Lajmet

I akuzuari për krime lufte kërkon t’i ndërpritet paraburgimi: Nuk e kam ndërmend të ik nga Kosova

Published

on

Në seancën e së enjtes, në Gjykatën Themelore në Prishtinë është deklaruar i pafajshëm sërish i akuzuari për krime lufte, Sladan Trajkoviq.

Duke qenë se kishte ndryshime në trupin gjykues, i akuzuari Trajkoviq është pyetur sërish në lidhje me fajësinë e tij për të cilën është deklaruar i pafajshëm, ndërsa aktakuza duke qenë se është lexuar edhe më parë është konsideruar e lexuar, raporton “Betimi për Drejtësi”.

Mbrojtësi e të akuzuarit Trajkoviq, avokati Dejan Vasiç, në fjalën e tij hyrëse ka kërkuar nga trupi gjykues që të ndërrohet masa e paraburgimit dhe e njëjta të zëvendësohet me një masë më të lehtë.

Sipas tij, gjykata nuk e ka dhënë asnjë arsyetim tjetër se përse i mbrojturi i tij po i vazhdohet masa e paraburgimit përpos arsyetimit se i njëjti ka dy nënshtetësi, dhe se ekziston rreziku i arratisjes.

Kërkesën e mbrojtjes së tij e ka mbështetur edhe i akuzuari Trajkoviq.

“Unë nuk e kam ndërmend të ik nga Kosova, asgjë nuk kam në Serbi, të gjithën që e kam, atë që më vlen shpirtërisht e materialisht është këtu në Kosovë”, tha i akuzuari Trajkoviq.

Tutje, në këtë seancë është dëgjuar edhe fjala hyrëse e prokurores speciale, Florie Shamolli e cila deklaroi se nga provat e marra e deklaratat e dëgjuara i akuzuari do të gjendet fajtor për veprën që i ngarkohet.

Ajo gjithashtu i bëri kërkesë gjykatës që dëshmitë e marra të dëshmitarëve të konsiderohen të lexuara, kjo për shkaqe ekonomizimi të procedurës dhe eliminimi të zvarritjes së saj.

Kryetari i trupit gjykues, gjyqtari Ngadhnjim Arrni, mori aktvendim përmes të cilit aprovoi kërkesën e prokurores Shamolli që dëshmitë e dëshmitarëve të konsiderohen të lexuara, ndërkaq lidhur me kërkesën e mbrojtjes që të pandehurit t’i ndërpritet masa e paraburgimit njoftoi se trupi gjykues do vendosin jashtë seancës dhe për të njëjtën kërkesë do të nxjerrin aktvendim në formë të shkruar.

Duke qenë se mungonte prezenca e dëshmitarëve të padëgjuar, seanca është ndërprerë për të vazhduar në një datë tjetër.

Ndryshe, Prokuroria Speciale e Republikës së Kosovës (PSRK), më 12 korrik 2023 ka ngritur aktakuzë kundër Sladan Trajkoviq i cili akuzohet për krime lufte kundër popullatës civile.

Sipas aktakuzës, Trajkoviq po akuzohet se gjatë kohës së luftës në Kosovë, në periudhën kohore 1998-1999 në fshatin Reznik, Komuna e Vushtrrisë dhe në fshatrat përreth kësaj komune, individualisht dhe në bashkëkryerje me personat tjerë, ka kontribuar në vrasje, bastisje, rrahje, maltretime, arrestime, tortura, trajtim në mënyrë ç‘njerëzore, mbajtja në kushte skllavërie, dëbimin dhe depërtimin e mijërave civilëve shqiptarë si dhe masat e plaçkitjes, djegies dhe shkatërrimit të shtëpive të popullsisë civile shqiptare që nuk kanë marrë pjesë drejtpërdrejt në konflikt.

Me këto veprime, Trajkoviq akuzohet se në bashkëkryerje me pjesëtarë të tjerë të panjohur të njësisë së Policisë Serbe dhe personave tjerë të armatosur dhe të uniformuar ka kryer veprën penale “Krimet e luftës kundër popullatës civile”, e paraparë dhe e dënueshme sipas nenit 142 dhe 22 të Ligjit Penal të ish-Republikës Socialiste Federative të Jugosllavisë aktualisht i inkriminuar si krime kundër njerëzimit nga neni 143, paragrafi 1, nënparagrafi 1.4, 1.6 dhe 1.7 lidhur me nenin 31 të Kodit Penal të Republikës së Kosovës.

