Lajmet

​Ibishi për sulmin në Banjskë: Kishte për qëllim të krijojë pasoja të rënda për Kosovën

Ibishi vlerëson se situata e sigurisë vazhdon të jetë e brishtë në veri dhe se për këtë janë shtuar forcat policore.

Published

on

Në orët e hershme të 24 shtatorit të vitit që lamë pas, një grup terrorist serb i udhëhequr nga Milan Radoiçiq, organizoi një sulm të armatosur në Banjskë të Zveçanit, ku mbeti i vrarë rreshteri i policisë, heroi Afrim Bunjaku.

Rreth këtij sulmi, eksperti i sigurisë, Nuredin Ibishi thotë se sektori i sigurisë gjatë 2023-së u ballafaqua në mënyrën më të mirë në kuptim të kundërvënies, pasi në mënyrë profesionale Policia e Kosovës arriti të neutralizojë grupin terrorist.

Ibishi vlerëson se situata e sigurisë vazhdon të jetë e brishtë në veri dhe se për këtë janë shtuar forcat policore. Ai thotë se sulmi terrorist i 24 shtatorit ishte akti më i rëndë, i cili cilësohet si agresion, ku u kap një arsenal i madh i armatimit, pajisjeve dhe automjeteve të grupit terrorist serb.

“Po, ishte akti më i rëndë dhe cilësohet si agresion, prej institucioneve tona, por njëkohësisht edhe si akt terrorist, por sektori i sigurisë në rend të parë Policia e Kosovës u ballafaqua në mënyrën më të mirë në kuptim të kundërvënies, në mënyrë profesionale të neutralizojë grupin dhe e shpartalloi, mori ato imazhe çka është shumë me rëndësi. Përveç provave, mori imazhet nga aty me qëllim që t’i plasojë për opinionin përgjithësisht, nganjëherë edhe pse rastet janë reale, por pa argumentime…00:58 Tjetra, konfiskuan, pra u zunë dy nga grupi, pastaj u zënë shumë arsenal i madh i armatimit që kishin me vete, por edhe të tjera që ka pasur të depozituara, pajisjet dhe automjetet, e gjithë ajo që kishte të bëjë me një grup, kishte për qëllim një formë me pasoja të rënda për rendin dhe sigurinë në Kosovë”, tha Ibishi.

Ai e quan të padrejtë vendosjen e masave ndëshkuese të BE-së ndaj Kosovës, të cilat vazhdojnë të mbeten në fuqi.

Problemi sipas tij është arrestimi i Milan Radoiçiq, për të cilin është lëshuar kërkim ndërkombëtar nga Interpoli. Ai thotë se mos ekstradimi i tij nga Serbia po e bën më shumë problematike çështjen e hetimeve në Kosovë.

“Disa masa ndaj Kosovës u vunë në mënyrë të menjëhershme, dhe ato vazhdojnë të jenë në fuqi, ndërsa për një akt të tillë kaq të rëndë… Me gjithë ato sfida që po ballafaqohet drejtësia e Kosovës në kuptim të asaj që grupi përveç personave që janë të zënë, dhe atyre të materialeve përgjithësisht provave që kemi në dispozicion. Është problem çështja e Radoiçiqit për të cilën është shpallur fletë-rreshtimi i Interpolit, por edhe të tjerëve do t’u shpallet, ndërkohë edhe pasi mungesa e bashkëpunimit me Serbinë në kuptim të dy vendeve, sepse ne nuk kemi marrëdhënie bilaterale në kuptim edhe të drejtësisë dhe policisë. Kjo do ta vështirësojë, por edhe pozicioni serb për të mos e ekstraduar, pra këmbëngulja e tyre që mos të ekstradojë Radoiçiqin dhe të tjerët në Kosovë, e bën problematike çështjen e hetimeve në Kosovë dhe me këtë them që është një jo-reciprocitet në vendosjen e masave”, tha ai.

Ibishi thotë se vlerësimet e institucioneve kosovare për një sulm tjetër të mundshëm nuk vijnë kot, por nga informacionet e mbledhura kjo situatë paraqitet ende më sfiduese, me rreziqe dhe kërcënime për sigurinë në Kosovë, me mundësinë e përsëritjeve të rasteve të ngjashme.

