1992-1998.

10 nëntor 1992

“Rojter”: Kosova para shpërthimit

Agjencia “Rojter” pardje komentoi rrezikun serb i cili i kanoset çdo çast Kosovës. Agjencia thekson se funksionarët e administratës së Bushit frikësohen se Serbia do të shfrytëzojë periudhën kalimtare në SHBA, për të nisur një valë të re të “pastrimit etnik” dhe të dëbojë shumicën shqiptare nga Kosova. Një hap i tillë do të shkaktonte eskalimin e luftës civile në Jugosllavi që do të mund të zgjërohej jashtë kufinjve të ishfederatës jugosllave. “SHBAtë, do ta kenë shumë vështirë që në dy muajt e ardhshëm të ndërmarrin çfarëdo aksioni, kurse kryetari serb Milosheviq do të mund të bëjë hesap se tani është momenti i volitshëm për realizimin e planeve të tija”, tha një funksionar i cili dëshiron të mbetet anonim. Në Kosovë, shumicën dërmuese të popullsisë e përbëjnë shqiptarët, kurse vetëm 10 për qind të popullsisë janë serbë. Shqiptarët janë viktima të një represioni të hatashëm, dhe ata janë praktikisht të paarmatosur. Njësitë e ushtrisë serbe janë të përqëndruara në këtë territor, kurse sipas raportit të organizatës “Helsinki Uaç” në këtë moment në formim e sipër janë grupet paramilitare serbe. Ekzistojnë shumë raporte që flasin për frikësimin e shqiptarëve.

Ky regjion ka paraqitur djepin e nacionalizmit serb dhe Milosheviqi me përkrahësit e tij kanë bërë me dije se Kosova do të hyn në përbërje të “Serbisë së madhe”.

George Kenney, ishfunksionar i StejtDepartamentit, mendon se në Kosovë eksplodimi është i paevitueshëm.

“Forcat militante serbe në Kosovë janë të armatosura dhe të ushtruara. Ato i urrejnë shqiptarët dhe planifikojnë “pastrim etnik”, me qëllim që të detyrojnë sa më tepër shqiptarë që të shpërngulen në Shqipëri” tha Kenney.

“Kjo është më keq se Bosnja, kjo është një masakër”, shkruan ai.

Në rast se kjo do të ndodhë, Shqipëria, Maqedonia, Bullgaria por edhe Greqia dhe Turqia do të mund të inkuadroheshin në këtë konflikt.

Kryetari i ri Bill Klinton, gjatë fushatës elektorale e kritikoi kryetarin Xhorxh Bush, për mosveprim të mjaftueshëm për të ndërprerë agresionin serb në Bosnjë. Funksionarët druajnë se Milosheviqi ndoshta nuk do të presë që Klintoni të marrë detyrën, dhe do të tentojë që para kësaj të dëbojë shqiptarët nga Kosova.

Si duket edhe Klintoni është i vetëdijshëm për këtë rrezik. Në njërën nga deklaratat e tij të rëndësishme pas fitores zgjedhore, ai u tërhoqi vërejtjen armiqve të SHBAve, që të mos mendojnë se Uashingtoni do të jetë i dobët në periudhën tranzitore.

“Gabimi më i madh që ndonjë kundërshtar i ynë mund ta bënë, do të ishte dyshimi në vendosmërinë amerikane në periudhën tranzitore”, tha Klintoni.

Ai përmend disa rajone, në të cilat do të sigurojë kontinuitetin e politikës amerikane, duke përfshirë edhe kërkesat për zgjidhje paqësore të konfliktit të Jugosllavisë.

Disa funksionarë të administratës, të cilët jozyrtarisht e kanë kritikuar Bushin për shkak se nuk ka vepruar më vendosmërisht kundër serbëve të Bosnjës, dëshirojnë që ai të dërgojë një sinjal të fuqishëm për mënjanimin e rrezikut nga agresioni serb mbi Kosovën.

Mirëpo, tani nuk kanë humbur gjasat e Bushit të ndërmarrë ndonjë aksion që nuk e ndërmori para zgjedhjeve.

