Lajmet

Infermierët të pakënaqur me koeficientin, paralajmërohet ikje e madhe e tyre

Përkundër pakënaqësive, infermierët nuk kanë menduar që Ligjin për Paga ta dërgojnë në Kushtetuese.

Published

on

Infermierët e angazhuar në institucionet publike shëndetësore janë të pakënaqur me vlerën e koeficientit prej 105 euro. Sipas Sindikatës së Infermierëve, një vlerë e tillë veçse ka zbehur dëshirën e këtyre punëtorëve shëndetësorë për të vazhduar punën në klinikat e spitalet e Kosovës.

Kryetari i Sindikatës së Infermierëve, Përparim Berisha u shpreh se përkundër këtyre pakënaqësive ende nuk kanë menduar që Ligjin për Paga ta dërgojnë në Gjykatën Kushtetuese apo të parashtrojnë kërkesë për diçka të tillë tek Avokati i Popullit.

“Kemi kërkuar që vlera e koeficientit të jetë të paktën 120 euro, edhe kjo nuk ka ndodhur, kështu që normal që ka pakënaqësi tek infermierët. Tek ne si sindikatë ende nuk kemi menduar për ta dërguar në Gjykatën Kushtetuese sepse jemi pjesë e Federatës, ndërsa para pak ditësh Federata ka vendosur që përmes 5 pikave iu është drejtuar Qeverisë ku asnjëra nga pikat nuk është që Federata do ta dërgojë ligjin në Gjykatën Kushtetuese”, theksoi Berisha.

Por, koeficienti prej 105 eurosh sipas Berishës vetëm sa e ka rritur dëshirën e stafit infermieror për tu larguar nga Kosova. Ai madje tha se deri në mesin e vitit 2024 priten të largohen rreth 2 mijë infermierë.

“Ka ngjallur pakënaqësi ata që kanë qenë të luhatshëm për atë se a të qëndrojnë për të punuar në Kosovë apo të shkojnë jashtë, sigurisht që i janë rritur kërkesat për të shkuar jashtë dhe një pjesë e tyre kanë thënë se ‘nga ky moment ne më nuk mund të punojmë’ dhe vlen të ceket që nuk është vetëm paga, por janë edhe kushtet e rënda, janë edhe mungesa e madhe e infermierëve ku ka reparte që një infermier kujdeset deri për 25 pacientë derisa sipas OBSH-së një infermier duhet të kujdeset për pesë pacientë… Sipas informatave që kemi ne janë rreth 2 mijë infermierë të cilët priten të largohen deri kah mesi i vitit 2024 gjë që do ta vështirësojë edhe më tutje pozitën e infermierëve dhe po ashtu do të ketë normal ofrim të shërbimeve më jocilësore për pacientët”, theksoi ai.

E infermierët ende nuk e kanë të qartë se si do tu paguhet ndërrimi i natës, vikendet dhe ditët e festave. Për këtë çështje kryetari i Sindikatës së Infermierëve, Përparim Berisha tha se janë në pritje të publikimit të rregullores.

“Për çdo ditë thuajse janë duke u publikuar në faqen zyrtare të Qeverisë rregullore përmes të cilës do të rregullohen edhe vlera do të caktohet për ndërrimin e natës, vikendet dhe festa ne kërkojmë dhe kemi kërkuar edhe nga ministri që të shkohet sipas Ligjit të pagave siç është e përcaktuar dhe sipas Ligjit të punës”, tha Berisha.

Lidhur me protestën dhe grevat e paralajmëruar nga kjo sindikatë për shkak të mos pagesës së ditëve të lira për festat zyrtare për stafin infermieror, Përparim Berisha tha se veprimet sindikale të parapara i kanë shtyrë dhe se janë në pritje të rregulloreve që parashohin edhe këto kompensime.

“Dje ka skaduar afati, por dje kemi pasur takim me ministrin, dhe ministri është zotuar që gjithçka do të shkoj sipas Ligjit të pagave dhe ligjit të Punës dhe ne po presim dhe do e mbajmë për fjale ministrinë… Kërkesa jonë ka qenë që ditët e pushimit ka pas problem tek Ligji për festat zyrtare ku në momentin që ka rënë një festë në vikend është shtyrë për ditën e hënë dhe është bërë ditë e lirë dhe ajo është paguar si festë gjë për të cilën kemi reaguar edhe ne dhe kemi kërkuar edhe neve të na paguhet dhe mos të diskriminohemi… Për momentin vetëm janë shtyrë për shkak të takimit të djeshëm dhe po presim rregulloret t’i shohim se sa do të jetë vlera, pagesa për ndërrim të natës, për orë shtesë ose për festa”, theksoi ai.

