Sport

Infantino: FIFA nuk mund t’u diktojë qeverive se kë të lejojnë të hyjë në vend

Published

on

Presidenti i FIFA-s, Gianni Infantino, ka folur për çështje të ndryshme në konferencën për media para nisjes së Kupës së Botës 2026, duke komentuar edhe problemet me vizat dhe rastin e gjyqtarit somalez Artan Omrai, të cilit i është mohuar hyrja në Shtetet e Bashkuara të Amerikës.

Infantino theksoi se FIFA nuk ka kompetenca për t’u imponuar qeverive vendime lidhur me hyrjen e individëve në territorin e tyre, duke shtuar se organizata që ai drejton përpiqet vazhdimisht të gjejë zgjidhje për raste të tilla.

“Më besoni kur ju them, ose mos më besoni nëse nuk doni, por ne përpiqemi gjithmonë të gjejmë zgjidhje. Duhet të respektojmë faktin se nuk jemi mbretërit e botës që mund të sundojnë mbi qeveritë dhe forcat policore. Ne jemi një organizatë sportive dhe përpiqemi të bëjmë më të mirën me mjetet që kemi”, deklaroi Infantino.

Kreu i FIFA-s shprehu keqardhje për rastin e Artan Omrait, arbitrit nga Somalia, i cili nuk arriti të sigurojë hyrjen në SHBA për Kupën e Botës.

Pavarësisht vështirësive të hasura me vizat, që kanë prekur edhe delegacione të tjera pjesëmarrëse, përfshirë Iranin, i cili u detyrua ta zhvendosë bazën e tij stërvitore në Meksikë, Infantino insistoi se nuk pendohet për vendimin që Shtetet e Bashkuara të jenë një nga nikoqirët e Botërorit 2026.

Ai komentoi gjithashtu kritikat e fundit lidhur me çmimet e biletave për ndeshjet e Kupës së Botës, duke theksuar se çmimi mesatar i një bilete është më pak se 500 dollarë.

Kupa e Botës 2026, e organizuar nga SHBA-ja, Kanadaja dhe Meksika, nis sonte me ndeshjen hapëse mes Meksikës dhe Afrikës së Jugut, duke shënuar fillimin e edicionit më të madh në historinë e këtij kompeticioni.

D.L

Continue Reading

Sport

Krasniqi: E merituam fitoren, ndaj Austrisë mund të fitojmë

Published

on

By

Sulmuesi i Kosovës, Ermal Krasniqi, ka folur për faqen zyrtare të FFK-së pas fitores 1-0 ndaj Irlandës, duke vlerësuar paraqitjen e “Dardanëve” dhe duke folur për sfidën e radhës ndaj Austrisë.

Krasniqi tha se Kosova e kishte të vështirë të gjente golin në pjesën e parë, pasi Irlanda ishte e tërhequr në mbrojtje. Megjithatë, ai theksoi se skuadra krijoi raste dhe e meritoi fitoren.

“Ishte e vështirë që në pjesën e parë të shënonim gol, sepse kundërshtari qëndronte vetëm në mbrojtje dhe ne luanim kryesisht me topa të gjatë. Por, bëmë një paraqitje të mirë dhe shumë pozitive, krijuam raste dhe ishte vetëm çështje minutash se kur do të vinte goli. Në fund, ai erdhi dhe ne e merituam fitoren”, ka deklaruar Krasniqi.

Sulmuesi kosovar foli edhe për rëndësinë e lojtarëve që inkuadrohen nga banka, duke theksuar se secili duhet të jetë i gatshëm për të dhënë kontributin e tij.

“Të gjithë lojtarët që janë në bankë duhet të jenë gati. Edhe unë isha i gatshëm gjatë gjithë kohës, sepse mendoj se lojtarët që vijnë nga banka mund ta ndryshojnë lojën. Kështu ndodhi edhe dje dhe jam i lumtur që isha pjesë e golit. Më e rëndësishmja ishte fitorja”, u shpreh ai.

