Kombëtarja e Italisë ka regjistruar fitoren e tretë radhazi, duke mposhtur Francën me rezultat 3-1 pas një përmbysjeje dhe duke u ngjitur në vendin e parë të grupit me 10 pikë, aq sa kanë edhe “Gjelat”.
Ndeshja nisi më mirë për francezët, të cilët kaluan në epërsi në minutën e 10-të me golin e Michael Olise, i cili përfitoi nga një gabim i portierit Gianluigi Donnarumma. Megjithatë, skuadra e drejtuar nga Roberto Mancini reagoi shpejt dhe barazoi shifrat në minutën e 26-të përmes Francesco Pio Espositos, pas asistimit nga Nicolo Cambiaghi.
Në pjesën e dytë, italianët shpërdoruan një rast të artë për të kaluar në epërsi, pasi Sebastiano Esposito humbi penalltinë në minutën e 60-të. Por vetëm tri minuta më vonë, Davide Frattesi realizoi për 2-1 pas një asistimi të Federico Dimarcos.
Fitoren e Italisë e vulosi sërish Francesco Pio Esposito në minutën e 75-të, duke u treguar i saktë nga pika e bardhë pas një penalltie të shkaktuar nga Dayot Upamecano, për rezultatin përfundimtar 3-1. /E.A/