 

10 nëntor 1993

Në Shtime policia serbe arrestoi katër arsimtarë

Pardje, në Shtime rreth orës 15, policia serbe hyri në punktin e Shkollës së Mesme dhe, pasi i përzuri të gjithë nxënësit, i mori dhe i dërgoi në stacion të policisë në Shtimje arsimtarët Fehmi Baftiun, Shaban Halimin, Avdi Zenunin dhe Shaban Mustafën.

Arsimtarët, pasi u keqtrajtuan disa orë në polici, u liruan.

 

10 nëntor 1994

Në tregun e Prishtinës policia serbe plaçkiti sasi të konsiderueshme malli dhe parash

Sot rreth orës 10:00, një ekspeditë e policisë civile serbe ndërhyri me shpejtësi në tregun e gjelbër në Prishtinë, me ç’rast në fillim bllokoi të gjitha hyrje-daljet e tregut, mbylli dyert dhe filloi si zakonisht me plaçkitjen e tregtarëve dhe qytetarëve shqiptarë, njofton Komisioni për Informim i Degës II të LDK-së në Prishtinë.

Policinë serbe sot e ndihmoi edhe ajo financiare. Në shënjestër të kësaj ndërhyrjeje të policisë ishin sidomos të rinjtë shqiptarë, disa nga të cilët u arrestuan dhe u dërguan në Qendrën e Sigurimit serb në Prishtinë.

Bëhet me dije se policia serbe edhe sot plaçkiti sasi të konsiderushme malli dhe parash nga tregtarët dhe qytetarët shqiptarë, të cilët u gjendën në tregun e gjelbër në Prishtinë.

 

 10 nëntor 1995

Dhuna e përditshme në Kosovë

Klinë:- Policia serbe, me pretekst të kërkimit të armëve ka disa herë që mori në polici Miftar Krasniqin, kryetar i Nëndegës së LDK-së në Ujmirë të Klinës. Njoftohet se policia ka keqtrajtuar fizikisht djalin e Miftarit, Burim Krasniqin (15).

Istog: – Më 8 nëntor, policia serbe e postkomandës në Vrellë të Istogut thirri Kadri e Tahir Gorçajn dhe Ismajl Sadikajn, që të tre nga Studenica nga të cilët kërkuan armë.

Më 9 nëntor, policia serbe bastisi disa qytetarë në Istog, nga të cilët kërkoi deviza.

Junik: – Këto ditë, policia serbe mori në pyetje, Hysen Gjotën, kryetar i Komisionit për Solidaritet të Degës së LDK-së në Junik. Ai u pyet kryesisht rreth veprimtarisë së këtij Komisioni dhe për çështje të arsimit shqip.

Shtime: – Pas qëndrimit dy ditësh në polici, mbrëmë u lirua Shefki Rashitaj dhe dy bijtë e tij, Azem e Jakup Rashitaj nga fshati Petrovë, me kusht që të paraqiten sërish në polici. Siç kemi njoftuar, ata u morën në polici, me pretekst të kërkimit të armëve.

Ndërkaq, dje sipas thirrjes së policisë, u paraqit edhe Hasan Hasani nga Petrova, i cili u mor me pretekst të dorëzimit të armëve. Ai u lirua me kusht që të paraqitet edhe sot në polici.

 

10 nëntor 1997

Terrori i bandave nga Shqipëria largon njerëzit nga shtëpitë e tyre

Anëtari i Kryesisë së LDK Naip Zeka, bashkë me kryetarin e Degës së LDK në Gjakovë Aqif Shehu dhe me anëtarë të Kryesisë e aktivistë të fshatrave Koshare, Brovinë e tjerë vizituan të shtunën fshatin Koshare të Gjakovës. Këtë fshat kufitar me Shqipërinë e kanë sulmuar disa herë bandat e armatosura të Shqipërisë, duke plaçkitur e terrorizuar banorët. Delegacioni i shprehu ngushllime familjes së Hasan Zenunit, të cilit bandat e armatosura nga Shqipëria ia vranë djalin Afrimin.