Pakënaqësi për koeficientin kanë shprehur edhe nga Oda e Infermierëve të Kosovës.

Ndërsa, derimë tani nga Institucioni i Avokatit të Popullit (IAP) ka pranuar 18 ankesa kundër Ligjit për paga në sektorin publik. Kështu ka bërë të ditur zëdhënësi i këtij institucioni, Petrit Çollaku i cili tha se Avokati i Popullit është duke i trajtuar këto ankesa dhe më pas do të del me një qëndrim.

“Ankesat kanë ardhur nga sektorë të ndryshëm, si nga Këshilli Prokurorial i Kosovës, auditorë të brendshëm, zyrtarët komunal të arsimit të Komunës së Prizrenit, Shoqata sindikale e shërbimit sprovues të Kosovës, nga organizata Instituti Kosovar i Drejtësisë (IKD), infermierët, mjekët që punojnë në Ministrinë e Shëndetësisë, laborantë të lartë mjekësor, oda e fizioterapeutëve të Kosovës, sindikata e Policisë së Kosovës, Komisioni Qendror Zgjedhor, Qendra për pajisje të dokumenteve, Shoqata e Instrumentarëve të Kosovës. Institucioni i Avokatit të Popullit është duke i trajtuar këto ankesa, dhe po ashtu është duke analizuar ligjin në fjalë, dhe pas kësaj, Avokati i Popullit do të dalë me një qëndrim në lidhje me këtë çështje”, thuhet në përgjigjen me shkrim.

Vendi

Jashari pret krerët e Forcave Speciale të Shqipërisë dhe Kroacisë

Published

on

By

Komandanti i Forcës së Sigurisë së Kosovës (FSK), Gjenerallejtënant Bashkim Jashari, ka prit në takim zyrtar Komandantin e Regjimentit të Operacioneve Speciale të Shqipërisë dhe Komandantin e Komandës së Forcave të Operacioneve Speciale të Kroacisë.

Gjatë takimit u diskutua për thellimin e bashkëpunimit dypalësh e shumëpalësh, koordinimin ushtarak dhe shkëmbimin e përvojave profesionale, me fokus të veçantë në fushën e operacioneve speciale, trajnimeve taktike dhe ngritjes së kapaciteteve operacionale.

Palët nënshtruan rëndësinë e ushtrimeve të përbashkëta për rritjen e ndërveprueshmërisë mes forcave aleate, ku si pikë kyçe e bisedimeve shërbeu ushtrimi ushtarak “Valor Shield 2026”.

Gjeneral Jashari shprehu vlerësimin e tij për partneritetin e vazhdueshëm me Shqipërinë dhe Kroacinë, duke nëvizuar se përkrahja e forcave partnere është me rëndësi vitalë për zhvillimin profesional dhe avancimin e FSK-së. /E.A/

Continue Reading

Vendi

OVL-UÇK paralajmëron protesta nëse nuk procedohet ndryshimi i Ligjit për Specialen

Published

on

By

Nënkryetari i Organizatës së Veteranëve të Luftës së UÇK-së (OVL-UÇK), Gazmend Syla, i ka bërë thirrje Qeverisë së Kosovës që të procedojë sa më parë në Kuvend Projektligjin për ndryshimin e Ligjit për Dhomat e Specializuara.

Në një konferencë për media të mbajtur këtë të martë, Syla mirëpriti miratimin e Deklaratës mbështetëse nga Kuvendi, mirëpo theksoi se ish-drejtuesit e UÇK-së në Hagë kanë nevojë për veprime konkrete ligjore e jo vetëm zotime politike.

“Deklarata është zotim, ligji është veprim. Ata që sot i kanë duart e lidhura në Hagë kanë nevojë për veprime konkrete. Nëse vendi shkon në zgjedhje pa i dhënë Kuvendit mundësinë për të votuar këtë ligj, përgjegjësia politike për mosprocedimin e tij duhet të jetë e qartë”, deklaroi Syla.