Krasniqi u ndal edhe te ndeshja e radhës ndaj Austrisë, të cilën e sheh si një prej skuadrave më të forta të grupit. Megjithatë, ai beson se Kosova mund të synojë fitoren edhe në Vjenë.

“Normalisht, Austria mund të themi se është favorite e grupit, por nëse luajmë si grup dhe siç luajtëm dje, besoj se edhe atje mund të arrijmë një fitore. Pse jo?”, përfundoi Krasniqi.

D.L

Continue Reading

Sport

Gallapeni shkëlqen ndaj Irlandës, paraqitje mbresëlënëse e mbrojtësit të Kosovës

Published

on

By

Dion Gallapeni ishte një prej protagonistëve të fitores së Kosovës ndaj Irlandës, në përballjen e parë historike mes dy Kombëtareve në nivelin senior.

“Dardanët” triumfuan me rezultat 1-0 në stadiumin “Fadil Vokrri” në Prishtinë, falë golit të Vedat Muriqit në pjesën e dytë, duke siguruar tri pikë të rëndësishme.

Në një ndeshje ku reparti defensiv kishte përgjegjësi të madhe, Gallapeni zhvilloi një paraqitje të sigurt dhe të kompletuar, duke qenë ndër lojtarët më të spikatur të Kosovës.

Mbrojtësi ishte i pagabueshëm në duele, duke fituar 100 për qind të dueleve tokësore, 5 nga 5, si dhe të gjitha duelet ajrore, 4 nga 4.

Ai ishte po ashtu perfekt në ndërhyrje, duke fituar të dyja ndërhyrjet e tij, ndërsa kontribuoi në neutralizimin e aksioneve të rrezikshme të irlandezëve.

Gallapeni pati gjithsej 81 prekje të topit, regjistroi tetë rikuperime dhe shtatë spastrime, ndërsa fitoi edhe tri faulle.

Kontributi i tij nuk mungoi as në fazën ofensive. Ai realizoi tri krosime të sakta, pati dy ndërprerje të aksioneve dhe krijoi një mundësi për bashkëlojtarët.

Me siguri në prapavijë, efikasitet në duele dhe kontribut në të dyja fazat e lojës, Gallapeni ishte një prej figurave kryesore në fitoren historike të Kosovës ndaj Irlandës.

D.L

Continue Reading

Sport

Foda i kënaqur me paraqitjen ndaj Irlandës: Tani na pret Austria

Published

on

By

Përzgjedhësi i Kosovës, Franco Foda, është shprehur i kënaqur me paraqitjen e “Dardanëve” në ndeshjen ndaj Irlandës, duke vlerësuar në veçanti organizimin defensiv dhe disiplinën taktike të skuadrës.

Foda theksoi se Kosova nuk i lejoi irlandezët të krijonin raste të rrezikshme, ndërsa lavdëroi qetësinë e lojtarëve dhe paraqitjen e tyre në të gjitha repartet.

“Sot më pëlqeu reparti defensiv. Irlandezët nuk krijuan asnjë mundësi. Më pëlqeu qetësia e skuadrës. Sidomos pas pjesës së parë, u thashë lojtarëve të qëndronin të qetë, pasi goli do të vinte. Në përgjithësi jam i kënaqur edhe me krahët. Edhe me Zhegrovën, i cili luajti 70 minuta pasi kishte një kohë të gjatë pa luajtur. Edhe me Batonin jam i kënaqur”, ka thënë Foda.

Ai veçoi edhe paraqitjen e mesfushorëve Leoni dhe Veldin, të cilët, sipas tij, kishin detyra të ndryshme në aspektin taktik.

“Leoni dhe Veldini bënë punë të mirë në mesfushë, pasi kishin role të ndara. Leoni kishte rol defensiv, ndërsa Veldini ofensiv. Nuk lejuan hapësira dhe ky ishte edhe plani ynë”, u shpreh trajneri gjerman.