“Këto vlerësime nuk vijnë “ paushall”, vijnë nga gjithë ato informacione që kolektohen… Gjithë kjo situatë paraqitet akoma sfiduese me rreziqet dhe kërcënime për siguri në Kosovë, dhe mundësinë e përsëritjeve të rasteve të tilla, sidomos kur kemi parasysh që Radoiçiq shihet me grupe të kriminelëve dhe terroristëve në afërsi të kufirit të Kosovës… Kjo tregon që edhe koncentrimi në kufi akoma është prezent, dhe kjo e bën akoma më të brishtë situatën, dhe për këtë arsye janë shtuar forcat policore në kuptimin e prezencës dhe mbikëqyrjes të vijës kufitare, kalimit kufitar nga Policia e Kosovës, por njëkohësisht edhe shtimi i kapacitetit të KFOR-it për një mijë nënkupton katërfishimin e forcave në veri, dhe trefishimin e patrullimit në pjesën kufitare në katër komunat veriore”, u shpreh ai.

Rajoni

BE-ja shpreh shqetësim për dhunën në protestën e Tiranës: Kërkon hetim për forcën e policisë

Published

on

By

Bashkimi Evropian ka shprehur shqetësim të thellë për përshkallëzimin e dhunës gjatë protestës në Tiranë, duke kërkuar që pretendimet për përdorim të tepruar të forcës nga policia ndaj protestuesve dhe gazetarëve të hetohen me përparësi.

Përmes një deklarate zyrtare, BE-ja theksoi domosdoshmërinë që forcat e rendit të veprojnë brenda kornizave ligjore dhe të respektojnë të drejtat e njeriut.

“Presim që veprimet e policisë të jenë proporcionale dhe të respektojnë të drejtat themelore, siç edhe presim që këto raste të hetohen me përparësi”, thuhet në deklaratë.

Më tej, BE-ja theksoi se liria e tubimit dhe e shprehjes janë të drejta themelore që duhet të respektohen dhe të ushtrohen gjithmonë në mënyrë paqësore. Blloku evropian u bëri thirrje të gjitha palëve të përfshira të ulin tensionet dhe t’i drejtohen dialogut konstruktiv për zgjidhjen e situatës.

Continue Reading

Vendi

Bëhet ndërrimi i komandës së KFOR-it në Kosovë

Published

on

By

Në Shtabin e Përgjithshëm të KFOR-it në Prishtinë sot është mbajtur ceremonia zyrtare e ndërrimit të komandës së misionit paqeruajtës të NATO-s në Kosovë. Gjatë kësaj ngjarjeje, komandanti i deritanishëm, gjeneralmajor Özkan Ulutaş, ia dorëzoi zyrtarisht detyrën gjeneralmajorit Roberto Vergori, i cili do të marrë drejtimin e mëtejshëm të misionit.

Në këtë ceremoni të rëndësishme morën pjesë krerët më të lartë të institucioneve shtetërore të Kosovës, përfshirë presidenten e sapozgjedhur, Justina Shiroka Pula, kryeministrin Albin Kurti, kryetaren e Kuvendit, Albulena Haxhiu, si dhe ministrave e ish-presidentëve të vendit.

Kryeministri Albin Kurti falënderoi gjeneralmajorin Ulutaş për shërbimin dhe kontributin e tij në ruajtjen e paqes dhe sigurisë në Republikën e Kosovës, duke i uruar njëkohësisht sukses komandantit të ri, gjeneralmajorit Vergori, në përgjegjësinë e tij të re.