Gjatë qëndrimit në këtë fshat, z. Zeka u njoftua se për shkak të terrorit dhe pasigurisë së krijuar, deri tash janë larguar 28 familje me mbi 250 banorë. Të largaurit janë vendosur si qeraxhinjë në Gjakovë apo tek farefisi.

Shkolla fillore gjashtëvjeqare me klasë të përziera është mbyllur ndërsa edhe dy familjet të mbetura në fshat, ajo e Hasan Zenunit dhe e kushëririt të tij po largonin të shtunën plaçkat e orenditë.

Në një mbledhje të aktiveve të LDK të fshatrave Brovinë, Muriq e Koshare, ku mori pjesë edhe anëtari i Kryesisë së LDK-së, Naip Zeka u bisedua për gjendjen e krijuar në fshatrat e zonës kufitare dhe për shqetësimet e qytetarëve. Aktivistët e LDK-së kërkuan nga organet e Kosovës që të bëjnë ç’ është e mundur që Qeveria e Shqipërisë të ndalojë kalimin e bandave në tëritorin e Kosovës.

U kërkua që aktivistët dhe udhëheqësit e LDK dhe të organeve të tjera të jenë më prezente në këtë zonë dhe që të ndihmojnë në tëjkalimin e situatës.

Banorët i bënë thirrje të Ngarkuarit me Punë të Shqipërisë në Beograd z. Besnik Konqi që të vizitojë këto fshatra për t’u bindur për gjendjen e rëndë.

Përkujtojmë se përkundër bisesdave me autoritetet shqiptare gjatë katër muajve të fundit gjendja nuk ka ndryshuar. Pasiguria dhe shqetësimi ekziston edhe tek qytetarët e fshatrave të tjera të brezit kufitar.

Për shkak të gjendjes së rëndë, udhëheqja e Kosovës ka bërë disa herë apele dhe ka kërkuar nga Qeveria e Shqipërisë që të pengojë kalimin e bandave të armatosura plaçkitëse në fshatrat e rrethinës së Gjakovës.

Banorët e kësaja zone kanë theksuar se bandat e armatosura nga Shqipëria po veprojnë në bashkëpunim me forcat e instaluara serbe.

Kryetari Rugova kërkoi të premtën e kaluar nga Qevreria e Shqipërisë, nga pushteti lokal në veri të Shqipërisë dhe nga vëzhguesit e misionit të Bashkimit Evropian që të ndikojnë në ndërprerjen e këtij terrori.

Qeveria e Shqipërisë, përkundër kërkesave të përsëritura nga Kosova nuk është deklaruar ende për këtë problem jashtëzakonisht të madh.

Në këtë situatë, deklaratat e autoriteteve të Tiranës për të ashtuquajturën hapje të kufinjëve, në vend se të mirëpriten në Kosovë, po shkaktojnë shqetësime të reja.

Në këtë kuadër do përmendur faktin se qeveria e federatës së Serbisë e të Malit të Zi vendosi në një mbledhje hapjen e të gjitha pikave kufitare, përkatësisht mori vendim që të hiqet gjendja e mbylljes së kufirit me Shqipërinë që u vendos gjatë trazirave të pranverës.

 

 10 nëntor 1998

Identifikuan trupat e pajetë të tre shqiptarëve nga Rudica e Klinës

Abaz Ahmetxhekaj nga Rudica e Klinës i tha dje KI të Degës së LDK-së në Pejë se janë identifikuar trupat e pajetë të Niman Shaban Bajraktarit (51), Haki Abaz Ahmetxhekajt (23) dhe Bashkim Xhafer Mehmetajt (22), që të tre nga Rudica e Klinës, të cilët janë zhdukur më 6 korrik të këtij viti në Gorozhdec të Pejës.

I njëjti burim bën të ditur se tre shqiptarët janë masakruar nga paramilitarët serbë, ndërsa trupave të tyre të pajetë u mungojë disa gjymtyrë.

Trupat e tyre janë varrosur me urdhër të forcave serbe më 8 korrik, pa u lejuar identifikimi i tyre.

 

 

Continue Reading

Të kërkuara