Shërbimi Sekret i Inteligjencës në Britaninë e Madhe (SIS), i njohur si MI6 (Inteligjenca Ushtarake, Seksioni 6), do të drejtohet nga një grua për herë të parë në historinë 116-vjeçare të shërbimit të inteligjencës së jashtme, sipas BBC.
Blaise Metreweli, e cila iu bashkua Shërbimit Sekret të Inteligjencës në vitin 1999, do të bëhet shefja e 18-të e organizatës duke zëvendësuar, Richard Moore.
Aktualisht, Metreweli është përgjegjëse për teknologjinë dhe inovacionin në M16.
Kryeministri britanik, Keir Starmer e cilesoi emërimin e saj si “historik” në një kohë kur puna e shërbimeve të inteligjencës ishte më e rëndësishme se kurrë.
MI6 është e ngarkuar me punën e inteligjencës jashtë vendit – për të përmirësuar sigurinë e BM-së, me qëllimet kryesore që janë ndalimi i terrorizmit, ndërprerja e aktiviteteve të shteteve armiqësore dhe forcimi i sigurisë kibernetike.
Shefi i saj, i njohur si “C”, është i vetmi anëtar i shërbimit – i emëruar publikisht.
Metreweli, 47 vjeç, është aktualisht Drejtoreshë e Përgjithshme “Q” – shefja e divizionit të rëndësishëm të teknologjisë dhe inovacionit – që synon të mbajë sekret identitetin e agjentëve sekretë – dhe të dalë me mënyra të reja për t’iu shmangur kundërshtarëve si mbikëqyrja biometrike e Kinës.
“MI6 luan një rol jetësor – së bashku me MI5 dhe GCHQ – në mbajtjen e popullit britanik të sigurt dhe promovimin e interesave të Britanisë së Madhe jashtë vendit”, tha ajo.
Metreweli, e cila studioi antropologji në Universitetin e Kembrixhit, më parë ka mbajtur pozicione në nivel drejtoreshe në MI5 – simotra e MI6, agjencia e sigurisë së brendshme – dhe e kaloi pjesën më të madhe të karrierës së saj duke punuar në Lindjen e Mesme dhe Evropë. /atsh