Gjatë ceremonisë, kryeministri Kurti zhvilloi edhe një bashkëbisedim me ministrin e Mbrojtjes të Italisë, Guido Crosetto, nga i cili u informua se Italia po përgatit një dokument për zgjerimin dhe thellimin e bashkëpunimit bilateral ushtarak me Kosovën. Qeveria dhe Forca e Sigurisë e Kosovës rikonfirmuan përkushtimin për thellimin e bashkëpunimit me KFOR-in në shërbim të paqes dhe stabilitetit. /E.A/

Continue Reading

Rajoni

Tensione në Tiranë: Studentët përplasen me policinë, sulmohet një bankë komerciale dhe dëbohen politikanët

Published

on

By

Tensionet në Rrugën e Durrësit pranë Ministrisë së Arsimit në Tiranë po vazhdojnë edhe sot, ku protesta e studentëve ka pësuar përshkallëzim të mëtejshëm. Disa nga protestuesit kanë sulmuar një bankë komerciale, duke i goditur e thyer xhamat e jashtëm si dhe duke tentuar t’i shkulin pllakat e godinës.

Në protestë janë grumbulluar studentë nga universitete të ndryshme, përfshirë Universitetin e Mjekësisë, Universitetin Bujqësor të Tiranës, Politeknikun, Fakultetin e Drejtësisë e të tjerë. Ndaj ndërtesës së ministrisë janë hedhur mjete piroteknike, ndërsa Policia e Shtetit është pozicionuar përballë tyre dhe po vazhdon shpërndarjen e turmës me ujë me presion, si dhe ka arrestuar e shoqëruar disa pjesëmarrës.

Situatë me tensione u shënua edhe te Fakulteti i Shkencave të Natyrës, ku një grup protestuesish e theu derën kryesore dhe u fut brenda ambienteve të fakultetit.

Në vendngjarje u parën edhe disa deputetë të Partisë Demokratike (PD), mirëpo prania e tyre u refuzua nga të rinjtë. Figurat politike si Belind Këlliçi dhe Eno Bozdo u dëbuan nga vetë studentët, të cilët iu kërkuan të largohen për të shmangur politizimin e kauzës, përpara se të vazhdonin përplasjen me forcat policore.

Ndërkohë, vala e protestave dhe pakënaqësive po përhapet edhe në qytete të tjera të Shqipërisë. Në Universitetin e Elbasanit dhe atë të Shkodrës ka nisur bojkotimi i procesit mësimor në shenjë solidariteti me studentët në Tiranë. Ndërkaq, në Durrës, Vlorë dhe Gjirokastër situata raportohet të jetë e qetë dhe mësimi po zhvillohet normalisht. /E.A/

Continue Reading

Lajmet

SHBA-ja nuk ndryshon qëndrim për Dialogun Strategjik me Kosovën

Published

on

By

Departamenti amerikan i Shtetit (DASH) ka ritheksuar se zhvillimi i Dialogut Strategjik me Kosovën varet nga krijimi i kushteve të përshtatshme, përfshirë përmbushjen e zotimeve të Kosovës ndaj serbëve të Kosovës.

Në një përgjigje për Radion Evropa e Lirë më 13 tetor, DASH-i përsëriti qëndrimin e shprehur në korrik, pa sqaruar nëse Kosova ka bërë përparim drejt përmbushjes së kushteve apo cilët hapa konkretë mbeten për t’u ndërmarrë.

“Ne mbetemi të përkushtuar për avancimin e interesave të përbashkëta të Shteteve të Bashkuara dhe popullit të Kosovës”, tha një zëdhënës i Departamentit të Shtetit për Radion Evropa e Lirë.

Ky qëndrim vjen pasi presidentja e Kosovës, Justina Shiroka Pula, kërkoi rifillimin e Dialogut Strategjik gjatë takimit të 12 tetorit me senatorët amerikanë Jeanne Shaheen dhe Dick Durbin në Prishtinë. Sipas njoftimit të Presidencës, ajo theksoi rëndësinë e këtij dialogu për thellimin e partneritetit dhe avancimin e prioriteteve të përbashkëta.

Gjatë një interviste për Radio Televizionin e Kosovës, Shaheen tha se do të ishte shumë mirë që Dialogu Strategjik të rifillonte, ndërsa përmendi si sfida ndryshimet në administratën amerikane dhe në Departamentin e Shtetit.

Departamenti i Shtetit rikujtoi se SHBA-ja e pezulloi Dialogun Strategjik për një periudhë të pacaktuar në shtator të vitit 2025, për shkak të shqetësimeve lidhur me veprimet e Qeverisë së atëhershme në detyrë. Vendimi erdhi pasi autoritetet e Kosovës ndërmorën veprime ndaj institucioneve paralele serbe që funksiononin në Kosovë.