Foda: Me Austrinë do të jetë ndryshe

Pas ndeshjes ndaj Irlandës, Kosova tani e ka vëmendjen te sfida e radhës, ku të dielën do të përballet me Austrinë në Vjenë.

Foda pret një ndeshje dukshëm më të vështirë, duke theksuar se Austria karakterizohet nga një lojë më e shpejtë.

“Kundër Austrisë do të jetë një ndeshje tjetër. Sot e kishim pak më të lehtë, ndërsa Austria luan më shpejt. Këtu kishim detyrë t’i ndalnim topat e gjatë”, ka deklaruar Foda.

Përzgjedhësi i Kosovës e njeh mirë futbollin austriak, pasi më parë ka qenë trajner i përfaqësueses së Austrisë. Nën drejtimin e tij, Austria u paraqit në Kampionatin Evropian të vitit 2020.

Megjithatë, Foda theksoi se skuadra austriake ka ndryshuar dhe se përballja e së dielës do të kërkojë përgatitje maksimale.

“Isha trajner i Austrisë, por skuadra ka ndryshuar. Këto ditë do të shohim dhe do të përgatitemi maksimalisht për ndeshjen ndaj Austrisë. Besoj se do ta kemi edhe në Vjenë mbështetjen e shqiptarëve, të cilët janë në numër të madh”, ka përfunduar Foda.

D.L

Continue Reading

Lajmet

Mediat irlandeze lartësojnë mikpritjen në Prishtinë

Published

on

By

Në fushë ishte një përballje e fortë futbolli ku Kosova doli fituese 1-0, por jashtë saj, atmosfera në Prishtinë u shndërrua në një histori falënderimi dhe respekti që kapërcen sportin.

Media e njohur sportive irlandeze, Balls.ie, i ka kushtuar një artikull të veçantë mikpritjes mbresëlënëse që tifozët e Irlandës morën në Kosovë, duke zbuluar arsyen e fortë pse kosovarët e ruajnë me kaq shumë dashuri emrin e Irlandës.

Gjithçka nis në vitet e vështira të pasluftës. Pas shkatërrimit të viteve 1998–1999, ku mbi 10,800 kosovarë u vranë dhe qindra mijëra u dëbuan nga shtëpitë e tyre, Irlanda u rendit ndër shtetet e para që u doli në ndihmë. Prej vitit 1999 e deri në vitin 2010, mbi 3,000 ushtarë irlandezë shërbyen në kuadër të misionit paqeruajtës në Kosovë, duke ndihmuar në rindërtimin e vendit dhe sigurinë e qytetarëve, thuhet në artikullin e Balls.ie.

Kjo ndihmë nuk është harruar absolutisht.

“Përderisa Irlanda dhe Kosova nuk kishin ndonjë histori të madhe në futboll, shumë njerëz në këtë vend kanë një simpati të jashtëzakonshme për shtetin tonë. Një pjesë e madhe e kësaj daton që nga vitet ’90, kur forcat paqeruajtëse irlandeze luajtën një rol jetik në Kosovë,” shkruan Balls.ie.

Gazeta irlandeze tregon se si tifozët që udhëtuan drejt Prishtinës mbetën të befasuar kur vendasit i ndalonin nëpër rrugë e kafene, jo si kundërshtarë të futbollit, por për t’u shprehur falënderime për kontributin e ushtarëve të tyre dekada më parë.

“Shumë nga tifozët tanë mbetën pa fjalë nga përzemërsia dhe respekti me të cilin u pritën. Kosova tregoi se e kujton me shumë mirënjohje rolin e Irlandës gjatë asaj periudhe të vështirë historike,” përfundon artikulli i Balls.ie.

Kjo ndeshje vërtetoi edhe një herë se për kosovarët, ndihma e dhënë në ditët më të errëta mbetet e gdhendur përgjithmonë në memorie.

 

Continue Reading

Të kërkuara