Ai paralajmëroi se kategoritë e dala nga lufta nuk do të rrinë duarkryq dhe se janë të gatshëm të dalin në rrugë e të ndërmarrin hapa të tjerë protestues nëse kërkesat e tyre injorohen.

Më tej, Syla bëri të ditur se tashmë janë kryer të gjitha përgatitjet për marshin protestues kundër vendimit të Gjykatës Speciale, i cili do të mbahet më 1 nëntor, duke filluar nga ora 16:00.

Continue Reading

Botë

Rubio: Një “aktor i huaj” i përfshirë në komplotin e dyshuar për bombë pranë bazës ushtarake në Britani

Published

on

By

Sekretari i Shtetit i Shteteve të Bashkuara, Marco Rubio, ka deklaruar se një “aktor i huaj” ishte i përfshirë në një komplot të dyshuar për sulm me bombë pranë një baze ajrore në Britaninë e Madhe, e cila përdoret nga ushtria amerikane.

Policia arrestoi të dielën pesë persona — të gjithë shtetas britanikë nga Londra, të mosshës 20 deri në 25 vjeç — pasi u njoftua nga një fermer lokal për lëvizjen e tri furgonëve të bardhë në drejtim të bazës RAF Fairford. Kjo bazë britanike strehon bombarduesit amerikanë që kryejnë misione kundër Iranit.

Njësia kundër terrorizmit njoftoi se po heton nëse të dyshuarit po vepronin në emër të një shteti të huaj në këtë plan për të sulmuar bazën ajrore, ndërsa më vonë bëri të ditur se ata do të lirohen me dorëzani.

Duke komentuar rastin në emisionin “Hannity” në Fox News, Rubio u shpreh: “Ajo që ndodhi, ajo që për pak sa nuk ndodhi dhe ajo që mund të kishte ndodhur në Britani gjatë fundjavës është një situatë shumë serioze. Është një çështje që qartësisht përfshin dorën e një aktori të huaj, megjithëse nuk do të hyj ende në detaje të mëtejshme.”

Nga ana tjetër, Korpusi i Gardës Revolucionare Islamike të Iranit (IRGC) kishte deklaruar në korrik se baza Fairford përbënte një “cakt të legjitim”. Megjithatë, Ambasada e Iranit në Londër i hodhi poshtë këto pretendime përmes një deklarate, duke i cilësuar si “spekulime të pabazuara dhe keqdashëse” që synojnë të nxisin propagandë kundër Iranit.

Lidhur me ngjarjen reagoi edhe presidenti amerikan Trump, i cili tha se autoritetet britanike dhe ato amerikane i kishin pasur të dyshuarit nën hetim prej kohësh, duke pretenduar se ata “po kërkonin të shkaktonin dëme të mëdha”. Pas lajmit për lirimin e tyre me dorëzani, Trump shtoi se rasti “mund të ketë lidhje” me Iranin, por pa dhënë detaje të tjera.

 

Continue Reading

Lajmet

692 milionë euro nga mërgata në gjashtë muajt e parë të vitit

Published

on

By

Ministrja e Drejtësisë, Donika Gërvalla, ka bërë të ditur se dërgesat e mërgatës në Kosovë kanë arritur në 692 milionë euro gjatë gjashtë muajve të parë të këtij viti, duke shënuar një rritje prej 5.7 për qind krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit të kaluar.

Përmes një postimi, Gërvalla ka vlerësuar lart kontributin e bashkatdhetarëve, duke e cilësuar atë si një dëshmi të lidhjes së fuqishme dhe të pandashme me atdheun.

“Kjo shifër tregon shumë më tepër se një kontribut ekonomik. Tregon pikërisht lidhjen e pandashme që nuk e kanë këputur as mijëra kilometra largësi. Tregon se sa fort mërgata jonë vazhdon ta mbajë Kosovën afër vetes”, ka deklaruar ajo.

Më tej, ministrja theksoi se këto mjete financiare luajnë një rol jetik në mirëqenien e familjeve kosovare, konsumin vendor, kursimet dhe investimet, si dhe në ruajtjen e stabilitetit ekonomik e financiar të vendit. Ajo rikujtoi se gjatë dekadës së fundit, remitancat kanë përbërë mesatarisht 12% deri në 14% të Produktit Brendshëm Bruto (BPV) të Kosovës. /E.A/

Continue Reading

Të kërkuara