Radio Evropa e Lirë i është drejtuar Qeverisë së Kosovës për hapat që po ndërmerr për rifillimin e Dialogut Strategjik.

Shtuni: Qëndrimi nuk ndryshon vetëm me kalimin e kohës

Eksperti për siguri dhe politikë të jashtme me bazë në Uashington, Adrian Shtuni, thotë se ndryshimi i qëndrimit amerikan varet nga adresimi i shkaqeve që çuan te pezullimi.

“Aktualisht qëndrimi mbetet i njejtë pasi Kosova ka mbetur në vend numëro në shumë drejtime prej pothuaj dy vitesh”.

Ai e vlerëson si shpresëdhënës kompromisin politik që mundësoi zgjedhjen e presidentes Shiroka Pula, por thekson se për rifillimin e Dialogut Strategjik nevojiten veprime të tjera.

“Pa hapa konkrete dhe të shpejta për krijimin e rrethanave të përshtatshme, adresimin e kërkesave të SHBA-ve, dhe përmbushjen e zotimeve të marra më herët unë nuk e shoh si realiste pritshmërinë për rifillimin e dialogut strategjik”, thotë Shtuni për REL-in.

Sipas tij, Kosova duhet ta shtojë edhe angazhimin e saj diplomatik në Uashington.

Ai vlerëson se vizitat dhe angazhimi i senatorëve ndihmojnë për ta mbajtur Kosovën në vëmendjen amerikane, por vendimi për Dialogun Strategjik është kompetencë e ekzekutivit.

“Faktor vendimtar mbetet ndëmarja e hapave konkretë nga ana e autoriteteve të Kosovës për të adresuar çështjet që çuan në pezullimin e dialogut”.

Çfarë pritet nga Kosova në raport me serbët?

Në përgjigjen e fundit, DASH-i nuk i specifikoi zotimet që pret të përmbushen. Por, prej vitesh, Shtetet e Bashkuara dhe Bashkimi Evropian i kërkojnë Kosovës të zbatojë marrëveshjet e arritura në dialogun me Serbinë, të ndërmjetësuar nga BE-ja. Ato përfshijnë, mbi të gjitha, sigurimin e një niveli të vetëmenaxhimit për komunitetin serb në Kosovë, që nënkupton themelimin e Asociacionit të komunave me shumicë serbe, në përputhje me Marrëveshjen Bazë të vitit 2023 dhe Aneksin e Ohrit.

Pasi presidentja Justina Shiroka Pula kërkoi rifillimin e Dialogut Strategjik, Radio Evropa e Lirë iu drejtua Presidencës së Kosovës për të kërkuar qëndrimin e saj për themelimin e Asociacionit të komunave me shumicë serbe, një nga zotimet që DASH-i kërkon të përmbushen, por deri në publikimin e këtij shkrimi nuk mori përgjigje.

Ndërkohë, Perëndimi kërkon edhe që Kosova t’i zgjidhë kontestet me Kishën Ortodokse Serbe, të mbrojë liritë fetare dhe të shmangë veprime të njëanshme në veriun e vendit, të cilat, sipas Uashingtonit, kanë rritur tensionet me komunitetin serb.

Zbatimi i marrëveshjeve ishte edhe ndër çështjet që përfaqësuesit e Listës Serbe ngritën gjatë takimit me Shaheen dhe Durbin në Ambasadën amerikane në Prishtinë.

Sipas komunikatës së kësaj partie, kryetari i Listës Serbe, Zlatan Elek dhe shefi i grupit parlamentar, Igor Simiq, shprehën shqetësime për të drejtat dhe sigurinë e serbëve, duke theksuar veçanërisht mosthemelimin e Asociacionit dhe çështjen e përfaqësimit të serbëve në institucione. Komunikata nuk bëri të ditur qëndrimet e senatorëve për këto çështje.