Lajmet

Del nga shtypi libri “Rezistenca e Materialeve – 2” nga profesori i UBT-së, Naser Morina

Published

on

By

Profesori i Fakultetit të Inxhinierisë së Ndërtimit dhe Infrastrukturës në UBT, Naser Morina, ka botuar librin e ri “Rezistenca e Materialeve – 2”, i cili u dedikohet studentëve dhe profesionistëve të fushës së inxhinierisë së ndërtimit.

Ky botim paraqet një vazhdim të thelluar të koncepteve të rezistencës së materialeve, duke trajtuar në mënyrë të detajuar sjelljen e materialeve dhe elementeve strukturore nën veprimin e ngarkesave të ndryshme. Libri përfshin analizën e avancuar të sforcimeve, deformimeve dhe stabilitetit të strukturave, duke ndërlidhur teorinë me aplikimet praktike në inxhinieri.

Përmes shpjegimeve të qarta dhe shembujve ilustrues, “Rezistenca e Materialeve – 2” synon të ndihmojë studentët në përvetësimin më të lehtë të koncepteve komplekse, si dhe të shërbejë si një udhëzues i vlefshëm për zgjidhjen e problemeve inxhinierike në praktikë.

Ky libër përfaqëson një kontribut të rëndësishëm në pasurimin e literaturës akademike në gjuhën shqipe dhe mbështet zhvillimin profesional të gjeneratave të reja në fushën e inxhinierisë.

Continue Reading

Lajmet

Kthehet në Kosovë ish-ushtari i UÇK-së që po mbahej në Serbi

Published

on

By

Pas disa muajsh qëndrimi në burgjet e Serbisë, sot është liruar dhe është kthyer në Kosovë ish-ushtari i Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, Mit’hat Llozhani. Lajmin e ka bërë të ditur avokati i tij, Arianit Koci, i cili e ka shoqëruar Llozhanin sapo ai ka kaluar kufirin.

Avokati Koci e ka cilësuar këtë si një mision të vështirë dhe të rëndë, duke treguar se i është dashur të udhëtojë disa herë drejt Beogradit për të ndjekur rastin. “A kam pasë probleme dhe rrezik? Nuk është me rëndësi. Me rëndësi është që një qytetar i Kosovës u kthye në shtëpi,” ka deklaruar Koci, duke shtuar se këtë shërbim e ka kryer pa pagesë dhe për ideale kombëtare.

Sipas Kocit, Llozhani ka kaluar nëpër një periudhë jo të lehtë gjatë kohës së burgosjes.

Ai ka paralajmëruar se informata më të detajuara rreth rrethanave të arrestimit dhe mbajtjes në Serbi do të jepen në ditët në vijim, së bashku me vetë Mit’hat Llozhanit.

Continue Reading

Lajmet

Raportohet i zhdukur një person në Leposaviq

Published

on

By

Një grua, shtetase e Serbisë, ka raportuar në polici se ka humbur kontaktet me djalin e saj në komunën e Leposaviqit. Sipas njoftimit, personi i zhdukur është po ashtu shtetas i Serbisë.

Lidhur me këtë rast është njoftuar menjëherë prokurori kompetent, i cili ka lëshuar urdhër për fillimin e hetimeve.

Njësitet policore janë duke punuar për zbardhjen e rrethanave dhe gjetjen e personit të raportuar si i zhdukur.

Continue Reading

Lajmet

Gjashtë raste të dhunës në familje brenda 24 orëve në Kosovë

Published

on

By

Në raportin 24-orësh të Policisë së Kosovës, brenda një dite janë regjistruar gjashtë raste të dhunës në familje në qytete të ndryshme.

Në rastin e parë në Lipjan, një burrë është denoncuar për dhunë ndaj një gruaje, ku pas intervistimit rasti ka vazhduar në procedurë të rregullt.

Në Prishtinë janë shënuar dy incidente; në njërin prej tyre një burrë është arrestuar dhe liruar pas marrjes në pyetje për dhunë ndaj një gruaje, ndërsa në tjetrin, i dyshuari është dërguar në mbajtje për shkak të dhunës së ushtruar.

Edhe në Pejë është raportuar një përleshje mes tri grave, të cilat janë sulmuar mes vete dhe njëra prej tyre ka marrë tretman mjekësor, por të gjitha janë liruar pas procedurave policore.

Ndërkaq, në Gjakovë një burrë është arrestuar dhe dërguar në mbajtje për 48 orë nën dyshimin se ka ushtruar dhunë ndaj një gruaje.

Së fundi, në Mitrovicën e Veriut, dy burra janë shoqëruar në stacion pas një zënke familjare, por me vendim të prokurorit janë liruar në procedurë të rregullt.

Continue Reading

Të kërkuara