Nën organizimin e Qendrës Kosovare për Diplomaci, u zhvillua konferenca ndërkombëtare për ndikimin e gjykimeve të krimeve të luftës në hapësirat e ish-Jugosllavisë, në ndërtimin e paqes në shtetet ballkanime. Kjo konferencë u organizua në kuadër të projektit NO-OBLIVION.
Ky projekt udhëhiqet nga European Association of Social Innovation (Rumani) në bashkëpunim me partnerë të ndryshëm ndërkombëtarë, përfshirë IPS Innovative Prison Systems (Portugali), Victim Support Europe (Belgjikë), Camino (Gjermani), Documenta (Kroaci), Komitetin e Helsinkit për të Drejtat e Njeriut në Serbi, Qendrën për Studime të Sigurisë (Bosnje dhe Hercegovinë), si dhe Qendrën Kosovare për Diplomaci (Kosovë).
Në këtë tryezë, profesori i UBT-së, Prof. Avni H. Alidemaj nga Departamenti i Shkencave Politike, elaboroi rëndësinë e shpalosjes të së vërtetës nga perspektiva e viktimave dhe e të mbijetuarve të luftës e cila është duke u ngulfatur nga narrativa politike dhe ajo gjyqësore. Alidemaj theksoi gjithashtu se gjykimi i krimeve të luftës ka dështuar të adresojë mosndëshkueshmërinë e kryerësve të këtyre krimeve, duke u politizuar me qëllim të krijimit të një balance të paqartë mes viktimës dhe agresorit.
Numri i krimeve të kryera ndaj popullatës civile në Kosovë (pjesa dërmuese të përkatësisë shqiptare) është në shpërputhje të madhe me dënimet e shqiptuara ndaj kryesve të veprave (krimeve të luftës). Në këtë konferencë, Profesori Avni H. Alidemaj është asistuar edhe nga kolegu i tij nga Departamenti i Studimeve të Sigurisë, Prof. Alban Maliqi.
Po ashtu është potencuar se pjesa dërmuese e kosovarëve nuk do të kenë mundësi ta mbyllin këtë kapitull të jetës së tyre pa gjykimin e krimeve të luftës dhe shpalosjes së vërtetës rreth luftës së fundit, si parakusht për ndërtimin e paqes dhe së ardhmes prosperuese të rajonit. Për ata që e njohin këtë rajon, nuk është duke u shtjelluar e kaluara e dhimbshme, por përmes këtyre aktiviteteve është duke u formësuar e ardhmja e këtij rajoni.
Një tjetër aspekt i rëndësishëm që u diskutua në këtë konferencë ishte juridiksioni universal dhe nevoja për ndjekjen penale të krimeve të luftës përmes mekanizmave ndërkombëtarë. Pjesëmarrësit nënvizuan se kjo është një mundësi e rëndësishme për të siguruar drejtësi për viktimat dhe për të kontribuar në proceset e pajtimit dhe paqes në rajon.
Në përfundim të diskutimeve, u theksua se përmes aktiviteteve të tilla dhe ndërmarrjes së hapave të duhur drejt drejtësisë, mund të arrihet një paqe e qëndrueshme në rajon, duke u dhënë mundësinë të gjithë popujve të Ballkanit të rindërtojnë besimin dhe bashkëpunimin ndërmjet tyre./UBTNews/