Kosova argumenton se zbatimi i obligimeve nga dialogu me Serbinë duhet të jetë i ndërsjellë, ndërsa veprimet e saj në veri – nga heqja e dinarit serb nga përdorimi deri te mbyllja e shumicës së institucioneve paralele serbe – kanë pasur për qëllim shtrirjen e sundimit të ligjit.

Prishtina, gjithashtu, kërkon që Serbia ta nënshkruajë Marrëveshjen Bazë, gjë të cilën Beogradi e ka refuzuar.

Për vazhdimin e dialogut me Serbinë, autoritetet e Kosovës kërkojnë ekstradimin e ish-nënkryetarit të Listës Serbe, Milan Radoiçiq, i cili ka marrë përgjegjësinë për sulmin e armatosur në Banjskë në shtator të vitit 2023.

Radoiçiq është nën sanksione të Shteteve të Bashkuara për përfshirje në korrupsion dhe aktivitete të krimit të organizuar, ndërsa ndaj tij është ngritur aktakuzë në Kosovë për terrorizëm dhe vepra të tjera penale.

Çfarë nënkupton pezullimi i Dialogut Strategjik në praktikë?

Shtuni e cilëson pezullimin si “ndëshkim politik dhe diplomatik”, që ka pasoja praktike për Kosovën, pasi “ngrin një kuadër të planifikuar bashkëpunimi të nivelit të lartë”.

Sipas tij, Kosova ka nevojë veçanërisht për mbështetjen politike dhe diplomatike amerikane për sigurimin e njohjeve të reja dhe anëtarësimin në organizata ndërkombëtare, veçanërisht në NATO.

“Pa një mbështetje të fortë nga SHBA-të në të gjitha këto fusha, Kosova fatkeqësisht mbetet në vendnumëro”, thotë ai për REL.

Shtuni vlerëson se mundësitë e humbura shtrihen edhe në ekonomi.

“Sa kohë që dialogu mbetet i pezulluar, Kosova humbet mundësinë për të thelluar në mënyrë sistematike bashkëpunimin ekonomik, tregtinë, lehtësimin e investimeve dhe koordinimin më të gjerë diplomatik me SHBA-të”.

Sipas tij, kjo vonon nismat e reja të përbashkëta në fusha jetike për Kosovën si energjia, infrastruktura dhe lidhjet tregtare, duke “kufizuar gjithashtu aftësinë e Kosovës për të forcuar pozicionimin e saj ndërkombëtar dhe për të shfrytëzuar partneritetin për avancimin e qëllimeve startegjike euroatlantike”.

Shtuni thekson se pezullimi i këtij mekanizmi nuk nënkupton ndërprerjen e të gjithë bashkëpunimit. Sipas tij, bashkëpunimi thelbësor vazhdon në siguri dhe në ngritjen e kapaciteteve ushtarake të Kosovës, ndërsa pezullimi prek kryesisht kuadrin e nivelit të lartë për zgjerimin e partneritetit.

Kosova synon ta thellojë më tej bashkëpunimin në fushën e sigurisë, duke kërkuar që kampi Bondsteel të bëhet bazë e përhershme amerikane. Senatori Dick Durbin tha se ky propozim duhet të shqyrtohet seriozisht dhe se Qeveria e Kosovës ka propozuar edhe një marrëveshje financiare për këtë qëllim.

Radio Evropa e Lirë i është drejtuar Pentagonit dhe Qeverisë së Kosovës për detaje të propozimit, por deri në publikimin e këtij shkrimi nuk ka marrë përgjigje.

Shtuni vlerëson se propozimi financiar i Kosovës për ta shndërruar kampin Bondsteel në bazë të përhershme amerikane nuk është i papërfillshëm, por se vendimi i Uashingtonit do të varet kryesisht nga interesat strategjike dhe ushtarake, në kohën kur SHBA-ja po shqyrton reduktimin e pranisë së saj ushtarake në Evropë.

“Gjasat janë të ulëta që të marrë përgjigje pozitive nga administrata aktuale që ndërkohë po shqyrton seriozisht reduktimin e pranisë ushtarake në Evropë”, thotë Shtuni për REL.

/REL/

Continue Reading

Të kërkuara